Prishtinës i duhet një Prishtinali?!…

1
930

Në prag të fushatës zgjedhore

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Sivjet do të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal, ku fshatarët e Kosovës do ta zgjedhin të parin për qendrën administrative të tyre. E pa asnjë dyshim gara do të jetë shumë e ashpër, por ashpërsia e fusharëve kosovarë, muskujt fshataresk do t’i tregojnë në Metropolin Evropian që quhet Prishtinë. I pari i lokalitetit në mes fshatrave të Kosovës, në qendrën me tendencë urbane, do ta udhëheq atë administratë për mandatin e caktuar katërvjeçar. Por, gjithmonë është theksuar se zgjedhjet e gjertanishme janë manifestuar me shumë parregullsi, duke mos e theksuar kurrë defektin e logjikës fshatareske, e cila e ka përmbytur kudo kulturën urbane të qytezave anekënd Kosovës, me theks të veçantë në Kryeqytet – Prishtinë.

Natyrisht, fill pas Luftës janë quar peshë fusharët të cilët ua patën mësyrë qytezave për të gllabëruar pasurinë shtetërore dhe për t’i mësuar ata pak qytetarë se si bëhet administrimi i qytetit?! Ndonëse shumë sish vinin në qytet për të parën herë. Në pamjen e parë ky konstatim duket pakëz i vrazhdë, por realiteti në Kosovë është i tillë. Këta katundarë, sepse po t’u thuash fshatarë, më duket se po i emancipojmë, në zgjedhjet e radhës do të bëhen zot të zonës.

Sigurisht sikur nga trapazani, (pasi si duket as nga aty nuk paskan mësuar gjë), janë bërë e do të na bëhen kryetarë komunash, pa qenë në gjendje për të aplikuar as filozofinë e odave, e cila ka pasur një përmbajtje dhe një soj rendi.

Partia e Ibrahim Rugovës, e cila ka një traditë mbi çerekshekulli, tashmë është katandisur.

Natyrisht, inferioriteti i trapazanit, këtij soji do t’ua shtojë fobinë në raport me shtresën elite dhe intelektuale, por më shumë nga ajo shtresë që denbabaden ka qenë qytetar dhe kanë jetuar në shehër. Prandaj nuk ka pas çare pa u prodhuar një konflikt i llojit të vet, për të cilin Kosova po paguan tagër të lartë qe 17 vite. Pa asnjë dyshim kryepari i Zonës, do të aplikon një mentalitet që nuk përkon me kulturën urbane. E kur të matën statistikat, sa për të parë cilët fshatar kanë qenë kryetar zone, nuk kemi pse befasohemi nga mbizotërimi i kulturës rurale në qendrat administrimit të pushtetit lokal.

E ky mentalitet, lexohet e përjetohet thellë qysh në hyrje të ndërtesës. Sidomos tek hyrja e kryetarit, ku si zakonisht për t’u treguar fshatari i emancipuar, aty ka punësuar dy – tre goca të bukura, të cilat nuk mund të jenë më të bukura se sekretaresha e katundarit, kryetar i zonës. Gjëja e parë që të bie në sy do të jetë grimi i tyre në fytyrë, i cili zakonisht është i pahijshëm, pastaj gjokset e mbufatura dhe thonjtë përplot zdralë, të cilët për fat të mirë, ua mbulon llaku i stolisur përmbi.

Shërbehuni nëpër komunat e juaja dhe mësyni derën e kryetarit, ju më parë do ta takoni presidentin amerikan Trump, se sa kryetarin e zonës tuaj. Në atë përshtypje të gjithanshme nuk do të gjeni asgjë qytetare e aq më pak evropiane, por do të ndesheni me një emancipim fushari, fshatari e katundari. Të cilët janë të trashë e ata mund të dinë vetëm sa për të kashaisur kuaj. Madje ky soj kryetari i zonës përkatëse, i cili si duket le më që nuk ka qenë e as nuk ka kashaisur kuaj, por nuk di as të trashë gjedhin. Madje të tillë nuk kanë qenë as blegtor të mirë, as bletar, as vreshtar, as pemëtar, e le më të jetë kryetar zone?!

Por, mund të jetë një lloje tyxhari, i cili ka bërë be rrejshëm “pasha musafin kjo lopë, i qet rrafsh 13 killa tambël?!”. Ndërsa, partia e Ibrahim Rugovës, e cila ka një traditë mbi çerekshekulli tashmë është katandisur, pasi vlera intelektuale dhe intelektualët e traditës janë përjashtuar, qoftë nga disa studentë të përjetshëm, e qoftë nga disa të tjerë që u bënë trima me bagazhin e fitores së luftës. Sidomos kjo kategoria e fundit, as që kanë pasur nevojë të shkojnë në fakultet, pasi kryerja e shkollës së mesme ka qenë e mjaftueshme për t’u bërë doktor shkence, sepse sa për diplomë fakulteti për shumë kë as nuk duhet të flitet.

