Prof. Shatri: Ibrahim Grainca Cërnilla, deri në vdekje për atdhe

0
1245

Tomë Mrijaj, New York

“Ibrahim Grainca Cërnilla, deri në vdekje për atdhe”, është titulli i librit të ri, që ka dalë në qarkullim përgatitur nga studiuesi i palodhur i historisë në Kosovë Prof. Dr. Muhamet Shatri.
Mirëpo autori i kujtimeve historike, që në fillim të rrëfimeve të veta thotë se “është një tregimtar i keq”, por në fakt, lexuesi i vemendshëm, do të shoh flet pas flete të kujtimeve, se është e kundërta e kësaj thënie të autorit, mbasi ai shkruan thjeshtë dhe me sinqeritet, ç’ka do ta kishin zili edhe tregimtarët e kohës sonë.
Vërehet, se në kujtimet e Ibrahim Cërnillës, nuk gjen mbingarkesë datash e ngjarjesh apo përsëritje deri në detaje, çka e gjen rëndom në shumë libra që shkruhen nga autorë të ndryshëm.
Sot më shumë se kurrë mbas çlirimit të Kosovës, kemi një vërshim të botimeve të librave me profil historik, që po zënë një vend nderi në libraritë dhe bibliotekat private në vendlindje e diasporë. Dhe kjo vjen nga fakti domethënës, se deri më dje (para vitit 1999), kolonizatorët serbë e kanë shkruar historinë për interesa të tyre, duke eliminuar ose minimizuar rezistencën e popullit të Kosovës ndaj tyre. Shpesh viktimës (shqiptarëve), u është mohuar e drejta të thonë të vertetat historike dhe të nxjerrin në sheshin e historisë tokën e përgjakur, të larë nga martirët e saj për lirinë e vendit.
Vepra e re që lexuesi ka në dorë, do të ndihmojë edhe më shumë historianët e sotshëm për të ndriçuar me fakte më mirë historinë, vendosur në panteonin e nderit shumë bij e bija të nënës Kosovë, që ia falën jetën gurthemelëve të Atdheut të tyre.
Nacionalisti Ibrahim Grainca Cërnilla, si njeri me përvojën e odave të moçme të burrave të vërtetë shqiptarë, thotë se nuk ka dëshirë të lodh lexuesin me kujtimet e tij, por i bën sërisht ftesë lexuesit (mdis rreshtave), që t’a lexoj me kujdes, sepse ai po rrëfen shkurt e saktë një pjesë të historisë së përgjakur të Dardanisë martire, e cila ndër shekuj është keqtrajtuar dhe ka derdhur gjakun e pastër të martirëve të saj. Çdo pëllëmbë e Kosovës ka një varr, që flet për një histori të dhimbshme. E tillë është edhe autobiografia e atdhetarit të madh Ibrahim Cërnilla.
Autobiografi Cërnilla, shton në parathënien e vet të titulluar: “Kur e pashë veten ngushtë” (f. 49 – 58), porosinë ndaj brezit të ri: “Kur kujtoj vuajtjen e madhe të popullit, vuajtjet e mia më dukën të vogla. Të gjitha këto brezi i ri duhet t’i dijë. Ato nuk duhet të harrohen. Ka shumë njerëz që nuk i dinë, por ka edhe të tjerë që përpiqen t’i harrojnë masakrimet e fëmijëve, kur pinin në gjirin e nënës. Nëna nuk mund t’i harrojë kurrë fëmijët që ranë përpara syve të saj nga bajonetat. Askush nuk mund t’i fshijë nga kujtesa ata fëmijë. Askush të mos harrojë! Unë gjithmonë, kam qenë i mendimit, se këto barbari iu duhen bërë të njohura brezave që vijnë dhe krejt botës. Të gjitha ato duhen ruajtur në kujtesën historike të kombit, sepse në të kundërt, të gjitha këto jo vetëm që i gërryen e i merr uji, por edhe rrezikojnë të përsëriten.” (f. 49)
Tema, që e shqetësonte patriotin Ibrahim Cërnilla, ishte e mbeti Atdheu i përmbledhur brenda trojeve etnike shqiptare. Kjo del edhe gjatë leximit të librit, që shumë vite më parë në formë ditari e kujtimesh i hartoi vetë Cërnilla. Ata rivijnë sot pas disa vitëve të freskëta për popullin e Kosovës, përmes historianit të shquar Prof. Muhamet Shatrit.
