Poshtëroje, harroje dhe ekspozoje në rreziqe të shumta, pastaj shpalle Hero ?!…

0
310
Policia e Kosovës

Nga: Gjergj KabashiRevista Drini30 Janar 2020

Polici që vdiq të martën, qenka i 21 në listën e policëve, që u vranë në krye të detyrës në Kosovën e pasluftës, tash e 21 vite. Në mesin e tyre edhe një grua, Sabahate Tolaj, e cila është vrarë në vitin 2003 derisa po kryente detyrën. Të gjithë këta policë u vranë prej kriminelëve, përderisa ishin duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike, apo ishin në aksione për zënien-arrestimin e atyre që kishin bërë krime.

Sami Thaçi i ndjerë e paska pasë pagën vetëm 380 euro, përderisa gjithë kohën ka kryer detyra të rrezikshmërisë së lartë, në mbrojtje të qytetarit e të vendit të vet!

Paga bazë e Thacit, që humbi jetën në Zhur të Prizrenit, në krye të detyrës në një aksion antidrogë, ishte 380 euro. Vetëm 380 euro !!

Kaq vlen polici i kosovar, që për çdo ditë e ka jetën në rrezik e që nga themelimi i Policisë së Kosovës i mungon sigurimi shëndetësor e ai jetësor. Kjo është poshtëruese, pa asnjë dyshim. Kosova e re nuk duhet të sillet e veprojë në këtë mënyrë e të jetë kaq mospërfillëse ndaj atyre që japin krejt çka munden për ruajtjen e rendit dhe sigurinë. Në Sindikatën e Policisë së Kosovës, sipas të dhënave të shtypit kosovar, thonë se pos bisedave rreth kësaj, asnjëherë në asnjë qeveri nuk është ndërmarrrë ndonjë hap konkret për përmirësimin e të drejtave legjitime të policisë.

Në anën tjetër i kemi pushtetarët tanë, që me një grykësi të pashoqe nuk harruan t’ua rrisin rrogat vetes e të afërmve, shërbëtorëve të tyre. Nuk harruan që t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre parajsore. Që fëmijët e tyre të sigurojnë orët më të shtrenjta Rolex, mbi dhjetëra mijëra eurosh. Që t’i kenë veturat më të shtrenjta. Që fëmijët e tyre vagabondë, policia të mos guxojë as që t’i legjitimojë, se lëre më t’i dënojë, qoftë edhe për thyerje të rregullave në trafik, për vozitje në gjendje të dehur etj. Shembujt janë të qartë, akuzues, të freskët: Polici që guxon t’i shqiptojë dënimin e merituar fëmiut vagabond të “udhëheqësit tonë”, jo vetëm që edhe mund të goditet prej tij, por edhe rrezikon “të shkojë në shtëpi”!

A ka më krim dhe më mëkat ndaj vendit tënd, se që Polici i Kosovës, ai i cili i ekspozohet çdo vështirësie të mundshme në jetën profesionale, duke u ndeshur vazhdimisht me gjithfarë krimineli gjatë ushtrimit të detyrës në mbrojtje të sigurisë së qytetarit e të vendit, jo vetëm që të jetë i paguar aq pak, por çka është edhe më e keqja, më e paimagjinueshmja, më e pakuptueshmja dhe papranueshmja, që ai/ajo të mos kenë sigurim shëndetësor e jetësor.

Kështu që shteti nuk bën as atë që i takon për ta bërë, që policia të jetë më e trajtuar, kur aq shumë kërkohet prej saj. Dhe del pastaj krimineli që fshehur apo hapur t’i vret ata ditën me diell, ndërsa askush nuk e shtron pyetjen e thjeshtë se pse dhe si është e mundur që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar i lënë në liri e të lirë kriminelët që i përsërisin krimet, si shumë kriminelë të tjerë deri tek ky i Zhurit.

Kriminelët e trimëruar e të pa dënuar për krimet e tyre të rënda, natyrisht që e vrasin këdo që u del përpara, sikurse që e vranë Sami Thaçin dhe plagosën policët e tjerë në atë fshat të Prizrenit. Jo vetëm në këtë rast tepër tragjik, por edhe për raste të tjera, duhet zbuluar se kush ka përgjegjësi e faj më të madh për vrasjen e policëve, apo se cilët janë gjykatësit a prokurorët e mundshëm, që për shkak se mund të kenë qenë të korruptuar, kanë lënë e vazhdojnë të lënë kriminelë që ta shijojnë lirinë që s’e meritojnë!

Kur mendon rreth të gjitha këtyre vrasjeve e plagosjeve të policëve në rrethana Lirie, nuk ke si të mos ndjesh keqardhje, pikëllim e të trishtohesh se nga “lindën këta trima” pas ardhjes së lirisë, çlirimit të vendit?!

Si u çlirua e gjithë kjo energji negative, gjithë ky destruktivitet dhe agresivitet njerëzor? Sigurisht që një ndër faktorët që sollën në këtë shfrenim dhe zbrazje agresiviteti, janë edhe pritjet e shumëta të njerëzve nga rrethanat e reja në Kosovë pas ardhjes së lirisë, sikurse edhe papunësia dhe faktorë të tjerë negativë, që ndikojnë për të keq. Por, mendoj që faktorë mbi faktorët që ndikojnë për të keq janë udhëheqësit bukur të korruptuar në nivelin qendror dhe në nivelet lokale. Ata janë shembëlltyrë dhe pasqyrë e keqe të shtetit për të tjerët, për fat të keq edhe për organet e ruajtjes së rendit dhe të qetësisë publike.

Megjithë faktin se policia e Kosovës tashmë edhe atje vepron sipas standardeve bashkëkohore, megjithatë një politikë më e mençur e humane shtetërore nesër duhet të mendojë më shumë që policia t’i ketë ato të drejta që i gëzojnë policitë e vendeve demokratike europiane, pa e harruar asnjë herë që “populli” i Kosovës, si ai në rajonin e Ballkanit përgjithësisht, nuk janë si suedezët, holandezët, danezët, gjermanët apo norvegjezët, për të cilët respektimi i ligjit është kulturë tashmë e konsoliduar me kohë.

* * *

Kur nuk e nderon Njeriun që ndikon që Ti të jetosh e të ndihesh i sigurtë dhe i qetë në rrugë dhe në shtëpinë tënde, atëhere Ty të mungon ndërgjegja njerëzore, atdhedashunia po se po.
Pra, në ndërdije dhe me ndërgjegje, ti nuk je atdhetar!
Kot e shpall Hero, pastaj…

Sepse ata që po shpallin Heronj që nga paslufta, sidomos viteve të fundit, janë Anti-Heronjtë e vërtetë të Vendit dhe shembujt më të kqinj për të Zi, që mund të mendohen?!!

Ata duan ta fshehin “fytyrën” e tyre, pas shpalljeve të tilla!

Prandaj, kot shpallen Ditë Zie…
Krejt kot!