“PRITA NË PELISTER”

0
781

Sulë Hotla- /Trimit nuk i hahet haku!/.

(Plani i UDB-së për likuidimin e Sulë Hotlës)

Nga Nafi Cegrani

…Shërbimet e fshehta të zbulimi dhe kundërzbulimit jugosllav, tanimë kishin fituar përvojë në metodat e tyre për t’u bërë kurthe shqiptarëve. Ata shfrytëzonin mosmarrëveshjet mes grupeve të krerëve të nacionalizmit shqiptar. Por të mos harrojmë se UDB-ja nuk mund të kryente asnjë kombinacion pa ndihmën e njerëzve të shitur brenda këtyre grupeve. OZNA dhe UDB-ja kishin piketuar të eliminonin Xhemë Simnicën e Gostivarit, disa krerë të grupeve guerile shqiptare nga Anamorava dhe Drenica e deri në sukat e Sharit dhe Tetovës, e me radhë. (Shqiptarët nuk mund t’i merrnin me mend këto kombinacione, pasi ata nuk e kanë zakon që të vrasin pas shpine, në prita tinëzake, tradhtare, djallëzore e në forma çnjerëzore).

Disa nga krerët e rezistencës shqiptare së bashku me shokët e tyre më të afërt kishin dalë përmes rreziqeve matanë kufirit dhe ishin vendosur në kampet e Greqisë. Kishin realizuar largimin Luan Gashi, Tahir Zajmi, Hisen Terpeza, Xhelë Kalishti, Neshat Gora, Muharrem Bajraktari, Qenam Zhupani i Çegranit, Kalosh Hamdi Reçani dhe të tjerë. Ndërsa disa si Bajram Mahmudi (i njohur në popull si Bajram Dobërdolli), Azir Tenova, Qail Fazli Çegrani, Hashim Toplica etj., kishin mbetur matanë maleve të Sharrit, në Shqipërinë e Mesme, ose duke u kalamendur monopateve perplote kreshta thepore te anëve të Lumës, e herë-herë duke hapëruar këndej Korrabit dhe Vrracës, të vetëdijshëm se jeta e tyre ishte në rrezik, dhe nuk e dinin se vallë, do të mbeteshin gjallë !

…Guerilët e armatosur shqiptare duke u vënë përballë një kuçedre të madhe me kokë komuniste zhvilluan beteja heroike për të mbijetuar dhe mos u thyer. Këtë e dinin mirë shërbëtorët e OZNA-s dhe UDB-së serbosllave dhe sllavo-maqedonase, ndaj dhe kishin kohë që përgatisnin skenarë tradhtie dhe kurthe, me konsultën e Beogradit e sipas porosisë së tij, me ndihmën e shqiptarëve “të ndershëm” dhe të tipit “jugosllav”. Kështu u veprua në kapjen dhe eliminimin e Mulla Idriz Gjilanit, Gjon Serreçit, Ibrahim Lutfiut, Hasan Remnikut, Xhemë Gostivarit, Arif Kapetanit të Glloboçicës e të tjerëve.

Ideja ishte që ashtu siç ishte vepruar me ta do të përgatitej një plan eliminimi edhe për Sulë Hotlën, i cili luftonte në malet e Karadakut të Shkupit dhe Kumanovës. Dhe kjo tregonte edhe njëherë fatin individual dhe kolektiv të shqiptarëve, mbi të cilët UDB-ja bënte eksperimente të vazhdueshme, duke zhvilluar kundër tyre kombinacione nga më të gjatët e më të dhunshmit. Hapi i parë që ndërmori UDB-ja kundër Sulë Hotlës ishte kombinacioni për vrasjen e djalit të tij të vetëm, duke dashur që ta thyejnë moralisht komandantin e Rezistencës Nacionaliste Shqiptare. Edhe pse i dërmuar moralisht nga ajo që i ndodhi, Sulë Hotla e vazhdoi qëndresën e tij në malet e Karadakut. Hoqi keq maleve, i pangrënë i paveshur, por përsëri nuk pranoi të dorëzohej. Madje, ai nuk u largua edhe pse Muharrem Bajraktari dhe Bajram Mahmuti – Dobërdolli i kishin dërguar fjalë që së bashku me grupin e tij të gjente mundësinë të arratisej në Greqi, pasi atje kishin shkuar një pjesë e mirë e nacionalistëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

I njëjti njoftim i kishte shkuar edhe Ali Stanecit nga Hysen Terpeza dhe Luan Gashi, pasi e dinin që edhe ai i ishte bashkëngjitur Sulë Hotlës në malet e Karadakut. Njëkohësisht, UDB-ja kishte vepruar duke infiltruar në çetën e Sulë Hotlës edhe njerëzit e saj dhe dinte thuajse të gjitha lëvizjet e tij. Në konsultim me Beogradin ishte vendosur organizimi i një kombinacioni të madh për kapjen ose likuidimin e Sulë Hotlës me shokë, i njohur me emrin e koduar “Prita në Pelister”. Në tërë këtë operacion duket qartë roli i personave të infiltruar në grupin e Sulë Hotlës. Ata, të ngarkuar me detyra tepër të veçanta, ishin të koduar nën emrat e “Kapedan Karadaku”, “Kaloshi”, “Murati”, “Sedeku”, “Shahini” që i korenspodonin oficerit të UDB-së, Boro Qushkarit, “Abazi” (Cvetko Uzunovski), “Marçe” (Arizan Nestgerovski, ky një shqiptar ortodoks nga Beliçica e Gostivarit), “Marko” (Elisie Popovski) etj. Kurse, Abdulla Osmani, “Dulla” nga Mateqi, dhe disa të tjerë si ai, e luajtën më së miri rolin si mashe e ndryshkur ne rradhet e falanges tradhtare, duke realizuar planin dhe kombinacionin sekret të vjeshtës së vonë të vitit 1947.

Ky operacion, për nga mënyra e organizimit dhe veprimit, ngjante shumë më atë që u realizua për eliminimin e Hasan Remnikut dhe grupit të tij, që në dosjen e UDB-së është shënuar me emrin “Prita në Bistricë”. Skenari i këtyre operacioneve kishte në thelb përgatitjen e gjoja arratisjes së grupeve për në Greqi, që në të vërtetë ishte dërgimi i tyre në pritë në vendet e caktuara që më parë, për kapjen me tradheti dhe likuidimin e tyre… Gjatë realizimit të kombinacionit për eliminimin e Sulë Hotlës, Arizan Nesterovski “Marçe” dhe “Kaloshi” ishin veshur mirë me tirqe dhe gajtanë, me opinga lëkure dhe xhamadanë, veshje këto tradicionale të shqiptarëve. Ishin pikërisht ata që do të udhëhiqnin drejt shpateve thepore të Malit të Thatë, nga Karadaku përmes Grykës së Dervenit, më tej ndër gërmusha në pyllin e Merovës dhe Llërcës, krah Malit të Thatë mbi Çegran dhe Forinë, duke dalë në lindje të Bukovikut mbi Kërçovë, në drejtim të fshatrave malorë të Brodit.

Duke qenë se grupi ishte i rraskapitur ndalimi do të bëhej në shpatet e Pelisterit, si në legjendë. Kjo rrugë maleve, luginave dhe gërxheve të atyre anëve do ta shpinte grupin drejt kufirit me Greqinë. Udhëtonin vetëm natën, ndërsa ditën flinin e pushonin të fshehur në mal ose në ndonjë “strofull” në shpella. Udhëtimi zgjati plot 27 ditë. Kurse për ushqime dhe medikamente që duheshin kujdesej “Organizata”, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse UDB-ja. Gjatë gjithë këtij udhëtimi më të mërziturit ishin “Asani”, “Mahmuti”, “Lila”, “Ibrahimi”, “Kapidan Karadaku” ose Dulla i Mateqit, Abdullah Osmani, “Murati”, gjoja lidhja e Bajram Dobërdollit, etj.

Prita në Pelister ishte përgatitur mirë dhe me kujdes sipas skenarit të specialistëve të UDB-së, të agjenturave të Shkupit dhe Beogradit. Gjithçka u realizua në një godinë tipike, model i një moteli malor, në një grykë të Pelisterit. Ajo godinë ishte improvizuar mirë të jepte përshtypjen e një pike kalimi e kufirit grek. Ishin vendosur flamuj dhe simbole të tjera të shtetit fqinjë, madje edhe disa pllakate të shkruara në gjuhën greke. Edhe më e besueshme dukej ajo kur shikoje edhe ushtarët e veshur me uniforma të Greqisë. Kur mbërrije atje të dukej se e kishe lënë pas kufirin e Jugosllavisë, e kishe hyrë në tokën greke. (Aty, sipas rregullit të gjithë duhet të dorëzonin armët dhe të ishin më pas në duar të sigurta të ushtarëve dhe oficerëve grekë, që do t’i vendosnin më pas në kampet e pritjes së refugjatëve.

Deri atje gjithçka kishte shkuar sipas planit. Por vetëm plaku Sulë Hotla nuk mund të jepej aq kollaj, pasi kishte dyshime për atë që po ndodhte. Ai edhe pse ishte i këputur nga ajo që i ishte ndodhur, pra vrasja e djalit të vetëm, Mehxhitit, kishte menduar se gjithçka mund të ndodhte, ndaj dhe kishte mbështjellë si një kokërr mollë në brez një granatë dore. Municionin ia kishte vënë re vetëm Arizan Nesterovski “Marçe”, i cili udhëhiqte grupin që duhej të arratisej për në Greqi, sipas urdhrit të “Organizatës”. Teksa ishin bërë gati të flinin në ndërtesën e improvizuar si postë greke, Arizan e kishte pyetur me dinakëri plakun Sulë, se mos do t’u prishte punë me grekët ajo “mollë” që mbante në brez.

Plaku, që e besonte Arizanin si njeriun që ishte i dërguari i organizatës që do të udhëhiqte arratisjen, iu përgjigj se nuk e kishte harruar atë, por mendonte se ajo mund t’u hynte në punë në një situatë të vështirë që mund të krijohej. “Marçre” mori përsipër t’i thoshte rojës se gjoja e kishte harruar ai granatën në brez dhe kështu do të dorëzohej ajo. Sulë Hotla u bind dhe nuk e kuptoi kurthin e oficerit të UDB-së, i cili ua dorëzoi kolegëve të tij granatën, të cilët e luanin shumë bukur rolin e tyre, e kuptohej që ishin përgatitur gjatë për ta kryer atë detyrë.

Pasi bënë disa orë gjumë, sepse kishin qenë të lodhur dhe të rraskapitur nga ai marshim i gjatë, u gdhi mëngjesi i freskët i asaj vjeshte të vonë të vitit 1947. Në dhomën ku flihej rëndë hyri gjoja oficeri grek dhe bërtiti që grupi të zgjohej dhe të bëhej gati se do të nisej pjesë – pjesë për në Athinë. Të gjithë u përgatitën shpejt, duke dhënë për shtypjen se ishin ushtarë me përvojë. Kaluan nëpër korridorin e ngushtë të katit të poshtëm të ndërtesës dhe plotësuan më radhë formularin me gjeneralitete.

I pari ishte “Asani”, pas tij Ali Staneci dhe, kështu me radhë. Kur të gjithë kishin ikur në sallë kishin ngelur vetëm Sulë Hotla dhe disa ushtarakë. Atëherë dy prej tyre e kapën dhe i vunë prangat, ndërsa oficeri Boro Çushkar i tha: “Eh, Sulo, Sulo! Nisi u Grçkoj, nego u Jugosllavia”. (Eh, Sulo, Sulo! Nuk je në Greqi, por në Jugosllavi). Sulë Hotla u shtang nga ajo që dëgjoi dhe çfarë kishte ndodhur, ndaj dhe duke tundur kokën ngadalë si burrë i besës të anëve të Karadakut kishte thënë: “Bravo! Ç’tradhti të çuditshme dhe me plan perfid e paskeni përgatitur, duke future në vallen e tradhëtisë edhe shqiptarë”.

Nga aty Sulë Hotlën e dërguan në Burgun e Shtipit, ndërsa të tjerët ashtu të lidhur me tela me gjemba i ngujuan në burgun e “Idrizovë”-s, ku më pas i torturuan dhe vranë një e nga një, dhe sot nuk u dihet varret.