Nga: SOKOL PEPUSHAJ, 17 shtator 2017
Ka shpërthyer një debat i fortë rreth njërës nga figurat emblematike të histories sonë, Prek Cali. Pas një ndërtimi pa leje dhe nga njerëz që nuk kanë ldhje me familjen Cali në kullën e patriotit tashmë shumë të përfolur, në debat u përfshi edhe kryeministri Edi Rama dhe ku mjaft portale po vëndosin në dyshim veprimtarinë patriotike duke u etiketuar edhe tradhëtar që ka vrarë 38 partizanë, është momenti t’u jepet përgjigje disa pyetjeve:
1- Pse brigada e Mehmet Shehut sulmon me armë Kelmendin në janar 1945, kur Shqipëria ishte çliruar që më 29 nëntor 1944?
2- Si e priti këtë mësymje prijësi Prek Cali dhe cilat ishin idetë e qëllimet e tij?
3- Si e drejtoi operacionin Enver Hoxha në një Shqipëri të çliruar?
4- Pse lufta vazhdoi e ashpër dhe u kërkuan përforcime dhe atje mori pjesë edhe Ramiz Alia?
5- Si u veprua me robërit e luftës?
6- Cilat qenë pasojat e kësaj katrahure mes shqiptarësh dhe kush i ndërseu masakrat, ndoshta edhe të panevojshme?
7- Cilat ishin masakrat e tmerrshme të Mehmet Shehut pas arrestimit të prijësit kelmendas Prek Cali dhe përfundimit të luftës?
Në mes të këtij debate kaq të ndezur kombëtar për njërën nga figurat emblematike të histories shqiptare në kujtesë të troket një pjesë histori. Të troket ajo histori shqiptare brilante që për dekada të tëra enveristët na e servirën si antishqiptarizëm. Le të nderojmë pak çaste Kelmendin, truallin që lindi e rriti patriotin, viganin, apostullin e pashoq të shqiptarizmës.
Pra, Kelmendi, zona më verilindore e Shqipërisë, ky truall i Eposit të Kreshnikëve përkundi në fillim djepët e legjendave të Mujit e Halilit. Në majemalet e tij e kishin strehëzën zanat e malit e shtojzovallet. Mespërmes krahinës, në të dy anët, nga zona e Vuklit dhe ajo e Selcës, e përshkojnë dy lumej, dy Ceme vrapkulçedër e sypringjelbër që bashkohen në Tamarë, duke u dhënë brigjeve një hijeshi si rrallëkund. Treva veriore u shemb e u shkrumbua tre herë me rropamë, e po me aq madhështi u ngrit si një Sfinks gjigand. Aty holli shtat Nora, ajo vajzë me butësi trëndafili e zemër luaneshe, vajza e luftëtarit selcjan Vuk Marash Uci, ajo sokoleshë që hyri me dinjitet në analet e historisë sonë, ajo Orë Mali që i preu kryet Pashait osman, Vuçi Pashës mu në qendrën e tij ushtarake, në Zall të Bruzit, në hyrje të fshatit Selcë, në prezencë të plot 30.000 nizamëve.
Aty lindi e shkroi histori Nikë Leka, Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty lindën e u rritën atdhetarë që ngritën flamurin e parë në historinë shqiptare. Është fjala për qëndresën antiturke të vitit 1911, ku Ded Gjo Luli e Prekë Cali, duke favorizuar ndërkombëtarisht me anë të një peticioni kryeneç dhe logjik çështjen shqiptare pranë qeverisë britanike, ngritën flamurin në Deçiq më 6 prill 1911 dhe mbajtën kuvendin e krerëve shqiptarë në Gerçë dhe miratuan “Librin e kuq” me 12 kërkesa drejtuar qeverisë Osmane që paraprinë dhe përgatitën terrenin për ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, ashtu sikundër thotë edhe kënga: “Përmbi Selcë vargojnë do male / Thikë përpjetë si mur kalaje / Bash njaty kuvendi mlodhi / Ma të mirët e ktij trolli / Përreth ahut shekullor / Zbardhin tirqet bardh si borë / Oshtijnë malet, ndalin gurrat / Gju më gju kuvendojnë burrat / Le ta dijë Perandoria / Ma nën zap s’duron Shqipnia”.
Në Kelmendin e Prekë Calit, në atë truall që ndjen nder të jesh bir i tij, u lind e u rrit edhe Françeskë Albanessi, sculptor e erudit i Rilindjes Italiane. Ky mjeshtër i gdhendjes u bë i pavdekshëm me Altarin e Kryekishës së Milanos që nuk është thjeshtë një monument kulti, por një ndër veprat më në zë të kulturës botërore. Aty rriti shtatin e vet edhe famozi Angjelin Prelocaj, miku më i ngushtë dhe më i vlerësuar i Ismail Kadaresë, njëshi i baletit në botë, i cili iku kur e ëma ishte shtatzënë 3 muajshe dhe sot jeton në Paris. Historia e tij është e njëjtë me atë të Gjekë Marinës, që po trondit globin me poezitë e tij.
