INTERVISTË ME MIKEL GOJANIN, KRIJUES LETRAR DHE STUDIUES
INTERVISTOI: Lekë MRIJAJ
Prof. Mikel Gojani, është një nga figurat, me të cilët komunikoj miqësisht dhe vëllazërisht pothuajse për çdo ditë. Ai në rrafshin e gjithmbarshëm letrar e kulturor për lexuesit shqiptar është një emër tejet i njohur dhe i çmuar. Me shkrime letrare merret qysh nga fundvitet e ’60-ta.
Disa herë është laureuar me çmime të ndryshme në letërsi dhe mbetët një personalitet frytshëm dhe kualitativ i letërsisë shqiptare. Pikërisht, me të bëmë këtë intervistë rreth angazhimeve të tij që ka pasur në të kaluarën dhe tash; rreth jetës dhe krijimtarisë së tij letrare, krijimtari që ngërthehen në vargun e tij etj. Prof. Mikel Gojani, është një krijues shumëplanësh. Gazetaria, poezia (për fëmijë dhe të rritur), proza, publicistika, kritika letrare etj., përbëjnë substancën e opusit të tij letrar.
Nuk janë pak libra (mbi tridhjetë), ato që skalitin profilin e tij krijues me një begati, që do ta kishte zili çdo shkrimtar i vendit. Kjo pllojë librash letrare të tija në shumë plane, vërtet përbën një pasuri të madhe letrare, jo vetëm personalisht për prof. Gojanin, por më së pari për kulturën mbarëshqiptare. Ai ka rrugëtuar dhe akoma ecën sukseseshem për rreth 50 vjet radhazi më krijimtari dhe se nga këndi im e themi me plot përgjegjësi se i takon llojit të plejadës së shkrimtarëve që e kanë shpirtin dhe ndjenjën për njeriun.
Ky shkrimtar është një emër i përveçshëm i letërsisë sonë. Ata lexues që i kanë percjellë e lexuar me vëmendje veprat e tija letrare e takojnë aktualitetin, historinë, virtytet, dhembjen, dashurinë, lumturinë dhe madhështinë e njeriut, por edhe zërin e Hyut, tokës, atdheut, të kombit, mbase edhe të njerëzimit mbi tokë nëpër kohëra e periudha të ndryshme kohore.
Andaj, duke e njohur mirë këtë shkrimtar, përmes punës së tij voluminoze dhënë kulturës shqiptare në thesarin e tij letrar gjithëpërfshirës, këtë shkrimtar të shquar që të kujton rilindësit tanë dhe modelin e letrarit shembullor, në prag të 50- vjetorit të krijmtarisë së tij letrare, marr guximin t’i parashtroj disa pyetje tematike, ashtu siç vijon mëposhtë:
Pak biografi
• Prof. Gojani, konsideroj që lexuesi kosovar ju njeh përmes krijimtarisë suaj letrare, po ashtu edhe të angazhimeve të tjera shumëdimensionale. Për të qenë edhe më afër këtij lexuesi, mendoj që do të kishte qenë me interes që të jeni edhe më afër këtij lexuesi, të na jepni një letërnjoftim tuajin.
– Jam i lindur më 1956 në fshatin Dugajevë të Klinës. Shkollën fillore kam kryer në Drenoc (fshat afër vendlindjes), Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, ndërkaq Fakultetin Filologjik – Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë përmbi dy dekada (1980-2001), kam punuar mësues i gjuhës shqipe, njëherësh edhe bibliotekar në shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës. Gjatë viteve të ’90-ta isha i angazhuar në institucionet dhe asociacionet të arsimit e të kulturës që funksionin në atë kohë.
Ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) “Naim Frashëri” – dega në Klinë dhe në Këshillin Qendror të këtij asociacioni në Prishtinë. Gjatë kësaj kohe angazhimi i im, po ashtu kishte të bënte edhe në fushën e informimit publik. Në atë kohë, meqenëse pushteti i instaluar dhunshëm serb kishin mbyllur radiot, televizionin publik (RTP-në) dhe gazetën e përditshme “Rilindja”, shkrimet dhe publikimet, të cilat ashpër kritikonin dhe luftonin politikën shtypëse dhe hegjemoniste serbe të Milosheviqit, i kam botuar në gazetat kroate dhe sllovene. Shkrimet e këtij lloj i ka botuar në gazetën e Zagrebit “Danas”, po ashtu edhe në revistën “Alternativa”, që është revista e parë alternative shqiptare.
