Kongresi në Manastir – Komisioni i alfabetit
Nga Revista Drini – 15 Nëntor 2018
Nga Prof. dr. Jahja DRANÇOLLI
Prifëtrinjtë katolik kanë shkruar në gjuhën shqipe, të nxitur nga arësyet fetare, por edhe nga ato edukative dhe letrare-gjuhësore.
Duke ndjekur vertikalen e historisë sonë, shohim se kleri ka luajtur rol kryesor edhe në lëmin e gjuhës dhe të letërsisë.
Pikërisht nga kjo letërsi doli edhe tradita gjuhësore e letrare shqipe, e cila sipas njoftimeve që i zotërojmë deri më sot, nisi me “Formulën e Pagëzimit” më 1462: “Ven te’ paghesont prémenit Atit et Birit et Spertit Senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”). Mirë po, sot mund të provohet se kjo gjuhë ka nisur të lëvrohej qysh para Formulës së Pagëzmit dhe Buzukut.
Dokumenti i parë, i zbuluar deri më sot, ku mund të dëshmosh për të folmen e gjuhës arbërore, është ai që ruhet në regjistra të kancelarisë së Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, dokument ky që mban datën e 15 korrikut 1284 me këtë përmbajtje të shkurtër: “Etaudiui unam uocen clamantem in lingua alnanesca” (“Dhe dëgjova një zë që thërriste në gjuhën arbënore”). Ndërkaq, dëshmia e parë për shqipen e shkruar dhe për libra arbënore, është ajo që na njofton dominikani frëng, argjipeshkvi i Tivarit Guilielmus Adae (Brochardus Monachus) në ditarin e tij, “Directorium ad passagium faciendum”, ku ai shkruante: “Licet Albanenses aliam omnino linguam latina habeant et diversam, tamen, litteram latinam habent in uso et inomis suis libris” (“Arbënit kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, kanë alfabetin latin në përdorim dhe në tërë librat e tyre”)
Alfabeti i vendosur në Kongresin e Manastirit
Por prej këtyre librave deri më sot nuk është gjetur ndonjë. Pavarësisht se çfarë kanë qenë ato libra, me rëndësi është se kjo dëshmi është e vitit 1332. Po ashtu është me rëndësi, se gjuha dhe kultura e mirëfilltë arbënore e karakterit evropian, doli nga kleri katolik shqiptar me “Formulën epagëzimit” të argjipeshkvit të Durrësit, Imzot Pal Engjëllit (1417-1470), i cili ishte dorë e djathtë e Skënderbeut. Humanistë të tjerë të njohur në tërë Evropën, si Gjin Gazulli (rreth 1400-1465), Marin Beçikemi (rreth 1468-1526), Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531), Mikel Maruli (1453-1500) dhe Marin Barleci (1460-1513) – nuk e përdorn gjuhën e tyre amtare, por shkruan në latinishten e kohës. Italia si vend botimi për literaturën shqipe. Në Romë pa dritën botimi në vitin 1555 dhe libri i parë në gjuhën shqipe. Është fjala për Mesharin (“Messale”).
Meshari u zbulua më vonë, në vitin 1740, në Bibliotekën Propaganda Fide prej prelatit shqiptar, Gjon Nikollë Kazazi (1743-1753) dhe ende sot gjendet si kopje e vetme në Bibliotekën e Vatikanit. Libri është shtypur me shkronja latine, por duke huazuar nga shkrimi cirilik disa shenja te veçanta.
Librat e shtypur atëherë ishin kryesisht për shërbesa fetare. Në vitin 1592 botohet në Romë, ”Dottrina Christiana – E mbsuame e Krështerë” të autorit, Lekë Matranga. Pas Buzukut dhe Matrëngës, poeti parë shqiptar është françeskani, Atë Pal Hasi, i lindur në rrethe të Prizrenit. Ka vdekur në vitin 1599. Këngët e tij “Dita e gjygjit” dhe disa të tjera të përshpirtshme, të karakterit të katekizmit në vargje, që sot e kësaj dite i di populli, i ka botuar Imzot Pjetër Budi në librin e tij “Doktrina e krishtenë”, të botuar në Romë më 1616. Kronologjikisht më pas vjen autori tjetër, nga radhë te priftërinjve katolikë, Pjetër Budi (1566-1623), argjipeshkëvi dioqezës Sappa-Sarda.
Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit
Në vitin 1618 boton në Romë një përkthim në shqip me titull “Dichiarazione più copiosa della Dottrina Christiana” ku shprehej: “Zoti nuk i ndigjon uratët e atyne qi lutën në gjuhë të huaj, për pa kuptue vështrimin e fjalvet qi thotë”, gjegjësisht “ata kanë shkruar vepra, me qëllim të mbrojtjes së fesë krishtere dhe gjuhës amtare prej turqve, të cilët depërtonin me fenë e tyre”. Me fjalë të tjera, – shkruante studiuesi i shquar, J. Rexhepagaqi, – ”priftërinjtë katolikë kanë shkruar në gjuhën shqipe të nxitur nga arsyet fetare, por edhe nga ato edukative dhe letraro-gjuhësore”.
Këtë qëllime shprehte edhe ipeshkvi i Zadrimës, Frang Bardhi (1606-1643), në “Parathënien” e Fjalorit të tij me titull, “Dictionarium Latino-Epiroticum” (Romë-1635), “me ndimuem mbën-janë gjuhënë tanë, që po bdaretë e po bastardhohetë saa mââ parë të ve; e mââ fort me ndihmuem gjithë atyne qi janë nd’urdhëni të t’inë Zot e të Shintesë Kishë Katolike e s’dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s’munë shërbenjë si duhetë paa të madh error e faj hesape të zkonetë e ceremoniatë e Shintesë Kishës Romës”.
(Në foto asht ndertesa e “Propaganda Fide” ne Rome.
Fotografoi Paul Tedeschini.)
Në vitin 1706 u botua sërish nga Propaganda Fide një vepër e re, tepër interesante. Është fjala për aktet e të parit Koncil Nacional shqiptar të vitit 1703, të drejtuar prej Vinzenz Zmajeviq, argjipeshkëv i Tivarit. Aktet u botuan njëkohesisht në dy botime paralele, në latinisht dhe shqip: “Conciliumalbanum provinciale sivenationale/ Konçili Provinçialo Kuvendi i Arbenit”.
Marrë nga Revista “DRITA”
P r i z r e n • Q e r s h o r 2 0 0 8 • V i t i X X V • N r. 6 ( 1 6 5 )
(Vazhdon me pjesën e dytë dhe të tretë)