Libri i shtypur me cilësi nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor në Prishtinë, në ballinë ka figurën e nacionalistit Ibrahim Grainca Cërnilla, që në sfond shoqërohet nga skica e hartës së hershme të Shqipërisë Etnike, për të cilën, luftuan dhe dhanë jetën e tyre të shtrenjtë shumë bij e bija dardan. Ngjyrat që mbizotërojnë në ballinë, janë e kuqja simbol i gjakut të derdhur për atdhe dhe e zeza emblema e shqiponjës së malëve kreshnike dardane.
Monografia e re: “Ibrahim Grainca Cërnilla deri në vdekje për atdhe” (Prishtinë, 2006), bazohet tërësisht në dorëshkrimet dhe shënimet origjinale të përsonazhit kryesor Cërnilla. Ajo është e ndarë në disa kapituj kryesore me degët, që plotësojnë natyrshëm njëra tjetrën në mënyrë organike gjatë gjithë faqeve të veprës historike.
Autori i kujdeshëm e me përvojë Prof. Shatri, në fillim ka dhënë disa shënime hyrëse për figurën e Ibrahim Graincës, mbështetur këto në burimet historike të kohës gjurmuar me kujdes në arkivat private e shtetërore. Gjatë analizës së veprës, duke përshkruar udhën e vështirë të veprimtarisë së patriotit Ibrahim Grainca Cërnilla, që qysh prej vitit 1945 bashkohet bashkë me mish, shpirt dhe zemër patrioti me forcat demokratike që kishin nisur asokohe të organizoheshin në Dardani e viset e tjera shqiptare në LNDSH – së, në hyrje të së cilës Prof. Shatri argumenton:
“Veprimtaria e tij u ra në sy organeve të OZNA – së që në fund të vitit 1946 e arrestuan sëbashku me 29 veprimtarë të LNDSH – së nga rrethet Ferizaj, të Lypjanit, të Gjilanit dhe të Kacanikut. Si në hetuesi, ashtu edhe përpara trupit gjykues, Ibrahimi mbajti qëndrim të papërkulur dhe iu kundërvu me vendosmëri aktakuzës, që u formulua dhe u paraqit nga prokurori i qarkut të Kosovës, Ali Shukria. Kërkesës së këtij të fundit që të pendohej për veprën që kishte bërë, në mënyrë që të lirohej, Ibrahimi iu përgjigj me përbuzje. Në gjyq, ai i deklaroi fare qartë dhe hapur prokurorit se, nëse duhej të pendohej, ishte i gatshëm të pendohej për bashkëpunimin me “vëllëzërit” serbë e malazez, por jo pse ishte përpjekur dhe kishte luftuar për të mbrojtur interesat e kombit të vet. Ai e ktheu sallën e gjyqit në një tribunë, nëpërmjet së cilës demaskoi veprimtarinë e PKJ – së, demagogjinë e saj për gjoja të drejtën e popujve për vetëvendosje deri në shkëputje, terrorin dhe gjenocidin e pashembullut kundër shqiptar. Gjykata e dënoi me 20 vjet burg. gati 9 vjet i vuajti në burgun e Mitrovicës së Sremit.” (f. 6)
70 vitet e jetës së Ibrahim Graincës (1916 – 1986), mund të mësohen tashmë të përmbledhur në 511 faqet e jetëshkrimit përmes, dokumentëve, kujtimeve të hershme e të vona, fotove origjinale që botohen për herë të parë, letërkëmbimeve, takimeve që ai ka pasur me përsona të ndryshëm gjatë jetës së tij, shënimeve plot mendime e ide për çështje të ndryshme e rrugën e zgjidhjes së tyre etj.
Nga leximi i kujdeshëm i përmbajtjes së monografisë, informohemi se personazhi kryesor Ibrahim Grainca Cërnilla, nuk pati mundësi të arsimohet, sepse rregjimi i egër serb në atë kohë nuk dëshironte kundërshtar të ditur, që mund t’ia shkurtonin jetëgjatësine e sundimit të gjatë shekullorë. Por gjithsesi edhe në këtë rast klika serbe i kishte bërë llogaritë gabim, sepse dashurinë e shtrenjtë për Atdheun, nuk e mësoi në shkolla, por nga përvoja e jetës së përditshme, mjerimi, vuajtjet, përsekutimet, vrasjet e shqiptarëve ditën e natën, burgosjet, moslejimin e gjuhës dhe kulturës shqipe që të mësohet në shkollat shqiptare, mungesa e simboleve kombëtare, si flamurit, administratës shqiptare, zgjedhjeve të lira etj.
