Profesor Sami Repishti: Shyqyri Çoku gënjen, na torturoi dhe poshtëroi në burg

0
1464

TIRANE – Profesor Sami Repishti ka reaguar pas ndjesës së kërkuar nga kryeministri Rama dhe propozimit për heqjen e dekoratave të atyre që kanë shkaktuar vuajtje dhe tortura gjatë regjimit komunist.

Në shkrimin e tij, profesor Repishti i përgjigjet ish¬hetuesit të tij, Shyqyri Çoku, i cili në intervistën e tij është shprehur se nuk e ka njohur kurrë Sami Repishtin. Për profesorin, Shqyri Çoku gënjen, ndërsa e quan paturpësi deklaratën e tij se nuk ka punuar asnjëherë me sigurimin e Shtetit. Ai tregon poshtërimet dhe torturat që u bëheshin të burgosurve në burgun e njohur si “Kuvendi i Françeskaneve” me urdhër dhe dëshirë të Shyqyri Çokut.

Në lidhje me faljen që kërkoi kryeministri Rama për dekoratat që u janë dhënë njerëzve si Shqyqyri Çoku, profesor Repishti shprehet se ky është një premtim solemn që duhet të mbahet. Edhe propozimin për heqjen e dekoratave Repishti i cilëson si një hap të madh në drejtimin e duhur, por shprehet se pas 25 vitesh demokraci në Shqipëri ende nuk është dënuar doktrina shkatërrimtare, siç e quan ai e “luftës së klasave”.

Për profesor Repishtin, ndjesa nuk është e mjaftueshme për torturat dhe vuajtjet e të burgosurve, por kërkon që xhelati të denoncojë krimin që ka kryer ose nga institucioni që e ka urdhëruar. Në të kundërt, nëse nuk denoncohet krimi, për profesor repishtin, ndjesa nuk është e sinqertë. Mungesës e faljes dhe të denoncimit të krimit nga fajtorët, Repishti e cilëson një “tragjedi të dytë shqiptare”.

Pak ditë ma parë, gazeta “Panorama” botoi shkrimin tim ku dëshmojshe se ish-nënoficeri i Sigurimit të Shtetit, “Rreshteri Shyqi” (emni i plotë ashtë Shyqyri Çoku), i dekoruem më 29 nandor 2014 nga Ministria e Mbrojtjes, më ka torturue gjatë muejve të “Hetuesisë” dhe më “…shkaktoi kaq dhimbje fizike dhe shpirtnore me drunin e tij të pagdhenun e çizmen e tij të ndytë”…. “unë nuk e falë, sepse tradhëtoi bashkëvuejtësit e mi…(dhe)… kjo ashtë mospërfillje për vendin që akoma vuen, mospërfillje për viktimat akoma të përbuzuna, mospërfillje për rrezikun që përballë ringjallja e nji shoqënie shqiptare që kërkon të ngrihet …si e gjithë Europa”.

Krimineli “Shoku Çoku” u përgjegj me nji intervistë të botueme në gazetën “Shekulli” të datës 18 dhjetor 2015 ku thotë: “Sami Repishtin nuk e kam njohur asnjiherë dhe as e kam patur në hetuesi”. Pjesa e parë e kësaj thanje ashtë thjesht gënjeshtër; pjesa e dytë ashtë e vërtetë. Nuk kam pasë “fatin” me u hetue nga ai; të tjerë si Zoi Themeli, Lefter Lakrori dhe Fadil Kapizyzi e plotësuen këtë detyrë të ndytë. E kam njohë “Shokun Çoku” kur ishte adoleshent që sillej rrugëve të lagjes sime Dudas, Shkodër, ku banonte nji i afërm i tij. I ri, pa arsim, me nji gojë tejet të ndytë.

Për ma tepër, prej tetorit 1946 deri në nandor 1947, kam kalue shumë kohë në burgun e njohun “Kuvendi i Françeskanëve” Aty, “Rreshter Shyqi” ishte përgjegjës i rojeve të “burgut” të posa¬hapun. I ashpër, arrogant, na shante nanat me fjalorin ma të ulet, sa herë shkonte e vinte nëpër korridorin e gjatë të “burgut”.