Diku atypari, në Rapshë të Hotit, At Gjergj Fishta nisi vargjet e para të “Lahutës së Malcisë”. Diku në luginat e Kelmendit heroik, pikërisht në Nikçin e të parëve të Ibrahim Rugovës e Rexhep Qoses, armëtarët e hershëm shpikën e prodhuan topin prej dardhe me barut autokton. Por njëri nga kulmet, mbase më i larti, me të cilin mburret ky vënd i lashtë sa krijimi i ujit e ajrit, Qiellit e Tokës, është fakti se lindi, rriti, burrëroi heroin tonë kombëtar Prekë Calin, i cili siç do dëshmojnë në këto pak rreshta me fakte të gjalla, shkroi histori. Këtë histori brilante, diktatura enveriste megjithëse e syrgjynosi, s’mundi jo vetëm t’a fshijë, por as ta eklipsojë. Prek Cali do të shndërrohej në një përbindësh për cilindo që tentoi të skllavëronte, nëpërkëmbte apo ndërmerrte ndonjë masakër kundër vendlindjes së tij të shtrenjtë e bashkë me të, mbarë truallit shqiptar.
SHQIPËRIA PA VERMOSHIN, NJË TRUP PA KRYE
Figura të tilla si Prekë Cali, edhe shtete i Franca, Italia, Amerika do i kishin nder. Zbërthimi i një figure të tillë, natyrisht kërkon kujdes të veçantë, por ne mund të themi pa droje që ai kishte një intuitë dhe atdhetarizëm që rrallë i gjen shoqe. Nuk mundi kurrsesi ky martir t’i besonte megallomanisë së pushtuesve, pasi në platformën e tyre gjithherë është shtruar këmbëkryq rreziku pro sllav për kombin. Ky burrë i mençur e trim si zana, ka mbajtur në gjoksin prej vigani dokumentin me vulat e shtatë Krajlive të Europës, çka është rast unikal në tërë historinë tonë. Si përfaqësues i palës shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, ai punoi me diplomaci në shërbim të çështjes shqiptare. Prekë Calit nuk iu tremb syri as në qelitë e errëta ku e përplasi regjimi i Ahmet Zogut, pasi ai ishte një mbështetës i fuqishëm i lëvizjes së qershorit 1924, krah Fan Nolit.
Ahmet Zogu tregoi një politikë të butë me kundërshtarët. Pra vetëm katër vjet qëndroi në burgun e Gjirokastrës. Gjatë asaj kohe Prekë Cali bëri “mik” edhe një fëmijë, Enver Hoxhën, të cilin edhe e shpëtoi, e nxori para kohe nga qelia me ndërhyrjen e tij direkte tek Mbreti, pasi mendonte ta kishte më vonë në krah të tij. Por Prekë Cali kish ndihmuar persekutorin e më vonë armikun e kobshëm të tij, pasi kahet e tyre u ndanë shumë shpejt. Pra, mirënjohja, burrëria, shqiptarizmi s’mund të bujtte në zemrën dhe shpirtin e zi të Enver Hoxhës. Kohë më vonë Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta:
“Kam patur një “mik” të mençur e trim. Vinin nga shumë shtete dhe e takonin në burg. I merrnin mendime e i bënin portrete. Por ai na dolli kundra, na dolli tradhëtar e kështu u detyruam ta eliminojmë…”.
Edhe krerët serbë ishin betuar se do t’ia prisnin kokën Prekë Calit. Ata nuk e harronin kurrsesi aktin e vrasjes së përfaqësuesit të interesave serbe për vendosjen e kufijve në terren më 9 nëntor 1921, Mark Galit, siç edhe përjetësohet për të mos vdekur kurrëmë në këngë ajo madhështi shqiptare:
“Atë nëntor kur u vu kufi / I theu qafën gjeneralit t’tij / Marka Galit t’Malit t’Zi…”.
Kështu pra, Malësia e Shkodrës ngeli tokë shqiptare sot e kësaj dite falë vendosmërisë deri në flijim të Prekë Calit, akt të cilin shqiptarët e New Yorkut e këndojnë në raste festash kombëtare e edhe gëzimesh familjare. Nga vargjet e gazetarit Pjetër Mernaçaj, shkruar më 1974, natyrisht me ndonjë përshtatje të vogël, për të cilën miku ynë Mernaçaj jemi të bindur se na kupton, shkëputim: “Fjala nuk zgjat, u nis kuvendi / Këtu tha Prenka, nuk asht vendi / Me ngul gur, me vu kufi / Ky asht dheu i t’parëve të mi / E, rrëhet keqas kush mendon / Se këto male i kapton / T’tan malësia asht betua / Deri sa krejt të jem farua / Një pëllëmbë tokë t’huejt mos m’ja lëshua / Një angleze, grua fisnike / Kur dëgjon ato fjalë kreshnike / Pak përmallshëm Preken e ka dvetë / Pse ti Cali kaq me t’nxehtë? / Pse i del zot këtij vendi të shkretë? / -Moj sojnike t’u ngjattë jeta / Për Shqipni janë male t’vlefta / Janë pyje, me kullota / E kund ma t’bukura s’i ka Bota / Brez mbas brezi, unë e di / Ktu kanë këndua t’parët e mij / Gjithmonë t’huejt na kanë ngatrrue / Deri n’vorre na kanë çermue… / Komisioni ra n’mendime / Hajt pra, Beg, po t’lam me pri / Njaty Preka vu kufi ”.
