POEZIA SI DRITË JETE DHE SHPRESE…

0
482
Merita Thartori Kuçi - Vdes të bëhem dritë

Nga Isak A H M E T I

(Merita Thartori Kuçi: Vdes të bëhem dritë, redaktor: Berat Batiu, recensent: Kadri Tarelli, Ballina dhe ilustrimet Bora Kuçi, Prizren, 2020).

1. Poetja durrsake, Merita Thartori Kuçi, shumë miqësore dhe e ngrohtë në komunikim, kohë më parë ka botuar librin e saj poetik të radhës me titull:

VDES TË BËHEM DRITË
SHB “FIDANI”, Prizren, 2020, titull ky udhërrëfyes për të shijuar bukurinë e vargjeve që janë përfshirë në libër.

Librit në fjalë i paraprin eseu i shkëlqyeshëm: Ç’është poezia? ku autorja, ndër të tjera, shkruan:

Unë përshëndes Njeriun, madhështinë e tij krijuese, për ta bërë botën më të mirë: Duajini pra poetët, lërini të ekzistojnë, sepse rrinë pranë perëndive. Gjërat që kulmojnë mes vargjeve janë pjesë dielli e qielli, janë dritë jete dhe shprese. E nëse vdes, prapë mbetet dritë“…

2. Pak biografi

Merita Thartori – Kuçi lindur dhe rritur në Durrës. Ka filluar të merret që heret me publicistikë, ese, poezi. Ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe pranë Universitetit të Tiranës.

Ka një përvojë të gjatë në arsim, aktualisht drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës. Pos tjerash ka kryer Master Shkencor për Menaxhim në Arsim si dhe ka përfunduar kursin për drejtor shkolle.

Është pjesëmarrëse në projekte dhe tubime poetike duke qenë laureate dhe fituese në fushën e poezisë.

Është bartëse e mirënjohjeve nga QKF Durrës, mirënjohjeve nga Dr. Arsimore Durrës, Ambasadore e Paqes nga Federata Paqes, etj.

Deri më tash ajo ka botuar këto vepra poetike:
1. Vargje të brishta – poezi, 1989,
2. Sht(r)ati i dytë – poezi, 2003,
3. Pothuaj se Vetja – poezi, 2007,
4. Dielli i vonë – poezi, 2010, dhe
5. Vdes të bëhem dritë – poezi, 2020.

3. VDES TË BËHEM DRITË

Libri: Vdes të bëhem dritë, është titulluar sipas poezisë me të njëjtin titull(fq.39), të cilën këtu po e japim në tërësi për ta shijuar sa më mirë bukurinë e saj poetike-artistike:

Vetëm një çast të qenies sime
Mendova se isha ajo Margarita e bardhë,
E dashurisë së parë, pak flutur,
Pak shegë e vjeshtës së parë.

U skuqën kokërrzat e tulta,
Lule delet çliruan fletët plot dëlirësi,
U dhashë e tëra në besimin e flatrave,
Kryqëzuar në shpresën e mirësisë.

E u struka në fuqinë e hireve fëmijërore,
Në dy fjalët që përgjigjen kurrë s’ua dimë,
Dhe pse lumturisht besimi na mban zgjuar,
Më do – s’më do, ndërsa petalet shprish.

Vetëm një çast të armëpushimit tim,
Iu binda buzëve në hipokrizi,
Çmimi i luledeleve është i vyer,
Ndërsa botës vdes t’i bëhëm dritë“.

(Vdes të bëhem dritë, fq. 39).

Poezitë e librit në fjalë që janë përfshirë në katër pjesë (I-II-III-IV), janë meditime poetike të karakterit filozofik (Shpendi Topallaj), që autorja ka zgjedhur të na japë kryesisht nëpërmjet kuvendimit me natyrën. Prandaj, jo rastësisht, është vlerësuar se poetja Merita Thartori Kuçi ka pikturuar natyrën me penë (Sh. Topallaj). Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se këtë libër, që lexohet me një frymë, e stolisin, për mrekulli, pikturat e bukura të Borës, bijes së poetes, ku lexuesi i vëmendshëm dhe i përkushtuar gjen një vendpushim shumë të bukur e të këndshëm për t’u çlodhur dhe për të medituar qetësisht për detin, për dashurinë, për jetën… aty ka kundërshti fjale dhe mendimi filozofik :vdekje dhe dritë në përjetësi, një ëndërr dhe dëshirë pakufi. Dy të kundërta që mohojnë njëra-tjetrën si pjesë e dialektikës së natyrës dhe njeriut (Kadri Tarelli).

Tek libri në fjalë janë përfshirë poezi tematikash të ndryshme. Mirëpo, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, tematikat më të preferuara të poetes, veç tjerava, janë: DETI dhe DASHURIA, dashuria si temë universale, dashuria, por, që sipas bindjes së saj, jeton përjetësisht në trupin dhe shpirtin e çdo njeriu, për më tepër ajo hijeshon dhe zbukuron jetën deri në frymën e fundit. Me tematikë dashurie, ndër të tjera, shquhen poezitë si: Qytet dashurishë, Muzg, etj. Poezia: Qytet dashurishë, është perlë poetike, të cilën, për ta shijuar bukurinë e saj, po e sjellim këtu tërë tekstin:

Qyteti im,
Nën pemët Mandola sonte,
Boçat e të cilave në zemër u rrinë,
Dikur blirët bënin hije,
Tek u përcillnin të vonëve dashuri.

Hëna e re sonte rri ngultas,
U zgjua për muajin fildish,
Atje vetmuar mes meje dhe qiellit,
Monolog që falë dashuri.

Errësira, Mandolat, qielli dhe hëna,
Të tëra nën një çati,
Me mua sigurisht zbrazen sonte zemrat,
Diku lëvizje, diku dhimbje, veç shumë,
Po shumë dashuri.

(Qytet dashurishë, fq. 12).

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se poezinë e Merita Th. Kuçit në përgjithësi e karakterizon emocioni, e vërteta, sinqeriteti, guximi, vendosmëria për t’u ballafaquar me sfidat e jetës, lufta e ndjenjave që s’ka fund por që vazhdon:

të ec detit, rërës rrëzoj, ndjek hapat
Ujis, mbjell lule, muzikë dëgjoj…

Temë e preferuar e poetes është deti, deti si pjesë e Durrësit por edhe e shpirtit të saj durrsak. Shquhen poezitë:
1. Me detin (fq. 23),
2. Lirikë për detin (fq. 24), etj.

Përballë dritës deti është një diamant,
Dhe unë përballë detit, një zanë,
Zana përkund djepe foshnjash,
Unë mbledh valë për fat të bardhë
“…

Bukuroshen e Durrësit qëndis“.
(Me detin, fq. 23).

Deti, edhe sipas vargjeve të poetes, është një bukuri e magjishme.
Krejt në fund të këtij shkrimi le të theksojmë se poezia e librit në fjalë është mjaft cilësore, me vlera shumështresore, me figura të përzgjedhura poetike-letrare, që tingëllojnë mjaft bukur dhe si të tilla mbesin gjatë jo vetëm në kujtesën e lexuesit të përkushtuar.

Ndërsa botës vdes t’i bëhem dritë

varg emblemë i poetës Merita Thartori Kuçit, të cilës i urojmë shëndet dhe suksese të reja në krijimtarinë letrare-poetike!