(don Robert Kola)
Palca e poezisë
Në përkujtimin e 750 vjetorit të lindjes së poetit Dante Aligierit, Kisha e përkujton përmes Letrës apostolike të Papës Françeskut e titulluar: Candor lucis aeternae.
Është bërë traditë, qysh nga Papa Benedikti XV, që Kisha, në nderë të kujtimit të përvjetorëve të veçantë të jetës së poetit, t’i kushtojë vëmendjen përmes letrave, përmes të cilave ndriçohen aspekte të jetës dhe të veprës së poetit.
Po përmend letrën e Pali VI, të shkruar me rastin e 700 vjetorit të lindjes se poetit, e cila mban titullin domethënës: Altissimi cantus. Në Letër poezia e Dantes cilësohet si “tempull i urtisë dhe i dashurisë.” Në letër ndër të tjera thuhet se në poezinë e Dantes: “e bukura bëhet ndihmëtarja e mirësisë dhe e vërtetës, dhe mirësia shquan lëndën e bukurisë.”
Nga Letra e Papës Françeskut po shkëpus vetëm një pjesë të shkurtër, i cili shërben edhe si prelud që përmbledh gjithë madhështinë e simfonisë poetike të “Komedisë Hyjnore.”[1]
Duke shquar ngjarjen e Mishërimit të Fjalës së amshuar, në Letër thuhet: “Shkëlqimi i Dritës së amshuar, Fjala e Hyjit mori mishin prej Virgjërës Mari, kur ajo i përgjegji shpalljes së engjëllit: ‘që ku jam’ (khr Lk 1, 13)”.
Misteri i Mishërimit është palca e poezisë që endët nga poeti fund e krye në “Komedinë Hyjnore.” Në këngën e fundit të “Parajsës”, ngjarja e Mishërimit kujtohet përmes fjalëve të Shën Bernardit, në vargjet e njohura që i drejtohen Marisë:
“Në barkun tënd dashnija u ndez përsëri,
që ngrohu aq, sa n’paqën e amshueshme
ka mbijë kështu kjo lule bukuri.”
(Parajsa, Kënga XXXIII, 7-9).
Vepra “Komedia Hyjnore” mbahet si shprehja më e lartë poetike e krijuar ndonjëherë nga gjeniu njerëzor. Ajo gjen shprehjen e kulmit të saj në Misterin e Mishërimit të Fjalës së amshuar në kraharorin e Virgjërës Mari. Në shkëmbimin e Mishërimit në mes Fjalës së amshuar dhe natyrës njerëzore, merr dritë edhe kuptimi i ri i poezisë.
Ajo lartësohet në këngë të fejesës në mes Fjalës së amshuar dhe mishit.[2] Poezia si një syth femëror e çel dashurinë në mishin e njeriut. Pra, bëhet shtegu i përkryerjes së dashurisë në mishin e njeriut.
Thënë përmbledhtas, poezia e “Komedisë Hyjnore”, lulëzoi dhe shpërtheu nga trualli biblik. Nga trualli, ku njeriu i thuri poezinë e parë gruas, duke brohoritur: “Kjo është ashti i eshtrave të mi mishi i mishit tim.” (Zan 2, 23). Takimi në mes burrit dhe gruas nxiti lindjen e poezisë e të bashkimit më të mahnitshme me tjetrin, sa që u pëlqye edhe nga vetë Hyji, duke e bërë: ” Protomister të bashkimit për çdo njeri edhe për të Njëlindurin Birin e vet.”[3]
Nga trualli biblik doli edhe Kënga e këngëve, kënga e përmallimit më të mallëngjyer për fytyrën e tjetrit, kënga e besnikërisë ndaj dashurisë, e cila është më e fortë se vdekja. Nga trualli biblik dolën Psalmet: “poezia e Shpirtit Shenjt”.
Nga trualli biblik vjen edhe kremtimi i Eukaristisë: “Ky është Korpi im”. Përmes saj tejfigurohet mbarë krijesa në shkëlqimin e lavdisë dhe bëhet poezi e lavdit dhe e dashurisë e cila e lartëson mishin, si një hoste të shuguruar deri në shkëlqimin e lavdisë së Hyjit. Nga trualli biblik, paraqitet edhe eksodi i pambaruar në Lavdinë e Hyjit dhe këndohet dhe lartësohet kënga e re: Canticum novum. (krah Zb 14, 3)
Poezia e Dantes “Komedia Hyjnorë,” është vështrim i misterit që kremtohet në vatrën e Fjalës së Hyjit.
Po sjell vetëm një nga pamjet që haset në Këngën XIV të “Parajsës”, ku poeti i këndon aq mrekullisht ngjalljes së mishit:
“Kur mish’n e shenjtë e të lumnueshëm fill
na do ta veshim, vehjta jonë q’atë ditë
do të jetë me e evarishme me te lidhë;
se ka mu u shtue e mrekullueshmja dritë,
që e mira e lartë na fal pa farë shpërblimi
e që na ban të aftë për ta soditë;
dhe rritet domosdo kështu vegimi,
rritet afshi që ndizet nëpër kët,
rritet rrezja nga ai që asht burimi.