Proverbial për të gjithë brezat ka ngelur postulati i tij në një konferencë diplomatike në Londër rreth çështjes së kufijve:
“Shqipëria e vogël ka burra të mëdhenj. Ajo pa Malësinë e Shkodrës do të ishte një trup pa krye…”
Nazistët gjermanë në vitet e pushtimit fashist, i ofruan grada e poste të larta Prenkë Calit, me kusht që ky të syrgjynosej larg trojeve të veta. Këtë ofertë nuk kish se si ta pranonte vigani i maleve shqiptare. Ai qëndroi në viset e veta, i mbështeti këmbët fort në tokë, si Anteu, grumbulloi rreth vetes shokë të idealit kombëtar si Prelë Tomën (Smajlaj), Dedë Gjonin, Ndue Gjorapukën, Gjekë Selcën, Gjergj Lulën, Nikollë Preçin, Dedë Lulash Smajlin, Gjokotë Ujkën, Maç Lucën, Fran Doshin, Fran Pretash Zogun e shumë atdhetarë të tjerë. Në janar të vitit të parë të pasçlirimit, prijësi i maleve organizoi në fshatin Brojë një kuvend të krerëve të zonës për të koordinuar veprimet kundër uzurpimit, i cili identifi kohej me synimet gllabëruese të serbomalazezëve. Prekë Cali, trim sa vetë trimëria, i meçur sa vetë mençuria, i matur sa vetë maturia, i urtë sa vetë urtësia, mban lidhje tepër të ngushta me personalitetet britanike, pasi me ndihmën e tyre synonte të realizojë ëndrrën e tij të kahmot:
“T’i kthejë sytë nga Perëndimi”, pasi sipas filozofi së tij, vetëm atje gjendej burimi i qytetërimit dhe i të mirave materiale. Meritë e Prekë Calit ishte dhe krijimi i relatave aq të ngushta me prijës së tillë si Abaz Kupin, Jup Kazazin e burra të tjerë të shquar të kombit shqiptar.
Cili është “faji” i Prek Calit për luftën e Tamarës?
Pas përpjekjeve të dështuara të Prekë Calit për një marrëveshje me udhëheqësit e forcave partizane, pasi tashmë me Enver Hoxhën ishin të deklaruar kundërshtarë deri në vdekje, a përtej saj, zbret muzgu i 10 janarit 1945; Brigada e Parë me komisar Fejzi Micolin, i turret Kelmendit. Fshati Brojë zihet në befasi, në gjumë. Mark Gjeloshi i Rahovicës lëshon kushtrimin në Vukël e Nikç. Thirrja kumbon në çdo kullë malësore dhe tek Ura e Tamarës, aty ku katërqind vjet më parë ishin mbytur me gurë tre taborre osmane, në mëngjesin e pazbardhur të 11 janarit, gjithë burrat, madje edhe gratë, u bënë grusht për të mbrojtur tokë e nder. Këtu, prijësi Prekë Cali kërkon ballafaqim për t’i mbyllur plagët e gjakderdhjes e për të çuar një komision tek Enver Hoxha për të nënshkruar një udhë logjike për të ardhmen e Shqipërisë.
Por logun e bisedës për mirëkuptim, dialog, paqe, ardhmëri, e turpëron breshëria e plumbave të pabesë. Vetë komisari drejton tytën e për kah gjokset e malësorëve. Në çast, si vetëtima që çan qiellin, gjokset ngjeshen e bëhen shkëmb, e plumbave u përgjigjen me plumba. Bora skuqet nga grykëhollat e para. Trupi pa jetë i komisar Micolit varet si leckë e qullur në yzengjitë e mushkës që hingëllin. Akulli përreth nis e shkrihet nga gjaku i pafajshëm shqiptar. Ç’tragjedi mesjetare e kohëve të reja?! Tërë ditën vazhdon shkëmbimi i zjarrit. Në mbrëmje vonë enveristët tërhiqen me panik e gjynahe për viktimat pa faj të një ideje, që siç do vërtetohej më vonë, izoloi e paralizoi Shqipërinë. Megjithë humbjet e mëdha në të dy polet, por sidomos të uzurpuesve, si dhe të 52 robërve mësymës në duart e Prekë Calit, Prijësi Legjendar i Maleve, i cili edhe në Shkodër kish lënë histori duke çelur shkolla e objekte kulti, kisha e xhamia, nuk ngurron të thërrasë sërish:
“T’i mbyllim plagët e gjakderdhjes, të hartojmë një plan të mesëm se jemi shqiptarë…”
Pala tjeter nuk latohej. Gjithsesi, është në nderin e burrërinë e malësorëve që 52 robërit e zënë, pas mjekimit me kujdes të plagëve e trajtimit shumë të mirë e njerëzor, i përcollën e i çuan deri në familjet e tyre. Ka patur nga ata robër që kanë vajtur deri tek Enver Hoxha dhe kanë treguar mençurinë e burrërinë e Prekë Calit. Enveri, pasi i ka dëgjuar, i ka pushkatuar!