Më vonë isha edhe redaktor (për Kosovë), i revistës tjetër në gjuhën shqipe “Republika”, editor i secilës ishte krijuesi dhe publicist, Sali Kabashi, i cili atëbotë jetonte në Slloveni, gjegjësisht në Lubjanë, fillimisht kishte themeluar shoqatën Kulturore “Migjeni” dhe botonte revistën “Alternativa”, medium I parë alternative shqip, ndërsa me vonë revistën “Republika”, që shpërndahej në Slloveni, Europë, Shqipëri dhe ilegalisht në Kosovë. Nga vitet e ’90-ta isha anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës (tash Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës), kryetar i secilës ishte dr. Ibrahim Rugova, ku jam edhe sot. Pjesë e veprimtarisë sime profesionale janë edhe shkrimet dhe hulumtimet e natyrës dhe problematikës pedagogjike, të cilat i kam botuar në revistën pedagogjike “Shkëndija” në Prishtinë, e cila revistë tashmë ka shuar botimin e saj, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Pas përfundimit të luftës, kam kryer disa punë. Për një kohë isha i caktuar në vendin e punës, koordinator në bibliotekën e qytetit “Kongresi i Manastirit” në Klinë, po ashtu një kohë kam kryer detyrën e zyrtarit për informim publik pranë Kuvendit komunal të Klinës, ndërkaq tash kryen punën e lektorit në Kuvendin e Komunës në Klinë. Për dhjetë vjet kam punuar edhe gazetar në të përditshmen kombëtare “Bota sot”. Me krijimtari letrare merrem qysh herët. Poezinë e parë e ka botuar më 1968 në revistën për fëmijë “Pionieri”, revistë e parë shqipe në Kosovë për fëmijë dhe “Jehona e Dukagjinit”, revistë për fëmijë që botohej në kuadër të shtëpisë së kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.
Kam bashkëpunuar me shumë revista në gjuhën shqipe në Kosovë: “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, Jeta e re”, “Fjala”, etj.: Shqipëri: “Nëntori” dhe “Drita”; Amerikë: Illyria dhe “Dielli”; Maqedoni: “Flaka e vëllazërimit”; Mal të Zi: “Koha etj. Me kumtesa nga fusha të ndryshme kam marrë pjesë në disa sesione e simpoziume shkencore në Kosovë, Shqipëri dhe vende të tjera. Në fushën e letërsisë kam bërë përpjekje për të dhënë një kontribut për aq sa më ka lejuar potenciali dhe aftësitë intelektuale. Kam botuar libra të zhanreve nga më të ndryshme, si poezi dhe prozë (për fëmijë dhe të rritur), publicistike, kritika letrare etj. Shpreh ndjenjën e lumturisë që këta libra të botuara janë mirëpritur nga lexuesit, nga botuesit dhe nga kritika letrare kudo në hapësirën shqiptare dhe kanë gjetur jehonën e tyre në Kosovë dhe jashtë.
• Kush është prof. Mikel Gojani në jetën e përditshme?
– Në jetën e përditshme një person i rëndomtë sikurse shumica e njerëzve që bëjnë këtë jetë në thjeshtësi dhe me plot ambicie dhe prioritete. Kryej punët e mia profesionale, lexoj, shkruaj, kujdesem për familjen…
• Si është një ditë e zakonshme për ju prof. Gojani?
-Ju them të drejtën ditë për mua janë të zakonshme she pothuajse rutinore. Pesë ditët e javës që na ora 8 deri në orën 16 jam i rregullit në punët dhe angazhimet e mia në Komunën e Klinës, ku kryejë punët dhe detyrat e punës të redaktorit gjuhësor pranë këtij institucioni. Bëj lekturimin e shkresave, procesverbaleve, rregulloreve dhe të dokumenteve të tjera që dalin nga ky institucion dhe nga Kuvendi i Komunës. Pas orarit të punës kryesisht gjendem në shtëpi ku kaloi orët e pushimit. Në shtëpi lexoj ndonjë libër, por edhe shkruaj kur kam ndonjë projekt si prioritet. Dy mbesat e mia, Klea (7 vjeç) dhe Klara (2 vjeç), të cilat bashkë me prindërit e tyre jetojnë në Austri, përkatësisht në Vjen, mirëpo më vizitojnë shpesh dhe më shoqërojnë.
