Poradeci: “Ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur, që të m’a vrasin”

0
472
Lasgush Poradeci me konkën dhe të bijën

TemA, 22 maj 2020

Historia e pazakontë e qenit të Lasgush Poradecit, e treguar nga vetë ai…

Viti 1975. Poeti i madh Lasgush Poradeci, ndodhet në Tiranë për t’u kuruar. Me vete nga Pogradeci ka marrë edhe qenushin e tij të quajtur Cuci, ose ndryshe konkën e tij të dashur.

Por një ditë befas në banesën ku ai qëndronte në Tiranë, mbërrin Sekretari i Parë i Këshillit të Lagjes, i cili bashkë me një polic të armatosur, e urdhërojnë të dorëzojë Cucin.

Kjo pasi kishte dalë një urdhër nga autoritetet veterinare të kohës, për të mos lejuar mbajtjen e qenve, për arsye të higjenës publike.

Këtu fillon edhe kalvari i poetit derë më derë për të shpëtuar Cucin e tij të dashur.

Një histori e pazakontë, po ta mendosh për kohën ku jetojmë, por që Poeti e ka rrëfyer në ditarin e tij.

A e shpëtoi Cucin e tij Lasgush Poradeci? Lexoni historinë e shkëputur nga ditari i tij.

Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975:

Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë).

Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!

Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht.

Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lenë këto 2-3 ditë, sekretari – një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin.

Zbriti polici poshtë e “Cuci-n” m’a mori megjithë rryp dhe me gjith hallkën e rrypit, prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më drekë nga ora 11-12-1.

Pasi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, zbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante (që m’a dha Kostaqi i Frosës në Poradec) dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit, ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cuci-t” dhe qanja me psherëtimë.

Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”. Pasi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, iu luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, iu thashë të vete ne Sekretari i Komit. të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Kom. Ekz. të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën (Cuci-n), por ata nuk m’a pranuan lutjen (nuk pranonte, prapë, Sekretari (Elem Haxhia).

Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot, i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Kom. Ekz. E mora Marien se prej 17 Janarit s’jam ngritur prej shtratit, e mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës i sëmurë siç jam, t’a kem Marien pranë.

Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë Sekretari i Partisë (Manush Myftiu që është antar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashi) nuk priste, Zëv-kryetari (janë 4 zëv-kryetarë) nuk kish pritje.

Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha, të vete në Seksionin e Shëndetësisë, po inspektori i Seksionit nuk kishte pritje sot të Mërkurën, kishte pritje të Martën edhe të Premten prej orës 1-2.

Ika i dëshpëruar jashtëzakonërisht. Ardha në shtëpi. Kostandina më tha të vete ne Arkit. Petraq Kolevica, që Petraqi t’i thotë nesër të Enten, inspektorit të Shëndetsisë, të më pranojë nesër të Enten.

Petraqi, që është nënpunës në Komitetin Ekzekutiv, banon afër shtëpisë s’ime (nja 200-300 hapa larg). Vajta ne Petraqi, me Marien, e ëma e Petraqit më tha se Petraqi është shtruar në spital para 1 jave.

Do vete nesër të Enten ne Ministri i Shëndetsisë, Doktor Llambi Ziçishti, të përpiqem për Cuci-n, t’i japë Ministri urdhër Seksionit të Shëndetsisë, të mos m’a vrasin Cuci-n.

Shpresë s’kam, por, prapë do vete ne Ministri. Kur ardha prej Petraqit në shtëpi, zbrita të shoh vëndin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha duke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë duke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini, ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cuci-t për në kuzinë, ku kam shtratin tim.

Hyra në kuzinë duke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin, që më vinte keq t’a mbaj vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci.

U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnik.

Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur.

Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne Ministri i Shëndetsisë, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetsisë, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektorin. Lasgush.

Tiranë, e Ente 3 Prill 1975:

Megjithë që jam i sëmurë që prej 17 Janarit (kur ardha prej Poradeci), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë, t’i bje pas punës së “Cuci-t”.

Vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku, që në mëngjes gjer në ora 1.30’ pas mesditës mezi takova atje Dritëro Agollin, Kryetar i Lidhjes. Dritëroi, pas lutjes sime, i telefonoi Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashit) që të më pranojë “për 1 çështje”.

“Le të vijë” i tha Kryetari i Kom. Ekz. Lasgushi. Vajta, pas urdhërit të tij, portieri më la të hy. Atje më thanë se puna e “Cucit” (që m’a muarr dje të m’a vrasin) mvaret prej Seksionit të Shëndetsisë (që i ka zyrat brenda në Kom. Ekz.).

Në zyrën e inspektorit të Seksionit më priti me respekt inspektori Shpëtim Gjebréa, kështu m’a tha mbiemrin Dritëro Agolli, emrin s’m’a tha inspektori, më dha cigare, më tha që ay më njeh: “kemi folur” tha “prej 2 vjetësh” etj.

Shpëtim Gjebréa më tha: “do t’ju japim lejë prej Seksionit” dhe doli prej zyrës me mua të vemi në zyrën e veterinerit, që e ka zyrën brenda në Kom. Ekz., “t’ju them” tha “t’ju japin lejë për të mbajtur qenin” (konkën time).