Ishin këto arsyet kryesore të identitetit shqiptar, që Ibrahim Grainca Cërnilla, u lidh qysh në moshë të re me lëvizjet poatriotike të kohës, duke spikatur për zgjuarësi dhe vendosmëri për çështjen e nënës Kosovë. Miq e shokë të idealeve të veta patriotike ai kishte oden e burrave të kryesuar nga Rrahim (Rushit) Grainca (1892-1970), Adem Selimin-Gllavicën (1916-2001), Riza Strellcin, Idriz Ajetin, Halit Ibishin e shumë të tjerë. Në vitet e nxehta të Luftës II Botërore, Ibrahimi, u përfshi në Lëvizjen Nacional – Çlirimtare, duke qenë një ushtar i mirë i Atdheut. Gjatë asaj kohe arrestohet nga forcat gjermane e u dërgua në burgun e Tiranës e më pas transferohet në atë famkeq të Prishtinës.
Në nderimin për bashkëvuajtësit e bashkëluftëtarët autori Cërnilla kujton: “Në jetë kam vuajtur shumë. Jetëza ime veç përpjekje. Burg mbas burgu e me krye në cung… Një pjesë e shokëve më shkuan: Halit Ibishin e mbytën në Vjenë, Idriz Ajetin e varën në Prizren, Tefik Çangën e varën në Gjakovë, Gjon Serreqin edhe Abdullah Muslinë i internuan në Vjenë, mua më ngujuan në burgun e Tiranës. Vetëm Riza Strellci mbeti pa u kapur… Kur i kujtoj shokët, nuk më ndahet vaji. Shpesh sjell ndër mend të ndjerin Vesel Pagarusha. Për herë të para pata ndejë me te në Retijë të Rahovecit. Mandej, disa herë në Prizren. Herën e fundit, në vitin 1946, u takuam në Shatërvan e në Marash të Prizrenit. Më kujtohet si sot, kur ecnim ngadalë e flisnim me njeri-tjetrin me zë aq të prajtë, sikur na kishte hyrë tremba në zemër. Kujtoj me mall Halitin, Idrizin, Ademin. Por kujtoj Gjonin, s’di pse më rrënqethet shtati. Edhe vetë habitem pse bëhem si hije. Edhe pse kanë kaluar 32 vjet, ai më duket sikur është i gjallë. Kurrë s’më hiqet sysh… Unëtham se koha e bën të vetën, por ajo nuk mund t’i plakë e të vjetrojë idealet. Idetë e zbukurojnë kohën dhe jo koha idetë. Puna më e mirë dhe më e madhe për një njeri është të ketë ose të përfaqësojë idealet që janë në shërbim të Atdheut.” (f. 188 – 189)
Mbarimi i Luftës do të gjente atë në organet e ndryshme të pushtetit dhe ushtrisë, që u ngritën në vend. E rëndësishme është, se ai bënte pjesë në delegacionin e vitit 1945 që shkuan për t’u takuar me Titon dhe një ndër kundërshtarët kryesorë të aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Në shënimet e tij, që botohen për herë të parë, atdhetari Ibrahim Grainca Cërnilla, tregon se kur e ndjeu vetën më ngushtë, të cilën e rrëfen me shumë kujdes. Me pak fjalë Cërnilla përshkruan jetën dhe farefisin e tij, për muhaxhirët dhe vuajtjet e tyre, përmirësimin e përkohshëm të gjendjes, duke dhënë edhe detaje sentimentale të antarëve të familjes së tij, sikurse janë fshehtësia e lotëve të nënës dhe gjyshës së tij. Atdhetari, kujton: “Kam lindur, kur nuk është dashur të lindja, e po vdes kur, nuk duhet të vdiset. Këto, sëbashku, janë dëshpërim e