Prandaj, kur ato gjenden në vendlindje unë kohën e lirë e kaloj me këto mbesa të mia. Se unë i dua shumë fëmijët. Gjej kohë të rri e të jetoj me ta. I kuptoj dëshirat e tyre e mundohem të futem edhe brenda lirishtës së tyre, do të thotë brenda jetës së tyre që është plot imagjinatë, plot vullnet për jetë dhe përplot dëshira. Për fat të keq, nga ne të rriturit edhe fëmijët pësojnë ndonjë herë.. Ata e duan jetën, prandaj janë shumë të gjallë dhe joshës për të kaluar kohën e lirë me ta. Gjatë shoqërimit njeriu mund të mësojë shumë nga bota e tyre e dëlir. Ditëve të fundjavës dëshiroj që të pushojë, kryesisht vizitoj ndonjë vend të bukur dhe piktoresk, si bjeshkët e Rugovës, ujëvarën e Mirushës, burimin e Radacit dhe ndonjë tjetër. Kam dëshirë që shpesh të vizitoj edhe ndonjë vend të Shqipërisë.
Asnjëherë nuk kam besuar se do të futem në “kurthet” e letërsisë
• Keni shkruar pothuaj gjatë gjithë jetës, përkatësisht rreth 45 vite. Cilin nga librat tuaj e konsideroni si librin më të përzemërt, që ju ka lënë mbresa dhe kujtime, që nuk do e harroni kurrë?
-Rreth kësaj pyetje, me duhet të tregohem subjektiv. Më duhet të shtoj se krijuesi asnjëherë nuk flet me dëshirë për veprat e, prandaj edhe unë e kam të vështirë të përcaktohem. Në këtë aspekt, në një farë mënyre kam qenë një njeri me fat. Ose të paktën fat do ta kishin quajtur të tjerët të mbushur me ngjarje të shumta prej fëmijërisë e deri në ditët e tanishme. Në fakt ky është vetëm një iluzion, një iluzion që më ka përcjellë edhe mua në jetë. Në një farë mënyre kështu ka ndodhur edhe me krijimtarinë time, fillimisht me poezitë e mia. Kur po bëhen gjysme shekulli (1968), botova poezinë e parë “Skënderbeu”, në revistën lokale “Jehona e Dukagjinit” në Klinë dhe revistën për fëmijë “Pionieri”, që botohej në Prishtinë, askush nuk dinte që unë shkruaja dhe ishte një befasi për shumëkë. Askush nuk e dinte se shkruaja poezi (atëbotë vargje për fëmijë), që shumë i kisha grisur. Madje edhe një fletore të tërë me poezi për fëmijë e humba atëbotë pasi që i dhashë për t’m’i korrigjuar mësuesit tim të gjuhës shqipe, M.N. nga Peja.
Ishin diku rreth 150 poezi dhe humbja e tyre ishte një ndjenjë tepër e dhimbshme për mua. Më pastaj, prapë vazhdova të shkruaj. Në gjimnaz nisa të shkruaj për fëmijë, kryesisht vargje erotike, sepse isha në moshën adoleshente dhe në atë moshë kuptohet që muzat përherë rrinë zgjuar. Kështu, vazhdova rrugëtimin tim në fushën e letërsisë, duke u futur në “kurthet” e saj. Nga ky aspekt, ndjenja më e bukur dhe më e veçantë është botimi i vëllimit të parë me poezi, “Zëri i largët”, botuar më 1990. Dikush mund ta analizojë vonesën e botimit të librit tim në parë, që u pluhuros për katër vjet në sirtarë të redaktorit të “Rilindjes”. Atëbotë ekzistonte I ashtuquajtur një klan i caktuar i edicionit botues të “Rilindjes”, seleksiononte për botim libra, shpeshherë edhe pa kriter, kryesisht njerëzve të caktuar dhe sipas dëshirës së tyre. Libri im në sirtarët e redaktorit (A.P.) ka pritur katër vjet. Fati im, një mik i këtij redaktori, të cilin nuk e njihja personalisht, mirëpo vetëm përmes librave që i kisha lexuar), i cili angazhohej si recensues vëren librin tim në sirtar dhe nga kureshtja që ka pasur për vlerat e vargut im, me pajtimin e redaktorit merr librin tim në dorëshkrim për lexuar.
