Grupi që solli muzikën rock në Shqipëri… ose fillimi dhe fundi i një kulture
Valentin Bruçaj, 26 janar 2019
Formimi i grupit
“Fillimi i epokës së re. Kur toka me vete flet.
Kur muret e dhimbjes u thyen. Me mijëra largohen n’det.
Kur vetë heshtja kishte zë. Kur ditët u kthyen në netë.
Dhe kur lindja ish përendimi. Një emër i ri vjen në jetë”.
Këto vargje, për shumë shqiptarë, mund të sjellin në kujtesë periudhën më të dhimbshme te historisë së vonë të shqiptarëve, eksodit masiv drejt Perëndimit. Në të vërtetë, këto vargje i kushtohen lindjes së grupit rock Djemtë e Detit. Grupi më i suksesshëm në historinë e shkurtër të këtij zhanri në Shqipëri. Fati i këtij grupi do të ishte i lidhur ngushtë me vetë fatet e Shqipërisë. Ngjarjet politike e sociale që do të kalonte vendi ynë më vonë, do të kushtëzonin krijimtarinë e Djemve të Detit, duke u bërë pengesa kryesore në jetëgjatësinë e grupit. Fatmirësisht, as ato ngjarje, nuk kanë arritur të na privojnë nga tingujt më të bukur që janë shkruar ndonjëherë në muzikën shqiptare.
Djemtë e Detit, ndonëse nuk thirreshin ende me këtë emër, luanin së bashku në qytetin e tyre, në Lezhë, që në vitet ’89-’90, ku kontributin kryesor në themelimin e grupit e mban muzikanti Shkëlqim Rrustja. Siç deklaronte në një intervistë viteve të fundit, “duke dëgjuar muzikën e Eric Clapton e Dire Straits, ëndërroja të krijoja nje grup rock që të shkruanim muzikë si ata”. Do të largohej për në Shtetet e Bashkuara që në vitin ’90.
Për publikun grupi me emrin Djemtë e Detit u paraqit për herë të parë në Festivalin e 30-të të këngës në vitin 1991, me këngën “Ëndrrat që për ty i thura”. Pjesë e një grupimi këngësh me tendencë pak a shumë rock, që disa grupe të sapoformuara kishin sjellë si rebelim ndaj regjimit që ishte duke perënduar. Duhej të ishte vazhdimi i revolucionit rock që ishte tentuar në Festivalin e 11-të, që do të hynte në histori si revolucioni që nuk ndodhi kurrë. Ajo që do të ndodhte më vonë me muzikën shqiptare, do të spastronte nga skena zhanrin më të njohur në historinë e muzikës botërore. Por kjo është një histori tjetër, me nënkultura që do të importoheshin më vonë.
Si të gjithë muzikantët shqiptarë, që vinin nga një realitet i mbyllur, edhe djemtë nga Lezha kishin pak eksperiencë me muzikën rock. Dhe për të hedhur hapin e duhur në muzikën rock duhet të gjenin elementin që mund të plotësonte kapacitetin e grupit. Një shpirt rock që nuk ishte e lehtë të gjindej në një vend si Shqipëria. Kështu, pak muaj më vonë, në vitin 1992, Djemve të Detit do t’u bashkohej Valentin Markvukaj, një muzikant që kishte qenë gjithmonë në miqësi me pjesëtarët e tjerë. Ishte kompozitor e pianist, një muzikant i një kategorie tjetër, elementi i duhur në momentin e duhur.
Do të rezultonte elementi vendimtar për krijimtarinë e grupit. Pjesa më e madhe e këngëve të grupit do të mbanin firmën e tij. Kohezioni me Gentian Demaliajn krijoi binomin që do të shndërronte Djemtë e Detit në një rock band të vërtetë. Në këtë mënyrë grupi do të plotësohej me formacionin origjinal që të gjithë kemi njohur: Këngëtar Gentian Demaliaj, në kitarë Flamur Toska, në bass Shkëlqim Metaj, në keyboard Valentin Markvukaj dhe në bateri Dhori Bllahova.
Djemtë e Detit morën pjesë në shumë festivale, ku fituan shpesh herë edhe çmime të ndryshme, por nuk duhen kujtur për këtë, ose të paktën nuk është qellimi i këtij shkrimi. Ata duhen kujtuar për muzikën rock që shkruan.