shpresë për qëllim e për jetë, për tmerr e për mjerim, për prindërit e për stërgjyshërit e mi. Quhem Ibrahim Grainca, i biri i Rrahim Graincës. Mbiemri “Graincë”, ka mbetur nga vendbanimi ynë, që gjendet mes Nishit e Leskovicit, ku jetuan stërgjyshërit e mi, të cilët thoshin se ishin të fisit Thaç. Gjatë festave fetare, siç na tregonin shpeshherë, kur ishim të hareshëm i kanë ndezur qirinjtë. Edhe unë, si fëmijë, ndizja qirinj. Më duket se ishte adet i moçëm. Nuk kam pyetur e as nuk ma kanë thënë.” (f. 52) Në lidhje me këtë temë kujtoj, se krahina e Pukës, katundet Bugjon dhe Iballë, janë të përbëra tërësisht nga fisi i Thaçit dhe kremtojnë festën e Shën Masjanin (Saint Sebastiano), që bie cdo vit më 19 janar. Nga këto katunde, janë shpërngulur herë mbas herë shumë banorë vendas drejt ngujimeve të reja (qendrave banimi) ne Rrafshin e Dukagjinit dhe tërë Kosovën. Këtë e vërteton edhe studiuesi shkodran i mjedologjisë Mentor Quku, në shtatë volumet kushtuar patriotit dhe poetit të madhe shqiptar Dom Ndre Mjedja, i cili, i takon fisit të njohur Thaçi. Për më tepër, familja mban me krenari emrin e katundit Graincë, nga i cili ishte shpërngulur nga presioni i madh i pushtuesve serb, për t’iu treguar brezave te rinj, se nga vjen familja e tyre.
Është i drejtë konstatimi i faktuar se gjithnjë gjatë historisë, odat e burrave të moçëm, ndonëse pa shkollë, kishin në damar zgjuarësinë, urtinë, fisnikërinë, bujarinë, duresën, rrugëzgjidhjen më të përshtatshme për problemet e ndryshme që e shqetësonin fshatin, zonën apo krahina të ndryshme me të cilat ato kishin lidhje gjaku, gjuhe, historie etj. pra sikurse për të gjithë nacionalistët e vërtetë edhe për Ibrahim Grainca Cërnilla, oda e burrave ishte një shkollë që e bëri të aftë qysh në rini, duke i sjellë shpejt në karakterin e tij urtinë, mprehtësinë e zgjidhjes së situatave të ndryshme që koha dhe historia i kishte vënë si provë përpara altarit të Atdheut.
Në librin “Ibrahim Grainca Cërnilla, deri në vdekje për atdhe”, kundrohen me kujdes episode e ndodhi interesante, bisedat që atdhetari Cërnilla, bëri me Jashar Graincën, që në atë kohë ishte sanxhakbeu i Nishit apo rasti i Sadri Ratkocerit. Si digjet Valeva, tregimet për thiun e madh apo të vogël, prishja e Kishës, inati i mulla Mehës, gjeturia e zgjuar e shumë origjinale e Mehmet Raçanit, zgjuarësia e urtësia e Din Duvovës, sprova nga aga Sefa, tregimet e njëpasnjëshme të Mehmet Domanekut, për qëndrimin e Prenk Bidë Dodës, këshillat e Isuf Dubovës, njerëzit më të njohur të kohës, burrat e përbetuar deri në vdekje për vatan, dëshmitë e Jashar Mukës apo tregimi interesant i Sefë Llugaxhisë, përbëjnë edhe pjesën më interesante të bllokut të shënimeve historike që patrioti i shquar Ibrahim Grainca Cërnilla, ia dhuroi me modesti popullit të kosovës në librin shumë kuptimplotë deri në vdekje për atdhe.