Pas leximit të librit tim nga ai recensues, të cilat poezi i kishin bërë përshtypje, në bisedë me redaktorin e preferon që librin tim ta përfshijë në planin e librave për botim. Si arsyetim për vonesën e librit tim redaktori i shpreh recensuesit se ky autor nuk më pëlqen si fizionomi, se vërehet tepër i rëndë!!! Në humor recensuesit i thotë redaktorit që duhet vlerësuar vargun e krijuesit, por jo fizionominë e tij. Kjo ishte edhe politika e këtij klani të atëhershëm redaksional për përfshirjen në planin botues të librave në kuadër të edicionit botues të “Rilindjes”. Prandaj, nga opusi im letrar do ta kisha veçuar librin e parë, “Zëri i largët”, sepse edhe vetë vargjet që i kushtohen Kosovës, atëbotë të okupuar, më zgjojnë këtë ndjenjë. Pa letërsinë e shkrimtarit I. Kadare letërsia shqipe dhe ajo botërore do të kishte qenë më e varfër
• Cili është shkrimtari më i preferuar juaji kombëtar dhe i letërsisë botërore?
– Në rrafshin kombëtar letërsia e Kadaresë mbetët në majat e letërsisë shqiptare. Vetë të kandiduarit e tij disa herë dhe përfshirja në rrethin e ngushtë të laureatëve për Çmimin Nobël për Letërsi, dëshmon se krijimtaria e tij letrare ka kapërthyer përmasat e letërsisë globale botërore.Prandaj, ai ishte dhe mbetet shkrimtari më i preferuar. Letërsia e Kadaresë është tepër i rëndësishme, tepër me vlerë dhe me përmasa shumëdimensionale. Letërsia Kadareane, e cila është botuar dhe përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë botërore. e ka pasuruar edhe më tepër opusin e frytshëm dhe tepër kualitativ të shkrimtarit I. Kadare, po ashtu edhe ka begatuar letërsinë shqipe edhe atë botërore. Letërsia shqipe dhe ajo botërore pa letërsinë e shkrimtarit Ismail Kadare do të kishin qenë shumë më të varfër. Mirëpo, duhet potencuar që letërsia jonë kombëtare ka edhe shumë shkrimtarë të tjerë të cilët me vlerat e tyre në fushën e letërsisë iu konkurrojnë emrave më të shquar të letërsisë europiane dhe asaj botërore.
Në këtë radhë do ta veçoja letërsinë tepër brilante dhe kualitative të Dritëro Agollit, Fatos Kongolit, Zija Qelës, Nasi Lerës, Bardhyl Londos, Xhevahir Spahiut Naum Priftit, Anton Pashkut, Sotir Andonit, Teodor Laços, Agim Cergës, Dritëro Agollit, Vath Koreshi, Neshat Tozajt, Ramiz Kelmendit, Eqrem Bashës etj. Edhe letërsia botërore ka shumë emra të cilët me veprat e tyre kanë zënë majat e kësaj letërsie. Kam lexuar shumë vepra të këtyre shkrimtarëve, ku me këtë rast do të veçoja letërsinë të autorëve rusë, Destojevskit, Gorkut, Majakovskit, Pushkini etj. Po ashtu kemi edhe një radhë të gjatë të këtyre shkrimtarëve, si Kafka, Gëte, Kapotit, G. G. Markezit, J. Saramagos, A. Zhid, Le Klezio, M. Dyras, Akutagavas, A. Makinit, Fransua Saganit, Dyrrenmatit, M. V. Losaja-s, J. Kavabata, Kenzaburo Oe, si dhe autorë të tjerë të mëdhenj, Kalvino-s, Moravias, M. Duras, M. Turnie, M.Kundera, Akutagava, S. Dë Bovuar, Jorge Luis Borghes etj. Në mesin e këtyre emrave kolosalë të letërsisë botërore, është e pamundshme të përkufizohesh për emrin elitar. Prandaj, edhe unë me këtë rast e kam të pamundur të përkufizohem në një emër.
• Letërsia juaj është mjaft e spikatur jemi kureshtarë të dimë se si punoni, përkatësisht si shkruani ju?
-Sa i përket konstatimit të parë që letërsia ime është e spikatur unë ju falënderoj për vlerësimin, meqenëse kualitetin e këtij arti dhe letërsie e vlerësojnë lexuesit dhe kritika letrare. Ndërkaq, sa i përket formës së punës dhe të angazhimit tim në fushën shkrimore, unë nuk kam ndonjë regjim special, sepse nuk kam orar të caktuar, sepse angazhimet në fusha të tjera, në punët zyrtare etj., nuk lejojnë që të kemi një orar të caktuar të punës. Lexoj dhe shkruaj kryesisht gjatë orëve të natës, kur është një qetësi dhe nuk jam i angazhuar me asnjë çështje tjetër.