Porsi qymyr, që flakë përjashta qet
drita e tij dhe flakës ia kalon,
sa edhe nën te e ruen pamjen e vet,
kështu kësaj vetime, që e rrethon;
mishi për kah ndriçimi do t’ia shkojë,
ai mish që n’fund të varrit sot pushon.”
(Parajsa, Kënga XIV, 43-55)
Poezia e Dantes nuk është thjesht përfytyrim i një “gjendje” që kërkon të shuajë përmallimin përmes fjalës, por është fejesë e vulosur e përmallimit të mishit me dashurin e Fjalës së amshuar; është kënga e shpresës së ngjalljes së mishit; është shfaqja me drithëruese e kërkimit të kësaj përmbushje.
Fytyra e shfaqur: përmbushja e vizionit
“Komedia Hyjnore” shquhet për thellësinë e frymëzimit dhe për përmbushjen e vizionit. Vizioni është trajta që e shquan poezinë e Dantes; është pragu që duhet kapërcyer për të hyrë në brendësinë dhe thellësinë e veprës.[4] Asnjë vepër poetike e krijuar ndonjëherë nuk është e përshkuar nga vizioni, sikur “Komedia Hyjnore.”[5]
Poeti pandërprerë i kthehet fjalës: “Unë pashë”. Ky vizion është i paraprirë nga vizioni i Apokalipsës, që është i ngjeshur me fjalën e Shën Gjonit Ungjilltar: “Pashë”.
“Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re (…)
Pashë edhe qytetin e shenjtë Jerusalemin e ri:
zbriste nga qielli prej Hyjit
(…) Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit
i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm (…)
Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë
për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit,
kurse llamba e tij është Qengji.” (Zb 21, 1 26)
Po t’i kthehemi vizionit të Dantes në veprën e tij poetike, ku po përmendi vetëm disa prej vargjeve, qoftë nga këngët e Ferrit, po ashtu edhe nga këngët e Purgatorit.
Në to shquhet pamja e vizionit. Do të sjell dhe vargje nga kënga e Parajsës, ku vizioni vuloset përfundimisht me shfaqjen e fytyrës.
Në honin e skëterrës së “Ferrit” depërton drita e vizionit:
“E synin e pushuem rrotull e solla,
ngritun në kambë, e ngultë hodha shikimin
me pa se në çfarë vendi unë u ndodha.”
(Ferri, Kënga IV, 4)
Në këngët e “Purgatorit” vizioni shfaqet si një dritë prej zafiri:
“Zafiri i lindjes me të ambla ngjyra,
që grumbullohej n’ajrin plotë dritë,
der në rreth të parë tue ndritë kështu natyra,
prap sytë e mij i ledhatoj papritë,
porsa unë u shkëputa prej errësirë,
që sy e krahrorë m’i kish goditë.”
(Purgatori, Kënga I, 13-16)
Vetëm në këngët e Parajsës “Komedia Hyjnore” vuloset me vizionin përfundimtar; me vizionin e fytyrës së shfaqur në Dritën e Lavdisë së Trinisë, që vulos vizionin dhe poezinë e kësaj vepre. Vulosje e madhërishme si vetë madhëria e lavdisë që shkëlqen përmes fytyrës njerëzore të Jezu Krishtit, në Lavdinë e Trinisë.
Në Dritën e padepërtueshme të Trinisë është e pikëzuar pamja njerëzore përmes fytyrës së Jezu Krishtit. Fytyra e shfaqur është kulmi dhe përmbushja përfundimtare e vizionit.
“O dritë e amshueshme, që n’vhte qëndron,
vehten kupton, nga vehtja e kuptueme
dhe, tue kuptue, vehten gëzon e don!
N’atë rreth, i cili si dritë e feksueme
dukej se ishte i lindun nëpërmjet
teje, si i dhashë përqark një të kundrueme,
përmbrenda tij, e po me ngjyrë të vet,
m’u duk pikzue vetë pamja njerzore;
ndaj syni im tue e soditun mbet.”
(Parajsa, Kënga XXXIII, 124-130).
Buzëqeshja e përjetshme
Shtegtimi i Dantes është shtegtim i takimit me Beatriçen, takim që përmbushet me buzëqeshjen e pambaruar. Buzëqeshja e përjetëson veprën e Dantes. Vepra poetike ka prekur majat e saj. Le të dëgjojmë si këndon poeti, këngën më të mrekullueshmen që ndeshet në “Komedinë Hyjnore”:
“O i Shpirtit t’Shenjtë ti shkëndijim hyjnor
edhe i vërtetë! Si more flakë t’papritun
sa gati m’i verbove sytë e gjorë!
Por Beatriçja ma e hieshme e e ndritun
m’u çfaq at’herë, t’atillë vegim të ri
kujtesa kurrë nuk mundët me e përseritun.
Prej saj dy sytë e mi morën fuqi
të ngrihen; dhe e pashë veten se isha çue
me zonjën në më t’lartën lumtuni
Mirë u kujtova se unë qeshë naltue
nga buzëqeshja e yllit të shkëlqyeshëm,
që rrinte si mos kurrë tue kuqëlue.”
