Shefqet DIBRANI
Ajete U. Pavataj, “DALLGË HYJNORE“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BOTIMET BARLETI”, Tiranë 2015. faqe 160. ISBN 992842578-7
Viteve të fundit, letërsia shqipe që krijohet në Kosovë është pasuruar me emra që kanë fuqizuar rolin e gruas në letërsinë shqipe. Në këtë renditje hyn edhe Ajete U. Pavataj, e cila viteve të fundit është mjaftë aktive. Kjo krijuese ka qenë e njohur shumë më herët, por botimi i poezisë në libër e kompleton më mirë personalitetin e saj krijues.
Përmbledhja poetike “DALLGË HYJNORE”, përfshinë poezitë të cilat janë lexuar nëpër manifestime, janë botuar në shtypin dhe aty këtu edhe në librat e përpiluar me grup autorësh.
Përmbledhja poetike “DALLGË HYJNORE” e Ajete U. Pavatajt, tregon se ajo poezinë që manifestohet si nevojë për të komunikuar me një rreth më të gjerë, ose tendencë artistike që është “përflakur në kujtimin e saj”, sikurse “Fija e mallit të molisur zhveshur/ në shpirtin e vyshkur/ të jetës së gozhduar/ në pemën e mëkatit”, për të cilin fat a mëkat ajo ka përvuajtur shumë, se mbase ky ishte “fati i emrit të saj”, do të parafrazoja, në kohën kur ajo të njëjtën poezi e përmbyll: “Në epitafin e motit/ vetëm hija e kujtimit/ e njeh mërzinë e heshtjes/ duke u kotur në ëndrrat/ e ujëvarën e Mirushës/ shikimet përpiqen/ në dritën e kujtimeve// në morfologjinë e kujtimit/ kërkoj fatin e emrit tim”, (Poezia: “FATI I EMRIT TIM”, faqe 9).
Ajete U. Pavataj, e ka shkruar dramën jetësore të kthyer në vargje, por më shumë mbesin rrëfime për pasionet, dëshirat, ëndrrat dhe ambiciet e saj të mbetura e shkapërderdhura nëpër mote e vite të cilave tashmë koha ua ka kthyer shpinën, por e vetmja gjë që i ka mbetur besnik asaj, duket të jetë poezia: “Vargu im i bukur/ kurrë s’i mbyll sytë/ kurrë s’i mbyll veshët/ kurrë s’e mbyll zemrën/ kurrë s’e trazon shpirtin”, faqe 72.
Poezitë e kësaj përmbledhjeje, janë një larushi përjetimesh të ndara në katër cikle: I. Legjendat e Dardanisë, II. Mesazhi Hyjnor, III. Dallgët e jetës, IV. Vargu im. Po ashtu në libër janë përfshirë edhe dy cikle të tjera poetike: Njëri në gjuhën angleze, “HEAVENLY WAVES”, poezitë janë të përkthyera nga Dritan D. Karadhashi, kurse në gjuhën italiane “ONDE DIVINE”, poezitë janë përkthyer nga Majlinda (Aleksandra) Shabani.
Përmbledhja poetike “DALLGË HYJNORE”, për redaktor ka Kristaq F. Shabanin, i cili ka shkruar edhe një shënim kritik për poezinë e këtij libri, që ka për autore Ajete U. Pavatajn, e cila sipas kritikut në fjalë, “ka një shpirt të madh dhe të bukur… sepse autorja është një dhimbje, por edhe një “harresë” e paharruar!…”, ka shkruar ai, faqe 6.
Poezitë janë shprehje letrare që pasqyrojnë një thjeshtësi fillestare në aspektin figurativ, ndërsa për ndërtimin e vargut artistik, autorja ka përdorur shprehje të rëndomta duke nxjerr nga thjeshtësia dhe modestia një mesazh artistik mbresëlënës. “Në Bjeshkët e Strellcit/ dashurinë e ndjeva/ kënaqësi e gëzime/ u rrëfeva shkëmbinjve/ si di të rrëfejë e sinqerta”.
Nga një këndvështrim kritik, duket se poetesha ka bërë përpjekje për ta krijuar fizionominë e vlerës poetike me poezinë kushtuar “Vendlindjes së saj”, Strelllcit dhe Bjeshkëve përbri, për të cilat janë thurur legjenda e janë shënuar edhe epope të lavdishme, por aspekti meditativ në strofën në vijim, i jep Strellcit dhe Bjeshkëve të tij një metaforë hyjnore sepse “në Bjeshkët e Strellcit/ u rrita me bekimin/ e vendlindjes sime/ me bekimin/ e atdheut tim”. Nocioni figurativ “bekimi”, sikur e paska përcjellë ecjen e saj. Por në interpretimet liturgjike mendohet se nëse lutemi për ngjashmëri ato sikur do t’i paraprijnë edhe fatit jetësor të individit. Në këtë prizëm, Strellci është i njohur për dramën historike, për qëndresën e tij, për namin që ia kanë dhënë atdheut bijtë e tij.
Nëse kjo dramë historike përkthehet në dramën jetësore të vet poeteshës do të gjejmë elemente ngjashmërie, qoftë në vuajtjet, qoftë në krenarinë e qoftë në ngadhënjimin individual, kurse ngadhënjimin kolektiv e shohim si historikum të një procesi evolutiv. Po kjo ndjenjë bekimi bartet edhe në poezinë vijuese e cila sikur qet më në pah, alegorinë tonë për lidhshmëritë individuale me bëmat dhe tallazet historike që i ka përjetuar një fshatë, një Bjeshkë dhe një Trevë e tërë. Këto elemente kristalizohen tek poezia: “Jetë e gabuar”, në të cilën poetesha shprehet: “Në Bjeshkët e Zllanapojës/ hapërove, belbëzova/ i preka Majat e Rashkodolit/ Në Bjeshkë të Strellcit/ në hijet e bruzta/ edhe sot përkund/ brengat e jetës sime/ të jetës së pajetë”, faqe 13. Ky epitaf është mbresëlënës duke na vetëdijesuar se jeta e autores i ka ngjashmëritë dhe lidhjet ideo emocionale me të gjitha zhvillimet shoqërore e politike si dhe luftarake të kësaj zone e cila i bënë njerëzi me një krenari më të dalluar.
Botimi i kësaj përmbledhje pas një heshtjeje të gjatë, si duket ia ka lëkundur dramën jetësore, gëzimet e përjetuara ku na bënë për të besuar se pasioni për t’iu rikthyer poezisë nuk është shuar krejtsisht, përkundrazi duket se paska qenë vetëm një vullkan për të gjetur momentin për të shpërthyer, për të vazhduar dhe për t’u identifikuar si emër letrar, që krahasohet me “Bjeshkët e Nemuna/ (Epitaf dhe metaforë)/ Bjeshkët e Belegut/ (Mposhtin aliteracionin)/ përherë log betejash/ (Dyluftim të njerëzve të trimëruar)/ për histori e krenari/ (Mbi mendje e duar për të mbrojtur Lirinë), faqe 14.
Përmbledhja me poezi, “DALLGË HYJNORE”, përveç simbolikës së krenarisë, ka edhe melankolinë e dhembjes si dhe motive të tjera të cilat poetesha i ka bartur nga poezia në poezi, nga vargu në varg, madje duket si amanet, që nga rinia e saj e hershme, për të shpërthyer si ndjenja artistike, “Në këtë tokë të Zotit/ me bukë, kripë e zemër/ ka burrni e besë”, faqe 15.
Poezitë kanë grafulluar, tamam si tambli me valë, për të rrëfyer jetën e saj, kalvarët nëpër të cilat i kaloi dhembja e dashuria, por dallon për ndjenjën e saj poezia që ia kushton Bjeshkëve të Rugovës, një epitaf i mirë për këtë zonë, për këtë trevë me tradita të lashta, me burra në këmbë, prej kah “rrodhën fjalë të urta”, sikur mëton të na dëftoj për bëmat e kësaj treve e të këtij vendi i cili si fatkob kishte sulmet dhe kafshimet grabitqare, pasi mbi të, e përreth Kosovës, janë zhvilluar beteja e ngjarje sa heroik po aq edhe tragjike, ndërsa poetesha i ka poetizuar me këto vargje: “Kosova, Nëna ime/ Zonjë kreshnike/ Trimëreshë stoike”, faqe 11. E përfytyrimi i saj me këto bëma, dhe njëjtësimi deri në shkallë bekimi e përafrimi, sikur kanë ndjekur edhe fatin tragjik të jetës dhe mbijetesës në një përvuajtje, me pak gëzime po aq dashuri sa ka edhe e kundërta e këtyre momenteve të gëzueshme, siç shprehet vet ajo: “Por, edhe kur/ çdo gjë uli perdet/ e vërteta ime/ e madhëruar/ mbijetoi, duke kënduar/ Këngën e saj/ të përjetësisë së munduar”, faqe 93.