TJETËR PABESI E TERROR
Pesë ditë pas kasaphanës së parë, ethet e çmendura të hakmarrjes, i ndërsejnë krerët e brigadës së parë. Marrshimi drejt viseve të Shqipërisë Veriore, ndërmerr një inkursion me përmasa tepër të mëdha.
– O kriminelë pa fe e Atdhe, këtu më keni, tek Gryka e Shtegut të Kaut, – shpërthen një oshëtimë që rrok kupolat e maleve. Ky zë gurgullon nga zemra e Prekë Calit e trimave të tij në pritë, të gatshëm për të dhënë jetën për vatan e ide. Lufta plas. Qëndresa e bijve të Malësisë që nuk duan gjakderdhje, është heroike, e pashembullt. Për tre ditë e tre netë pa ndërprerje, duhma e rëndë e barotit infektoi ajrin e pastër të Bjeshkëve. Malësorët nuk e njohin “artin” e rënies në gjunjë para askujt, sado katil e i armatosur të jetë. Të 67 vitet mbi kurrizin e Prekë Calit zipohen, ndoshta tek 20-ta.
Përvoja jetësore e ka brumosur t’i urrejë në kulm e themel pushtuesit e çdo ngjyre qofshin. Strategjia e taktika e Prijësit Legjendar nuk maten me kutin e asnjë gjenerali tjetër. Nëpër luginat e Kelmendit, në ato tre ditë katrahure, pellgjet ujore të Cemit patën në brendësinë e tyre grumbuj kufomash, normalisht të pafajshme, por që luftonin për ide me qasje të kundërta.
Mallkuar qofshin ata që e shkaktuan atë konflikt të panevojshëm e bënë të derdhet gjak i pafajshëm e i pastër shqiptari, si ai i Xhuk Tomës nga Broja, Kolec Ucit (Curanaj) nga Vishnjeva, Lucë Gjon Ucit nga Vukli, etj. Oh, lufta si lufta; plagët ishin të rënda, humbjet të dhimbshme. U vranë shumë, u plagosën shumë. Luftëtarët Lukë Toma nga Vishnjeva e trimërisë, e Dedë Gjon Bajraktari nga Vukli historindritur, të plagosur për vdekje, u çuan në një kullë mikpritëse, me këngë, jo me vaje, pasi malësorët në shekuj kanë lindur me krismë pushke dhe e kanë mbyllë dërrasën e arkivolit vetëm me këngë. Brezat e përcollën sokëllimën e Prijësit të Pavdekshëm Prekë Calit:
“Trojet e të parëve tanë nuk guxon kush t’i nëpërkëmbë.”
FRERËT E OFENSIVËS I MERR NË DORË ENVER HOXHA
Është fillim shkurti 1945. Veriu i Shqipërisë ende nuk i është nënshtruar Enver Hoxhës, paçka se “çlirimi” ishte zyrtarizuar me kohë. Njerëzit sot janë të gjallë. E mbajnë mend fort mirë kur frerët e ofensivës i mori vetë Enver Hoxha, pasi tërë malësia luftoi e derdhi gjak në ato përpjekje titanike e prijësit e Shkodrës e familje traditëshuma ndenjën në kontakt me ngjarjet atje. E pra, duhej mposhtur me çdo kusht “kryeneçësia” malësore, duhej çliruar Shqipëria! Po nga kush, bre? Çuditërisht nga shqiptarët.
Pra, për atje u nisën brigada e batalione të tëra. Kështu, krimineli Mehmet Shehu sulmon nga Rapsha. Efektivi i Brigadës së 32-të Sulmuese me komisar politik Ramiz Alinë mësynë nga nuk pritej kurrsesi, nga Kosova, si me porosi a urdhër të Josif BroxTitos. Nga Rrafshi i Dukagjinit e Bjeshkët e Namuna vërshojnë të tjera forca të shumta ushtarake. Raporti i ushtrisë së etur për gjak në krahasim me atë të popullsisë vendase mund të ishte më shumë se 35 me një! Imazhi i pushtimit ishte një realitet i vërtetë. Strategjia ishte studiuar hollë. Sulmohet maja e qëndresës, Vukli, ku ishte edhe vendndodhja e Prijësit të pamposhtur, Prekë Calit. Lufta mori fund. Prek Cali me 13 trimat e vet fortifikohet në shpellën e Tartashicës, një zgafellë në krah të djathtë të fshatit Pepushaj.
