Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!
Shkruan: Shefqet DIBRANI
E DËSHTUAN PRESIDENTIN PËR T’U FAKTORIZUAR VETË
Pas vdekjes së Presidentit historik të Kosovës[1], dhe njëkohësisht themeluesit e udhëheqësit karizmatik të LDK, dr. Ibrahim Rugovës[2], do të ndryshojë strategjia politike e LDK-së, dhe më këtë edhe skema politike në Kosovë. Sesi janë manifestuar ato ditë zie me atë dhembje morale, mund t’iu besohet vetëm idealistëve fanatik. Por ne duhet ta pranojmë se edhe në gëzime dhe në ditë zie, jemi si popull emocional dhe euforik, pasi një pjesë e atyre të cilët kanë vajtuar duke pritur në atë ftohtë të madh, në kortezhin mortor, më vonë janë shndërruar në palaço e intrigant të paskrupullt, qoftë kundër personalitetit të tij, e qoftë kundër partisë, por disa sish edhe kundër fëmijëve të gjallë të familjes Rugova, gjë që qet në pah vlera të ulëta etike që i posedon shoqëria jonë.
Pikërisht vdekja e Presidentit, u shfrytëzua për yrysh që e morën misionaret komunist duke u futur pa pengesa në LDK. Natyrisht ata kishin mision të caktuar. Misioni i tyre u nis duke shantazhuar familjen e Presidentit, e përmes saj, filluan ta degradojnë edhe rolin historik të dr. Ibrahim Rugovës në planin nacional. Këto zhvillime kanë ndodhur, tamam sikurse ndodhitë kriminale nëpër filmat e “Bandave në Marseje”[3]. Nga ata filma mësohet se misionet e nëntokës do të kenë sukses, vetëm atëherë kur arrijnë ta fusin në rrethin e tyre familjen, ku pastaj përmes shantazhimit në forma dhe mënyra të ndryshme do të kryejnë misionin e tyre. E në raport me Familjen Rugova, këto veprime janë zhvilluar suksesshëm. Është mirë të shikohen veprimet e Bujar Bukoshit, para vdekjes së Presidentit, kur flitej për miliona që nuk janë shpenzuar për luftën e gjatë luftës. Kush kishte kontaktet me familjarët, kush ishin sekserët dhe ndërmjetësuesit dhe cili ishte roli i tyre? A ka pasur skandale apo jo?!
Pas ardhjes së Isa Mustafës, në pozita vepruese do të dallohen disa hapa praktik në për t’i shpenzuar publikisht deri te përjashtimi që iu bë kësaj familje në zgjedhjet e fundit, e çuditërisht militantet fanatik, iu kanë shkuar pas duke i duartrokitur të gjitha ndëshkimet që ky klan ua ka bërë jo vetëm kësaj familje, por Dy Presidentëve të Republikës së Kosovës, që dolën nga radhët e LDK-së.
Lëvizja e sojnikëve nga Instituti RIINVEST dhe nga ai Brezi i Republikës, u treguan të suksesshëm. Për t’i mashtruar më lehtë fanatikët e LDK-së, disa sish i futen si “Jocker”, diplomat e fituara në Amerikë dhe nëpër Universitetet tjera në vendet Evropiane. Këto zhvillime tashmë janë storje si të filmave, por janë konsumuar duke pasur efektin negativ në të gjitha proceset e mëpastajme, që mësa di asnjëherë nuk janë hulumtuar dhe hetuar nga institucionet përkatëse.
Tashmë dihet se ndryshimet e mëdha kanë ndodhur me ardhjen e dr. Fatmir Sejdiut në postin Presidentit të Republikës së Kosovës[4], dhe në të njëjtën kohë edhe në postin e Kryetarit të LDK-së. Ai ka bërë shumë gabime të cilat më vonë do t’i paguan vet Profesori Universitar nga fusha e drejtësisë dhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës.
Mëkatet e Presidentit të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu janë të mëdha, por për LDK-në dhe Kosovën me përmasa shkatërruese. Pasi kam shkruar edhe herëve të tjera, këtë qasje po e fokusojmë në një prizëm të pa trajtuar deri më tash. Personalisht, i kam nisur letra[5], por prof. dr. Fatmir Sejdiu, atëherë ishte President dhe kishte detyra të shumta, disi mund të kapërdihej injorimi që ua bënte vërejtjeve në fjalë, por injorimi që ua ka bërë edhe letrave në vitin 2014[6], nuk falën, edhe pse vet atij iu kthye si bumerang.
