PRO DHE ANTI-AMERIKANIZMI NË KOSOVË

0
447
Albini - Hashimi - Isa

IDRIZ ZEQIRAJ

Shqiptarët e “zbuluan Amerikën” në fund-shekullin e 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit 20-të. Ishin jugorët e Shqipërisë londineze, që shkonin për të punuar, si individë dhe, shumë vonë, tërhoqën edhe familjet e tyre. Korçarët kanë një shprehje: “Atje ku jetoj më mirë, atje është atdheu im”. Andaj, është një fushë, e cila quhet “Lëndina e Lotëve”, nga ku niseshin kurbetçarët, për në botën e largët dhe të panjohur, duke lënë gruan dhe fëmijtë, të dy palët me lotë e vajë.

Lidhja politike dhe emocionale e Shqipërisë me Amerikën, daton në vitin 1915, kur Shqipëria rrezikohej të kafshohej nga çakejtë ballkanikë dhe evropianë, edhe pas sakatosjes të saj më 1913. Mjerisht, atëbotë, të Fortit e Evropës nuk ishin në anën tonë.

Presidenti amerikan Woodrow Wilson stopoi gërsherët e Fuqive Evropiane, për prerje të tjera të tokave shqiptare. Ai paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, planin e tij prej 14 pikash, “se kufijtë nuk mund të caktoheshin më, mbi bazën e politikës të Fuqive të Mëdha”. Dhe, kjo ndërhyrje ishte vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë, nga një ndarje në Jugun e saj, në mes të Italisë dhe Greqisë.

Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, ishte burrë shteti, i zgjuar dhe trim në vendim-marrje. Orientimi i tij pro Amerikës dhe Evropës Perëndimore, ishte zgjedhja e tij e duhur. Ai ndërtoi marrëdhënie të qendrueshme, miqësore e bashkëpunuese, në të gjitha fushat e mundshme, me supërfuqitë demokratike.

Lufta e Dytë Botërore, instalimi i përgjakshëm i qeverisjes komuniste të Enver Hoxhës, me përzgjedhjen dhe ndihmën direkte të tij nga Serbia dhe Rusia, armiq të Kosovës. Me rekomandimin e tyre, filosllavi Hoxha largoi disa nga ambasadat e fuqive demokratike botërore, përfshirë edhe atë të SHBA-ve! Që këtej, stalinisti Enver Hoxha, i pati duart e lira, për ta sunduar Shqipërinë, përkatësisht, shqiptarët, me dajak e plumb, për afro gjysmë shekulli.

Retrospektivë, Ambasadori amerikan: “Kosovën do ta çlirojë Amerika”

9 prill 1992. Seanca kuvendore për zgjedhjen e presidentit shqiptar. Së bashku me mikun tim të vuajtjes, në Burgun e Burrelit, Dr. Osman Kazazi, kryetar i “Shoqatës të Persekutuarëve Politikë në Shqipëri”, ishim të ftuar të kësaj seance. Kur u ngjitëm në lozhën e mysafirëve, ambasadori amerikan Rejerson, ishte në rrjeshtin e parë. U ngit në këmbë dhe na ftoi pranë tij. Unë hezitova, por, ambasadori ngulmoi “ejani të dy”.

Në pauzimin e numërimit të votave, me ç`rast nuk lëvizi askush nga vendet, bisedova me ambasadorin Rejerson. I bëra pyetjen direkte: “Çfarë do të bëjë Amerika për Kosovën?” Ambasadori më pa ngultas në sy dhe u përgjegj serbez: “Kosovën do ta çlirojë Amerika”. (E përsëris, ishte 9 prilli 1992!) Unë shtanga, ngaqë nuk isha i përgaditur për këtë përgjigje fantastike, edhe pse më parë, së bashku me juristin Muhamet Kabashaj, kishim biseduar dhe intervistuar në bazën ushtarake amerikane, në Mannheim të Gjermanisë, nga ku mësuam për opinionin shpresë-dhënës amerikan! Ndërsa, Dr. Kazazi nuk i përballoi emocionet, lotët i rrëshqitën faqeve: “Zotëri Ambasador, vërtet…” dhe nuk mundi të flasë nga vaji! Po, e vërtetë dhe mbaje mend”,- u gjegj Ambasadori.

