Zymer Mehani
(Përsiatje rreth vëllimit “Ëndrra, shi dhe lule”, Prishtinë, 2020)
Poeti llapjan, Fadil Halimi i takon brezit të poetëve të viteve ’90, kur edhe publikonte poezitë e veta në të përditshmet dhe periodikun e kohës, sidomos në revistën letrare “Jeta e re”. Ky autor, më 1992 pat botuar përmbledhjen e tij të parë me poezi, “Proces në kafkë” nga NGBG “Rilindja”. Këtyre ditëve (korrik 2020) poeti Halimi para lexuesve po paraqitet me librin e tij të dytë me poezi, “Ëndrra, shi dhe lule”.
Në opusin poetik të Fadil Halimit hetohen përpjekjet serioze në të kërkuarit e mjeteve artistike që ai ka përdorur, sidomos të gjuhës dhe një fuqizim i mendimit poetik. Poezitë e tij karakterizohen me thellësinë e mendimeve dhe me freskinë e shprehjeve poetike, bashkë me kërkimet simbolike dhe me hovin metaforik që e mbajnë pezull vëmendjen tonë saherë i lexojmë. Ky krijues fjalët i thotë me zemër, ngase i burojnë nga zemra, prandaj edhe i thotë për zemra.
Temë qëndrore e poezisë së poetit Fadil Halimi është dashuria në kuptim të gjerë, e cila herë është e trishtë, herë e qetë e herë-herë përplot shqetësime e mallëngjime. Binomi familje-atdhe është strumbullari tematiko-motivor i këtij autori, i cili po dëshmohet me individualitetin e formuar poetik duke nxjerrë në pah një shkallëzim kualitativ të problematikës së krijimeve poetike dhe të fondit të mjeteve shprehëse të tij. Piliedriciteti tematiko-motivor që haset në poezitë e Halimit tregon se ai është gjithnjë i angazhuar në kontemplacionet teiriko-letrare duke e liruar ndërtimin e vargjeve nga trajtat klasike dhe duke i tejkaluar ato me risi dhe origjinalitet vargndërtues.
Si i tillë, poeti Fadil Halimi tashmë po identifikohet si këngëtues i një dashurie (gjithfare) ëndrrimtare, të trishtë (poezitë e shkruara para dhe gjatë luftës) e me shqetësime (poezitë që i shkruan sot). Ky autor po shtegton krejt sigurt drejt shtigjeve të horizontit poetik elitar.