Poezia e Enver Sulaj është dhe koha e krijuesit të sotëm

0
982

Dr. Ermelinda Kashah, Gjirokastër

Ditët e fundit, përveç librave të tjerë, pata në dorë edhe librin e poetit Enver Sulaj.

Përveç eksplozicionit social, raportet e përhershme ekzistenciale, këtë model procedimi e kam vënë re edhe në poezinë e Xhevahir Spahiut ku narracioni poetik procedon si konvencion artistik, dhe i jep kuptim fjalës dhe golgotës së mundimshme dhe të gjatë.Pra, leximi është në pozita racionale, por jo indiferente. Përqëndrimi maksimal drejt tekstit jep dhe lexuesin racional i cili ka pozitën dyfishe të qëndrimit mjaft imagjinativ. Duket se dallohet një lloj bilanci dhe ku njeriu ndjen se ka shumë pa kryer duke përjetuar dhimbje dhe pendesë sipas rastit.Poezia e autorit është poezi refleksive.Krijuesi shfaq një model ligjërimi të depërtimit në kompleksitetin e enigmave të jetës.

Poezia nuk përshkruhet vetëm nga tonet përshkruese, por edhe refleksive, plot figuracion, herë të buta e herë të brishta, të veshura krejt me përditshmërinë e jetës.Këto tipare përmblidhen te një përcaktim i njohur metaforik, sepse jeta njerëzore vjen edhe me mungesa, zbehet vazhdimisht dhe ka ndjesi të veçantë.Atmosfera e këndshme poetike duket se reflekton që në titullin “Zjarrmia e Stinës”, që të lë të kuptosh praninë e elementeve specifike të vjershërimit. Ritmet e kaltëra, motivet qëllimore, peisazhet dhe frymat poetike, shfaqin limitin e përkohshmërisë me dukuri dhe ngjarje konkrete.

Citoj:
“Eh, thonë pastaj se kufijtë e jetës fillojnë mes lulesh
E liqenit të lotëve pa shpresë”

Poeti i përmbajtur nuk bie asnjëherë në grackën e entuziasmit e as në zgripin e përmbysjeve të mëdha konceptuale, por ai shikon tendencat më të reja moderne si shenjë me tendencë të këndshme dhe duke artikuluar shprehjen e vet në ridimensionimin dhe iluzionin njerëzor. Ky modernitet do të gjejë shprehjen e vet edhe në poezitë e mëpasme si: “Pikëllimë”, “Ditëlindje”, “Ikje nga Gjarpërinjtë” etj.

Pra, poeti duket se në çdo kohë mbart peshën e dhembjes njerëzore që transmeton përmasën më të madhe në rrafshin e kuptimësisë dhe dimensionit planetar. Ky është dhe tipari i individualitetit krijues të tij. Theksoj se gjatë leximit të librit të poetit në fjalë, vura re një karakteristikë, atë të gjetjes në fund të tunelit të dritës jeshile.Enveri nuk është poet që përpiqet të krijojë tablo shabllon dhe ngarkesë figurative për të depërtuar vertikalisht në një ide ose kumt poetik.Këtë koncept e përcakton ligjërimi i natyrës përsiatëse që shmang adresimet dhe përshkrimet e jashtme jetësore.Ligjërimi poetik shtrihet në parashtime tezash dhe shtjellohet në ide dhe struktura narrative. Ky model është i njohur në shumë krijime të poezisë shqipe të traditës dhe asaj të resë duke synuar të krijohet artistikisht “tehu i shpatës” kundrejt një qëndrimi të angazhuar ideoemocional.

Citoj: “Si ta paskan djegë
Fletën e parë, të dytën, të tretën..”

Kjo është dhe teknika e montimit dhe e ndërlidhjes së ngjarjeve që kanë ndodhur në një kohë dhe në një hapësirë të caktuar.Ajo kushtëzohet nga ardhmëria e funksionimit të konceptit të artit në përgjithësi, të letërsisë e të veprës letrare, si një pjesëmarrje në formë të drejtpërdrejtë duke u kushtëzuar nga ardhmëria e tekstit poetik. Duket se poeti neutralitetin letrar dhe modern e arrin me hipertekstualitetin, si proces esencial i së resë në shumësinë e formave dhe ideve nacionale. Metafora e shoqëruar me figuracionin poetik, simbolin, alegorinë, pasthirrmën ligjërimore mbulon dhe perceptimin e botës si diçka të dhimbshme, plot ndërprerje duke zbërthyer kështu aktin e thënies në aktin e artikulimit dhe duke e përcaktuar pikënisjen si koha e autorit dhe hapësira brenda botës së poetit, edhe pse gjuha nuk ligjëron nga shtrati i vet autentik. Në poezinë : “Fati i paracaktuar”, kombinohet kualiteti i antitezës me tensionin ideoemocional që njëkohësisht është dhe referenca poetike.

Së fundmi,i uroj poetit suksese në lëmin e tij të krijimtarisë. Libri të jetë pritur sa më mirë nga lexuesi i sotëm bashkëkohor, sepse me dashurinë dhe përkushtimin që poeti ka shprehur, shfaq dhe shembullin e tolerancës dhe misionit kryesor të bashkëpunimit shkencor në një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë. Duke i ofruar bashkëpunime të tjera, nuk më ngelet gjë tjetër, veçse urimet e mija të përzemërta.

Gjirokastër më 18.09.2017