Shkruan Prof. Zymer Mehani
Edhe në mërgatën shqiptare në anë të ndryshme të botës, vështruar nga aspekti sociolinguistik, mund të vihet re një pozicion i pavolitshëm i gjuhës shqipe në kontaktet me gjuhët e tjera të vendeve përkatëse. Në këso rrethanash të jetës tashti vendi kryesor i përdorimit të gjuhës amtare mbetet familja, rrethi farefisnor e miqësor në takime e vizita të ndryshme. Në rastet kur në familje nuk i kushtohet vëmëndje e duhur kësaj çështjeje, gjuha amtare sa vjen e zvetnohet nga brezi në brez dhe, sidomos te fëmijët, kalon në pjesën passive të ligjërimit.
Sociolinguistët, pas hulumtimeve empirike, kamë parë se pjesëtarët e mërgatës, në shtetin e vendosjes së tyre, duhet ta mësojnë gjuhën e vendit që, në shtetet gjermanofone e quajnë ‘’Zeilsprache’’ dhe fëmijët në shkollë, edhe një gjuhë tjetër të huaj.
Tani nxënësit shqiptarë të mërgatës kanë vështirësi për t’i mësuar dhe për të komunikuar në dy gjuhë të huaja në shkollë, në lagje, në lojë etj., dhe kështu gjuha amtare, gjuha shqipe, mbetet jashtë interesimit të duhur. Duke pasur më shumë obligim për t’I mësuar gjuhët e huaja, është e kuptueshme se deficit gjuhësor në gjuhën shqipe u krijon vështirësi komunikimi.
Kjo është e kuptueshme. Mirëpo, nuk është e kuptueshme që, edhe gjatë pushimit në vendlkindje, shumë prindër të mërgatës bisedojnë me fëmijët e tyre në gjuhën e vendit ku jetojnë. Madje këtë komunikim e bëjnë me krekosje të veçantë pa e ditur se në këtë mënyrë mbase bëhen kontribues të humbjes së identitetit gjuhësor të fëmijëve të tyre. Sepse, në kushtet e jetës në mërgatë familja është vatra themelore e kultivimit të mëvetësisë kombëtare, e mësimit dhe e përdorimit të gjuhës amtare dhe, nëse kjo vatër nuk ndriçon me përkushtim të shtuar, s’është habi që gjuha amtare një ditë do të harrohet përderisa nuk flitet.
Nga aspekti sociolinguistik është me interes të ndiqet edhe fenomeni i barrierave gjuhësore në bashkësitë shumëgjuhësore. Ai është aq heterogjen nga përmbajtja sa dhe vetë bashkësitë shumëgjuhësore. Dukuria e barrierave gjuhësore, ose siç mund të quhet ndryshe barrier sociale, është shumë e shtrirë në bashkësitë shumëgjuhësore të mërgatës, në rastin e shqipes, të mërgatës shqiptare. Pengesat gjuhësore të fushave të ndryshme linguistike janë më të pranishme te mërgata më e re, e cila, në rrethanat e ndryshme të jetës në kontakt me gjuhë dhe kultura të ndryshme, ka vështirësi më të mëdha komunikimi dhe integrimi.
Pjesëtarët e mërgatës shqiptare, të vendosur në shtetet gjermanofone, sidomos fëmijët, në kohën e lirë në shoqëri, e mësojnë gjermanishten dialektore (Mundarten), në Zvicër, p.sh. gjermanishten zvicerane, në shkollë gjermanishten standard dhe kështu kanë një ngarkesë më shumë për t’i mësuar dy varietete: dialekt-standard, dallimet midis të cilave janë të mëdha.
Shumëgjuhësia është dukuri e shumë shteteve. Ajo paraqet pasuri kulturash dhe integrimesh, të cilat mjet parësor sëndërtimi kanë gjuhët, prandaj institucionet e shtetit duhet ta krijojnë politikën e planifikimit gjuhëosr, sipas së silës nuk do të këtë diskriminim gjuhësor për asnjë nacionalitet, sepse çdo gjuhë, përveç funksionit të komunikimit, paraqet edhe vlerë kulturore kombëtare.