Veterineri s’ishte. “Ecni t’i thoni” më tha “Sekretarit të Lagjes nr 1 të mos e vrasin qenin, se nesër, kur të jetë këtu veterineri, do t’ju japim lejen për mbajtjen e qenit”. Vajta te Sekretari i Lagjes nr 1 (Lelem Haxhia) i thashë ç’më tha Inspektori Gjebréa.

Elemi e mori Inspektorin në telefon, i tha Lelem-it “do t’i japim Lasgushit lejë për qenin, nesër, se sot nuk është veterineri. Unë u shqetësova shumë që s’u mbarua puna (sepse termini i vrasjes së Cucit është vetëm 3 ditë, dje 1 ditë, sot shkoj dita e dytë).

Tiranë, e Premte 4 Prill 1975:

Megjithë që jam i sëmurë, e mora shpirtin t’im nër dhëmbë dhe, nga shqetësimi për Cucin, u ngrita në mëngjes më ora 5, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 e mëngjezit (kur vijnë gjithë nënpunësit në zyrë).

Hymë në Komitet Ekz. në zyrën e Seksionit të Shëndetsisë takova Gjebréa-n, “haj” tha “Lasgush, të vemi këtu në zyrën e doktorit veterinar”.

Doktori s’ishte, prapë, në zyrë. Gjebréa më tha: “I telefonova sot Lelem Haxhisë se do t’i japim lejë Lasgushit për mbajtjen e qenit, po edhe sot s’është këtu doktori veterinar”.

Me qënë që sot është dita e tretë dhe kisha shumë frikë mos m’a vrasin Cucin, e mora, prej Lelemit adresën e Përgjegjësit të qenve, vajta në zyrën e Komunales (e cila jep urdhër për vrasjen e qenve), në Zyrë s’kish asnjeri, pyeta ku e ka shtëpinë private përgjegjësi dhe vajta në shtëpinë private.

Ky përgjegjës, më priti mirë, më tha se qenin s’kam dhënë urdhër të vritet, sepse mora vesh që ky qen është i poetit Lasgush Poradeci. Përgjegjësi më tha: “sapo të m’a sillni Lejën e qenit, do t’ju a lëshoj qenin”. M’u qetësua zemra që s’ma paskan vrarë Cucin e dashur dhe vajta në shtëpi të ha 1 çikë bukë, i lodhur, i këputur nga fuqitë siç isha.

Hëngra pak bukë, dhe u shtriva në shtrat i potresitur. Tashi më mbetet që, nesër të vete prapë në Kom. Ekz. ne Shpëtim Gjebréa a mos m’a japë Lejën (në qoftë se do të jetë veterineri aty në zyrat e Kom. Ekz.).

Tiranë, e Premte 4 Prill 1975:

U ngrita shpejt që në mëngjes (ora 5 para mëngjesit, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 (përpara se të hyjnë nënpunësit) t’i them inspektorit të Shëndetsisë (Shpëtim Gjebréa) t’i thotë veterinerit të Kom. Ekz. të mos m’a vrasin “Cucin”.

I tha po s’desh. I vajta dhe unë veterinerit (në zyrë) po s’pranovi. U dëshëprova shumë, po veterineri ish i pashpirtshëm. Thashë t’i them Kryetarit të Kom. Ekz., Kryetari s’ish. Komiteti ka 4 zëvëndës-kryetarë.

Trokita te njëri, s’isht. Trokita në derë të tjetrit, tha “hyrë”. Ky quheshe Hektor Konomi. J’u luta t’i thotë veterinerit të urdhërojë mospushkatimin e qenit (konkës s’ime). Hektor Konomi pasi më pranoi dhe më dëgjoi me shumë kujdes, u ngrit, vajti vetë në katin poshtë ku është zyra e doktorit veterinar dhe ardhi më tha: “ecni poshtë të merrni Lejen prej veterinerit, që të mos ekzekutojnë konen tuaj”.

Vajta mora Lejën, që atje vajta në Repartin e Komunales së Tiranës, mora prej përgjegjësit të Repartit, njoftimin me shkrim që i bënte përgjegjësi (Ferik Pilkati) mbajtësit të qenve të kapur: “Shokut Riza Gjini ose jevgu. Shoku Riza jepi Profesorit qenin e tij, mbasi ka marrë lejë nga Kom. Ekz. i K. P. Rrethit. 5/4/1975” Në kulmin e gëzimit vajta (1 orë larg) mora “Cucin” prej jevgut.

Cuci sapo më pa -u shkëput jevgut prej krahëve dhe u vërsul drejt meje, si e përkëdhela 2-3 sekonda, i dhashë 1 qofte t’a hajë, Cuci, prej gëzimit, nuk e hante qoften, pastaj, si i dhashë prapë, e hëngri, i dhashë edhe qoften e dytë, s’desh t’a hajë prej gëzimit, që më pa përsëri, pas disa sekondash përkëdheljeje, i dhashë prapë t’a hajë, i dhashë edhe të tretën, të tretën s’e hëngri nga gëzimi, e mora qoften në letër dhe u nisa me “Cucin” për në shtëpi (¾ ore larg). Isha i lodhur, i këputur.

Rrugës për në shtëpi ia dhashë prapë qoften edhe Cuci e hëngri. Maria kur e pa Cucin (sapo ardhi Maria nga shkolla) u gëzua jashtëzakonërisht, e mori në krah duke e përkëdhelur.

(Botuar në Dita, me lejen e familjarëve të poetit)