Unë shkruaj për veten time…
• Cilin zhanër të letërsisë e preferoni më së shumti?
-Unë kam bërë përpjekje që të jap kontributin tim në disa zhanre të letërsisë, gjithherë në ngarendje për të bërë diçka në këtë aspekt. Kam filluar me poezinë, për fëmijë dhe të rritur, pastaj prozën, publicistikën, kritikën letrare dhe kështu me radhë. E përsëris: gjithmonë në ngarendje për të bërë diçka. Dhe me këtë rast dëshiroj të eksploatoj në thënie të një shkrimtari i cili thotë: “Unë shkruaj për veten time!” Prandaj, nga kjo ndjenjë niset edhe angazhimi im në fushën e letërsisë dhe studimore.
• Prof. Gojani, në fushën e poezisë vazhdoni të ecni me sukses duke kultivuar një poezi krejtësisht origjinale, plot dritë dhe sentimente. Çfarë mund të thoni për vargun tuaj?
– Ju them sinqerisht që unë me poezi kryesisht jam marrë në vitet 80 dhe 90, ndërsa populli shqiptar ishte i okupuar nga çizmja e rëndë sllave. Prandaj, me qëllim që t’i kundërvihem asaj politike hegjemoniste dhe shtypëse, përmes vargut gjeta rrugën ta ngreh lart zërin kundër asaj shtypje të egër që regjimi serbosllav bënte ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Ishin ato vite të vuajtjeve të mëdha dhe përpjekjeve të këtij populli për të dalë nga ai rreth i egër i okupimit me esencat e saj tepër tragjike. Një poet me famë botërore shprehet: “Poezia lind nga vuajtjet”. Kështu, duke u nisur nga ky parim ishin ato dhimbjet dhe vuajtjet e atyre viteve që krijonin jo vetëm vargun tim, por edhe të shumë kolegëve të mi krijues. Në vitet e pasluftës, domethënë pas mbërritjes së frymës së lirisë poezinë e shkruaj më rrallë, sepse nuk janë më ato dhimbje që dikur sëmbonin, meqenëse edhe ky realitet nëpër të cilin po kalon individi dhe kolektiviteti është mjaft i nder.
Sot, ky popull, sikurse po kalon nëpër një udhëkryq, që nuk është paramenduar ndonjëherë që në frymën e lirisë do të krijohet kjo klimë, me esencat e veta të ndera. Sot, sikur identiteti i këtij populli është zhveshur dhe për fat të keq në këtë tunel nuk po vërehet asnjë dritë jeshile për t’u ndryshuar diçka në pozitivitet. Po parafrazoj një studiues tonin, i cili në një sesion shkencor duke folur rreth zhbërjes së identitetit shqiptar, sikur në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri tha se në të dy anët e kufirit njerëzit thonë: “Më mirë ishte dje, edhe pse ishte më keq! Ky është realiteti aktual i këtij populli. Andaj, të marrësh penën duhet të vjellësh në gufime kundër vetvetes. Kjo sinqerisht është e rëndë, prandaj kur dihet mirëfilli se poeti nuk mund të ndryshojë proceset, heshtja është rruga e tij më e preferuar. Sepse shkrimtari nuk është mësuar që të futet në vorbullat e situatave anarkike, apatike dhe të parrugë.
• Po në fushën e prozës sa jeni produktivë?
– Kam shkruar dy romane. Në vitin 1996 nga Forumi i Krijuesve të Artit” në Prishtinë”, kam shkruar romanin “Ai vjen me shirat e pranverës”, që është një roman ku si lajtmotiv kam ngjarjet e vitit 1981, kur studentët dhe populli i Kosovës u ngritën në këmbë në kërkim të të drejtave të barabarta, përkatësisht me kërkesën, “Kosova Republikë”, që atëbotë ishte një synim, ndërkaq që pas një sakrifice dhe flijimi të këtij populli u shndërrua në realitet. E gjithë drama që zhvillohet qëndron në ngarendjen e kryeprotagonistit Dritan B. në përpjekje në gjetjen e një çelësi magjik, duke kaptuar në gjithë hapësirat e gjeografisë etnike, megjithatë ai çelës u gjend, mirëpo pas mbërritjes së atij mëngjesi kombëtar pas një stuhie të rrëmbyeshme dhe ortekëve të shumtë. Romani “Ai vjen me shirat e pranverës”, u mirëprit nga lexuesit dhe kritika letrare. Po ashtu, në vitin 2014, nga shtëpia botuese “Zef Serembe” kam botuar romanin e dytë, “Rrugëtim nën zë”. Problematika e veprimtarisë, jetës, angazhimit dhe idealeve të Mësuesit e të Frymëzuesit në ambientin shqiptar nën rrethana e kohë të ndryshme, kaq komplekse, përbën boshtin tematik të këtij romani Kam bërë përpjekje që veprën ta ndërtojë me elemente psikologjike, duke i pasur për bazë të gjitha ato akte dhe veprime që e përfaqësojnë edhe tipin e shqiptarit. Gjendja e rëndë jetësore, shpirtërore e personazheve që frekuentojnë në prozë, na sjellë një produkt me drama që veç jeta i prodhon.
• Keni botuar libra edhe të zhanreve të tjerë, çfarë mund të shtoni rreth tyre?
– Nuk do t’u qasem hollësisht këtyre librave të tjerë për të cilat po aludoni. Kam botuar edhe nga fusha e kritikës letrare, po ashtu edhe publicistikë. Përmes disa monografive dokumentare dhe historike kam bërë përpjekje që të hedh dritë mbi disa figura të ndritura të kombit tonë, të cilët kanë lënë gjurmë në historiografinë tonë kombëtare. Po ashtu edhe nga zhanri i kritikës letrare, në cilësinë e një lexuesi pasionant kam bërë përpjekje që përshtypjet e mia për sërë librash të lexuar të jap një mendim timin.
• Çfarë ju frymëzon juve si krijues letrar dhe poet?
– Kam bërë përpjekje që poezia ime të ketë fjalë të kaltra, gjithë intimitet dhe ndjeshmëri njerëzore. Fëmijëria, dashuria ndaj atdheut, dashuria ndaj prindërve, familjes, vegimet e vendlindjes, humanizmi njerëzor, ndërrimi i stinëve, e kaluara e dhimbshme etj., janë disa nga viset e frymëzimit tim poetic. Bëj përpjekje që botën ta shoh me sytë e dashurisë. Më duhet cituar eseistin e shquar Valter Beniaminin, i cili thotë: “ Mbeturinat e kujtesës janë shpesh më të qëndrueshme dhe më të forta se sa procesi që i lë pas ato”. Shkrimtari i shquar Milan Kundera thotë: “Çdo krijues nxjerr ujë nga pusi i tij”. Edhe unë kam dëshiruar më tepër të jem vetvetja, dhe s’kam dëshiruar të jap më tepër se sa ato ide që më kanë lindur natyrshëm, përmes motiveve që i kam qëmtuar me një kujdes të veçantë, nëpër dekada dhe vite, duke bërë përpjekje që të jem i kujdesshëm për të dalluar ndryshimin e një çikërrimë individuale nga një temë universal. Po ashtu, shprehet një shkrimtar yni, “se jeta e njeriut zgjat sa një ide. Kur bëhesh i vetëdijshëm për cilësinë e veprës sate nuk të intereson më opinion i kritikës dhe as lavdia mediatike zëçjerrëve. Mediumet nuk të bëjnë as më pak, as më shumë shkrimtar kualitativ.
• Ju jeni shkrimtar mjaft i njohur në botën letrare mbarëkombëtare. Megjithatë, diçka që kemi vërejtur tek ju janë të rralla prezantimet tuaja në mediumet elektronike, përkatësisht televizione, por edhe në të shtypit. Ku qëndron kjo çështje: në dëshironi të merrni pjesë, apo çfarë ngjet me ju në këtë aspekt?
– Ju them sinqerisht shpreh mendimin që krijues larg qendrës urbane, domethënë krijuesi, i cili jeton dhe krijon në provincë e ka të vështirë që të integrohet në jetën letrare dhe intelektuale. Ne provincë pothuaj je i margjinalizuar, ndërkaq urbanizmi ka përparësitë e veta. Ndryshe të jetosh në Prishtinë apo në Tiranë se sanë cilindo qytet apo fshat të Kosovës apo të Shqipërisë. Qendrat e mëdha kanë përparësitë e tyre, se kanë shkrimtarë dhe intelektualë të nivelit shumë më të lartë se sa këta të provincës. Të rrethohesh, përkatësisht të bashkëpunosh me shkrimtarë të mëdhenj, do të thotë që e ke më lehtë të ngrihesh në aspektin profesional, sepse janë në pyetje përvojat, mësimet që merr dhe kuptohet të shërbejnë për të ngritur cilësinë e të të shkruarit apo të të krijuarit.