Albumi “Izolimi Vdes”
Në vitin 1997 Djemtë e Detit publikojnë albumin e parë, “Izolimi Vdes”. Një album classic rock që përmban pothuajse të gjitha versionet e këtij zhanri: soft roc, folk rock e hard rock. Këngët e këtij albumi, jo vetëm që do të shndërroheshin shumë shpejt në hite për të rinjtë e viteve ’90, por vazhdojnë të dëgjohen ende sot, pas më shumë se njëzet vitesh nga publikimi. Albumi u publikua ne formatin cassette, megjithatë është ripublikur i rimasterizuar edhe më vonë në versionin audio streaming, ku ndryshon renditja e këngëve.
Kënga që hap albumin ishte një këngë cover, nga një këngë folklorike që ekzistonte edhe më parë “Baladë për Jakup Ferrin”. Një këngë, si shumë këngë të tjera folklorike që ishin pjesë e rutinës muzikore të fundviteve ’80. Djemtë e Detit e morën dhe e shndërruan në një baladë rock, duke sajuar për herë të parë në historinë e muzikës shqiptare një stil të ri në absolut: një folk-rock shqiptar. Ndonëse nuk u përsërit në asnjë rast tjetër, do të ishte një revolucion i vërtetë muzikor. Djemtë e Detit bënë me këtë këngë, atë që bënin Led Zeppelin me muzikën irlandeze, ku folkun e vjetër irlandez e shndërronin në hard rock, apo atë që bënë Eagles me muzikën country (popullore) amerikane. Idea e aranxhimi kanë qenë të Valentin Markvukajt e Gentian Demaliajt.
Kënga e dytë e albumit është “Lamtumirë”, muzika është shkruar nga Bujar Daci(bashkëpuntor dhe mik i grupit) e teksti nga Gëzim Toska. Një ndër këngët më të bukura që ishin shkruar deri në atë moment në muzikën shqiptare. Hard rock i versionit më klasik të këtij stili. Një tingull i ri dhe krejt i panjohur për muzikën shqiptare.
“Mos Qaj” është kënga e tretë e albumit. E shkruar nga Bujar Daci (muzika) e Gentian Demaliaj (teksti). Një këngë soft rock, dedikuar një plage të panjohur deri në ato momente nga shqiptarët, viktimave të drogës. Ka qenë emblema e albumit dhe pjesës së parë të karrierës së grupit.
Për të vazhduar me “Izolimi Vdes”, këngës me të njëtin titull me albumin. Këngë që shpreh optimizmin se shqiptarët nuk do të përjetojnë kurrë më dhimbjet e izolimit komunist. Eshtë një këngë hard rock shkruar nga Valentin Markvukaj (muzika) e Mimoza Ahmeti (teksti).
Për të arritur te kënga “Jo tani”. Këngë që do të rrënjoste bashkëpunimin mes Valentin Markvukaj e Gentian Demaliaj. Ndoshta kënga më e bukur e albumit, sigurisht ndër këngët më të bukura që janë shkruar ndonjëherë. Këngë hard rock, me të njëjtin sound më këngën ‘Lamtumirë’. Një tingull që nuk mund mos të prekte thellë në shpirt të gjithë ata që kishin jetuar vite më parë duke ëndërruar tingullin e ndaluar rock.
“Ëndërra Ime, është kënga më e vjetër e grupit. E shkruar që në vitin ’89-’90 nga Shkëlqim Rrustja me tekst të gazetarit Bashkim Zeneli. Është një këngë soft rock. Një “sound” që do të përsëritej edhe te këngë të tjera të grupit.
“Kohë pa ty”, është shkruar edhe ajo nga Markvukaj (muzika) e Demaliaj (teksti). Edhe në këtë këngë spikat tingulli soft rock. Në shumë intervista Demaliaj e Markvukaj kanë deklaruar se kjo është kënga më e preferuar për ata vetë nga albumi i parë. Një këngë aq emocionuese sa edhe impenjative në interpretim.
Kënga tjetër është “Zemërthyeri”. Këngë e shkruar nga Valentin Markvukaj (muzika) e Mimoza Ahmeti (teksti). Në këtë këngë spikasin notat e larta e tingulli hard rock. Me përjashtim të këngës ‘Izolimi vdes’, është kënga me nota më të larta nga i gjithë albumi, dhe ka një tekst të mrekullueshëm.
