ME SHKAS:
Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilën do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Minatorët e Kombinatit Metalurgjik “Trepça” në Mitrovicë, më 20 shkurt 1989, kanë nisur Grevën e Urisë[1], e cila do të vazhdojë për tetë ditë me radhë, (20 – 28 shkurt 1989). Minatorët e Trepçës, kanë protestuar kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, e cila me Kushtetutën e vitit 1974, ishte pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave[2], me një fjalë Greva e 1300 minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989, ishte rezistenca më e fuqishme politike e asaj kohe, kundër presioneve të errëta të regjimit në rritje të Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë[3].
Greva e minatorëve të Trepçës, u zgjerua edhe në Stari – Tërg, Kishnicë e Novoberdë dhe në Golesh. Minatorët i sensibilzuan të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët u hodhën në grevë të përgjithshme. E tërë jeta ishte paralizuar, janë mbajtur me mijëra tubime solidarizuese, duke i përkrahur kërkesat e minatorëve. Shkollat nuk punonin, kurse studentët e UP-së protestonin në palestrën e sportit “25 Maji”, tash “1 Tetori” në Prishtinë. Edhe autori i këtij shkrimi ishte pjesë e drejtpërdrejtë e atyre protestave. (Edhe sot më kujtohet çasti kur Palestinë Ferizi, e bija e gazetarit Jusuf Ferizi, dha lajmin se pas tetë motrash ato kanë një vëlla, e pasi minatorët janë në grevë, ne vëllain tonë e kemi pagëzuar Minator tha ajo).
E përmenda këtë rast, për të kuptuar se ishte një gjeneratë e hershëm, ai brez që themeloi degët e LDK-së, të cilët tani po poshtërohen nga klientela e Kolegjit RIINVEST dhe Brezi i Republikës, që për ironi qenkan shkolluar në Amerikë dhe nëpër Universitete Evropiane?! Gjatë atyre ditëve, me minatorët janë solidarizuar edhe shkrimtarët dhe organizata të ndryshme shoqërore-politike, të cilat mbanin mbledhje të shumta[4], por askund, me asnjë fjalë të vetme nuk mund ta dëshmojë Isa Mustafa, se përkrahte kërkesat e popullit[5], përkundrazi ai gjithmonë ka qëndruar në anën e errët të hënës.
Greva që zgjati tetë ditë, njihej si greva më e gjatë nëntokësore që ishte mbajtur ndonjëherë. Epilogu i grevës u përmbyll me hospitalizimin e 180 minatorëve dhe dorëheqjen e udhëheqësve të kreut pro-Milloseviçit, Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi, që rezultoi të ishte një mashtrim komunist. Komunistët janë mashtrues, atyre nuk u duhet besuar[6]!
Po ashtu gjatë pranverës së atij viti, përkatësisht më 23 mars 1989, nga Kuvendi i Kosovës u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Që atë ditë shpërthyen demonstrata të fuqishme, të cilat zgajtën pesë ditë. Më 28 mars 1989, në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë, me çka de jure Kosova humbi edhe atë autonomi kulturore që kishte fituar me Kushtetutën e vitit 1974. Në këtë aneksim, kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe “eksperti”[7] Isa Mustafa, i cili karrierën e tij e nisi si Drejtor i dhunshëm në Qendrën e Studentëve të UP-së në vitin 1981, për t’u zgjedhur pastaj në shumë poste të lartat politike. Më 4 dhjetor 1989, vetëm dy javë para se të themelohej Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, është zgjedhur “Sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor-teknik me botën“, në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës, në krye me Jusuf Zejnullahun[8].
Një gjë është e qartë se gjatë viteve 1986 – 1989, Isa Mustafa, ka mbajtur pozita të rëndësishme në udhëheqjen komuniste në Kosovë, kurse në debatet e tija publike dhe nëpër intervista të shumta, ai ka mbrojtur interesin e Serbisë në dëm të proceseve nëpër të cilat kalonte Kosova[9]. Natyrisht pasi ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv (KE) të Komunës së Prishtinës, dhe drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror, ka pasur një rol kyç si njeri i besuar i serbëve në ato procese.
Kur gjërat të shikohen në retrospektivë, nuk mund të besohet se ishte koincidencë zgjedhja e Sllobodan Millosheviqit, në maj 1986, Kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, kurse një vit më vonë Serbia, do t’i nisi ndryshimet kushtetuese në interes të saj.
Brezi i Republikës dhe klientela e Kolegjit RIINVEST, duhet të mësojnë se Isa Mustafa në atë proces ishte pjesë e Komisionit kushtetues të Kosovës, në cilësinë e “ekspertit” si “drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror”. Ai së bashku me Syrja Popovcin, Hazër Susurin, Vesel Latifin, Habib Hashanin, Halit Muharremin, Qemal Sahatçiun, Pjetër Kolën, Shefqet Mustafën, Nik Lumezin etj., ka marrë pjesë aktive në shumë debate publike në Kosovë dhe në cilësinë e anëtarit të Komisionit Kushtetues të Kosovës, ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e Komisionit për çështje Kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Serbisë, që janë mbajtur në Beograd![10]
Viti 1989, ishte përplot ngjarje me rëndësi, si asnjëherë më parë Elita Intelektuale e Kosovës u mobilizua duke qenë aktive, qoftë me forma protestuese por edhe me deklarata kundër përpjekjeve të Serbisë për ta pushtuar Kosovën. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, më 23 dhjetor 1989, Dr. Ibrahim Rugova, bashkë me Elitën Intelektuale, themeluan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në gjithë kampin e lindjes.
Legjenda:
Shënimet janë marrë kryesisht te portali PASHTRIKU.ORG: http://www.pashtriku.org/.
Gazetat e cituara te ky portal janë me autor Sheradin Berisha. Ndërsa faksimilet e gazetave: Gazeta “RILINDJA”, 07 janar 1989; 18 mars 1989; 22 mars 1989, 24 mars 1989: 05 dhjetor 1989. Saktësia e të dhënave lehtë mund të verifikohen vetëm duhet një kërkim i shkurtër në portalin në fjalë ose një kërkim në Google!
St. Gallen, 07.12.2019.
( Vijon… )