Poezia e poetit Hajrush Redenica-Kika

0
643
Hajrush Redenica - Kika

Zymer Mehani

(Pak fjalë për librin “Pula në hotel”)

I.
Tanimë, emri i poetit Hajrush Redenica-Kika është i njohur kryesisht për lexuesit tanë të vegjël. Veprat e këtij poeti rrezatojnë vlera të rëndësishme edukative, arsimore, imagjinative, estetike e stilistike.

Poeti Redenica po dëshmohet i suksesshëm në fushën e trajtimit të botës komplekse të fëmijëve, të cilën ka arritur ta paraqesë në krijimet letrare që shquhen me vërtetësi të artit të përsosur.

Hajrush Redenica-Kika me vëllimin poetik “Pula në hotel” edhe njëherë po dëshmon se ka prirje dhe zotësi për trajtimin e temave e të motiveve të rëndësishme për fëmijët dhe për botën e tyre.

Vetë subjekti i poezive të kësaj përmbledhjeje flet për ngritjen e tij të sigurt prej artisti dhe për përkushtimin e kujdesin e treguar për konceptimin maksimal të mendimeve e të ngjarjeve dhe kapjen e aspekteve të veçanta të jetës, që janë karakteristike në të menduarit dhe imagjinatën e fëmijëve. Pikërisht kjo mënyrë e trajtimit të reales të gërshetuar kaq bukur edhe me fanatastiken, poezive të z. Redenica ua shton edhe më shumë vlerën, gjë që dëshmon vendosshmërinë dhe seriozitetin e vazhdueshëm të autorit për t`u falë fëmijëve krijime artistike me përmbajtje të rëndësishme ideo-eduaktive.

Poezitë e poetit Hajrush Redenica-Kika i përshkon një laryshi motivesh dhe tematikash. Motivet e trajtuara në poezitë e tij janë jeta në fshat, marrëdhëniet në familje, bota shtazore, jeta në kurbet, natyra e vendlindjes etj.

Gjuha e poetit Redenica në këtë vëllim është e kulluar, e thjeshtë dhe e kuptueshme për moshat fëmijërore. Edhe fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.

II.
T’jua rikujtojmë, të dashur fëmijë se poeti Redenica u lind më 15 shkurt 1961 në Kikën legjendare, aty ku më 26 korrik 1944 u mbrojt Shqipëria Natyrale.

Xha Hajrushi u rrit në një familje të varfër, por bujare. Shkollën fillore e kreu në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht. Pas mbarimit të shkollës fillore u regjistrua në SHM “9 Maji” në Kamenicë në Gjimnaz degë e ndarë e Hogoshtit. Pas dy vitesh të gjimnazit u regjistrua dy vite të tjera në Shkollën Profesionale dega e makinerisë. Pas diplomimit në Hogosht, shkoi në Mitrovicë në Shkollën e Lartë, dega e Makinerisë, por nuk arriti ta përfundojë. Pasi e kreu shërbimin ushtarak në Rijekë të Kroacisë, më 6 mars 1986 u punësua në “Energoinvest” të Sarajevës, dega në Prishtinë. Punoi edhe si tregtar libërshitës. Me shkrime filloi të merret që nga viti 1999.

Poeti Hajrush Redenica ka botuar këta libra:

“KIKA” (pjesa e parë, e dytë dhe e tretë). Ky libër shtjellon historikun e Kikës, pra të vendlindjes së tij.
Vëllimet poetike:
“Brengë e mall”, Prishtinë, 2017;
“Pluhuri i zemrës”, Prishtinë, 2017,
“Bukuri në atdheun tim”, Prishtinë, 2017;
“Urat e vendlindjes”, Prishtinë, 2018.
“Flakë lirie”, Prishtinë 2019
“Gurrat e vendit tim”, Prishtinë 2019.
“Rrugët e jetës”, 2019.
Ky autor ka në dorëshkrim dhe shumë libra të tjerë si me poezi ashtu dhe historikë.

Zymer Mehani, Bellopojë e Llapit, më 12 qershor 2020