“Melodia e Dhimbjes” është një istrumentale, shumë melankonike dhe, siç e thotë titulli, e dhimbshme. Një melodi që, ndoshta, pasqyron shpirtin e pjesëtarëve të grupit, kushtet në të cilat shkruan dhe momentet që kalonte Shqipëria në vitet ’90. Si i gjithë albumi, transmeton një ndjenjë dhimbjeje shpirtërore. Kjo melodi mbyll një album historik, që do të pasuronte muzikën shqiptare me një sound të ri hard rock.
Një këngë tjetër single e atyre viteve, por që nuk u publikua në asnjërin album është edhe “Në Udhëkryq”. Ishte një këngë shumë e bukur hard rock, e shkruar nga Valentin Markvukaj (muzika) e Timo Flloko (teksti). Nuk ka qenë kënga më e bukur e Djemve të Detit, por më e bukur se të gjitha këngët që kanë konkuruar në festivalet shqiptare të 20 viteve të fundit. Kjo këngë konkuroi në “Kënga Magjike 2007”. Eshtë e pabesueshme, por drejtuesit e festivalit e eleminuan që në natën e parë.
Siç u tha më lart, fatet e grupit ishin të lidhura me fatet e Shqipërisë. “Izolimi Vdes” u publikua në vitin ’97 kur shqiptarët kishin probleme të tjera më parë se të dëgjonin muzikë. Të shkruaje rock në Shqipëri nuk pasuroheshe si në Perëndim, ndoshta as nuk mbijetoje. Në këtë mënyrë rrugët e pjesëtarëve të grupit morën drejtime të ndryshme. Në fund të viteve ’90 emigracioni përfshiu edhe Djemtë e Detit duke rrezikur ekzistencën e grupit. Grupi asnjëherë nuk u shpërbë zyrtarisht, por pjesëtarët e grupit nuk do të bashkoheshin të gjithë së bashku më kurrë, dhe albumi i dytë e i fundit do të publikohej më shumë se dhjetë vjet më vonë.
Albumi ‘Epos’ dhe ndryshimi i stilit muzikor
Në vitin 2009, Djemtë e Detit, ose ata që kishin mbetur, publikuan albumin “Epos”. Në këtë album u përfshinë vetëm Demaliaj e Markvukaj duke ndryshuar edhe stilin muzikor. Stili hard rock i lë vendin nje stili të ri. Edhe në këtë rast diçka e re për muzikën shqiptare. Me ndonjë përjashtim të vogël, albumi ‘Epos’ është progressive-rock. Nëse albumi i parë do të ishte një album historik, që do të bënte të njohur grupin me publikun shqiptar, dhe do të sillte në skenën muzikore shqiptare stilin hard rock, albumi i dytë do të ishte një kryevepër rock që do të konfermonte kapacitetin e grupit. Një album që vendoste Djemtë e Detit përfundimisht në elitën e muzikës shqiptare të të gjitha kohërave. Të gjitha këngët janë të kompozuara nga Valentin Markvukaj, ndërsa tekstet e shkruara nga Gentian Demaliaj.
“Epos” është kënga me të njëtin titull që hap albumin. Krijimi më i bukur i këtij grupi të jashtëzakonshëm, dhe si rrjedhojë kënga me e bukur që është shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Zakonisht një këngë apo album rock analizohet për muzikën, rrallë herë për tekstet, por kjo këngë është një kryevepër edhe në këtë aspekt. Teskti i jashtëzakonshëm patriotik, shkruar nga Demaliaj, dhe tingulli progressive rock i Markvukajt, na sjellin një këngë aq të përkryer, sa do të duhej t’u mësohet fëmijëve në shkolla. Kënga fillon me një motiv të eposit të Shqipërisë së Veriut për t’u shndërruar në një këngë të mirëfilltë rock. “Këndoj male se sytë s`shikojnë/ malet dhimbshëm zënë tregojnë/ pamë ne bijtë që n`betejë ranë/ pamë ne nënat që si qanë”. Janë disa nga vargjet emocionuese të kësaj këngë të mrekullushme, që ofron edhe një herë folkun shqiptar me muzikën rock.
“Më e shtrenjta fjalë”, është kënga e dytë e albumit, me një sound hard rock. Eshtë një këngë melankolike që i kushtohet nënës. Nga kjo këngë mund të thuhet së Gent Demaliaj fillon të shprehë gjendjen e tij shpirtërore. Një gjendje shpirtërore që do të shprehej edhe në disa këngë të tjera të këtij albumi.