Në marrshim e sipër të forcave partizane vizatohen konturet e një masakre çnjerëzore, të një katrahure të cilën zor ta gjesh edhe në mijëra faqet e romanit lapidar “Lufta e Paqja”. Tabllotë e mynxyrës janë të shumta, të zeza si shpirti i atyre që i realizuan. Le të përmendim disa:
Digjet kulla e malësorit të ndershëm Fran Zefi në Nikç, ku gjuhët e fl akës përpijnë edhe trupin e luftëtarit Lukë Toma nga Vishnjeva. Edhe kulla e bajraktarit të Vuklit, me të zotin e shtëpisë brenda, Dedë Gjonin, u shkrumbua nga flakët. Kolë Gjon Bajraktari merr shumë plagë, por luftë ishte. Djaloshit Fran Zef Uci i nxirren sytë me bajonetë të pushkës. Ashtu të gjallë, pa sy, e mbulojnë me gurë në Buzë Breg. Deri vonë, në vitet 1990, të afërmit e gjakut jo më eshtrat që s’mund t’i sistemonin në varret e fshatit, por as kokën s’mund ta kthenin nga “krimineli” që kish rënë për Shqipërinë.
Paradokse që tashmë u ka ardhur koha t’i lëmë pas. Xhelatët e kuq bënë hatanë. Nikë Lucë Bajraktarin e Fran Bracajn i masakruan mizorisht. Ua morën jetën pak e nga pak, duke u zgërdhirë e duke u thënë se do çnderojnë tërë femrat malësore, natyrisht pasi të vrasin gjithë meshkujt e asaj zone “tradhëtarësh” e “banditësh”, gjë të cilën fatmirësisht s’e arritën.
Në emër të besës së shenjtë, Lucë Gjon Bajraktari me Lucë Gjorapukën, i dorëzohen komisarit Zoi Themeli. Po a ka besë i pabesi? Xhelati kriminel i urdhëron viktimat që s’ishin viktima të çelin varret e veta. Aty, i groposë të gjallë!…
Nga lartësia e mbi 60 metrave, pikërisht nga shkëmbi i Shën Neriut, hedhin të gjallë për “gallatë” Rrok Zefin. Në Bregun e Kukulit një varrezë e përbashkët përpin në honin e saj trupat e pafaj të dy djelmoshave të rinj, Ujk Nikës e Fran Alisë. Broja përjeton gjëmën e masakrimit të Gjergj Qoses e shumë moshatarëve të rinj të tij. Të tërë në një varr hon, pasi u kanë prerë veshët, hundët, duart e këmbët…! Kriminelit të kuq Abaz Fejza, i cili merret porosi direkte nga Ramiz Alia, iu dorëzuan në besë tre djemtë e Mar Bikut. Edhe ata gjetën një vdekje të përçudshme. Para popullit të Mbishkodrës, të grumbulluar me dhunë, pushkatohen pa gjyq prijësit selcianë Gjekë Selca e Gjergj Lulë Toma, të dorëzuar edhe ata në besë tek Mehmet Shehu.
Këto batërdi e qindra të tjera sekuenca të tmerrshme, janë “frytet” e Ramiz Alisë e Mehmet Shehut, të cilat për fatin tonë të keq, historia ende nuk i ka vlerësuar. Megjithatë, populli i ka futur në këngë prej kohësh.
“STOLITË” TUAJA E PËRÇMOJNË FLAMURIN SHQIPTAR…
Në këngët e toponomastikën e Veriut, është i pranishëm kurdoherë prijësi Prekë Cali. Pas mijëra e mijëra vitesh, Shpella e Tartashicës ka marrë emrin e tij. Dhe ja përse: Më 7 shkurt 1945 nga zgafella e saj ngujohet ky përbindësh i Enver Hoxhës së bashku me 13 besnikë të tij. Rrethimi nën komandën e kriminelit të Zoi Themeli është vrastar.
700 forca të zgjedhura nga Enver Hoxha për të kapur në shpellë Viganin e maleve shqiptare me 13 trima janë fare pak. Atëherë Ramiz Alia tregohet dinak. Vihet në veprim mekanizmi i marrjes së kështjellës nga brenda. Padër David Pici beson se pas dorëzimit me kusht, pasi Prekë Cali është një figurë e njohur në Europë, qindra herë më tepër se Enver Hoxha, jeta e Heroit nuk do të vihej në rrezik.
Dhe nuk vonoi shumë. “Sihariqi” erdhi në hyrje të shpellës:
Prekë Cali dorëzohet vetëm me përmbushjen e tre kërkesave.