Në provincë ky rreth është shumë më i përkufizuar dhe kuptohet krijuesi është i hendikepuar në marrjen e përvojave dhe mësimeve që do t’i kishte marrë nga një rreth më i gjerë dhe më i ngritur në cilëndo qendër, Tiranë apo Prishtinë. Po ashtu, qendrat i kanë edhe rrjetet mediale të shtrira, çka ju mungojnë provincave. Prandaj, kuptohet ndërsa të jesh më afër, me lehtë mund të vish në shprehje për t’u prezantuar para tyre, sepse në këtë rast ndikojnë edhe disa faktorë, si njohja me gazetarët apo redaktorët, me të cilët do të keni mundësitë të jeni në kontakt të vazhdueshëm etj. Kështu që, unë shkruaj për veten time dhe nuk kam ndonjë kompleks pse jam larg mediumeve tona, sikur të atyre elektronike, po ashtu edhe të shtypit. Duke u nisur nga parimi” lexuesit dinë të çmojnë vlerat e një shkrimtari. Po që se arti juaj ka vlera ajo do të mjaftojë, sepse mediat as nuk ta ulin, por as t’i rrisin vlerat e artit të cilitdo krijues. Letërsia shqipe është duke kaluar përmes një kaosi vlerash.
• Prof. Gojani, këtyre viteve të fundit me siguri keni përcjellë me vëmendje zhvillimin e letërsisë. Cili është mendimi juaj rreth saj?
– Në dekadat të fundit njëmend janë bërë botime të ndryshme e të shumta letrare, Brenda tyre shumica me poezi. Mundësia e të botuarit pa kritere të gjithçkaje dhe nga secili, shkaktoi një gjendje për shumëçka të rëndë, të pakuptueshme dhe të papërfillshme. Kjo nuk lidhet vetëm me krijues të rinj dhe pjesërisht të rinj, të cilët më parë për shkaqe tashmë të njohura nuk kishin mundësi të botonin për shkaqe tashmë të njohura, por edhe nga shkrimtarët më në moshë, ku edhe ata në këtë periudhë botuan vepra të dobëta. Shkatërrimi i kriterit të vlerës ishte nga çështjet kryesore që e cilësoi kohën që u potencua më lart. Botoi kush pati mundësi dhe kush gjeti mundësinë e botimit. Kjo gjë, mjerisht, u shtri pothuajse në të gjitha rrafshet, edhe në institucione të rëndësishme kulturore e shkencore. Rrënimi i ideologjisë së kaluar dhe krijimi i lirisë së të shprehurit solli një ndryshim në aspektin shumë pozitiv. Krijuesve iu ofruan mundësitë për t’u shprehur lirshëm, mund të përdorshin atë gjuhë.
Si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë mungon Institucioni i vlerësimit. Në vende të tjera, madje dhe në shtetet fqinje, shteti nuk i ka braktisur shkrimtarët dhe artistët. Për sa i përket vlerësimit dhe sensibilizimit të vlerave, tek ne nuk përgatiten studiues të letërsisë të cilët do te merreshin seriozisht me prurjet dhe me vlerat letrare të bashkëkohësve. Kjo gjë në të dy anët e kufirit i është lënë spontanitetit. Ose shtëpive botuese, të cilat reklamojnë botimet e tyre. Ua them me bindje se një realitet tjetër ekziston në Shqipëri për sa i përket vlerave letrare të librave që botohen. Librat më të mira rrinë në bibliotekat private. Presin një ditë të bardhë kur studiuesit do t’u fshijnë pluhurin e do t’i nxjerrin në dritë. Libra mesatarë dhe të dobët mbysin reklamat televizive. Pra, Letërsia shqipe në këto dy dekada kalon një periudhe transitore. Ajo zhvillohet përmes një kaosi vlerash dhe antivlerash. Do të mbaroje kjo periudhe tranzicioni. Do të sqarohen gjërat dhe do të mbetët ajo letërsi që i është shmangur mediokritetit duke trajtuar tema të rëndësishme origjinale dhe universale. Kështu mendoj…
Letërsia jonë në të kaluarën i ka pasur të gjitha mundësitë për të qenë në një valë me letërsinë evropiane bashkëkohëse
• Si e shikoni raportin e poezisë që është shkruar në vitet e mëhershme, ‘70 dhe ‘80, me letërsinë e shkruar në vitet të mëvonshme?