“Me engjëjt” është një këngë progressive rock. Kjo këngë mund të konsiderohet si testamenti shpirtëror i Gent Demaliajt. “Endrrat e mia ngjiten dhe vinë atje mbi re/ por ty s’të gjejnë dhe fiken”.., janë vargjet tejet shpirtërore që autori shpreh; sikur të komunikonte me Perëndinë. Kënga mbyllet me një kitar-sol të mrekullueshëm hard e progressiv rock që nuk mund mos të prekë thellë në shpirt admiruesit muzikës më të bukur në botë.
“Beteja e Dhimbjes” është e ndarë në dy versione. Në rastin e parë kënga është në versionin akustik, ku del ne pah zëri emocionues i Gent Demaliajt, aftësia e lartë interpretuese. Në versionin e dytë, Djemtë e Detit i rikthehen stilit hard rock të albumit të parë. ‘Beteja e Dhimbjes’, është kënga tjetër ku Demaliaj shpreh edhe një herë gjendjen e tij shpirtërore. Kënga është pothuajse një autobiografi shpirtërore; lufta e tij e brendshme me “betejën njeri”. ‘Beteja e Dhimbjes’ është kënga më emocionuese që Djemtë e Detit kanë shkruar.
“Si Gjethet” është kënga më e veçantë e gjithë repertorit të tyre. Shumë e ndryshme me të gjitha këngët tjera. Djemtë nga Lezha sjellin edhe një stil tjetër në krijimtarinë e tyre, stilin simfonik rock. Një stil që është një version i progressive rock, por më romantik, që bazohet te muzika klasike. Stil që e gjejmë në fund të viteve ’70 te grupi britanik Genessis. “Si Gjethet” është luajtur me klaviçembal e kitarë. Është kënga më e gëzueshme që Djemtë e Detit kanë shkruar.
Pjesë e albumit janë edhe dy istrumentale, “Lindja, Jeta, Vdekja” dhe “Mbi Re”. Natyrisht, të shkruara nga Valentin Markvukaj.
Kënga “Përrallë Dashurie’, përbën një përjashtim në autorësinë e saj. Kompozimit të Valentin Markvukaj nuk i bashkangjitet, si zakonisht, teksti i Gentit, por një poezi e aktorit Timo Flloko dhe rezultati është edhe një herë i jashtëzakonshëm. Një këngë tjetër progressive rock që pasuron një album kryevepër. “Jam shpend stine dhe shtegtoj/ kur t’vij vera prapë do të kthehem/ Erë e vjeshtës fryn kam ftohtë/ Dimri i egër me sjell vdekjen”. Janë fjalët e një shtetgtari që i këndon dashurisë së tij. Një sound e një tekst i një bukurie të rrallë.
Kënga që mbyll këtë album fantastik titullohet ”Djemtë e Detit”. Është një këngë progresive e psychedelic rock. Sigurisht, ndër këngët më rock të krijimtarisë së grupit. Fillon me zhurmën e valëve të detit, sikur djemtë të kenë shkuar për të takuar të atin. Kjo këngë i dedikohet vetë grupit, kohës kur u formua, momenteve që kalonte vendi dhe ikjes në masë të shqiptarëve drejt Perëndimit. Ishte “fillimi i shekullit të ri për shqiptarët, kur klithmat shponin dhe retë, kur ish viti ’91 atëherë lindnin bijt’ në det”. Ishte koha kur lindën Djemtë e Detit, por edhe një kohë kur bijtë në det lindnin në kuptimin e plotë të fjalës.
Opinion
Asnjë art tjetër, piktura, skulptura, poezia apo Letërsia, sado të ndjekura apo të vlersuara qofshin, nuk arrijnë as afërsisht të transmetojnë emocionet e një kënge të bukur rock. Dhe, për të kuptuar muzikën që kanë shkruar Djemtë e Detit duhet t’i kesh jetuar këto emocione, të jesh i implikuar emocionalisht në artin më të bukur nga të gjitha artet. Duhet të keshë dëgjuar Scorpions, Guns ‘n Roses, Deep Purple e shumë grupe të tjera botërore. Natyrisht, nuk ka vend për krahasime, por kur dëgjon këngët që kanë shkruar Djemtë e Detit ndjen të njëjtat emocione. Sa herë dëgjon këngët e tyre mbetesh gjithmonë i befasuar, sikur koha mos te ketë kaluar kurrë, sikur të ketë gjithmonë diçka të re, dhe në ato qindra herë që i ke dëgjuar, në mënyrë të mistershme të të ketë ikur pa e vënë re. Historia nuk shkruhet me “sikur”, por sikur Djemtë e Detit të kishin jetuar në një kontekst tjetër, diku në Perëndim, ndoshta nuk do të kishim pasur frikë t’i krahasonim edhe me grupet që përmenda më lart.