Ai urdhënonte për llojet e torturës që ushtrojshin rojet ndaj nesh: zinxhirë kambe e duer, heqja e racionit të bukës dhe ujit, rrahje me shkop, grushta e shkelma sa herë që shkojshim e vijshim në nevojtore, ose me na mohue të drejtën e shkuemjes në nevojtore… nji torturë e vërtetë. Kurdo që na shoqënonte në “Zyrën e Hetuesisë” për tortura, na detyronte me vrapue me shkop e me shkelma nën talljen e rojeve të armatosuna. Për të gjitha këto ai u tregue nji sadist pa ndërgjegje, model i përsosun i “qenit të stërvitun” me u bindë verbënisht. Pohimi i tij se “nuk ka punue asnjiherë me “Sigurimin e Shtetit” ashtë paturpësi. Në Shkodër, sot ai njihet vetëm si “ish-oficer i rrezikshëm i Sigurimit”. Dokumentacioni i botuem në shtypin shqiptar konfirmon se “Shoku Çoku” ka qenë oficer i Policisë për 21 vjet; “drejtues” i Sigurimit për tetë vjet; “drejtues i Hetuesisë” për 9 vjet. Në tanësi ka qenë 17 vjet hetues. Në nji listë emnore të botueme rishtas, numrohen 92 persona të torturuem nga ai. Ashtë dekorue 10 herë për “veprimtarinë” e tij në Sigurim, simbas pohimit të tij.

Shtëpinë e Dan H.Danit të burgosun që zaptoi e quen “shtetnore”, mbasi u sekuestrue nga Shteti…! Amaneti politik i këtij krimineli ashtë “…porosia e gruas që të shikoja mirë ligjin që të mos merrja fëmijtë në qafë. (por jo fëmijtë e të tjerëve!) Gjithçka simbas ligjit!” Unë nuk di nji “ligj” të vetëm, të shkruem, që kërkon ose lejon torturimin e të burgosunëve. Këto janë veprime të “botës së nëndheshme” të sistemit komunist, që “Rreshter Shyqi” pranoi vullnetarisht e shërbeu me besnikëri. Sepse, ashtu e deshi! Hipokrit deri në dhimbje! I gatshëm për gjithçka pa asnji bremje ndërgjegjje, kriminel me pagesë “në emën të ligjit” në nji regjim ku “ligji” ishte fjalë “e huej” dhe fjala e tij… që nuk përfaqsonte drejtësinë, por legjitimonte “padrejtësinë” e Nënës Parti dhe diktatorit monstruoz.

Ka vrasës që nuk dëshirojnë me qenë vrasës. Ka të tjerë që janë ba vrasës nga efekti i nji ideologjie vrastare. Por “Rreshter Shyqi” nuk ka qenë njeni nga ata; ai e deshi të jetë vrasës… që në moshën 19¬ vjeçare! Takimi i im me atë u ba në rrethana anormale dhe reagimi i jonë dramatikisht i kundërt ka spjegimin e vet në konsideratat etike të cilitdo individ, si krijesa në imazhin e Krijuesit. Krimineli i gatshëm me ekzekutue urdhënin, ose viktima e pashpresë në pritje të ekzekutimit – para nji Hyjnie që heshtë në përjetësi. E tmerrshme! *** Rasti i këtij krimineli u ba objekt diskutimi mbasi u zbulue se ai ishte dekorue nga Ministria e Mbrojtjes. Fakti që nji akt i këtill ishte i mundun sot në vendin tonë ashtë vërtet shqetësues.

Nga spjegimet e Kryeministrit Edi Rama rezulton se ky “proces” nuk ashte nji “akt” i vetmuem, por nji rrugë e marrun që në vitet 1994, ’95, ’96, d.m.th. që nga ditët e Administratës së Partisë Demokratike të ish¬Kryeministrit A. Meksi. Nji kërkesë për sqarim nga Z. Meksi nuk gjeti përgjigje. Nga nji version i dhanun nga ish¬Presidenti Sali Berisha, në bashkëbisedim me gazetarët, mësohet se “lista” e 1000 të dekoruemve “ka të bëjë me pjesëmarrësit në luftë…. Ligji nuk jep asnji dekoratë. Nuk njeh asnji imunitet”. “Ai tha se bani ligjin e ‘lustracionit’ që përjashtoi të gjithë xhelatët e kalvarit komunist të viteve të diktaturës…. I amenduar u dërgua dhe u aprovua nga Gjykata Kushtetuese…. Nën presionin e Edi Ramës e partisë së tij… Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ligjin dhe plotësoi kërkesën e Edi Ramës”, u shpreh Z. Berisha. Kryeministri Edi Rama kërkoi falje për ofendimin e viktimave me dekorimin e “xhelatëve” dhe “premtoi spastrimin” e listave nga emnat e padëshirueshëm.

Ky ashtë nji premtim solemn që duhet të mbahet. Më 22 dhjetor, ashtë propozue “heqja e dekoratave” “…atyne që u dënuen me vendim gjykate të prerë; për krime lufte; për krime kundër njerëzimit; për bashkëpunim me pushtuesit e huaj të vendit; për veprim agjenturor kundër interesave të Shqipërisë, si dhe të ushtruarit, gjatë periudhës 29.11.1944 deri më 31.03.1991 të funksioneve në strukturat e shtetit shqiptar si me poshtë: …” (rreshtohen funksionet….) Përshëndes këtë hap të madh në drejtimin e duhun!

(er.nu/BalkanWeb)