Askush nuk mund ta thotë qysh dhe si, Presidenti i Republikës së Kosovës, i futi në kabinetin e tij, në cilësinë e këshilltarëve të lartë, madje duke injoruar komplet strukturat partiake të LDK-së, personalitete të dyshimta që vinin nga Instituti RIINVEST, siç ishte rasti i Isa Mustafës, i cili me bekimin, po ashtu, të prof. Fatmir Sejdiut, u zgjodh edhe Kryetar i Prishtinës[7], duke sjellë në udhëheqje të komunës, Klanin nga RIINVESTI, edhe pa qenë anëtarë të LDK-së, në mesin e tyre janë: dr. Avdullah Hoti, Vlora Dumoshi, Arben Gashi, Arban Abrashi e ndonjë tjetër. Si këshilltarë në Presidencë, prof. dr. Fatmir Sejdiu, pa qenë strukturë e LDK-së, solli dr. Vjosa Osmanin, e cila me parë kishte punuar si përkthyese në UNMIK[8], nga Organizata Joqeveritare “ORA”, Teuta Sahatçiu, nga FARK-u Anton Quni, pa qenë në struktura të LDK-së në kabinetin e tij kanë qenë edhe dr. Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës në Vushtrri dhe dr. Korab Sejdiu.
Në këtë qasje ne nuk po trajtojmë personalitetin e prof. dr. Fatmir Sejdiun, si individ, por fjala është për autoritetin më të lartë të vendit siç është Presidenti i Republikës së Kosovës, me të cilin janë tallur struktura në mision të caktuar. Një gjë që dihet publikisht është e dhëna se mandati i Presidentit, ka përfunduar me shkelje të rënda kushtetuese, d.m.th. Gjykata Kushtetuese atë e ka shkarkuar për aspekte juridike[9], ndërsa këshilltare të lartë për çështje juridike në kabinetin presidencial e ka pasur pikërisht dr. Vjosa Osmanin, e shkolluar në Amerikë, të cilës tash po i duartrokasin fanatikët dhe pikërisht tek ajo i kanë varur shpresat e shpëtimit edhe analistët e shumtë?![10]
Nga ky prizëm do të shtroja pyetje publike, nëse mundet dikush me na shpjeguar cili paska qenë misioni real i saj, në cilësinë e këshilltares apo në cilësinë e shantazhueses së Presidentit të Republikës së Kosovës? Sipas kësaj hipoteze, duket se janë tri mundësi: E para: Dr. Vjosa Osmani, ka qenë e paaftë, për ta këshilluar si duhet Presidentin e Republikës së Kosovës, posaçërisht në aspektet juridike që i përcakton si detyrim juridik Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Tash si ka mundësi t’i besohen se ajo bënë reforma dhe paska kapacitete me e udhëhequr Kosovën dhe reformat në LDK?! E dyta: Dr.Vjosa Osmani, sigurisht në bashkëpunim dhe marrëveshje të ngushtë me dr. Isa Mustafën, i cili po ashtu ishte Këshilltar i Lartë i Presidentit, e kanë shantazhuar Presidentin e Republikës së Kosovës, me qëllim për të bërë pastaj edhe puç politik në LDK[11], dhe për ta faktorizuar vetën politikisht. Kjo mund të ketë ngjarë, pavarësisht dëmeve që i pësoi LDK-ja dhe proceset nëpër të cilat kaloi Kosova. E treta: Mund të ketë mundës,dr. Vjosa Osmani, ka qenë dorë e zgjatur e shërbimeve të caktuara?! Hipotetikisht lidhen me disa miqësi me ndërkombëtaret të cilët akuzohen se gjoja lobojnë për ndarje të Kosovës[12]. Pastaj flet me gjuhë vulgare për ish bashkë partiakët[13]. Po ashtu ka pasur zëra se ajo mund të kontrollohet nga ish-kreu i SHIK, Kadri Veseli, pasi disa qëndrime të më vonshme, jostabile dhe sidomos afria e saj me Isa Mustafën, jo që ua ktheu shpinën disave por duket mjaftë kontroverse[14], sikur i sforcojnë këtë dyshime.
Se cili paska qenë roli i dr. Isa Mustafës, në cilësinë e këshilltarit të lartë në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, e dëshmon e kaluar e tij përplot akuza për krime të larta, atëherë sa ishte funksionar i lartë i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, si dhe roli mjaftë negativ sa ishte Ministër për Ekonomi dhe Financa, në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, ku bashkë me dr. Bujar Bukoshin, mund të llogariten si dy figurat më kriminale që i ka pasur Kosova! Çuditërisht, që të dytë, janë rehabilituar, madje iu kanë besuar poste të larta udhëheqëse. Po cili është roli i vërtetë i Isa Mustafës, e dëshmojnë edhe veprimet e tij antikushtetuese kur është zgjedhur Kryeparlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës[15], pastaj roli negativ me përmasa shkatërruese në LDK, si dhe korrupsioni i lartë për të cilin janë dhënë dokumentar televiziv, kanë pasuar shkrime të shumta, si dhe ka pasur edhe procedura penale, qofshin ato nga LVV për udhëheqjen e keqe në Prishtinë ose siç është raportuar akuza pranë Prokurorit të EULEX, për keqpërdorimet me Fondin e Trepërqindëshit, Huan Popullore, Fondin për Drenicën etj.