Dr. Osman Kazazi ishte në cilësinë e sekretarit të rinisë balliste të Tiranës, kur udhëhoqi një çetë vullnetarësh rinorë, si mbështetje morale e ushtarake të forcave nacionaliste në Dukagjinin e Kosovës. Për këtë vuajti tej 40 viteve burg të rëndë. Tri motrat e tij e mbyllën jetën me beqari, në pritje për ta martuar vëllanë e vetëm më parë. Por, kjo nuk u realizua kurrë! Dhe, Kazazët u shuan. Mbeti vetëm kulla e moçme dy katëshe, prapa Hotel “15 Katshit” dhe busti i Heroit të Demokracisë, Dr. Osman Kazazit, i sponzorizuar nga miku i tij i huaj, i cili u motivua nga rezistenca unike e Doktorit, për ta përjetësuar në bronz.

Po sjellim një detaj, nga qendresa e dinjitetshme e Dr. Osman Kazazit, në Burgun e Burrelit, në “Burgun e Vdekjes”, siç njihet në literaturën historike botërore:

Kur i vuajti plot 30 vite burg, Dr. Kazazi i dërgoi një telegram urimi Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike: “Ju falenderoj shumë, që për 30 vjet të sjelljes tuaj brutale, të poshtër e kriminale, vuajtje dhe turture në burg, nuk më keni dhënë asnjë rast, për t`u penduar, pse u rrjeshtova kundër jush dhe ideologjisë tuaj kriminale komuniste. Sepse, pendimi pas një vuajtje të gjatë, do të ishte i tmerrshëm për mua!” Në përgjigje të këtij telegrami proverbial, unik në historinë e burgjeve botërore, të të gjitha kohërave, Enver Hoxha urdhëroi t`i shtohen edhe 15 vjet të tjera burg Dr. Osman Kazazit, duke qenë brenda burgut, në vuatje të një dënimi të dytë.

Presidenti Rugova na e la dhuratë miqësinë me Amerikën

Dr. Ibrahim Rugova ishte njeri i letrave. Studjues i zellshëm, i shquar për maturi e mençuri, madje, qysh në rininë e tij të hershme. Vrojtues i vëmendshëm i zhvillimeve politike vendore e botërore. Kosova, si një përkatësi e veçantë etnike ballkanike, për të mbijetuar, duhej mbështetja e një aleati të fuqishëm, garantues i çlirimit dhe i lirisë të Kosovës dhe popullit të saj. Dhe, referuar viti 1915, ndërhyrjes vendimtare të Presidentit Wilson; miqësisë të mbretit Zog, aleati më ideal duhej të ishte Amerika.

Refreni i gjithëmonshëm i Dr. Rugovës, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, “në miqësi të përhershme me SHBA-së”, u ngulitën thellë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve të kudondodhur. Skëptikë për këtë ishin dhe mbetën e majta ekstreme shqiptare. Sepse ata janë peng të ideologjisë dhe të mendësisë së mykur komuniste, staliniste, sllaviste.

Fatmirësisht, anëtarësia e partive të majta, në shumësinë absolute, nuk i mbështetë shefat e tyre në ndjesinë antiamerikane të tyre. Disa nga shefat e së majtës pretendojnë së partitë e tyre janë të djathëta! Gënjeshtër e kulluar! Ata e kanë gojën plot – Amerikë. Por, i gjithë organizimi, mendësia, proceset zgjedhore, janë, thellësisht, majtiste dhe në kundërshti të hapur me kërkesat dhe porositë amerikane për demokracinë.

Në gjallje të Rugovës, vlonte debati. Baza partiake, ishte themeli i LDK-së, nga ku buronte demokracia e vërtetë. Kryesia Qendrore ishte modeste, koordinatore në nismat, që diktonte koha. Por, kurrë mujëshore e fodulle, deri në shpërfillje të vrazhdët, siç u shpërfytyrua, deri në degradim, pas shuarjes të kryezotit Rugovë.