1-Nuk pranoj të çnderohemi nga kërkush!
2- Marr në mbrojtje e përgjigjem për djemtë e Malësisë dhe për qëllimin tonë final dua komunikim me miqtë e mi perëndimorë!
3- Nuk dua të më falni ju të pabesë, pasi ju njoh me rracë e me koc, por kërkoj të jap llogari para drejtësisë së popullit tim, pasi unë e trimat e mi jemi atdhetarë e ju pushtues!
Të tria kushtet i pranon me kënaqësi Zoi Themeli, zezani i atij operacioni famëkeq. Gjithsesi, Prekë Cali e ndjente tradhëtinë, ndaj teksa dilte nga shpella u thotë shokëve: “Ky dorëzim ka lidhje me shpëtimin e jetës së ndonjërit nga ju të rinjve, se mua këta zagarë që i njoh mirë, edhe 100 jetë t’i kem, m’i marrin”.
Në ato çaste i ka hedhur dorën në sup të riut Prelë Toma (Smajlaj) e i ka lënë një amanet:
“Jetoni ju, por pashë besën ma merrni hakun!” E trimi Prelë Toma ia ka marrë vërtet hakun komandantit të vet. Në burgun ogurzi të Shkodrës, ku torturohej si mos më keq, gjen momentin, falë fantazisë, mençurisë e trimërisë dhe në bashkëpunim me një të burgosur tjetër, Pal Zefin e Dukagjinit, vret me dorën e vet rreshterin e birucave. Në atë moment, pa u bërë bujë, shpërthen burgun e Shkodrës, niset për Malësi, merr tërë familjen me vete dhe niset për mërgim.
Jeta e përtej kufirit është një odise tjetër më vete, por le të kthehemi tek tema. Të nesërmen e dorëzimit, Prekë Cali me besnikët e tij ndeshen ballë për ballë me Mehmet Shehun në Rapshë të Hotit.
-T’u thafshin krahët, o burrë i madh i Shqipërisë! U re me shqelm të mirave që të ofruam ne. Nuk e ndoqe udhën tonë. Enveri të pat menduar për ministër. Harram të qoftë, – u ftillua në bisedë Mehmet Shehu.
Përgjigja ishte e rreptë. Ortek i vërtetë.
“Faji rëndon mbi ju Madhëri. Ju, Enveri e ata lakejt e vegjël që ju vijnë si zagarë pas, hëngrët në një sahan me rusët e serbët. Ajo çorbë e fëlliqur ju mban sot në këmbë, por jo gjatë ama. Ju edhe Flamurin e Kreshnikëve na e përdhunuat. “Stolitë” ruse e përçudnojnë atë… E paçi gurë mbi shpinë mallkimin e nënave e vajzave shqiptare…! Mos gjetshi prehje as në skëterrën e varrit, o muta…!” Pas këtij fytafyti të egër deri në tmerr, Mehmet Shehu veçon nga grupi i trimave të Prekë Calit dy vetë: Prelë Tomën (Smajlaj) dhe Maç Lucën, pikërisht dy dëshmitarët okularë të asaj batërdie, të cilët kanë jetuar deri para dy-tre vitesh e i kam njohur fort mirë. Prela ka jetuar në Ulqin të Jugosllavisë e Maçi në Vukël, afër shtëpisë ku kam lindur e jam rritur unë. E ceka këtë element për të thënë së jam qind për qind i saktë me këtë shkrim. E kam mësuar përmëndësh këtë histori rrënqethëse që kur isha 5-6 vjeç nga Maçi e deshmitar të tjerë okularë.
E përse i veçoi Mehmet Shehu trimin Prelë Toma e djaloshin Maç Luca? Prela, si antiserb, dosjet i kishte edhe në Beograd, Maçi ishte i ri e mund të bënte ndonjë gabim gjatë pyetjeve. Pritej pushkatimi i tyre, pasi një djall e di se si dosjet e Prelë Tomës kishin rënë në dorë të Mehmet Shehut, por të mos harrohet, Ramiz Alia nga andej vinte pak ditë më parë…! Pra, aty në Rapshë, Prelë Toma e Maç Luca u nënshtrohen torturave kafshërore, por për çudi jeta u falet. Odiseja është tepër e gjatë, dramaticiteti i saj i kalon përmasat Shekspiriane…
PRENK CALI NË GJYQ
Prangat ia mbërthyen duart e fuqishme vetëm në portën e burgut të Shkodrës Tribunit të Maleve Shqiptare. Këtë fat patën edhe 12 besnikët e tij të dorëzuar, siç thamë, në besë Ramiz Alisë e Zoi Themelit, pasi Dedë Gjon Dedën e pushkatoi me dorën e vet rrugës kryekrimineli Mehmet Shehu për antiserb!