Anton Quni, ka pasur fatin e keq si këshilltarë për çështje sigurie në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Siç është thënë, me ndërhyrjen e zyrtarëve nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, atë e ka shkarkuar Presidenti, brenda dhjetëditëshit të parë në atë detyrë. Përveç akuzave (jo aq të verifikuara), se gjoja një dosje që rëndon, 5 kg. është në Prokurorinë e EULEX, atë e kanë akuzuar edhe bashkëluftëtarët e tij, (sidomos nga krahu tjetër ideologjik), për rolin, siç thuhet, jo aq fisnik në luftë.
Por se është shkarkuar për shkak të ndërhyrjeve amerikane, nga përgjegjësi për çështje sigurie në Presidencë, e ka pohuar edhe vet zonja Osmani, kur ishte në Zvicër. Tash kur i shohim ekzaltimet e saj pas Antonit, vërtetë e shohim edhe rolin e saj, gjatë asaj kohe, sa ishte Këshilltare e Presidentit, me dyshime. Por për rolin e tij, të mirë a të keq, sigurisht e din edhe shefi i tij i tanishëm dr. Isa Mustafa, i cili si duket nuk i ha aq palla për Amerikanët e shpërbleu Anton Qunin, me postin e kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren, ose në anën tjetër atë e shpërbleu për meritat e jashtëzakonshme në fillim për shkatërrimin e Degës së LDK-së në Zvicër, e pastaj edhe për shkatërrimin e Donikës Gërvallës në Degën e LDK-së në Gjermani.
Pa hezitim në rastin e Donikë Gërvallës, ai ka qenë përgjegjës i drejtpërdrejt, bile për ironi, bashe si “Legjendë e gjallë?!” a si “Heroi i Gjallë”. Ndërsa për eliminimin nga lista në zgjedhjet e fundit ka qenë përgjegjëse vet dr. Vjosa Osmani, kjo u pa me rastin e vizitës së saj në Gjermani, në Bundestagun Gjerman, kur e injoroi Donikë Gërvallën[16]. Dhe krejt në fund, dokrrat e dr. Vjosa Osmanit dhe ato të dr. Isa Mustafës, se paskan partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-t, duket të jenë pallavra alla-ballkanike, pasi rasti i Anton Qunit, për natyrën e sistemit amerikan është shumë i ndeshëm, por se “Një dreq i madh (i Rrahman Morinës), ka hy në LDK”, të cilit kanë me ia pa sherrin Kosova dhe proceset e ardhshme, s’ka dyshim.
Edhe trojka tjetër që ka qenë pjesë e stafit këshillues në kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk kanë stazh në strukturat e LDK-së, hiq Korabin, janë staf pa etikë në përfaqësim të LDK-së.
Nga të gjitha këto hipoteza që i shtruam në këtë trajtesë, shtrohet pyetja, a kemi edhe një rast të vetëm diku në botë, që kur dështon Presidenti i një vendi, këshilltarët e tij, marrin role të tjera, madje duke humbur një pas një zgjedhje duke i dëmtuar proceset dhe askush nuk merr përgjegjësi e as nuk largohen nga skena politike. Mendoj se me kohë, këtë gjë është dashur ta kenë pasur parasysh Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Prokurori i Shtetit ose mekanizmat përkatës për siguri dhe kushtetutshmërinë e institucionit më të lartë që ka një vend.
Së këndejmi, të gjithë ata (b)analist a analistë, të gjitha strukturat politike brenda vet LDK-së dhe të gjithë mekanizmat shtetëror që merren me drejtësi dhe sigurinë e vendit është dashur dhe duhet ta kenë parasysh se kjo është një “Kolonë e Keqe”, e cila si duket ka mision, që pas çdo palë zgjedhjeve ta shantazhojnë Kosovën, qoftë përmes neglizhencës e zvarritjes, ose duke mos kooperuar si duhet, siç ka ndodhur me PAN-in e VLAN-in më herët, kurse e tashti edhe me VETËVENDOSJEN, që si duket është strategji dhe qëllim për ta orientuar Kosovën drejt anarkisë së përgjithshme. Në këtë rrafsh sikur Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt të kishin strategji, duhet të vepronin pozitivisht, nëse nuk duan të bien në kurthin e LIDHJES, as të RIINVESTIT dhe as të të ashtuquajturit Brez i Republikës të cilët i kontrollon Isa Mustafa, sepse ashtu siç janë destruktivisht duke vepruar, mund ta sjellin Kosovën në një pozitë me pasoja afatgjate!