Blloku tjetër i shënimeve jetësore të atdhetarit, përfshijnë virtytet e babait të Ibrahimit, vitet e pushtimit serbomadhe të paraluftës, të cilat, më pas ia lënë vendin pjesëve historike për Rizah Strellcin apo Abdullah Muslia. Miqtë i qëndrojnë afër në gëzime e hidhërime dhe përjetimet e tyre autori i ka shprehur me një gjuhë të thjeshtë në faqet e librit. Kështu atij i kujtohen miqtë Rizah Strellci e Halit Ibishi në dasmën e Ibrahim Grainca Cërnillës. Ja se si e përshkruan ai dasmën e vet: “Erdhi koha e dasmës sime. Babai i thirri krushqit, por Riza Strellcin nuk e dija se kush e kishte thirrur. Kur e pyeta, ai më tha se e kishte thirrë nipi ynë, Rasim Shtullça (Stullçaku 1912 – 1975, nënvizimi im T.M.), në emër të dajës Rrahim, në emër të vetin, por edhe në emrin tim. “Jo, Rizah, – i thashë, – ti këtë të ardhme e këtë nderim e ban veç për babën; për mue dhe për Rasimin mbetësh borxh.” Rizahi më pyeti se a do të vinte Haliti e unë i thashë se ai ishte këtu. M’ u duk se iu çel fytyra dhe prej sokakut e afrova deri te dera e odës. Ai së pari u përqafua me Halitin, ia bëri babës për hajër martesën time dhe i tha: “O Rrahim, po e ban dasmën e djalit në ditën ma të gëzueshme për shqiptarinë.” Atëherë u çuan, siç ishin ulur, dhe u morën në grykë me Halitin e ia uruan njeri-tjetrin 28 Nëntorin…” (f. 94)
Për figurën e lënë në harresë nga historiografia komuniste në Kosovë para vitëve të luftës, Ibrahimi, për herë të parë shpalos në mënyrë të plotë e origjinale fushatën e Iljaz Agushit për deputet.
I sinçertë mbetet ai edhe në rrëfimet e tjera tek jep me vërtetësi, momentin kur ndodh ngatërresa me kontrollorët e duhanit, apo trajtimi i temës së etjes që e kishte përfshirë për të marrë sa më shumë dije e mësim nga jeta, që si një nënë e mirë e këshillonte e i jepte përvojën e duhur në jetën e tij. Në përmbajtjen e librit, lexuesit do të shohin detaje nga takimi me Rizahin në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, apo një tregim i patreguar, interesimi i Rizahit për medresistët e besimit islam në Kosovë, lidhjet me studentët dhe prej Gjykatës së Qarkut në sherbimin ushtarak dhe sërisht mbas shërbimit në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës.
Përjetimet e ditëve nga ushtria zënë një vend të rëndësishëm në kujtimet e atdhetarit Ibrahim Grainca Cërnilla, ku më tej ai përshkruan dhunën dhe terrorin serb që nuk dinte të soste. Një takim të veçantë Cërnilla zhvilloi me Vesel Pagarushën. Po ashtu ai përshkruan botën e pasur plot ëndërra dhe shpresë, të cilat asnjëherë në zemrën e tij nuk kanë qenë fatale, por shpresa dhe dëshira kanë qenë më të vlefshme në botë për tërë jetën e tij, për ta parë Kosovën të lirë e të pavarur përkrah shteteve përparimtare të familjes së madhe europiane.
Me shumë kujdes, autori i shënimeve historike e jetësore përsonale, ka ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, propaganden e shfrenuar serbe kundër vendasve autoktonë dardanë, që qysh në lashtësi kanë jetuar në trojet e stërgjyshërve të tyre ilir.
Me argumente, ai sërisht përshkruan shpresat që në kohën e Italisë u shuan shumë shpejt, duke menduar se ajo do t’a lejonte bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Por në fakt periudha kur shqiptarët ishin sërisht të bashkuar, ishte koha kur kalimtarët nazifashistë gjendeshin në trojet shqiptare, duke lejuar në këtë mënyrë krijimin e një qeverie që përfshinte elementë të të gjithë trojeve etnike shqiptare dhe se nuk ekzistonte muri ndarës Shqipëri – Kosovë.
Kujtimet për kohën kur shërbeu si partizan në periudhën e Luftës II Botërore, shprehen përmes kujtimeve për harkun kohor të vitëve 1943 – 1944, kur sipas autorit kemi fazën ë zgjerimit të lëvizjes çlirimtare shqiptare gjatë vitit 1943. Imbrahmi indinjohet shpesh me veprimet e disa shqiptarëve që kishin trathtuar idealet atdhetare dhe lëshon ofshamën: “Një fëmijë që nuk e do nanën e vet, mos u rrittë!”.
