Porno e klanit “Pronto”, dhunim dhe vrasje e dytë e viktimave!

0
508
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 19.05.2019

Kur përballeshim me dhunën e policisë serbe dhe gazin lotësjellës në demonstrata, ata duke pirë birra në lokalet serbe argëtoheshin me ne, ndërsa sot të njëjtit pa fije turpi na shesin ders patriotik. Ata që para lufte lufte koketonin me shajkaqat serbe, sot mbajnë kravata të kuqe dhe plisa të bardhë.

Ndërsa ata që i rezistuan pushtuesit serb, sot injorohen dhe përbuzen nga soji i keq i politikanëve të kohës nëpër të cilën po kalojmë.

E fillova në këtë mënyrë shkrimin, me qëllim që lexuesit e rinjë të kuptojnë më mirë realitetin e krijuar në vendin tonë. Këta që sot udhëheqin me shtetin nuk janë themeluesit e shtetit, por rrënuesit e tij.

Historia e themeleve të shtetit, e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia daton një dekadë para “lindjes” së kusarëve të luftës dhe paqes…
Pushtetarët aktualë dhe politikanët e inkriminuar qëllimshëm po harrojnë se Gkykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së është themeluar me bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pikërisht me bekimin e liderëve politik të krahut të luftës.

Se vërtetë është kështu, Veseli &Co dhe krejt kjo klasë politike nuk guxuan dhe as që guxojnë të përmendin dëmet e luftës që Serbia i bëri në Kosovë, për më tepër se kaq nuk i lejuan as Gjykatat në Kosovë që t’i trajtojnë paditë e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet e luftës kundër Serbisë.

Pra, është mirë që pushtetarët dhe tërë klasa politike në Kosovë, të tregojnë se kush i pengoj dhe ku ishin që 20 vite, ku ishin kur u nis dialogu me Serbinë në Bruksel, ku ishin kur u amnistuan kriminelët serb të veriut, ku ishin kur u votua “Zajednica” serbe si dhe ku ishin kur u votua Gjykata Speciale!?

Zgjimi i vonuar i politikanëve të inkriminuar, po bëhet jo nga dashuria ndaj atdheut dhe respekti ndaj viktimave shqiptare të luftës, por të prirë nga interesat personale dhe marketingu politik për pushtet.

Thënë ndryshe, pushtetarët dhe politikanët në përgjithësi e kanë hallin e vet e jo të viktimave të luftës. Pra, çdo gjë po bëhet për efekte elektorale, gjegjësisht për mbajtjen dhe marrjen e pushtetit.

Debati folklorik në Kuvendin e Kosovës

Debati në Kuvendin e Kosovës rreth iniciativës së pasinqertë dhe me prapavijë politike të Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për krijimin e një “Tribunali ndërkombëtarë për krimet e serbëve në Kosovë“, u shfrytëzua për marketing politik dhe fjalime folklorike të deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Nga debati u vërejt qartë se pozita dhe opozita qëndrojnë shumë afër njëra-tjetrës dhe se lidhjet korruptive dhe kriminale mes grupimeve politike në Kuvend janë më të fuqishme sesa ndarjet partiake dhe interesi qytetarëve dhe shtetit në përgjithësi.

Aq të pafytyrë dhe të pasinqertë janë politikanët milionerë saqë po mundohen të fitojnë poena politik edhe nga viktimat e luftës, dhunimet dhe të pagjeturit.
Nisma e pasinqertë dhe me 20 vite vonesë e pushtetarëve multimionerë kinse për Tribunal ndërkombëtar, është tallje, dhunim dhe vrasje e dytë e viktimave.

Politikanët, qofshin ata deputet apo qeveritarë, pushtetarë apo opozitarë që e sollën dhe votuan Gjykatën Speciale, në asnjë rrethanë nuk mund të sjellin drejtësi për qytetarërt dhe as qetësi shpirtërore për viktimat e luftës.

Fotoja pornorgafike e falsifikuar, turpi i radhës i pushtetarëve

Nuk mbeti gjë pa u fëlliqur nga lufta e fundit, përveqse u bëmë gazi i botës edhe lufta e pastër çlirimtare çdo ditë e më tepër po e merr një ngjyrim tepër të errët për shkak të skandaleve të njëpasnjeshme, siq ishte rasti i fundit me foton pornografike të prezantuar nga Flora Brovina, të një skenari përvers të Kadri Veselit.

Njëherësh, ky akt paraqet lojën më të ndyrë të shërbimeve të UDB-së në Kosovë. Me këtë akt të turpshëm dhe skandaloz, me foto të falsifikuar u tentua që të zhvendoset vëmendja opinionit publik nga tradhtia e Hashim Thaçit me territore të vendit dhe jo vetëm.

Serbia përmes argatëve të vet, të instaluar në institucionet ma të larta të Republikës së Kosovës, ia arriti qëllimit me një skenë të “deshmimit” të falsifikuar të vret dy zogj me një plumb; pra me një foto-skandal e goditi Amerikën dhe të vertetën e hidhur të shqiptarëve të Kosovës, atë të krimeve dhe dhunimeve seksuale të 20 mijë vajzave e grave shqiptare.

Serbia përmes SHIK-ut arriti ta degradojë dëshminë e Vasfije Krasniqit si dhe të komprometoj me skena pornografike edhe ushtarët amerikan.
Serbia, tani e tutje për dhunimet seksuale ndaj grave e motrave shqiptare, do të thonë se janë sajesa pornografike të vetë shqiptarëve.

Pra Serbia me kaq lehtësi ia arriti t’i nxjerrë shqiptarët e Kosovës, si mashtrues ordiner dhe aktorë që luajnë viktimën pa qenë fare viktimë, duke e djegur keq kartën shqiptare për dhunimet seksuale dhe krimet monstruoze të shtetit serb në Kosovë.

Tani fare pak rëndësi ka kërkimfalja e Flora Brovinës dhe asryetimi i urdhënësve të saj, ngase vendit i është bërë një dëm i madh dhe i pariparueshëm. Tani nuk do të mjaftojnë edhe 1 mijë dëshmi të tjera për ta mohuar mashtrimin që u bë nga deputetja Flora Brovina në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Edhe pas këtij skandali porografik të klanit “Pronto”, populli i Kosovës po hesht dhe po toleron që kjo klasë politike, të terrorizoj qytetarët çdo ditë, duke shkuar edhe aq larg saqë për 20 vite e zhvatën Kosoven, nuk lanë gjë pa vjedhë, e tash 20 vite pas gjoja u kujtuan të merren me krimet e bëra nga Serbia, përderisa për 20 vite as që i kanë permendur, e për me tepër i kanë ndaluar Gjykatat t`i trajtojnë dëmet e luftës që Serbia fashiste i ka bërë në Kosovë.

Mbështetja e spektrit opozitarë në nismat e dyshimta të pozitës në Kuvend e dëshmon sesa afër dhe sa të bashkuar janë kusarët politikë në pushtet dhe opozitë.

Vetëm kapja dorë për dore e të gjithë politikanëve të dështuar, gjegjësisht e figurave të prishura politike dhe largimi i mënjëhershëm i tyre nga pushteti dhe skena politike në përgjithësi shëron plagët shpirtërore dhe kthen shpresat e qytetarëve në këtë vend.

E vetmja shpresë për ta çliruar shtetin nga uzurpatorët, kusarët politik dhe bandat kriminale është zgjimi i popullit nga agonia e gjatë dhe aktivizimi i menjëhershëm i elitës intelektuale të mërgatës tonë.