Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar
Majko, i lëkundur për postin e ministrit pa portofol. Emblema e socialistëve nuk mund të përdoret si fasadë: Po e mendoj, ta pranoj ose jo
Rikthimi i Pandeli Majkos në mandatin e dytë qeverisës të PS në kabinetin qeveritar, ka provokuar mjaft debate. Ish kryeministri dhe ish ministri i Mbrojtjes, në të gjitha qeveritë socialiste ka mbajtur gjithnjë një profil të lartë politik. Dhe prezantimi dje nga kryeministri Edi Rama si ministër Shteti për Diasporën, apo siç quhet rëndom “ministër pa portofol”, duket se nuk e ka gëzuar shumë Majkon.
Mësohet se jashtë kamerave edhe dje pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe prezantimit të tij si ministër Shteti, por dhe në ambientet private me miqtë është shprehur i lëkundur në ndërmarrjen e një vendimi të tillë. Madje është shumë në dilemë ta pranojë ose jo postin e ofruar nga kryeministri Edi Rama, post që ka të bëjë me diasporën, emigrantët dhe hapësirën mbarëshqiptare.
Mësohet se Majko është shprehur në rrethe të ngushta miqsh se: “po e mendoj, ta pranoj ose jo postin e ministrit të Shtetit”. Majko e shfaqi pakënaqësinë, në mënyrë indirekte madje dhe në media, teksa është pyetur në lidhje me postin e ri të propozuar nga Rama. “Jam duke folur në tel…oo i lumtur shumë (qesh) më lini të vazhdoj. Do flasim herë tjetër” është shprehur jo pa ironi Pandeli Majko për mediat, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.
Pandeli Majko ka qënë kryeministër në momentet më të vështira të vendit, në vitin 1998-1999 ku përballoi situatën e krizës së refugjatëve gjatë luftës në Kosovë dhe në vitin 2002 për pak muaj, për të marrë më pas postin e Ministrit të Mbrojtjes. Ndërkohë që në PS ka pasur gjithnjë një peshë specifike. Ndërkohë që tashmë i është propozuar një ministri Shteti(pa portofol) me vetëm 6 vartës të drejtëpërdrejtë. Me sa duket është pak për Majkon, që ka lëkundur dëshirën e tij për të drejtuar këtë ministri.