PROF. MYZAFER XHAXHIU: “MËSONIN STUDENTËT, MËSOJA DHE UNË, BASHKË MË TA…”

0
1459
Murat Gecaj, foto

Nderim e kujtim, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta:

Nga: Prof. Murat Gecajpublicst e studiues

Sa shpejt ikin ditët, javët, muajt e vitet, si pa u ndjerë as kuptuar!… Edhe sot e sjell në kujtesë, me shumë nderim dhe respekt të veçantë, pedagogun tonë të letërsisë, Myzafer Xhaxhiu. Ai na jepte leksione, ne studentëve të degës së gjuhë-letërsisë shqipe, në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetin të Tiranës, qyshë në fillimet e çeljes së tij, pra në vitet ’70-të të shekullit të kaluar.

Por edhe në vazhdimësi, gjatë jetës, përherë ne kemi mbajtur, bashkë, lidhje të pashkëputura. Kjo ndodhi, jo vetëm kur ai ishte në punë e në pension, por dhe me vizitat e mia, te shtëpia e tij, kur u rëndua nga sëmundja, deri sa u nda përgjithnjë nga jeta, 5 vjet më parë.

Në nderim e kutim të pedagogut tim të dashur e të respektuar dhe gjithnjë të paharruar, prof. Myzafer Xhaxhiu, më poshtë po e ribotoj një shkrim, të disa viteve më parë.

Murat Gecaj dhe Muzafer Xhaxhiu

1.
Më 21 maj 2001, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet, u zhvillua ceremoni e bukur festive, me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së pedagogut, studiuesit, poetit e përkthyesit, prof. dr. Myzafer Xhaxhiu. Merrnin pjesë pedagogë e studentë të Universitetit të Tiranës, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, studiues të institucioneve shkencore, akademikë, intelektualë të fushave të ndryshme, deputetë, pjesëtarë të familjes dhe mjaft të ftuar të tjerë. Ishin të pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencave prof.dr. Ylli Popa, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve Limoz Dizdari etj.

Tubimin e çeli dekani i Fakultetit të Historisë e Filologjisë prof.dr. Et’hem Lika. Ndërsa për jetën dhe veprën pedagogjike e botuese, afër 60-vjeçare, sidomos në fushën e teksteve të letërsisë universitare, foli prof. dr. Nexhip Gami. Prof. Xhaxhiut iu drejtuan me fjalët më të ngrohta një numër kolegësh e studentësh, shkrimtarë e studiues të fushave të ndryshme.

Pastaj sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Mimoza Hafizi ia dorëzoi prof. Myzafer Xhaxhiut titullin e lartë ”Mjeshtër i Madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani. Motivacioni është ky: ”Për punë pasionante disadekadëshe në përgatitjen e brezave të tërë të studentëve e pasuniversitarëve, për vlerat e rëndësishme të teksteve të tij universitare, studimeve letrare dhe përkthimeve”.

Prof. Xhaxhiu shprehu falënderimet e tij të përzemërta, për nderin që iu bë dhe për fjalët e ngrohta, që u thanë në këtë ceremoni për të. Një grup studentësh i dhuruan atij buqeta me lule të freskëta dhe u recituan poezi nga krijimtaria e tij.

2.
Ka lindur në qytetin e Gjirokastrës, më 15 maj 1921. Pasi përfundoi Gjimnazin e Tiranës, në degën klasike, më 1942 e nisi këtu detyrën mësues i Strehës Vorfnore. Pas çlirimit, studioi dy vjet në Universitetin e Beogradit. Më tej, i vazhdoi dhe i përfundoi studimet e larta, në Fakultetin Filologjik të Universitetit ”Lomonosov”, në Moskë.