(Parajsa, Kënga XIV, 76-85)
Buzëqeshja është shkëndijë e Shpirtit Shenjt. Ai na bën të kuqëlohemi si vetë Zjarri i Tij, përmes të cilit lartësohemi në lavditë e pambarueme të Hyjit.
“Po ajo, që shihte shpirtin tim të tanë,
filloi me buzëqeshje aq gëzueshëm,
thue n’atë fytyrë vetë Zoti po shkelqan.”
(Parajsa, Kënga XXVII, 103)
Fytyra e çel, përmes buzëqeshjes, shkëlqimin e Hyjit. Ajo përshkohet nga Lavdia e Tij dhe rrezaton rrezet e dashurisë. Poezia, si shtegu i përkryerjes së dashurisë në mishin e njeriut, përsoset.
Në vend të mbylljes
Poezia e Dantes, shfaq përsosjen e dashurisë. Gjykimi i fundit, shfaqet si përforcim që përkryen dashurinë:
“Kurrënjëherë as krijesë dhe as Krijues,
o bir, – me tha, – nuk që pa dashuni
natyre o shpirti: këtu vet je msues.”
(Purgatori, Kënga XVII, 91).
Shkrimtari I. Kadare, i kushtoi “Komedisë Hyjnore” një shkrim që mban një titull domethënës: Dantja i pashmangshëm. Ndër të tjera, ai thotë: “Dantes nuk mund t’i iket, ashtu siç nuk i iket dot ndërgjegjes. Asnjë vepër tjetër letrare nuk e ka ndërgjegjen njerëzore, më saktë, krusmën e saj, në qendër të vet.”[6]
Lartësimi i ndërgjegjes mbahet përmes dashurisë ndaj tjetrit. “Poezia qëndron në krijimin e njëmendësisë së cilës i këndon. Ajo nuk ‘thotë’ thjesht një gjë, por vë në lëvizje dhe njëmendëson atë që thotë. Filozofia dhe teologjia vijnë më pas.”[7]
Vargjet e fundit të “Komedisë Hyjnorë” i këndojnë pikërisht Dashurisë që lëvizë kozmosin dhe njëmendëson krijesën:
“Së lartës fantazi iu pre fuqija;
dëshirën, tash, vullnetin tim vazhdueshëm,
sillte, si rrotë nën shtytje t’njajtë, Dashnija,
që lëviz diell e yj të vezullueshëm.”
( Parajsa, Kënga XXXIII, 145 ).
[1] DANTE ALIGIERI, Komedia Hyjnore, përktheu Pashko Gjeçi; Rilindja, Prishtinë 1981. Citimet e vargjeve ndjekin këtë botim dhe ato janë të vëna në kllapa.
[2] Shih M. ZAMBRANO, Filosofia e poesia, Edizioni Pendragon, Bologna, 2010. Sa faqe të ndritura hasim në këtë vepër të veçantë rreth poezisë, mistikës, etikës dhe metafizikës, që më një shkathtësi të gjeniut femërore, nxjerr në dritë filozofja e mirënjohur spanjolle. Ndër të tjera, rreth poezisë, thotë: „Poezia në të gjitha kohërat, shquan rrojtjen sipas mishit.“ (f. 67)
[3] T. FEDERICI, Resucitò Cristo, Commento alle Letture bibliche della Divina Liturgia bizantina, Eparchia di Piana degli Albanesi, Palermo 1996, f. 1777.
[4] Shih R. GUARDINI, Studi su Dante, Morcelliana, Brescia 1986, f. 133 – 164.
[5] A. N. WILDER, Grace Confuinnding. Poems, Fortress Press, Philadelfia 1972. Autori nxjerr qëndrimin e njohur të veprës së artit e cila paraprihet nga vizioni. Rreth saj, thotë: “Para porosisë, prinë vizioni/. Para bisedës, himni/. Para prozës, poezia.” (Before the message, there must be the vision/ Before the sermon the hymn/ Before the prose the poem). Cituar sipas Concilium, Rivista internazionale di teologia, Anno LIII, 5 (2017) Editrice Queriniana, Brescia, f. 12.
[6] I. KADARE, Dantja i pashmangshëm, në „Komedia Hyjnore“, Parathënia, përkthej Pashko Gjeçi, Onufri, Tiranë 2021, f. VII. Është e habitshme që autori në këtë shkrim merr në shqyrtim edhe pyetjen që Eugenio Montale i bënte vetës dhe të tjerëve: „Ç’ kuptim ka për poetët e sotëm vepra e Dantes?“ Mirëpo, shmang pa e përmendur në asnjë vend A. Pipën, i cili aq thellë e shqyrtoj veprën e Montales. Në vitin 1968 ai botoi edhe studimin e njohur rreth Montales dhe Dantes. Shih A. PIPA, Montale dhe Dante, Princi, Tiranë 2007.
[7] B. RIGAUX, Dio l’ha risuscitato, Edizioni Paoline, Milano 1976, f. 231.
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar