POEZIA E POETIT RAMË SMAJLAJ

0
1018

Shkruan Zymer Mehani

Sapo të kontaktojmë me poezinë e poetit Ramë Smajlaj, ajo na imponohet me ide, ngase ofron mesazhe aktuale. Mendimin tonë e bazojmë në faktin se poezia e këtij autori është nëfarë ditari artistik, në të cilin sublimohet fryma e situatave ekzistenciale. Thënë ndryshe, poezia e Ramë Smajlajt krahas vlerës estetike, është e pasur edhe me vlerën etike, sepse lexuesit i ofron përmbajtje estetike dhe refleksionin etik. Ndodh kështu, sepse vargu i Smajlajt është zëri i ndërgjegjes së tij si krijues, që arrin të identifikohet me kolektivitetin kombëtar, pjesëtar i të cilit është, me fatin dhe fatkeqësinë e popullit të vet gjatë kohërave.

Poezia e poetit Ramë Smajlaj te lexuesit bart një vizion të autorit që është poetik, ku shkrihet historia, miti, legjenda, çastet e aktualitetit, gjendja shoqërore e njerëzve tanë, brenda në atdhe, por edhe në mërgatë, jeta e tyre, sukseset e andrallat, malli për vendlindjen dhe për të afërmit eti, etj., që janë motive në poezitë e autorit.

Pikërisht në poezitë e autorit Ramë Smajlaj ravijëzohet përjetimi i thellë i jetës në kurbet dhe i proceseve jetësore, aktualiteti dhe pasqyrimi i tij në moralin e njeriut. Të gjitha këto elemente vërtetojnë përkimin mes realitetit jetësor dhe atij fiktiv poetik, ekuivalencë kjo që realizohe jo përmes përshkrimit dhe pasqyrimit të realitetit, por përmes hetimit dhe fiksimit të marrëdhënieve të thella mes gjërave e fenomeneve, raporteve mes njerëzve me natyrën dhe shoqërinë.

Në poezinë e autorit Ramë Smajlaj percepcioni artistik është tipari thelbësor, që i fal pavarësi mesazhit dhe vizionit poetik, ngase kur lexon vargjet e këtij poeti, gjithsesi do të hetosh se ai merret me të vërteta elementare jo vetëm të jetës së njeriut si individ, por ato i takojnë një rrethi të gjerë shoqëror a një kolektiviteti nacional, vetë shqiptarëve, qofshin brenda në atdhe, apo në mërgim.

Poezia e Ramë Smajlajt është edhe ritmike, edhe narrative, por gjithnjë e drejtpërdrejtë, e pasur me figuracion poetik ,dh duke qenë e tillë, ka fuqishmëri të madhe kuptimore, ngase idetë që transmeton, janë ato që lidhen me ekzistencën dhe me vetë jetën.

Poezitë e poetit Ramë Smajlaj janë motivesh të ndryshme, si atdhetare, sociale, refleksive, dashurore, peisazhiste, përshkruese etj., pra, janë tejet të pasura për nga motivacioni dhe temat që shtjellojnë. Autori me vargjet e veta përherë depërton në esencën e gjërave, prandaj edhe për këtë arsye gjithmonë janë poetike, ngase, veç tjerash, në shumë poezi poeti trajton edhe probleme të përditshmërisë.

Poezia e poetit Ramë Smajlaj është rezultat i impulseve dhe i reagimeve intelektuale, por vargjet e tij janë edhe reagim e realizim artistik që buron nga ndërgjegja estetike dhe etike e autorit. Pra, kjo poezi është poezi e mesazhit, e cila na ofron atë që është thënë dhe duhet të thuhet nga poeti për kohën e vet, e kjo është e vërteta a realiteti.

Me gjuhën e kultivuar, metrin e vargut, larushinë e rimave dhe me motive e tema të ndryshme, poezia e poetit Ramë Smajlaj ruan vlera të mirëfillta letraro-artistike, duke tingëlluar autentikisht me nuanca të aktualitetit.

BIOGRAFIA E AUTORIT
Ramë Smajlaj u lind në fshatin Ramajë të komunës së Prizrenit, më 15 maj 1957. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen (gjimnazin) në Zym të Prizrenit. Tradita familjare, patriotike, kulturore e letrare e ka nxitur që të kultivojë artin e të shkruarit gazetaresk dhe letrar. Filloi të shkruajë që kur ishte nxënës i gjimnazit, ku frymëzimin e tij për fjalën e bukur artistike e gjeti në përditshmërinë e Kosovës, por për fat të keq sumë poezi dhe krijime tjera i kanë humbur gjatë luftës së fundit që u zhvillua në Kosovë, të cilat kanë qenë të publikuara në faqet e gazetave, që asokohe botoheshin te ne, si “Rilindja”, Kosovarja”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Shkëndija” etj.

Ramë Smajlaj ka mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1988. Për shkaqe ideo-politike nuk qe punësuar si kuadër i përgatitur-jurist i diplomuar, prandaj, si shumë të tjerë, edhe ky mërgoi në Gjermani, më 1993, ku jeton e vepron edhe sot.
Ramë Smajlaj është bashkëpunëtor i gazetave që botohen në Perëndim dhe aktiviteti i tij, kryesisht është i orientuar në pasqyrimin e jetës dhe të veprimtarive kulturore të mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani.

Lexuesi ynë poetin Ramë Smajlaj e njeh me këto vepra letrare:
“Të pres në gjeth loti”, Pejë, 2014;
“Pikturoj mërgimin”, Pejë, 2014,
“Në gjeth shkruaj ëndrrën”.
Vëllimi me poezi “Ujëvarë e kthjellët” është i katërti me radhë nga ky autor.
Poeti Ramë Smajlaj jeton dhe vepron në Gjermani.