Kur u kthye në Shqipëri, e nisi punën pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më 1957, me krijimin e Universitetit të Tiranës, u caktua pedagog i letërsisë së huaj greko-romake, në Fakultetin Histori-Filologji. Ligjëroi, përkrah figurave të mëdha të arsimit e të shkencës shqiptare dhe i pati kolegë: Çabejn, Domin, Kostallarin, Demirajn e Rizën; Sakon, Xoxën, Shuteriqin, Luarasin e Gurakuqin; B. Dedjen, B. Hoxhën, Z. Xholin e të tjerë.

Për 35 vjet me radhë, pra deri më 1993, mijëra studentë të degëve të ndryshme patën kënaqësinë të dëgjonin fjalën e tij të zjarrtë: ligjërues, studiues e krijues i ëmbël. Ata i gjen të shpërndarë në të gjitha fushat e jetës, por kurdoherë ruajnë të pashlyer në kujtesë dhe kanë nderim të veçantë për profesorin e pasionuar të letërsisë. Janë aq domethënëse fjalët e tij për studentët: ”Ata vinin e iknin, për t’u hedhur në valët e jetës, kurse ti, si mësues mbetesh gjithmonë aty, si Feniks, që digjesh në flakën fisnike të rinisë, për t’u ringjallur i përtërirë”.

Veçanërisht, prof. Xhaxhiu iu kushtua, me leksionet dhe botimet e tij pedagogjike, letërsisë së lashtë greko-romake. Spikatin tekstet, që hartoi, ”Letërsia antike greke” e ”Letërsia romake”, si dhe ”Letërsia Botërore”. Por ai u dallua edhe krijues me ndjesi të holla, që në bankat e shkollës së mesme. Në vitin 1957 botoi vëllimin ”Lirikat”, vijoi me ”Rapsodi magjare”, ”Vargje për dashurinë”, ”Ujërat e pranverës”, ”Ditë maji” dhe, së fundi më 1999, publikoi ”Këngët e Mjellmës”. Po kështu, janë një seri librash, që ai ka përzgjedhur e përkthyer nga letërsia e huaj, me gjuhë të pasur e të pastër, për lexuesit shqiptarë.

Ndër to, përmendim librin e botuar kohët e fundit, me titull “Antologji e letërsisë bullgare”
Ka marrë pjesë e ka referuar, me kompentencë shkencore, në dhjetëra veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, brenda e jashtë vëndit dhe ka botuar në gazeta e revista të shumta, për çështje të tilla, si: nga tradita e letërsisë shqipe, etnogjeneza iliro-shqiptare, për fiset italike (etruskë dhe emilë) pasardhës të pellazgëve, për letërsinë e re shqipe dhe atë botërore, për figurat e letërsisë së vendit dhe ato të huaja etj.

Tashmë, prof. Xhaxhiu është bërë i njohur, i dashur e i respektuar edhe për kolektivin e Institutit Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam, në Tiranë. Ai është anëtar i redaksisë së revistës së re shkencore-kulturore ”Univers”, ku në numrin e parë të saj ka botuar studimin e tij interesant: ”Rreth prejardhjes së shqiptarëve, nga pellazgët”(Në mbështetje të tezës së Naim e Sami Frashërit).

Në ceremoninë e festimit zyrtar të 80-vjetorit të ditëlindjes së prof. dr. Myzafer Xhaxhiut dhe në vizitat famijare e në takimet me këtë rast, u thanë shumë shprehje urimi, vlerësimi e nderimi për të, në radhë të pare: për cilësitë e larta njerëzore e urtësinë, që e dallojnë; për fjalët e ëmbla të tij, për dashurinë e respektin, që shpreh për të tjerët…

Prandaj dhe ne, të gjithë së bashku, i urojmë nga zemra: ”Jetë të gjatë e të lumtur dhe krijimtari të begatshme në fushat e dijes, të cilave ju keni përkushtuar!”

3.
Me pedagogun tim të letërsisë antike, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, ka shumë vjet që jetojmë në një lagje. Banesa e tij ndodhet në ish-lagjen nr. 4 të kryeqytetit (sot njësia administrative nr.9), e njohur ndryshe, Lagjja e Brakës. Ndërsa unë banoj në rrugën “Karl Gega” (ish-rruga e vjetër e stacionit të trenit).