St. Gallen, 29.12.2019.
[1] Dr. Ibrahim Rugova, vdiq më 21 janar 2006.
[2] Dr. Ibrahim Rugova, ishte kryetar i LDK-së, dhe themelues I saj më 23 dhjetor 1989, post të cilin e mbajti deri në vdekjen e tij.
[3] Filmi: “Five Fingers for Marseilles”; https://www.kino-zeit.de/film-kritiken-trailer/five-fingers-for-marseilles
– “Das Wunder von Marseille”
[4] Prof. dr. Fatmir Sejdiu, ishte President i Republikës së Kosovës nga data 17 shkurt 2008 deri më 27 shtator 2010.
[5] Sh. Dibrani, “11 MINUTA PARA ORËS ’00, ose mirazhi i suksesit të LDK-së”, Prishtinë 2011, faqe 27-29.
[6] Sh. Dibrani, “Demokracia e kontestuar 1”, faqe 248, ose në “Demokracia diktatoriale 2”, faqe 216, Prishtinë 2018.
[7] Isa Mustafa, kryetar i Prishtinës 2017-2013.
[8] Vjosa Osmani punoi në UNMIK me Lulzim Bashën dhe Clint Williamson të Gjykatës Speciale, Kosovë Live, më 4 Tetor 2019 ora 08:55; https://kosova.live/vjosa-osmani-punoi-ne-unmik-me-lulzim-bashen-dhe-clint-williamson-te-gjykates-speciale/
[9] “Sejdiu jep dorëheqje», Radio Evropa e Lirë, 27 shtator 2010; https://www.evropaelire.org/a/2169631.html
[10] «Vjosa Osmani, shpëtimtare e LDK-së”, Lajmi.net, 28 maj 2015; https://lajmi.net/sipas-dibranit-vjosa-osmani-shpetimtare-e-ldk-se/
[11] Më 7 nëntor 2019, dr. Isa Mustafa zgjidhet Kryetar i LDK-së me 235 vota për, kundrejt dr. Fatmir Sejdiut i cili i fitoi vetëm 124 vota. (https://de.wikipedia.org/wiki/Isa_Mustafa)
[12] Lidhjet e Vjosa Osmanit dhe burrit të saj me lobuesin e ndarjes së Kosovës dhe mikun e Putinit, Veriu.info, 03/10/2019; http://www.veriu.info/lidhjet-e-vjosa-osmanit-dhe-burrit-te-saj-me-lobuesin-e-ndarjes-se-kosoves-dhe-mikun-e-putinit-2/
[13] Skandaloze: Vjosa Osmani i quan Veliun e Hazirin “burreca, idiotë, debilla”, dhe tregon si luftoi për largimin e Mustafës (Foto/Video), Veriu.info, 02/10/2019; http://www.veriu.info/skandaloze-vjosa-osmani-i-quan-veliun-e-hazirin-burreca-idiote-debilla-dhe-tregon-si-luftoi-per-largimin-e-mustafes-fotovideo/
– Lajmërohet gazetari që Vjosa Osmani i tregonte për “debillat e burrecat” e LDK-së (Foto), Veiu.info, 02/10/2019; http://www.veriu.info/lajmerohet-gazetari-qe-vjosa-osmani-i-tregonte-per-debillat-e-burrecat-e-ldk-se-foto/
[14] “Grupi për Reforma” të brendshme në LDK dhe strategjia e mashtrimit, Kosova sot, 09.01.2018. https://www.kosova-sot.info/opinione/239822/
[15] ISA MUSTAFA ZGJIDHET KRYETAR I KUVENDIT TE KOSOVES, RTV Klan, 17 korrik 2014; https://www.youtube.com/watch?v=QJ9Yixj-c20&feature=youtu.be
– Isa Mustafa zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës, Albinfo.ch, E Enjte, 17 Korrik 2014 – 15:57, https://www.albinfo.ch/isa-mustafa-zgjidhet-kryetar-i-kuvendit-te-kosoves/
[16] “Vjosa Osmani vizitë tre ditore në Gjermani: Flasin nga LDK”, Reporter, 09/12/2019 | 18:04; https://reporteri.net/lajme/vjosa-osmani-vizite-tre-ditore-ne-gjermani-flasin-nga-ldk/