Agim Veliu është bërë despot i zonës

Ktheni kokën nga Llapi i Agim Veliut, i cili është bërë despot i zonës, ndonëse kurrë në jetën e tij s’ka fjetur në qytetin e Podujevës, përkatësisht në Besianë ai sillet si despot, dhe për një çerekshekulli ai po luan me tërë zonën e Llapit. Në planin akademik karriera e tij është e mbushur me përsëritje dhe largim prej Fakultetit Juridik, ende pa u diplomuar. Thuhet se rrafsh pas 22 vjetësh e ka nxjerrë diplomën, dhe kjo ka ndodhur, vetëm pak kohë para se ai të bëhej ministër i Arsimit i Republikës së Kosovës.

Në planin “Lokal”, përveç sukseseve që ia atribuon vetes, suksesi tjetër më i madh i Agim Veliut lidhet me zhdukjen e çdo gjurme dhe elementi të qytetarisë së këtij lokaliteti, i cili si çdo qytezë tjetër, i ka pasur dhe i ka disa familje dhe bajraqe që janë karakterizuar si elitë qytetare që kanë kultivuar kulturë urbane. Rezultati tjetër edhe më tragjik i Agim Veliut llogaritet aftësia e tij për ta përçarë e katandisur elitën intelektuale në Llap, të cilët përbënin bërthamën e demokracisë në LDK.

Një gjë është e sigurt se pikërisht Xhemail Mustafa dhe Enver Maloku e kanë sjellë në LDK, Skënder Hysenin dhe Rexhep Gjergji bashkë me Enver Malokun e kanë sjell Agim Veliun në Podujevë. Tash Agim Veliu, dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thërrasin për zbardhjen e vrasjeve politike, duke harruar se Skënder Hyseni është ministër i Punëve të Brendshme dhe i ka pasur shokë të ngushtë Xhemën dhe Enverin, ndërsa studenti i Juridikut me stazh 22 vjeçar, në studimet e tij të famshme, në Fakultetit Juridik, ka mjaftuar për interesa të Isa Mustafës për t’i shantazhuar familjarët e viktimave, ndërsa në anën tjetër thuhet se ai është hartuesi i statutit të LDK-së, në të cilën një kazmë fshatari bie pikërisht mbi degët e LDK-së në Diasporë.

Lutfi Haziri, alfa dhe omega e Anamoravës

E, nëse nga Llapi do të dalim në Anamoravë dhe shohim pa syze në kryeqytetin e kulturës së Kosovës në Gilan, se kështu e thërrasin qytetarët e vet, qytetin e Gjilanit, do ta vërejmë nga helikopteri kulturimin e malokut Lutfi Haziri, i cili tashmë është bërë alfa dhe omega e Anamoravës.

Ai tashmë si kasnec qëndron edhe mbi LDK-në dhe Kosovën. Edhe Luta ka marrë penë (shembull), tek nënkryetari i LDK-së, që administron një nahije të tërë. Edhe Luta, sikurse Agim Veliu, i posedon për dekore sekretareshat e ngjashme, por Luta e ka një përparësi se ka shkuar edhe në haxh, dhe beja e tij rrejshëm pushton më kollaj qytetarët laikë e fanatikë të zonës. E themi këtë sepse Luta, kur e do nevoja i ngrit tre gishta, e kur t’ia do zemra vetëm një, në shenjë solidarizimi me “vëllazërinë islame”, e të mos ia përqeshim pse i bien pantallonat, duke falur namazin e xhumasë.

Edhe ky është pasuruar, bile më shumë se kolegu i tij në Llap, pasi Luta ka pasur fatin ta ketë të atin në Zvicër i cili atij i ka dërguar para të shumta. (Shih formularët për deklarim të pasurisë). Pa asnjë dyshim edhe Luta, që vjen nga një fshat i thellë mali, zonën e Anamoravës, aty ku bëhet kulturë ma shumë se kudo tjetër në Kosovë, e udhëheq ai me mentalitetin fshataresk, prandaj këta dy janë meritorët për ta zbritur demokracinë e brendshme në LDK, nga dr. Ibrahim Rugova tek Isa Mustafa, dhe nga dr. Fehmi Agani tek Ismet Beqiri.

Duke i parë këto defekte, do të ishte mirë gazetaria jonë, veçmas ajo hulumtuese, për të bërë një hulumtim, sa për të parë, cila komunë e Kosovës, tradicionalisht është udhëhequr nga një djalë qyteti, i cili ka sjellje dhe kulturë urbane. Por, fatkeqësia ma e madhe për Kosovën është kur qytetet dhe qytezat po udhëhiqen nga mentaliteti rural, i cili i ka degraduar shumë vlera që i kishin qytetet tona. Iu them pardonë fshatarëve si unë, duke i lutur të mos nxehen dhe as të mos preken, sepse ky brez e ka për detyrë ta ndryshojë mentalitetin kaq rural, dhe kjo duhet të bëhet, vetëm nëse e duam Kosovën.

Prishtina metropol evropian apo kryefshati i Kosovës…

Duke i parë këto raporte të shtendosura, kudo në zonat e Kosovës, gara për Prishtinën do të jetë e ashpër, madje ka drojë se me kazma e lopata, do të shkatërrojnë fusharët, për të arritur në pushtet njeriu i tyre. Sepse për ta pushtuar Prishtinën, e cila ka rol të rëndësishëm sa me i fituar gjysmën e fshatrave të Kosovës, pasi kudo tradita urbane është shkatërruar. E ky shkatërrim i kulturës dhe i traditës urbane, më së shumti është manifestuar në Prishtinë, e cila ka 18 vite që është e pushtuar nga mendja dhe kultura mjaft rurale.

I analizojmë kryetarët e saj, të cilët deri në zgjedhjet e fundit e kanë udhëhequr qytetin dhe do t’i shohim shkatërrimet në masë, të kulturës, arsimit, shkencës, akademinë, shëndetsinë e deri tek bibliotekat e muzetë. Për të parë tragjiken e këtij mentalitetit po e rrëfejë një anekdotë, të cilën e kam dëgjuar nga një mik imi në Prishtinë: “Në ditët e para të pasluftës një fshatar e kishte uzurpuar një banesë diku në katet e larta të një pallati. Kur futet në WC, ai befasohet si ka mundësi të ulej në “qenef”?! Pa një, pa dy e merr kazmën dhe e rrënon ulësen e WC-së. Pastaj i vë dy dërrasa anash dhe kryen nevojën fiziologjike.

Por befasia e madhe për të ishte, kush ka qen ai mjeshtër që e paska ndërtuar aq të thellë atë “qenef”. Del nga WC, i çliruar në aspektin fiziologjik dhe shumë i gëzuar emocionalisht, për zgjidhjen e një problemi kur tashmë erifi kishte ra në shehër, pasi flitet se atij i kishte ardhur te hunda, atje në fshat duke e pastruar WC-në dhe vadën e saj. Për fatin e tij të keq, ai gëzim iu përmbyt pak kohë më vonë, pasi nuk arriti ta bëjë gjumin rehat, nga kundërmimi që dilte nga WC-ja, si rezultat i dijes së tij të trashë”.

Në mënyrë hiperbolike këto mendje tashmë e kanë kapluar jo vetëm Prishtinën, por tërë Kosovën. Qytetet e Kosovës sot janë mbushur me gjësende nga mentaliteti rural, kemi pamje, kulturë dhe udhëheqje rurale. Prandaj ne duhet ta themi se vetëm kjo mendje kaq e prapambetur i ka ngecur zhvillimet në të gjitha fushat e jetës publike në Kosovë. Ndoshta është një invazion me teprim dhe i pakontrolluar drejt Prishtinës, e cila tashmë jeton si kryefshati i Kosovës, ndërsa ëndrrat e saj i sheh si metropol i Kosovës?!

Me sa di, Prishtina nuk ka pasur ndonjë përpjekje për ta bërë një “Parti Qytetare”, krejtësisht pa katundarë, ose të paktën të formojë një Lëvizje Qytetare, e cila do të bënte përpjekje për t’i ruajtur disa vlera të qytetarisë! Traditën qytetare, sot e emitojnë vetëm bijtë e UDB-ashëve dhe të zyrtarëve të lartë të Lidhjes Komuniste, të cilët kanë dalë nga lufta të pasur dhe kanë ndikim në medie të fuqishme, të cilët në këto vitet e çlirimit kanë sjellë e përkrahur zakonisht struktura të dobëta për ta molisur popullin, në mënyrë që një ditë atyre t’iu shtrohet tepihu i kuq për ta zgjatur edhe gjeneratën e dytë të Lidhjes Komuniste, e cila për fat të keq pikërisht nga amerikanët është lejuar të triumfojë në Kosovë.