Me shumë interes janë pjesët e tjera të kujtimeve, të cilat vijnë një pas një si bllok përjetimesh. Kështu Cërnilla, trajton me shumë kujdes përpjekjet që janë bërë në atë kohë të nxehtë lufte për shpëtimin e Tefik Çangës, sulmi mbi Ferizaj, dhjetor 1944. Ibrahimi, mobilizohet në Moravë, Kamenicë, rrit në maksimum respektin e nderimin për bashkëluftëtarët e të njëjtave ideale patriotike, lidhet dhe bashkëpunon me gjithë shpirt me bashkëvuajtësit.
Lexuesi mund të lexoj e mësojë shumë nga rrëfimet e sinqerta të luftëtarit të pamposhtur Ibrahim Grainca Cërnilla, perms pjesëve të tjera të kapitullit, që përmblidhen në kujtimet e vetë Ibrahimit. Midis tyre, veçojmë kujtimet e titulluara: “Shokët kthehen nga internimi” (f. 191), “Me Gjonin në Ferizaj” (f. 193), Lidhjet tona” (f. 195), “Në Letnicë” (196), “Me Riza Strellcin në Prishtinë” apo shqetësimet që përjeton lexuesi nga kundrimi me kureshtje zhvillimin e ngjarjeve tek lexon pjesën interesante “Zbulimi i degëve të Lëvizjes Nacional Demokrate Shqiptare” (f. 202), fazë në të cilën fillon egërsisht përgjimi dhe ndjekja e antarëve të saj, në mënyrë që OZNA të mund t’i kapte të gjallë antarët e grupit dhe t’i asgjesonte fizikisht ose të zhvillonte formalisht një gjyq të montuar, duke u dhënë më pas dënimin kapital para togës së egër të pushkatimit.
Në këtë kohë, shohim se Ibrahimi me luftëtarët e tjerë kanë një veprimtari të dendur e të pasur me frymë atdhetare, por që tashmë aktiviteti i tyre ndryshon taktikë luftimi nga forma e hapur në atë të fshehur ose ilegale sikurse njihej asokohe. Dhe ky veprim ishte i natyrshëm, sepse ia impononte koha dhe armiku pushtues serb. Ishte e pamundur t’i bije murit me krye, por duhet ndjekur parimi “mishi të piqet e helli të mos digjet”.
Të gjithë bashkëluftëtarët, si Gjoni, Ajet Gërguri dhe të tjerë veprojnë pa pushuar asnjë çast për çështjen e shenjtë të Atdheut. Lidhjet e tyre zgjerohen edhe me antarë të tjerë si dhe me nacionalistët ose luftëtarët e vërtetë të lirisë, që vepronin prej kohësh me armë në dorë kundër pushtuesve serb dhe rregjimit komunist që ishte instaluar dhunshëm në tokën e moçme dardane.
Oda e burrave në kuvende miqësh në shtëpi nacionalistësh ishte një shkollë e mirë për të gjithë atdhetarët e flaktë. Patrioti Ibrahim Cërnilla, shkruan: “Oda ishte shkollë e mirë, se aty veç për hallet e dertet e shqiptarisë kuvendohej. Baba pat ndërtuar dy oda në vend të odës së gjyshit. Unë isha djali i madh i shtëpisë. Për këtë arsye, që kur isha tetë vjeç, rrija në odën e burrave, u shërbeja mysafirëve dhe dëgjoja bisedat e tyre. Ato që kam dëgjuar e mësuar nga tregimet e mysafirëve gjatë ndejave në odën tonë, kanë lënë mbresa të mëdha në shpirtin tim. Në shpirt më janë ngulitur, kështu që sytë shpesh më lotojnë. Ajo mnerë e madhe gjëmë që na ra hise, ma gërryente zemrën dhe ma brengoste shpirtin. Dashuria për popullin dhe për trojet tona më patën hyrë në gjak që në moshë të rinisë. Vazhdimisht kam pasur etje të madhe për liri dhe urretje për pushtuesit e huaj.” (f. 59)
Takime të ndryshme me njerëz, vende dhe ngjarje, qytete e katundet e Kosovës, jepen me detaje në libër ashtu sikurse kanë ngjarë në realitetin e kohës. Kështu në kujtimet e Ibrahimit, mësojmë të reja të panjohura nga udhëtimi i tij për në Kongresin e Lipovicës, sesi ai e përjeton ditën e shënuar të Kongresit, në të cilën merr jetë formimi i Komitetit të ONDSH – së.
