PORET E SHPIRTIT TIM – poezi nga Brahim Avdyli

0
1586

Brahim (Ibish) AVDYLI:

PORET E SHPIRTIT TIM

(POEZI)

LUMEJT E KOHËRAVE

Në pafundësi
rrjedhin kohërat
njëra pas tjetrës.

I shoh
të ngrisin kokat
e shashtrisura
e të lemerisura
në pakthim,

disa këlthasin
e disa përplasen
nëpër dallgë…

Herë rreth bregut
dëshirojnë të kapen
edhe nëpër rrënjët e shkundura
nga dheu,

e lëkunden
me shpirt në fyt
duke vajtuar tokën
e duke u mbajtur
për rrënjë
që të mos bien
në vllugun e valëve,

herë të tjera rendin
nëpër kulmin e ditëve
të gjeneratave të mbytura
që kacafyten
me vdekjen…

Nuk kanë kohë të sjellin
faktet e tyre
para etapave
që shkojnë e bien
plot dhembje,

disa i ngrisin
sikur duart lart
copat e tyre,

disa shkumbëzohen
disa humbin
në mes të ujit
që rritet në vërshim…

Ne i shikojmë
të gjitha nga bregu
me shpirtin që na lëngon

e nuk dimë
cilat kohëra
janë pak më të mira
e pak më të liga

por renditen vazhdimisht
në lumin e pafat
të kohërave…

DALLËNDYSHE KUJTESE

1.

Je hije e gjallë kujtese
me dhembje fluturon
nëpër botë

të gjithë i ndjenë nëpër lotë e mi,
askush nuk të kupton
se ke qenë diku
në këtë botë

dallëndyshe-pupël kujtese
apo shibël e papritur
në pluhur ndjenjash…

2.

Gjallë ke mbetur
nëpër kujtimet e mia-

për inat të cicërimeve
nëpër vendet e vjetra
je kthyer,

burimeve të fjalëve pi ujë të ftohtë
e kthehesh dikur
freskut të gjelbërimit

viseve të lëna
pa dëshirë

i përzënë nga urrejta
e atyre që i shqetësove…

3.

Çuditërisht
nëpër duar t`i kanë lënë
copat e grisura
që të trondisin

e askund nuk të pranojnë
nëpër bredhjet e tua

e kthehesh
në një dallëdyshe kujtese

me dridhjet
e këngës së përlotur!…

Dietikon,
07.07.2015

NGJALLJA E LUCIFERRIT

Si duket, është ngjallur Luciferri
tani kufomat shëtisin në botën e shashtrisur
prej tragjedisë në tragjedi
të përcjellur me nderim nga kuarteri polico-ushtarak,
askush nuk ua hap dosjen të shohë bishat e veshura
që rrëzojnë kudo me raketa gra e fëmijë
që të mos i përtërijnë qindvjeçarët e tjerë,
ariun e bardhë të Rusisë dhe shimpanzën e zezë të Izraelit
e nxisin të shtjerrë njerëzimin në një pikë
thua se Zoti i Madh i ka lënë vetëm ata që të vendosin
kush është i pari e kush është i mbrami mbi dhé,
e njerëzimit i del gjumi vonë e nuk mund t`ia qëllojë
kush flet e kush bërtet, në vijë të parë…
Njerëzimi është njëlloj, ngjyra nuk e sjellë ndonjë rol
i bardhë apo i zi, i verdhë apo me ngjyrë tjetër,
si duket, ngjyra e arit është fshehur prej listës së popujve
fillimi e fundi janë ngatërruar pa shpresë,
çfarëdo ngjyre të ketë jeta i qarkullon nëpër damarë,
kur lind e perëndon lutet me të njëjtën shpresë
për Zotin e Madh, me fjalorin e vet të lutjeve,
sepse qeniet e llahtarshme e kanë shkelur në gjok
papritur e zaptojnë dhe duan ta prejnë në qindra forma,
sikur këlthet vajtueshëm e me tërë mund-
O Zot i Madh, shpëtoje këtë shpirt që ma ke falur,
më dërgove mes bishave, por të mos copëtohem…

si duket, tani, qenka ngjallur Luciferri,
dhembja dhembjen e zgjon e përsëri kthehet në forcë
krimin e patjetërsueshëm
do ta luftojë deri në mbijetesë!

Filluar në Calstorta Sud
Autobahn Venecia-Trieste,
25.07.2014.

PORET E DHEMBJES

1.

Ngjyra e kaltër
në mëngjesin e hershëm të kobit
nëpër errësirë deshi
të më këpuste flatërat

e unë ika
në vaj të fluturimit

pa më zënë
ai gur i hedhur i vdekjes…

2.

I vetmuar mbeta
përherë në fluturime

duke qarë kohën
që rrinte nëpër procka
përtej çasteve të bjerra,

gjithmonë i mendoj
me hidhërimin e përhershëm
ata që thirren
në emrin tim,

vetëm më lanë
me poret e dhembjes!…

DRITARET E DITËVE

Mëngjeseve
zgjohem e dal përsëri
në dhomë të pritjes

e ulem
para tryezës së kohërave…

Për dritaret e hapura të ditëve
futet shëndetshëm Dielli
e buzëqesh
sikur dëshironte të më përgëdhellë.

Mirë o Diell
pak më ngrohë e më jep shpresë
se ditët do të sjellin
gjithë të mirat
me rrezet tua të pashmangshme

e unë, vërtetë,
do të iku përtej të mundshmes

e do të kthehem
me Diellin e ëndërrave të mia.