Djemtë e Detit kanë qenë muzika e bukur që shkruan, tingulli hard e progresiv rock i kitarës, por mbi të gjitha kanë qenë zëri i pakonfondueshëm i Gentian Demaliajt. Djali i Detit që këndonte me zërin e një engjëlli, do të shndërrohej në zërin më të dashur për gjenerata të tëra. Zëri i tij i veçantë, kapaciteti për të kapur notat e larta, bënë një frontman të nivelit të lartë që do t’ia kishin zili edhe Klaus Meine, Axl Rose apo Steven Tyler. Në kujtesën e gjithë muzikës shqiptare nuk mbahet mend një talent i këtij niveli, që të ndikonte aq shumë në nivelin e një kënge. Më të mirët duket se ikin të parët, por ata mbesin gjithonë në mesin tonë me trashëgiminë që lënë pas. Ishte djali që “lindi mes detrash në netë me stuhi, që kurrë nuk do të shuhet drita e tij”. Një ëngjëll që qëndron atje lart në parajsë, në mes “zotave” të muzikës, në shoqërinë e shumë shpirtrave të tjerë rock.
Djemtë e Detit ngjajnë më një kryevepër arti, por e papërfundur. Shkruan muzikën më të bukur të shkruar ndonjëherë në Shqipëri, por shkruan shumë pak për kapacitetin e tyre. Realiteti shqiptar ishin padyshim faktori më penalizues për një grup që donte të shkruante rock. Nuk ishte e lehtë të shkruaje muzikë rock në një vend ku elita muzikore është e përbërë me këngëtarë dasmash, ku ndoshta jo e gjithë kultura, por sigurisht shijet muzikore janë krejtësisht orientale. Pavarsisht kontekstit ku jetuan arritën të lënë pas një krijimtari të jashtëzakonshme, dhe patën meritën t’u tregojnë shqiptarëve se mund të shkruhet muzikë ndryshe, edhe në Shqipëri.
Janë i vetmi grup që solli në muzikën shqiptare pothuajse të gjitha stilet e muzikës rock. Nuk kanë qenë të vetmit që shkruan muzikë të bukur, e muzikë rock, por qenë të vetmit që nuk kërkuan t’i ngjajnë askujt. Tingujt e tyre nuk i dëgjon te këngët e grupeve botërore, sepse ishin ndër të paktët që nuk ndjoqën rrugën e shkurtër të plagjiaturës. Siç ka ndodhur shpesh e rëndom me muzikantë të tjerë shqiptarë, në Shqipëri e jashtë saj. Kjo i ka rendur ata të përsosur, unik në llojin e tyre. Muzikës shqiptare i kanë dhënë atë që askush nuk ia kishte dhënë më parë, dhe ka gjasa që askush nuk do t’ia japë as në të ardhmen. Erdhën pas muzikës së realizmit socialist, ikën para degradimit oriental. Qenë fillimi dhe fundi i muzikës më të bukur që është shkruar ndonjëherë. Alfa e Omega e një kulture që do të kujtohet gjithmonë me nostalgji.
Djemtë e Detit ishin idhujt e rinisë shqiptare të viteve ’90, asaj rinie që u largua nga atdheu duke lënë pas gjithçka, por duke marrë me vete muzikën e grupit më të bukur në botë. Kalojnë vitet, muzika, festivalet, çdo gjë konsumohet shpejt dhe e mbulon pluhuri i harresës, por muzika e Djemve të Detit vazhdon t’i rezistojë kohës. Një muzikë që do të shoqërojë brezat e atyre viteve deri në fund të ekzistencës së tyre. Mirënjohje, përulje e falenderim për të gjithë pjesëtarët e Djemve të Detit, për emocionet që na kanë mundësuar të jetojmë.
*Një admirues i grupit