Nga njëra anë kemi aktivitetin e madh të grupeve nacionaliste dhe vetë përsonazhit kryesor, ndërsa në krahun tjetër zhvillimi i ngjarjeve kishte marrë zhvillim të hovshëm, në të cilën agjentët e OZNA – së, nuk rreshtin në kundërpërgjigjet e tyre të shpeshta dhe të rrufeshme, kundër shqiptarëve autoktonë. Atyre u vinin në ndihmë spiunët e veglat servile mercenare, që për fat të keq ishin shqiptarë me gjak e gjuhë, por që ishin shitur për disa dinar e poste shtetërore tek pushtuesit.
Me shumë dhimbje Ibrahimi përshkruan takimin e fundit me nacionalistin martir Gjon Serreqin. Ndërsa më tej autori i kujtimeve tregon sesi zu fill zbulimi dhe arrestimi i veprimtarisë së LNDSH – së, koha që Ibrahimi kaloi në burgun e Gjilanit, qetësia për të pritur vendimin e Gjykatës së Lartë. Në ditët më të vështira pranë qelisë së ftohtë të burgut të kolonizatorëve Ibrahimi vizitohet nga nëna e tij, e cila e shoqëron të birin në ditët më të vështira, duke i dhënë zemër që të mbahet si burrat dhe të mos stepet para armikut, që kërkon me çdo mënyrë për t’a mposhtur atë dhe shokët e idealeve atdhetare.
Nëse do të flasim për veprën jetëshkrimore të patriotit Ibrahim Grainca Cërnilla, ajo fare thjeshtë sot mund të përmblidhet me emrin Për Atdhe Deri në Vdekje.
Libri, shoqërohet edhe me sqarime për lexuesin, mbi figurën e disa atdhetarëve si bashkëkohës të lëvizjes patriotike nga trojet etnike shqiptare, ku jepet shkurtimisht jeta dhe vepra e tyre në dobi të Atdheut.
Në formen e fusnotave ose shënimeve në fund të disa faqeve, kur shkruhet për një ngjarje të caktuar apo personazhe e organizata, janë dhënë informacion më i plotë për patriotët, organizatat, institucionet të kohës, që lexuesi të marrë një ide më të plotë.
Kështu vend të rëndësishëm zënë shënimet për Rrahim (Rushit) Grainca (1892 – 1970), Adem Selimi Gllavica (1916 – 2001), Medresa e Madhe e mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq (1926), Organizata Studentore “Besa” (1935), Ibrahim (Hazër) Lutfia (1912 – 1950), Shtabi Suprem i Kosovës (1944), Ajet Fazli Gërguri (1906 – 1947), Organizata Nr.2 e LNDSH (1945), Sefë Bislim Llugaxhia, Halim Ibrahim Orana (1914 – 1947), Qazim Lush Bajraktari (1909 – 1947), Ahmet Selaci (1912 – 1947), Faik Isa Boletini (1905 – 1947), Jusuf Halil Boletini (1914 – 11947), Divizioni shqiptar i Ibrit (1946), Imer Shaqir Selaci (1895 – 1947), Ukshin Nuh Kavaçica, Musli Sadri Dumoshi (1892 – 1948) etj.
Autobiografia, është një kujtesë për brezat që do të vijnë në Kosovë, që të mos harrojnë asnjëherë krimet e pashembullta të makinës shfarosëse serbe ndaj popullit shqiptar ndër shekuj, plagët më të thella të së cilës i ruan në kujtesën e saj Dardania martire.

Pak fjalë për historianin
e njohur Prof. Dr. Muhamet Shatrin

Duke zhvendosur kujtimet e mia në vendlindjen e dashur Kosovë, nuk mund të lë pa risjellë në kujtesë shumë familje të nderuara dhe respektuara në të gjithë trevën shqiptare, sikurse ishte e mbeti deri në ditët tona familja Shatri. Ajo jeton mëse një shekull në katundin Tomoc, i cili gjindet në mes dy qendrave të rëndësishme Gurrakovcit dhe Burimit (Istogu), ku ndryshe njihet si Rrafshi i Podgurit.