ZEMRA PLOT DIELL

Në vrugullin e vërshimeve
të një botë të çoroditur
vetmia të mori
nga dhembja e të dashurve të tu
e të hodhi
në zgripcin e ndjenjave.

E prapta i mësoi të praptët
të të luftonin me befasinë e dhelpërave
nëpër llugën e mendimeve të marra
e veprimet e befasishme
të derrave primitivë…

Ishte e zbrazët koka e tyre
s`ua priste mendja aspak për të mirë
por bota do të sillej rreth boshtit kryesor
vetëm për hirë të Zotit.

Rrotull t`u sollën ujqërit
me rreptësinë e ndyrë të derrave,
deshën të hynin mbreda korpës së gjoksit
zemrën tënde të t`a përbaltin…

Nuk i kursyen shpifjet
se qenke çmendur e lajthitur,
se qenke mbyllur prap
në luksin e tepruar të vetmisë,

e nuk e dinin të marrët
se kjo ishte vetë tragjedia
me një unazë të izoluar të ndjenjave-

ty, shpirti i pastërt
të mbajti gjallë

e prisnin kaherë dashurinë
me një buzëqeshje fëmijërore,

të të qelnin
lulet, trëndafillat
në zemrën e mbushur plot Diell!

MOLLË E KUQE GJAKU

Ju luta mija herë
Krijuesit të Madh-Universit
të më falë një mollë të kuqe gjaku

e Ai, me fuqinë fluturuese
i ra botës rreth e për qark

mbas sa vitesh më dëftoi
se do të gjëja një pemë toske
e mollën e kuqe
do ta kafshoja, në rremb…

Hezitoja të ngul dhëmbët
në mishin e ëmbël të asaj peme
që kot priste nën Diell,

e u mora vesh se dhembja
më dërgoi papriturazi
atje, nën Lisin e Jetës-

të gjitha furtunave u bënte ballë
flakëve të befta të kohëve
e shkatërrimit të shoqërisë…

prandaj, të faleminderoj
o Baba Tomorr,

je Fat i mirë
që botës i del ndihmë
me profecitë-

jemi një, jug e veri
Druidë apo Shqipëri!

E PAPRITURA

1.

Papritur më erdhe
mes përmes dhembjeve të vetmisë

i zhytur isha
në pusin e tkurrjes
e pandarë kulluar heshtjen,

ëndërrimet e ndalura
për të dashurën e ëndërrave
që nuk erdhi
asnjëherë…

Qeshë shndërruar në pulëbardhë
kujtesa më tondiste
me përpëlitjen e krahëve

sytë më përvëloheshin
me shikimin e dhimbshëm

e mbeta mija net
përherë duke pikur
lotët e pikëlllimit…

2.

Qeshë pajtuar
me pafatin e fatin tim
nëpër llugën e ndjenjave

askund nuk e shihja
buzëqeshjen e dhembshme-
portreti i saj i takonte ireales,

prore më faniteshe
dikund në pragun e ëndërrave

e ngrohja vetminë
me këtë ndjenjë të kallur…

3.

Zemra më ndrydhej
në boshllëkun e çasteve
të viteve të zbrasta,

më plaste qenia
nëpër tradhëtitë e prishta
të botës së përdalur…

4.

Papritur më erdhe
nga ishulli i ëndërrave,

befas më shtrëngove
me sharmin e dashurisë,

prej ireales zbrite
në qiellin e këngës,

pikëllueshëm buzëqeshje
me dhembjet e padrejtësisë,

nën qepallat e rënduara
i ndrydhje
paturpësitë e kohëve

e njerërizisht i matje
idealet tona!

SIMBOLIKE

Nuk e di
a jam ëndërr
apo zhgjëndërr-

zgjohesh e bie
pafundësisht
nëpër trupin tim
me zjarrin e ngadalshëm
të ndjenjave,

emri i dytë
Changa Idela-
ideali i lartë i reales

simbolikisht më shtrëngon
me duart magjike
të fjalëve
dhe dashurisë…

Nuk e di a jam
ende gjallë

apo notoj
nëpër një det
zemrash!

KOINÇIDENCA

Nga ëndërrat e llahtarshme
heret u zgjova nga dhembjet e padurueshme,

fëmijët mbyteshin nga rrugica e shpërthyer
e disa i gjeja me lot në sy
kanaleve të mshefta thellësive të tokës…

E kuptoja se ka ardhur një kërcënim
se një shpërthimi i pazakonshën do të bëhej
dikund në qendrën e qenies sonë

se ku ndodhemi, nuk kishte peshë…

U gëzova pamasë kur e zuri befasia
pas mesnatës, kur qemë thellësisht të zgjuar
tragjedinë e dhembshme të shpërthimit,

e vetë, u ula dikur i qetë pranë dheut
të vardisja një letër të veçantë Atdheut

edhe një këngë të gëzueshme e krenare!

Gjakovë, 26.12.2014

PËRTEJ KËNGËS

Dhemjet
na patën lodhur
e kurrë
nuk të kanë munguar
Lindjet…

Menduan
se u zhduke,
përherë nxore
Lisat e Jetës
në pipa të ri-

Liria është gjak
e gjaku rrjedhë
me lumejtë e Dritës
anë e përtej Këngës,

andaj
prej Dheut
nëpër luftëra
e nëpër dallgë
gjallë mbete,

i paepur je
ndër shekuj
ATDHE!…