Procesi i Franc Kafkës në kontekstin shqiptar

0
582
Leonora Laçi

Leonora Laçi /Shkodër 2018

Tek sa lexoja “Procesin” e Franc Kafkës, nënqesha me veten sepse mu duk sikur F. Kafka e kishte shkruar për Shqipërinë e pas viteve ’90, për ne.

Ai shkruan, përshkruan, një proces që nuk filloi asnjëherë, por as nuk mbaroi kurrë, një proces i nënkuptuar, pa fakte, pa argumente, pa letra, pa gjyq, pa gjykata, pa drejtësi, ku gjithçka mbetet pezull e aludohet. Të gjithë flasin për të dhe e marrin si të mirëqenë por askush nuk di të thotë më tepër se kaq, nuk e njeh atë, thjesht flasin si për një fantazmë që duhet besuar.

Franz Kafka
Franz Kafka

Kjo dramë njerëzore ngjanë me dramën shqiptare të dy dekadave të fundit a më shumë, pasi dhe ne jemi në procese të ndryshme por nuk dimë se çfarë procesesh janë, kush i drejton, çfarë konkluzionesh kanë, cilat janë përfundimet, ne jemi “aktorë” të një drame me perde të ulura që nuk ka asnjë mesazh të qartë, aktorë që nuk e punojnë vetë tekstin, u jepet i gatshëm.

Ndonëse në të vërtetë tek ne realizohen vërtetë procese, apo kështu emërtohen, procese integruese s’dihet se për ku, e procese denigruese që avancojnë si era, procese demokratizuese të avashta, procese politike e lojëra partish pa programe, procese tranzicioni të dukshme që i ka dal era… etj. etj.

Personazhi K. personifikon popullin shqiptar, i cili është ai që i merr vesh gjërat i fundit, nuk di ku shkon, nuk di as nuk do të di, ose dhe kur do të informohet gjenë njerëzit e gabuar në kohën e gabuar, nga ana tjetër gjykatat dhe sistemi i Procesit të Kafkës, personifikon sistemin politik shqiptar dhe të gjithë aleatët e saj.

Populli është merhumi, i pambrojturi, që gjendet në situata të tilla, ku ligji punon kundër tij, e po ai ligj interpretohet sipas interesave të sistemit, ndryshe shkruhet, ndryshe thuhet e ndryshe bëhet. Në një vend që “drejtësia” është bërë term klishe, të gjithë flasin për të por askush nuk e kupton, e shohin si diçka të largët iluzive. Procesin shqiptar ashtu si atë Kafk-jan e udhëheqin të njëjtit, të gjithë japin mend për drejtësi qoftë shërbëtori, piktori, qiraxhesha, X e Y, por askush nuk e di të vërtetën – dhe as nuk i intereson vërtetë e vërteta, ose nuk ka një të tillë- janë pjesë integrale e sistemit, e mbajnë me dhëmbë atë sepse nuk do të dinë të integrohen më, nëse sistemi bie.

Llogari s’jep kush se çfarë luhet në “mullirin” tonë, por askush nuk e kërkon atë. Nuk dihet se kush jemi, ku shkojmë, duam të ikim nga “procesi” ta shmangim por nuk dimë se si. Ndonëse ka zgjidhje; të heshtësh e të shohësh se çfarë ndodh me ty, të shpëtosh është e përkohshme, pasi “procesi shqiptar” do të vazhdoi dhe pa ne, madje nuk ka nevojë për ne, ne e pengojmë atë, zgjidhja tjetër është përfshirja, një jetë kemi a thua ja vlenë?! Po nëse përfshirja punon kundër nesh dhe jemi në krahun humbës, gjithsesi çdo “proces” ka humbës dhe fitues ata një qime i ndanë.

Apo të bëjmë paktin e heshtjes, ashtu siç kemi bërë deri tani, ku të gjithë e kemi pranuar, e kemi dashur si të ishte një kompromis për diçka më të madhe por pa ose me dashje ne vetëm sa i kemi dhënë legjitimitet me heshtje çdo procesi regresiv. Duket sikur ne kemi vendosur një ekuilibër të ri, jemi përshtatur e adaptuar duke u justifikuar se kështu funksionon sistemin, pa i vënë gishtin kokës se ne jemi vetë sistemi.

Mosreagimi ynë na bënë palë dhe të mendojmë që gjithçka ndodh e kemi merituar dhe kemi punuar për këtë gjë.

Ky legjitimitet i gjendjes sonë nuk ka ardhur në një ditë, është një proces shumëvjeçar, ndoshta dhe i trashëguar, por a duhet të vazhdojmë të fajësojmë të kaluarën a mos duhet të gjejmë fajtorët e sotëm dhe të mund të riparojmë atë që mundemi?! Politikbërja në Shqipëri është një proces që ka kaluar dorë me dorë dhe duke ndryshuar mbajtës jo vetëm që është tjetërsuar qëllimi fillestar por dhe është harruar qëllimisht, e kjo po vazhdon pambarimisht.

Proceset tona s’po kanë fund. Procese që fundosin të dobëtin e nxjerrin pa lagur të fortin, sistemi i të fortëve.

Gjithçka është një proces i filluar por pa datë përfundimi, gjithçka nis e lihet përgjysmë. Ne kemi nevojë të fillojmë një proces më të thellë në vetëdijen tonë të dimë se çfarë duam për vendin tonë dhe jo se çfarë të tjerët duan për ne. Apo duam të jetojmë në një kasaphanë sfilitëse deri sa të lodhemi nga vetja, po pastaj ?! Thonë që kur dhimbja bëhet e vazhdueshme mësohesh me të dhe bëhet pjesë e jotja integrale, e kështu nuk është më diçka e huaj, nuk është më dhimbje, nuk e lufton, ka imunitet edhe ndaj teje dhe ngadalë të shkatërron…

Kafka shkruan dhe për hierarkinë gjyqësore, që s’ka dallim të madh nga hierarkia e sistemit tonë, dhe ne e hasim në jetën e përditshme, burokracia që fillon nga roja tek dera, punonjësit e pastrimit të institucionit, punonjësit e tjerë, e deri sa mbërrijmë tek drejtori, secili është me rëndësi di për sistemin ose bënë sikur di, nëse do të krysh punë të fusin në labirinthet e tyre deri sa të të rrjepin mirë…

Flitet në emër të popullit por s’janë përfaqësues real të tij, flitet për ideale por s’kanë asgjë të përbashkëta me ta, flitet për lulëzim në betonizim, flitet për varfërinë të rrethuar nga luksi, flitet për vlera nga të pa vlerë, për fjalë të lirë që rrallë kush nga ata guxon, për përparim me mendje të mjerë, procese pa proces.

Përfundimi dihet, është paracaktuar, pa kompromise me sistemin të pret shuarja, e jo thika pas shpine, por në kraharorë përballë, një fytyrë djalli që qesh më të madhe fundin tonë. Ky djall mund të jetë kushdo, mik apo armik, i huaj apo vendas, i bardh apo i zi, ndoshta dhe njëri…

Ngjarja e Kafkës, personazhi K. përfundon si një qen, po ne…?!