Kulla ose kështjella e fortë e familjes Shatri, duke qenë një bazë e rëndësishmë ose kala e pamposhtur ndaj pushtuesve të njëpanjëshme, që uzurpuan trojet tona, gjithnjë ishte në shenjestër asgjësimi, por falë trimërisë së burrave kreshnikë, ajo mbijetoi si dëshmi e gjallë e historisë së pamposhtur deri në ditët tona. Pushka, besa, trimëria, zgjuarësia, bujaria, sinqeriteti dhe dashuria të alternuar shpesh me njera tjetrën e bënë këtë familje, ndër më të përmendurat në krahinë, duke u nderuar dhe respektuar. Odat e burrave ishin një bazë e fortë e zgjimit të ndërgjegjës së shatrajve brez mbas brezi, ku nënat e kësaj kullë ndër shekuj lëkunden në djep trimat, që i ushqyen me gjakun dhe dashurinë për të nderuar e dashur deri në flijim atdheun e lënë trashëgim nga të parët e tyre.
Atdhedashuria, u bë ushqimi dhe shkolla, me të cilën u edukuan qysh në fëmijëri të gjithë djemtë dhe vajzat e fisit Shatri. Krahas pushkës, ata mbajtën afër vetës edhe librin, më të cilin, ata do të argumentonin historinë dhe vijimsinë e shqiptarëve dhe të parëve të tyre në trojet amtare. Por historia vijon ndër shekuj.
Familja Shatri, për arsye ekonomike u shpërngul qysh herët nga Shala e Dukagjinit, por megjithatë ajo mbarti me vete në vendbanimet e reja po ato zakone e tradita, të cilat, i ruajtën dhe pasuruan brez mbas brezi. Me të drejtë sot, shaljanët kur bëjnë bilancin e historisë së krahinës së tyre, mburren dhe janë krenar për familjen Shatri, se ishte një derë e përhershme nderi e bujarie tipike shqiptare. Tashmë kjo familja me emër, u bë një shtëpi e njohur përkrah bajraktarit Mar Lula, i pari i djelmnisë së Shalës, trimi kreshnik Mehmet Shpendi, për të ardhur natyrshëm tek Isa Boletini, që të gjithë nga familja e famshme e Pecnikajve të Shalës.
Me zbritjen nga ato male të thepisura të Dukagjinit, ku ka folën simboli i flamurit arbëror shqiponja, ky fis azganësh, zuri vend në Bajgorë të Mitrovicës, gjithnjë buzë Bjeshkëve të Nemura, mes ajrit të pastër e ujërave të ftohtë e kristaltë, që zbresin deri në katundet e Komunës së Deqanit.
Sikurse shihet edhe nga vetë biografia, vetë historiani Shatri, kishte përshkuar ndër shekuj kalvarin e përndjekjeve, burgjet serbokomuniste, të cilëve, u rezistoi me një burrëri tipike të racës së pastër ilire.
Puna dhe përkushtimi i Prof. Shatrit, duket edhe tashti në vitin 2006, kur ai përgatiti botimin e librit mbi patriotin e flaktë Ibrahim Graincën, duke ua ofruar lexuesve sot. Vepra e tij, është pjesë e fondit të artë të punimeve me profil historik që hulumtuesi dhe historiani realist ka mundur deri më sot të nxjerrë nga mendja e tij e begatë.
Sigurisht, që të ndihmosh në përgatitjen e këtij libri, nuk është një punë e lehtë, sepse sikurse shihet nga vepra voluminoze puna shkencore, ka qenë shumë e madhe dhe me një kohështrirje të gjatë prej shumë vitësh. Por gjithsesi vepra e Prof. Shatrit, tashmë është futur në fondin e librave të mirëfilltë historik, në të cilën përkujdesi i tij si profesionist me përvojë në fushën e historisë, është mëse i spikatur.
Jetëshkrimi i kujtimeve të përsonazhit kryesor Ibrahim Cërnilla, është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe mirëfilli shqipe, duke e larguar nga fjalët apo shprehjet e huaja, që jo pak i ndeshim në shumë teskte me profil historik nga autorë bashkatdhetarë.
Urime Profesor Shatri, sepse plotësove si burrat e odave një boshllek, duke lëshuar dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e patriotit Ibrahim Graincës, përkushtim të cilën e tregove me plot respekt dhe përkushtim shembullor.