Të them të vërtetën, megjithë këtë, nuk jemi takuar shpesh. Kjo sepse kam qenë përherë i përfshirë në punë dhe veprimtari të ndryshme. Ndërsa ai, për shkak të moshës, ka qenë paksa i mënjanuar nga disa veprimtari. Megjithatë, jemi parë e takuar në raste të përurimeve të librave të rinj, në festa të mësuesve etj. Një takim kemi pasur sivjet edhe në mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, ku isha bashkë me prof. Bedri Dedjen dhe, të tre së bashku, bëmë një fotografi, për kujtim.

Ka ndodhur që në një rast, vite të shkuara, i kam bërë dhe një vizitë në shtëpi prof. Xhaxhiut. Më parë e mora në telefon dhe ai më priti me ngrohtësi e dashamirësi, aty në banesën e tij dhe bashkë pimë kafe. Shkaku i atij takimi ishte se, një i njohuri im, në fshatin Viçidol të Tropojës, me profesion mësues, vazhdonte studimet me korespondencë dhe donte të jepte provimin e letërsisë së huaj. Pra, ai kërkonte një takim e konsultim me prof. Myzaferin, i cili u tregua mjaft i gatshëm e dashamirës, për këtë gjë.

Përveç pjesëmarrjes së përbashkët në redaksinë e revistës “Univers”, ku kemi bërë 2-3 takime, për nxjerrjen e numrit të parë, pata këto ditë një takim tjetër “zyrtar”, të ngrohtë dhe të paharruar me prof. Xhaxhiun. Konkretisht, u lidhëm më parë në telefon, që të shiheshim bashkë. Shkaku ishte që t’i ktheja disa gazeta, që i kisha marrë e ku flitej për jetën dhe veprimtarinë e tij, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Rrugës m’u kujtua një bisedë e tij, botuar në gazetën “Mësuesi”. Ndër të tjera, më mbetën në mendje edhe këto fjalë, nga periudha kur ai dha leksione në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit të Tiranës: “Mësonim studentët, mësoja edhe unë, bashkë me ta”. Ndërsa unë shtova me vete: “Sa bukur është shprehur profesori ynë i letërsisë!”…

Kështu, më 9 qershor 2001, shkova pranë pallatit të tij dhe prita që ai të zbriste shkallët. Që larg e dallova nga paraqitja dhe hapat e ngadaltë, se nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore. “Më dhemb koka e më merren pak mendët,-tha ai, si me vete. – Prandaj, më fal, sot nuk mund të largohem nga shtëpia…”. E pashë me dashamirësi dhe u përpoqa ta qetësoja. Ndërkaq, i shpreha mendimin që të rrinim diku, aty pranë banesës së tij. Nuk doja ta lodhja, por dëshiroja t’ia largoja dhe mendimin e keq, që kishte në kokë për shëndetin. “E po, mirë, atëherë…” – vendosi ai. Kështu, u morëm vesh dhe ashtu “çak-çuk”, duke ecur përkrah meje, me bastunin e tij në dorë, hymë në një lokal të qetë dhe u ulëm.

Këtu poshtë do të tregoj pak gjëra nga biseda jonë, e cila zgjati mbi dy orë. Kuptova se tema, që zgjodhëm, pra jeta e tij dhe sidomos e periudhës, kur ishte pedagog në Universitetin e Tiranës, sikur e gjallëroi dhe e shkathtësoi. Pra, ai “harroi” se, pak më pare, më ishte ankuar që nuk ishte mirë me shëndet. Ndoshta, ajo ishte ndër kafet më “të mëdha”, pra që kisha pirë, për një kohë aq të gjatë.