Për qëllime të errëta edhe sot e kësaj dite, Prekë Calin e veçojnë në një qeli të posaçme në burg. Fundi i komedisë së inskenuar nga Enver Hoxha “shkruhet” pas dy javësh. Tribuni shqiptar hedh vështrimin e shqiponjtë mbi trupin gjykues.
– Ç’do të thuash për të fundit hero o “kryeneç”, – e nguci kryetari.
– Dua takim me të parin tuaj, Enverin, se ai më njeh fort mirë. Kemi edhe një besë nga Mehmeti e Ramizi, të cilët kanë bërë krime mbi njerëz të pafaj. Por Enverit thuajini se Prekë Cali don bisedë me ty. Kaq kam, – tha autoritar. Ajo kërkesë ngeli veç një mirazh ëndrre. Lideri i asaj seance vërtet komunikoi me Enver Hoxhën, po ku ta dinte ai se Prekë Cali ishte përbindësh për përbindëshin Enver. E përbindëshi nuk e fal kurrë kundërshtarin e vet. Prekë Cali u pushkatua me shumë atdhetarë të tjerë që bënë aq tepër për Shqipërinë. Ditën e pushkatimit u dhunua edhe kufoma. Aty në zall të Kirit, skuadra e pushkatimit i pret kokën Prekë Calit të vdekur. Ajo kokë që kish punuar gjithmonë për Shqipërinë, u përdor si top, ku duke i rënë me këmbë, këndonin labçe
“Lule Sefo, lule djalë”.
Sido që ngjau, le të gjykojnë njerëzit e ndershëm kudo që janë nëpër botë, kë la pa varr satanai Enver, Prekë Calin apo veten e vet?
KAPITENI LUKET MARASHI VAZHDON REZISTENCËN
Prijësi i Shkrelit, luftëtari i dëgjuar kapiten Luket Marash Grishaj kishte bërë kërdinë prej kohësh në luftë kundër turkut e serbit. Ai ishte ushtarak i shkolluar në Perëndim dhe strategjia e tij ishte vdekjeprurëse për ata që vinte në rreth. Ku piketonte mbi hartë ai, s’mund ta zateste këmbën armiku. Trimat e tij Gjon Martin Lula, Nikë Gjelosh Gjoka, Mirot Paloka, Kolë Lleshi, Prekë Lekë Gjoni, Rrok Nikollë Zefi, Dom Nikollë Gazulli, Pal Thani etj., të cilët kishin luftuar, s’do e ndërprisnin luftën as pas pushkatimit të Prekë Calit. Luket Marashi i rezistonte Enver Hoxhës. Jetën ia kish kushtuar Shqipërisë, për të do vdiste. Tashmë djemtë i kishte të rritur, Dedën, Lleshin e Palokën dhe e dinte se ata do ia marrin hakun. I kish takuar disa herë trimit Luket Marashi që kur nisej për luftë t’i linte amanetin të shoqes: “Pra në kje se Mali i Zi / Vjen e bjen në Shqipni / deri sa t’jenë djemtë kërthi / Pash njat Zot që na ka falë / Ma dëgjo, grue nji fjalë / Bane zemren gur e krep / M’jau pre kryet djemve në djep / Mos m’jau lsho armiqve n’dorë gjallë / se s’dua t’la n’Shqipni un prralla”. Por për fatin e mirë të tij e të Shqipërisë djemtë i ishin rritur, ishin bërë trima e kishin shkruar edhe histori. Luket Marashi qëndroi atje në malet e Shkrelit.
Edhe i plagosur nuk pranonte të dorëzohej, por as të kalonte për matanë kufi rit. Nëntë plagë, si Gjergj Elez Alia kishte në trup, tri vetëm në kraharor. Rapsodia e lashtë këtu është konkrete. Vërtet nuk ishte prezente motra që t’i mjekonte plagët, por gurrat e bjeshkëve, bari që sapo kish nisë të gjallojë, zogjtë e malit, gurët e pyjet ishin motrat, vëllezërit, nëna. Këtu s’kemi të bëjmë me nëntë vjet si në ciklin e kreshnikëve, por me disa ditë. Kur vdiq në mal për të mos rënë i gjallë në duart e komunistëve, nuk mallkoi si Gjergj Elezi Alia: “O ju kulla mbetshi shkretë”, por uroi “Shqipëria u çliroftë sa më shpejt nga komunistët!” E rapsodi popullor e përjetësoi në vargje: “Luket Marashi po viket / Bini, u thotë ai djemve t’vet / N’Qafë t’Grishajve u ba nami / Luftojnë Prela edhe Frani”.
ENVER HOXHA VAZHDON NJË SKENAR TË RI
Edhe pas likuidimit fi zik të Prekë Calit, skenari kundër kundërshtarëve politikë ishte tepër i zymtë, si skenar mesjetar. Në qendër të shënjestrës u vunë bashkëluftëtarët e Prekë Calit e të Luket Marashit. Luketës i burgosën vëllanë Franin, tre djemtë Dedën, Lleshin e Palokën, si dhe djalin e vëllait, Prelë Franin. Qelitë e burgut të Shkodrës më 1945 nën urdhërat e drejtorit Hajrullah Vukashi, të toger Babës e të Gjon Kokrrit përjetuan zhdukje monstruoze të shumë patriotëve shqiptarë. Bashkëpunëtor i Prekë Calit ishte edhe djaloshi 25 vjeçar Fran Zefi nga Nikçi, i cili u var në një fillim pranvere në shtyllën mes oborrit të kampit të Bedenit të Kavajës nga dora e drejtorit të burgut Haxhi Pela. Ajo shtyllë ogurzezë ka marrë shumë jetë të pafajshme të burgosurish të ndërgjegjes. Edhe kapterri me emrin e pseudonimin Sheramet varte e çonte për në atë jetë kë t’i mbushej mendja. Edhe pas viteve ’50 ashtu vazhdoi.
Njëri nga dëshmitarët e këtyre ngjarjeve thotë se me sa di, Haxhi Pela ende jeton, madje në liri, veçse ka ndërruar emrin. Ajo shtyllë e mallkuar ka marrë edhe jetët e Mark Gjeloshit nga Broja e Dedë Gjeloshit nga Vukli.
Haxhiu e Sherameti, vetëm në muajt shtator-tetor 1948 kanë likuiduar fizikisht plot 72 të dënuar të ndërgjegjes, shumica e tyre jo larg lirimit. Po sa mijëra e mijëra të tjerë kanë zhdukur ata e kriminelë të tjerë gjatë 50 viteve? As Luciferri nuk mund të jetë aq katil.
Më vonë Haxhi Pelën e kanë transferuar me urdhër nga qendra në burgun e Osman Pojanit në Maliq të Korçës. Atje ai përdori metoda edhe më çnjerëzore. Dedë Luket Grishaj, Kolë Mhilli, Llesh Luket Grishaj, Maç Luca e shumë atdhetarë të tjerë, të cilëve autori i këtyre radhëve ka fatin e mirë t’u ketë marrë material të bollshëm faktik, kujtojnë barbaritë çnjerëzore, kur Haxhi Pela i fuste të burgosurit politik në baltën e kënetës së Maliqit deri në fyt, u thoshte thërrisni “Rroftë Enver Hoxha”, e kur nuk pranonin, u hipte me shqelma sipër kokës e i fundoste në llucë. Aty i linte përgjithmonë. Janë këto vetëm një pamje tepër e vockël e këtij skenari të mallkuar që brezat e ardhshëm do ta mbajnë si model të krimeve njerëzore.
PRENK CALI DEKOROHET
Dekoratën e Lartë të Klasit të Parë me Nr. Dekreti 569 të Kabinetit Presidencial, të afërmve të Tribunit të Maleve, Prekë Calit, i erdhi dita e bekuar e ia dorëzoi ish-Presidenti i Shqiptarëve, zoti Sali Berisha dhe Ambasadori i SHBA-së, Rayerson. Ishte ky një vlerësim i tërë atyre meritave të mohuara për një gjymë shekulli nga diktatura.
Sot, zalli i Kirit, bashkë me eshtrat e shumë martirëve të tjerë, ka në gjirin e vet edhe ato të Prekë Calit, kërkimi i të cilave u ndërpre vite më parë për arsye financiare. Është pra ky Zalli i Kirit që në ftohtësinë e brendësisë së vet, ka aq shumë eshtra martirësh, sa edhe gurë. Falë dëshirës së mirë e motiveve njerëzore që krakterizojnë shqiptarët, pasi ne e dimë, gjithçka e kemi për vete, por jetën e nderin për kombin, heronjtë e rënë do futen me dinjitetin që meritojnë në analet e historisë sonë brilante, siç edhe duhet të zënë vend kriminelët në volumet prej turpi.
Prekë Cali është nderi i tërë shqiptarëve kudo në botë. Ka ngelur proverbial urimi që nënat e Veriut bashkë me gjirin e mëkimit, fëmijëve të vet u thonë duke përkundur djepin: “M’u rritsh e m’u bëfsh sa Prekë Cali”.
Lufta kundër partizanëve, që bënë bajraktarët e Kelmendit dhe Vuklit, të ndihmuar edhe nga Prenkë Cali, shkaktoi më shumë se qindra të vrarë nga të dyja palët. Vetëm partizanë u vranë 57. Mendoj se kjo përpjekje e Prenkë Calit dhe të tjerëve rreth tij ishte një përpjekje jo e zgjuar, ku edhe ai u dënua me vdekje, në vend që të ruante statusin e tij, si një patriot i nderuar, i cili kishte dhënë kontribut të madh në ruajtjen e territorit shqiptar. Por e mbylli me një marrëzi të madhe, me turp, që i kushtoi edhe jetën… /AÇ