PROFECI

0
859

AV. XHABIR ZEJNUNI

Para gati një viti (4 shkurt 2017), shkrova një shkrim në faqen FB të Ambasadës amerikane. Sot lexova një status, ku Ambasada amerikane ankohej me politikanët shqiptarë, për ngecjen e reformës në drejtësi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Rastësisht, sapo e lexova shkrimin tim të para një viti në këtë faqe. M’u duk shumë profetik ky shkrim. Për këtë arsye, që po e hedhi edhe njëherë këtë shkrim.

Zoti DONALD LU.
Si një person i “zanatit” që jam – ose JURIST që jetoj dhe kam studjuar në Itali – mund të them se si ndryshimet kushtetuese, po ashtu edhe ligjet përkatëse, që trajtojnë Vetingun, janë bërë në mënyrë të tillë, që të mos sigurojnë pastrimin rrënjësor të Drejtësisë, por vetëm të mundësojnë “riciklimin” dhe vonesën e kësaj reforme të drejtësisë. Ose të trashëgohet e njëjta mendësi me pasojat përkatëse. Më vjen shumë keq, që edhe Ju keni rënë në një “KURTH” të tillë. Ose më saktë, në rrjetën e peshkut. Pasi të njohësh aq mirë gjuhën shqipe, nuk do të thotë që po aq mirë të njohësh edhe mentalitetin shqiptar. Unë po të isha në vendin Tuaj, edhe duke ditur gjuhën shqipe, do flisja vetëm anglisht. Dhe ky fakt e ka një PËRSE.


Loading…


Vlerësoj shumë përpjekjet e Juaja, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë nganjëherë edhe jashtë disa kanoneve politike dhe diplomatike, nëse i referohemi me këtë rast edhe Konventës së Vienës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të datës 18 prill 1961, (të cilën Amerika e ka ratifikuar me 13 nëntor 1972 dhe është në fuqi që me 13 dhjetor 1972). Mbase ndërhyrjet e Juaja, edhe në shkelje të nenit 41, par. 2 të kësaj Konvente, e cila thotë se “Të gjithë personat që gëzojnë privilegje dhe imunitete janë të detyruar, pa paragjykuar ata vetë, të respektojnë ligjet dhe rregulloret e Shtetit akreditues. Ata janë po ashtu të detyruar që të mos përzihen në punët e brendshme të këtij Shteti”, e ka një lloj shpjegimi apo justifikimi. Mbase edhe nuk e ka.

Jam i bindur se Ju nuk keni pasur afër Jush një staf të paanshëm dhe profesional, që t’i interesonte me të vërtetë REforma në drejtësi. Jo Zotëri. Ju keni qenë i rrethuar nga persona, të cilëve ju interesonte vetëm DEforma në drejtësi. Dhe reagimi i Juaj i ditëve të fundit, mbase mund të merret më shumë edhe si një “lloj britme” apo reagimi ndaj asaj që Ju po e shikoni dhe po e prekni çdo ditë me duartë e Juaja. Pasi edhe i fuqishmi në fund të fundit, një kufi e ka, të cilin mund ta kalojë me shumë vështirësi dhe dhimbje.

Me anë të ligjeve të Vetingut, janë përjashtuar komplet personat që kanë studjuar jashtë Shqipërisë. Dhe kjo jo pa qëllim. Pasi të kërkosh një përvojë 10-15 vjeçare në punë (për shembull, neni 19, par. 3. gërma d, Ligji Nr. 115.2016), sjell që të përjashtosh një kategori të konsiderueshme kandidatësh me vlerë. Falë Zotit, këtë përvojë pune 15 vjeçare, e kanë vetëm ata persona, që kanë studjuar në Shqipëri. Duke përfshirë edhe kursantët e (ZH)drejtësisë të Plepave të Durrësit.

Eh. Kjo historia e plepave të Durrësit, është pak e gjatë. Mbase do jua shpjegojë ndokush këtë histori Juve. Pasi nuk besoj se mund të kthehet kush në Shqipëri sot, pasi ka studjuar shumë vite jashtë, për t’u paguar me rreth 500 mijë lekë (të vjetra) në muaj dhe të presë 10-15 vite për të bërë karrierën e ëndërruar. Në këtë rast, duhen bërë disa përjashtime për hir të përfitimeve që mund të arrihen në të ardhmen.

Kështu, mund të funksiononte fare mirë metoda e KOOPTIMIT, e cila edhe pse nuk është metodë aq demokratike, merr shumë vlerë në vendet emergjente si Shqipëria. Ky është vetëm një shembull, pasi mund të sillja edhe disa shembuj të tjerë, nëse do ishte e nevojshme (…). Pa stimulim nuk bëhet asgjë sot.

Sidoqoftë, diçka mund të bëni në këtë drejtim Ju. Nëse do jua mundësojnë po ashtu.

Respekte Zotëri i Nderuar.
04.02.2017