4.
…Pasi kreu studimet e larta në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, në vitin 1952, djaloshi Myzafer Xhaxhiu erdhi në Tiranë dhe e caktuan pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik. Iu përkushtua punës dhe përgatitjes së leksioneve, me nivel sa më të ngritur metodik e shkencor. Krijimi dhe fillimi i Universitetit të Tiranës, në shtator të vitit 1957, shtronte detyra të reja. Aty u thirrën ndër pedagogët e specialistët më të mirë.

Bashkë me ta, u rreshtua edhe Xhaxhiu. Dekan i Fakultetit Histori-Filologji ishte caktuar prof. Mentar Belegu, historian. Aty,ai gjeti mjaft kolegë e personalitete të njohura të arsimit dhe të shkencës shqiptare. Bashkë do të shtronin udhët tona, nga do të kalonim të sigurtë, ne studentët, në fusha të tilla të rëndësishme të jetës, si: letërsia, gjuhësia, historia, shkenca…

“Në fillim dhashë leksione për letërsinë e huaj dhe letërsinë shqipe,- u shpreh prof. Xhaxhiu.-Letërsi shqipe jepte edhe Ziaudin Kodra dhe teorinë e letërsisë shkrimtari Jakov Xoxa. Kur aty erdhi pedagogu i ri, Nexhip Gami, e ndamë bashkë letërsinë e huaj, ndërsa letërsinë shqipe e mori Mark Gurakuqi…”.

E pyes atë për vështirësitë e para dhe si u kaluan ato. “Problem të madh kishim mungesën e teksteve,-vijon ai, gati me psherëtimë.-Ishte stërmundim për ne, por dhe për ju, studentët, që të regjistrohej çdo leksion mësimor. Prandaj, së pari, siç e mbani mend, hartuam leksionet tona dhe, me ato, përgatitëm disa dispensa, që u shaptilografuan dhe i morën në dorë studentët. Si bazë kishim tekstet ruse, të cilat u përpoqëm t’i përshtatnim me kushtet tona. Një vështirësi tjetër ishte, se ato duhej të plotësonin kërkesat për studentët e ditës, të kurseve të mbrëmjes dhe të korrespondencës. Kjo masë sikur e “zbuti” pak mungesën e teksteve, jo vetëm për letërsinë shqipe e të huaj, por dhe për gjuhësinë, historinë etj”.

Po për ne, studentët e ardhur nga e gjithë Shqipëria, çfarë mendimi kishin pedagogët tanë? Prof. Xhaxhiu buzëqeshi e tha: “E vërteta është se mendimi ynë, për studentët e atyre viteve, ishte shumë pozitiv. Pse e them këtë gjë? Në atë periudhë, kryesore ishin dëshira e pasioni për dije dhe culture, e djemve dhe vajzave shqiptare. Pra, nuk kishte rendje pas diplomave, siç vërehet prirja tani. As që i shkonte ndërmend ndonjë studenti që të gjente miq, për të kaluar ose për të marrë ndonjë notë të mirë. Po kështu, prindërit ishin tepër korrektë dhe nuk përziheshin, me ndërhyrje të tilla të dëmshme.

Ne, pedagogët, bënim diskutime e debate për nivelin shkencor të leksioneve e teksteve, për ndihmën ndaj studentëve, sidomos të korrespondencës. Konsultime kemi bërë me studentët e rretheve: Vlorë, Elbasan, Shkodër, Berat, Korçë etj. Mbaj mend se, në një orë leksioni, kur unë po flisja, dy studentë shikonin nga dritarja. Nuk u thashë gjë atyre, por mendova me vete:- Vallë, a mos jam unë fajtor, për këtë gjë? Pra, nxora mësimin, se leksionet duhej t’i bëja ende më interesantë”.

Si rrjedhojë e punës së përbashkët të pedagogëve e studentëve, nga bankat e këtij Fakulteti dolën kuadro të përgatitur e të aftë, mjaft prej të cilëve shërbyen dhe shërbejnë në institucione të larta shkencore, arsimore e kulturore dhe u dalluan për shërbimet dhe veprimtarinë e tyre, në këto fusha.

