Porti i Durrësit, do nisë investimi / Alabbar: Do të investojmë dhe në projektin turistik në Përmet

0
309
Muhamed Alabbar - Muhamed Veliu

TCH, 20/03/2021


Mohamed Alabbar themelues i kompanisë EMAAR nga Emiratet e Bashkuara Arabe
– gjatë vizitës në Top Channel

Kompania EMAAR do të transformojë portin e Durrësit në një port turistik të ngjashëm me Dubai Marina, përmes një investimi 2 miliard dollarë. Mohamed Alabbar fillimisht i përgjigjet pyetjes se në çfarë faze ndodhen përgatitjet për këtë projekt dhe nëse puna do të mund të filloj këtë pranverë.

Mohamed Alabbar: Është duke u bërë shumë punë. Në fakt inxhinierët tanë dhe ata shqiptarë, që mbërrin sonte në Dubai, do të kenë një tryezë pune. Shumë punë dhe përkushtim po tregohet tek dizenjimi, puna inxhinierike dhe koordinimit me autoritetet. Paraditen e të shtunës isha në Durrës dhe gjithçka po ecën në trasenë e duhur. Natyrisht kemi të bëjmë me port ekzistues dhe duhet të bëjmë shumë kujdes. Jam i impresionuar me njerëzit me të cilët po bashkëpunoj si kryetari bashkisë dhe autoritetet qeveritare. Të gjithë janë të gëzuar nga ky projekt dhe po lëvizin me shpejtësi. Po, mund të them se këtë verë mund të shikojnë nisjen e disa punimeve.

Muhamed Veliu: A jeni i kënaqur me punën parapërgatitore nga qeveria shqiptare, që ky projekt të nisë sipas parashikimeve siç edhe sapo e thatë?

Mohamed Alabbar: Bashkëpunimit tim me qeverinë dua t’i jap një vlerësim maksimal posaçërisht kryeministrit Edi Rama, që ka një entuziazëm e që më ftoi të vija. Ju mund të keni dëshirë të bashkëpunoni me njerëzit por kjo është një marrëdhënie e dyfishtë. Nuk mjafton të flasë vetëm një palë, unë në rastin konkret. Ne jemi biznesmenë dhe nuk na pëlqen të flasim shumë. Ne duam veprime konkrete. Unë punoj në shumë vende dhe mendoj se Edi Rama me ekipin e tij, janë në krye të listës time për entuziazmin, në të bërit e gjërave. Ishte një pëlqim që në dy takimet e para, pasi pashë vendosmëri në të bërit e gjërave për njerëzit. Te flasësh është një gjë, por e rëndësishme është t’i bësh gjërat. Unë jam në anën e atyre që bëjnë dhe kam shumë respekt për ta dhe jam shumë krenar që më janë bashkuar mua për të punuar e realizuar.

Muhamed Veliu: Projekti juaj ka gjetur kundërshti tek disa njerëz përfshi opozitën e vendit tonë. Cila është përgjigja juaj për ata?

Mohamed Alabbar: Kur unë nisa karrierën, isha një djalë i varfër dhe kisha në mendje bërjen e ca parave. Paraja ishte e rëndësishme për mua. Mendoj se në këtë moshë që kam tani, gjërat kanë ndryshuar. Çdo gjë që bëj, e bëj me dashuri që vjen nga zemra. Që njerëzit të më besojnë mua projekte në 14 vende të ndryshme të botës, ku zhvilloj aktivitetet e mia, është pasuria më e madhe e disponueshme. Njerëzit më besojnë për ndërtimet fantastike që bëjmë, për kujdesin që tregojmë për pemët, parqet, vendet ku luajnë fëmijët, plazhet, pjesët e artit pra gjithçka dhe këtë e bëj me zemër, pasi njerëzit na besojnë.

Unë jam një mik në vendin tuaj. Kultura ime dhe ajo e juaja kërkon të jem me edukatë, i përulur dhe respektues. Nëse dikush mendon se unë këtë nuk mund ta bëj mirë, apo nuk pëlqejnë çfarë bëj unë, me të gjithë dashurinë që kam në zemër për Shqipërinë, u them le të sjellin dikë më të mirë se unë. Jam i sigurt që ka më të mirë se unë. Bota është shumë e gjerë dhe Zoti ju ka dhënë shumë mundësi. Unë mund të largohem, por kjo do të jetë diçka dëshpëruese për mua, pasi i dua njerëzit dhe këtë vend.

Muhamed Veliu: EMAAR ka shprehur interes të investojë në turizmin e qytetit të Përmetit. Në çfarë faze është ky projekt?

Mohamed Alabbar: Përmeti është një vend ku është edhe zemra ime. Një vend shumë special. Jugu Shqipërisë ka lëvizur zemrën time. Kam bërë shumë video e dërguar miqve në të gjithë botën. Ata mendojnë se isha në Kaliforni. U thash se ky vend shumëzohet herë 10-të me Kaliforninë. Ne po shikojmë disa vende atje. Jemi pak ngadalë me këtë nga situata me Covid dhe fokusi tek Durrësi, por jam i sigurt se mund të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Ne arabët pëlqejmë shumë këto zona, ku ka male e ndërthurje me lumë siç është zona e Përmetit. Përfundimisht ky projekt është në agjendën time.

Top Channel