Një cikël poezish të tjera duken si një lloj buqete me lule, por nëpër vargjet e shumta do të lexohet një biografi e trishtët një fat i parealizuar dhe shumë ëndrra të pa përjetuara si duhet e sa duhet, thuaja se mallkimi po thyente edhe bjeshkët për të cilat Ajete U. Pavataj, është e lidhur pafundësisht, madje gjer në shkallë flijimi. Por si natyrë njerëzore edhe në fatin e saj, përveç bukurive si dhunti natyrore, ndodhitë do të ngjasonin me kalvarin historik të kësaj treve me përpjekjet për të mbijetuar tamam si: “Këngëvajë përzier/ kudo në Shqipëri/ Mëngjesit u lind një fëmijë/ Në mbrëmje vritet një i ri/ përzier këngëvaji”, faqe 89.
Shikuar në përgjithësi poezia e saj është një dhembje e përshkruar në vetën e parë njëjës, sepse përball të gjitha ndjenjave poetike autorja e ka vetën e saj, i ka sfidat dhe kapërcimin e tyre që ndërlidhen me legjendën për kapërcimin e ylberit. Çka do të thotë se ka ndodhur ngjarje të mëdha, përpjekje të shumta dhe vuajtje të tmerrshme për ta rimarr vetën dhe përmes poezisë për t’i përshkruar ato nuanca lirike të cilat përbrenda e kanë edhe tragjiken e vet, por edhe ngadhënjimin, padyshim siç është “Bukuria e shpirtit”, faqe 87, në të cilën ajo thotë: “Bukuria e shpirtit/ asnjëherë s’shitet/ e as nuk blihet/ Virtyt i shtrenjtë/ i pa falur te kurrkushi”, por që lëndohet, mashtrohet dhe bie viktimë e premtimeve boshe s’ka dyshim.
Një cikël i tërë iu kushtohet personaliteteve që i kanë dhënë emër këtij vendi në mesin e të cilëve po veçojmë poezinë kushtuar poetit Adem Istrefi, i cili është po nga i njëjti fshat, por që në rinin e hershme pat emigruar drejt kryeqytetit shqiptar, atje ku do ta rris shtatin dhe do t’ia rrit edhe namin Strellcit, por në komunikimin telepatik me poetin, kjo poetesh i dëfton se “Majat e Strellcit pyesin për Ty”, d.m.th. jo Bjeshkët por Lartësitë – Majat, një alegori për madhërinë poetike e artistike që ka arritur me penën e tij edhe Adem Istrefi – Strellci. Edhe një përkushtim përjetues është ai kushtuar, Tahir, Enis e Hasan Zemajt, që i “përpiu nata, në pusi”, dhe i mori plumbi i tradhtisë. Poezi të kësaj natyre janë edhe ato që i kushtohen: Salih Çekajt, Demë Ali Pozharit, këngëtarit Dervish Shaqa, mësuesit Rexhep Podrimja, dëshmorit Haki Pavataj etj, që si tërësi përthekojnë një hark gjeografik e hapësinor të kësaj treve me të cilët edhe poetesha Ajete U. Pavataj, ndërton krenarinë dhe mburrjen e saj.
Në këtë pllajë përkushtimesh, por me elementin lirik e melankolik janë poezitë që i kushtohen Nënës, Babit, të dashurve, njerëzve që i ka njohur. Një gjë, si kokrra e lotit shihet se poetesha duke shkruar për vuajtjet e tyre, paska harruar për një çast dhembjet e veta, ndërsa sa herë ka shkruar për krenarinë e heronjve, në poezitë vijuese sikur përjetohet një gjallërim, një mburrje dhe një ideal për ta kapur realitetin e pa arritur, por të ëndërruar që nga fëmijëria e saj e hershme. Ndërsa redaktori Kristaq F. Shabani ka potencuar se “Larmia tematike e vëllimit “DALLGË HYJNORE”, ndërtimi kompozicional si dhe karakteri universal i tij, plotëson kriteret,… në veçanti ato individuale krijuese”, faqe 7.
Duke lexuar poezinë lirike ne mbetemi me shpresë se kjo poetesh do të arrin për të sublimuar si duhet ndjenjën e saj krijuese, kurse lexuesit dhe letërsisë shqipe do t’i sjell poezi të tjera të realizuara mirë dhe për nga koncepti edhe më të konsoliduara. Megjithatë mendoj se një tej jetë përtej vdekjes e gëzojnë poetët, andaj urojmë që edhe Ajete U. Pavataj, ta ketë këtë fat për të jetuar edhe botën e më pastajme, poezia dhe librat e saj gjithsesi!
St. Gallen, 17 mars 2016.