Pjesë e rëndësishme e kësaj bisede të këndshme, ishte kujtimi i disa pedagogëve të atyre viteve. Ndër të tjera, prof. Xhaxhiu më foli me konsideratë dhe nderim të posaçëm për dekanët Mentor Belegu, Ligor Mile e Androkli Kostallari, për pedagogët e shkencëtarët, që nuk jetojnë më: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Aleks Buda, Zihni Sako, Ziaudin Kodra, Stefan Prifti, Selman Riza, Jakov Xoxa e Mark Gurakuqi apo për Shaban Demirajn, Bedri Dedjen, Mynyr Reson, Koço Bihikun, Nexhip Gamin, Emil Lafen.

Me ish-kolegët e tij, që jetojnë, prof. Xhaxhiu mban lidhje të mira e takohet shpesh me ta. Kështu, më foli për prof. Bedri Dedjen, që e sheh rregullisht dhe ky i kishte dërguar, me nënshkrim, librin e ri biografik, me titull: “Nëpër ravat e jetës”, i cili i kishte pëlqyer mjaft. “Aty, Bedriu shkruan me sinqeritet dhe objektivizëm,-u shpreh prof. Xhaxhiu. – Vlerëson, drejt e me paanësi, figura të njohura dhe ngjarje historike”.

Ndërsa i kishte mbetur peng në zemër, që me ndonjërin nga ish-kolegët, nuk kishte pasur rast të shihej, në periudhën e fundit të jetës së tij. Me këtë rast, më tregoi se kështu i kishte ndodhur edhe me mikun e tij, poetin Llazar Siliqi, i cili u nda nga jeta këto ditët e fundit. “Shpesh e merrja në telefon, – tha prof. Xhaxhiu, – por 2-3 vjetët e fundit, pothuajse, nuk dilte fare nga shtëpia. U pikëllova pa masë, kur mora vesh lajmin e vdekjes së tij…”.

Gjatë kësaj bisede, prof. Xhaxhiu më tregoi për udhëtimet e tij nëpër disa shtete, por sidomos për pengun, që kishte pasur në zemër, që ta vizitonte dhe ta shihte të lirë Kosovën, ku kishte qenë para vitit 1990. Po kështu, më foli me përmallim për vizitat dhe takimet e bëra me arbëreshët, në Kalabri të Italisë… “Na thërret gjaku i përbashkët” – shtoi. Ndërsa për Gjirokastrën e tij u shpreh: “Kam shumë mall ta shoh përsëri vendlindjen time. Por mjeku i zemrës ma ndalon një gjë të tillë, se rruga është e gjatë dhe më sforcon. Por…”. Pastaj, si për të ndërruar bisedë, më foli për bashkëshorten, djemtë: Artanin e Rezartin, më pyeti edhe mua për gruan e fëmijët, ku janë ata dhe a studiojnë a çfarë punojnë.

…Në fund, prof. Xhaxhiu më pa ngultazi në sy, me një farë kënaqësie të brendshme shpirtërore dhe më tha, me sinqeritet: “Faleminderit, se sot më ke kënaqur dhe më ke çlodhur kaq shumë! Takimet me të njohurit, bisedat me kolegët e ish-studentët më përtërijnë, më shtojnë forcat”.

U ndamë përzemërsisht, me urimin dhe dëshirën që të takohemi e të rrimë bashkë, sa më shpesh dhe të bisedojmë e të kënaqemi me njëri-tjetrin, jo vetëm si ish- pedagogu me studentin e tij, por dhe si kolegu me kolegun, si miku i mirë me mikun e mirë. Dhe, ndoshta, nuk ka kënaqësi më të madhe për të dyja këto palë, se sa kur në jetë lindin, farkëtohen dhe ruhen, deri në fund, njohje e vlerësime të tilla njerëzore!

(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Filologë që nuk harrohen”,
Tiranë, 2002, faqe 122-128)
Tiranë, 28 janar 2017