PROBLEM VETËM PRESJESH?!

0
538

Av. XHABIR ZEJNUNI

Përmbajtja:

1. Problemet që shtron Oerd Bylykbashi në lidhje më Kryeprokurorin.
2. Krahasim dhe interpretim (modest) normash ligjore.
3. Rast i veçantë.
4. Interpretim gjuhësor (modest) i presjes dhe lidhëzes.
5. Përfundim.


1. Problemet që shtron Oerd Bylykbashi në lidhje më Kryeprokurorin. Oerd Bylykbashi bëri disa deklarata në lidhje me problemin e Kryeprokurorit (07.12.2017). 1. Ligji Nr. 97.2016, tek neni 109, par. 2, parashikon se “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”. “Duke pasur një PRESJE në mes të “përpara kohe” dhe “përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, sjell që këta dy raste nuk mund të merren të shkëputur, por të lidhur mes tyre.

Pra, realizohen në të njëjtën kohë. Kush thotë të kundërtën, se dy rastet nuk kanë lidhje mes tyre, atëherë ai (ose ajo) meriton KATËR në gjuhën shqipe. Por, nëse do kishim mes dy rasteve lidhëzen APO, atëherë dy rastet do ishin të ndarë mes tyre”. 2. Ligji Nr. 96.2016, parashikon në nenin 160, par 2 se “Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj”. “Për këtë arsye, qëLlalla duhet të vazhdojë akoma detyrën e tij”.


2. Krahasim dhe interpretim (modest)normash ligjore. Duke i marrë në analizë DY ligjet sipas numrit rendor (96 dhe 97, por të së njëjtës datë: 06.10.2016!), vërehet se neni 160, par. 2, me titull “Organet kompetente në periudhën kalimtare” parashikon se “Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj”. Norma në fjalë, i referohet kohës normale të detyrës së Kyeprokurorit, gjatë së cilës ai duhet të kryejë kompetencat e parashikuara në ligj dhe jo zgjatjes së kësaj kohe përtej afateve kushtetuese dhe ligjore nëse nuk krijohet KLP-ja.

Norma nuk nënkupton nëse pas krijimit të KLP-së, Kryeprokurori mund të ushtrojë të njëjtat kompetenca, apo edhe kompetenca të tjera të përcaktuara nga KLP-ja me ligj. Kurse neni 109 me titull “Dispozitë kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë”, par 2, parashikon se “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”.

Norma në fjalë, parashikon DY raste kur mandati i Kryeprokurorit përfundon “përpara kohe” ose “përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Në rastin e parë, parashikohet përfundimi i mandatit “përpara kohe”, afat i cili lidhet me arsye objektive apo subjektive (që nuk ka nevojë të shpjegohen këtu). Si rrjedhojë, caktohet një Kryeprokuror i “përkohshëm”. Në rastin e dytë, mandati mund të përfundojë “përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Kjo në raport me organin e KLP-së. Por, vetë Kryeprokurori mund të ndodhet në situatën e mbarimit të mandatit tij në këta raste: a. “përpara kohe”; b. “normalisht” (Llalla); c. “pas kohës normale” (Llalla).

Në kushtet normale, pra kur është krijuar KLP-ja, atëherë në bazë nenit 28, par. 1 të Ligjit Nr. 97.2016 është vetë KLP-ja si “Organi përgjegjës për përzgjedhjen”, që “Përzgjedh kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm, ndër ata që përmbushin kushtet e parashikuara në këtë ligj”. Në rastin kur mandati i Kryeprokurorit përfundon “përpara kohe”, ose kur “KLP-ja nuk është krijuar akoma”, atëherë është Kuvendi, i cili vendos që “funksionet e Kryeprokurorit caktohet t’i kryejë “përkohësisht” një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”. Arsyeja se përse legjislatori ka parashikuar zgjedhjen e Kryeprokurorit të “përkohshëm” me shumicë të thjeshtë, qëndron në faktin se kjo shumicë e thjeshtë ekziston realisht dhe e përshpejton këtë zgjedhje pa asnjë pengesë.

Nga ana tjetër, kjo zgjedhje bën që organit të akuzës të mos i mungojë kreu i saj. Edhe pse “përkohësisht”. Përdorimi i ndajfoljes kohore “përkohësisht”, tregon se Kryeprokurori i caktuar nga Kuvendi, do vazhdojë detyrën e tij “përkohësisht”, derisa të krijohet KLP-ja. Për këtë arsye, që Kryeprokurori i “përkohshëm” zgjidhet me shumicën e THJESHTË. Kjo lloj zgjedhjeje, është edhe një stimul për opozitën, e cila mund të mos jetë përfshirë në zgjedhjen e Kryeprokurorit të “përkohshëm”, por që ka interes të influencojë me votat e saja në zgjedhjen e një Kryeprokurori tjetër, që e arsyeton më të pranueshëm edhe për orientimin (apokrahun!) e saj politik.

Më pas, kur të krijohet KLP-ja (preferohet sa më shpejt!), atëherë Kryeprokurori do zgjidhet me 3/5 e deputetëve, ashtu siç e parashikon neni 148/a, par. 1 i Kushtetutës, i cili disponon se “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”. Shumica e 3/5 shërben pikërisht për të gjetur konsensusin e duhur politik për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Prandaj, zhurma që bën sot opozita se Kryeprokurori nuk do zgjidhet vetëm me shumicën e thjeshtë të PS-së, sepse është antikushtetuese, është e pabazë dhe qesharake, pasi vetë normat më lart, tregojnë rastin e zgjedhjes me shumicë të thjeshtë të Kryeprokurorit të “përkohshëm” dhe rastin e zgjedhjes me 3/5 të Kryeprokurorit me mandat 7 vjeçar.


3. Rast i veçantë. E nëse ndodhemi para një rasti të veçantë? Kryeprokurori kryen mandatin e tij normal (ose përpara kohe!), por KLP-ja e cila është krijuar tashmë, propozon tre kandidaturat më të përshtatshme. Por, mungojnë votat e 3/5 për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri, pasi nuk gjehet konsensusi i gjerë dhe i duhur politik. Koha kalon dhe vendi nuk ka Kryeprokuror. Cila do jetë zgjidhja në këtë rast? Do rrimë pa Kryeprokuror? Larg qoftë. Mos vallë do jetë Kryeprokurori i “përkohshëm”, i cili mund të zgjidhet fare lehtë me shumicën e thjeshtë, derisa të gjehet konsensusi për ta votuar më 3/5 (pas disa muajsh, apo vitesh?!)? Ka ndonjë normë në këtë rast, e cila e zgjidh këtë REBUS?


4. Interpretim gjuhësor (modest)i presjes dhe lidhëzes. Oerd Bylykbashi si njohës i thellë i gjuhës shqipe, vazhdon se “Duke pasur një PRESJE në mes të “përpara kohe” dhe “përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sjell se dy rastet nuk mund të merren të shkëputur, por të lidhur mes tyre. Pra, realizohen në të njëjtën kohë. Kush thotë të kundërtën, se këta dy raste nuk kanë lidhje mes tyre, atëherë ai (ose ajo) meriton notën KATËR në gjuhën shqipe. Por, nëse mes dy rasteve të ishte lidhëza APO, atëherë dy rastet do merreshin të ndarë mes tyre” (bëhet fjalë për nenin 109, par. 2)”.

O Bylykbash. Pash Allahun mos na vër KATRA të paktën neve që kemi mbaruar me mund e sakrifica shkollën në kohën e Xhaxhit Enver dhe jo me lekë (ose euro!) apo tepsija bakllavaje si në kohën e demoNkracisë. Atëherë. Dy togëfjalëshat më lart, nuk kanë lidhje thelbësore me njëri tjetrin, por tregojnë dy mënyra të ndryshme të kryerjes së një veprimi, apo realizimit të një ngjarjeje. Kurse lidhëza APO, tregon dy alternativa, nga e cila merret për bazë vetëm njëra prej tyre. Po ashtu, presja më lart, shërben edhe për t’i dhënë mundësi lexuesit të “marrë pak frymë” gjatë leximit. Aq më shumë vlen kjo presje tek normat ligjore, të cilat dallohen për “gjatësinë” e tyre. Si në rastin më lart. Por, nëse mes dy togëfjalëshave do kishim lidhëzen DHE, atëherë norma më lart do kishte zbatim vetëm kur do verifikoheshin të dyja veprimet njëherësh: “përpara kohe” DHE “përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Shumë dakord.


5. Përfundim. Duke i vënë dy normat më lart në dy ligje të ndryshme (të së njëjtës datë: 06.10.2016.!!) dhe duke i komentuar sipas oreksit politik, me të drejtë populli “sovran” ngatërrohet (ose edhe habitet!) kur këta ligje interpretohen nga gjithfarë ekspertash: jurista apo gjuhëtarë. Kjo është vetëm një HILE politike. Pasi, nëse këto dy norma do viheshin në të njëjtin ligj (dhe në të njëjtin nen), atëherë nuk do ishte nevoja e intepretimit juridik, ose gjuhësor. Ja të provojmë njëherë e t’i vendosim bashkë DY paragrafet e neneve 109 dhe 160 në të njëjtin nen. Neni 109 (ose 160, ose…).

1. “Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj”. 2.“Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”. Por, edhe në këtë rast, kjo normë ka shumë kontradiksione ligjore dhe kushtetuese (…..)! Interpretim të “frytshëm” (…..).