Kosova duhet ta masë forcën e vet me argumente e jo me proçka publike

Ne jemi dëshmitarë se disa objekte të rëndësishme, siç ka qenë “RILINDJA”, “Radio Televizioni i Prishtinë (RTP)”, e “Radio Prishtina” janë shkatërruar me këto prapavija, sikurse çdo rrugicë e Prishtinës ka pësuar ndryshime duke prekur gati çdo shtëpi për ta zhdukur përfundimisht kulturën urbane, të cilën e ka poseduar edhe Prishtina. Por, ne jemi në prag të zgjedhjeve lokale, për zonat e Kosovës dhe për kryetarin e Komunës së Prishtinës.

Natyrisht përveç VV-së, dy partitë në pushtet do të bëjnë garë të ashpër. Deri sa flitet se LDK-ja do të garojë me një rrushesh, i cili asnjë grimcë autoritet nuk e ka në fshatin e tij, po ashtu vlera e tij intelektuale është degraduar sidomos nga servilizmi i tepruar që ia bën Isa Mustafës, të cilët së bashku kanë ardhur në LDK, vetëm pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Ndërsa PDK-ja do të garojë me një djalë të “Secondo’s” gjeneratë që nuk i bën mirë as Prishtinës, por as PDK-së, se sa për ndonjë zonjë akademike, Prishtina e udhëhequr nga katundarët e zonave me mentalitet patriarkal të Kosovës, as që mund të bëhet fjalë, prandaj më duket se ky qytet më shumë ngjanë në një kryefshat, sesa në një metropoli evropian?!

Tash shtrohet pyetja a ka mundësi që Prishtina, për kryetar të saj ta zgjedhë bijën ose birin e saj? A kanë mundësi partitë politike ta gjejnë një qytetare ose qytetar të saj me gradën akademike doktor shkence. Të ketë lindur edhe babai i saj – i tij në Prishtinë, gjithsesi edhe nëna e tyre. Prindërit t’i ketë të arsimuar dhe të ketë mendje qytetare. Pse jo, edhe tezet dhe dajallarët t’i ketë qytetar?!

Kjo duket pak sa absurde, por Kosova duhet ta mat forcën e vet me argumente e jo me proçka publike. Pastaj një padrejtësi tjetër, që i bëhet vazhdimisht Prishtinës, është e dhëna se të gjitha qytetet e Kosovës zgjedhin kryetarin nga zona përkatëse, qofshin këta edhe nga zona rurale, por Prishtina duhet t’ua shërojë komplekset kryesisht fshatarëve të ardhur nga qendrat e tjera.

Pse vazhdimisht ndodh me Prishtinën kjo padrejtësi? Pse Prishtinës i bëhet gjithë ky zullum? Pse bijat dhe bijtë e Prishtinës nuk po udhëheqin me Kosovën? Ndërsa për kulturë e sjellje urbane, tash duhet të na flasin pacerrkat e katundeve të Kosovës?!

Prishtina duhet ta zgjedhë bijën ose birin e saj për kryetar të metropolit evropian, pikërisht ata fëmijë që gjyshin e stërgjyshin i kanë pasur në Prishtinë, i bëjnë nderë ma së shumti Kryeqytetit Tonë!!!

St. Gallen, 08.04.2017.

* Shkrimi është botuar në gazetën “Kosova sot”, 08.04.2017
http://www.kosova-sot.info/opinione/183705/prishtines-i-duhet-nje-prishtinali/

1 KOMENT

  1. Ti nime qenke nje primitiv i madh… deri sot kam menduar se ti je injorant, por me kete shkrim idiotesk dhe broçkullist ti definitivisht qenke nje hoshtaplr dhe xheloz. Prishtina kurrë me e mire se sot nuk ka qene more pishpirik. Ata qe i kane tre gjenerata ne Prishtine munden me qene papake sikur ti more njeri pis. Un i kam 4 Gjenerata ne Prishtine, por jam gezuar pa mase, qe nga Prishtina u larguan 12 Mije Romë, qe bashkpunuan me pushtetin okupues shkavell… jam gezuar qe ne Prishtine nuk ka me kolonistë shkavell… por sot po e shoh prej ketij artikulli teper te poshter, qe qenka bere mire qe edhe ti me nuk jeton ne Kosove… sepse ti nuk e don Kosoven, por ti je nje njeri i kompleksuar, duke menduar qe te lindesh ne qytet, je i civilizuar!!! c.c.c.c.c.c. Po pisi qe koke. Lexoje more xheloz çka pe shkarravit…

Komentet janë mbyllur.