– Pra e thashë edhe më lartë, se letërsia shqipe në këto dekadat e fundit po kalon përmes n jë periudhe transitore. Ajo zhvillohet përmes një kaosi vlerash dhe antivlerash. Do të mbaroje kjo periudhe tranzicioni. Do të sqarohen gjërat dhe do të mbetët ajo letërsi që i është shmangur mediokritetit duke trajtuar tema të rëndësishme origjinale dhe universale. Megjithatë raporti i letërsisë që ndan këto dy periudha dallon njëra nga tjetra. Të them të drejtën, mendoj që letërsia e viteve të mëhershme do të jetë më cilësore se sa e këtyre vitet e fundit, në këtë aspekt flas për letërsinë gjithëkombëtare. Kemi ndjek rregullisht krijimtarinë e mrekullueshme dhe shumëdimensionale të Ismail Kadaresë, apo të Rexhep Qoses (romanet dhe dramat). Një letërsi e papërsëritshme në botën letrare shqiptare dhe asaj europiane.
Pastaj, letërsia e Agollit, Podrimjes, Kongolit, Gungës, Dedajt, Mekulit, Istrefit, romanet e Mehmet Krajës, Rexhep Qoses. Pothuajse gjithë krijimtaria e shkrimtarit Agim Gjakovës, romanet e Nazmi Rrahmanit dhe të Nasi Lerës, gjithë krijimtaria e Azem Shkrelit, romani, drama, si dhe krijimtaria poetike. Mbi të gjithë poetët dhe shkrimtarët, Moikom Zeqo dhe Papleka, shkrimtarët Sulejman Mato, Lazër Stani, Musa Ramadani, dhe dëshiroj të potencoj që unë çmoj në mënyrë të veçante krijimtarinë poetike të Bardhyl Londos dhe Xhevahir Spahiut, dy krijues që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqiptare. Letërsia jonë në të kaluarën i ka pasur të gjitha mundësitë për të qenë në një valë me letërsinë evropiane bashkëkohëse.
Në këtë aspekt, ia vlen për të theksuar një fakt se disa prej veprave të plejadës së “vjetër” të shkrimtarëve u ka perënduar koha, sepse veprat e tyre në aspektin motivor po që se kanë nivelin e duhur artistik, ndryshimi i realitetit ideologjik e margjinalizon atë letërsi, sepse tashmë nuk është edhe aq joshëse për lexim. Të flasësh për letërsinë shqipe të periudhave të ndryshme e të mos flasësh për letërsinë e shkrimtarëve të ndaluar është një çështje që nuk mund të tolerohet dhe që meriton kujdesin e shtuar. Janë të shumtë shkrimtarë si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri të cilëve u është mohuar botimi ilibrave, përkatësisht përhapja e fjalës së lirë të shkruar. Dhe lirisht mund të konstatojmë se në veprat e tyre lexuesit dhe kritika letrare ka mundur, por edhe sot ka mundësi të zbulojë vlera të rëndësishme dhe dimensionale. Me këtë rast mund ta veçojmë, në Kosovë, Adem Demaçin, Xajë Nurën, Prend Buzhalën, Merxhan Avdylin, Bajram Kosumin dhe ndonjë tjetër, ndërkaq në Shqipëri, radha e tyre është e gjatë, si Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Zyhdi Morava dhe shumë të tjerë.
• Ju tashmë se fundmi keni botuar librin studimor, “Poetika e prozës së Nasi Lerës”, a mund të na thoni se çfarë bëhet fjalë, përkatësisht çfarë trajtoni në këtë libër?
– Po, unë këtyre ditëve kam botuar librin studimor me titull: “Poetika e prozës së Nasi Lerës, botuar nga SHB “Rozafa” në Prishtinë. Libri ngërthen një studim, duke pretenduar që të jetë sa më gjithëpërfshirës mbi poetikën e prozës së tregimtarit dhe romansierit të shquar, Nasi Lera. Letërsinë e shkrimtarit Nasi Lera kam bërë përpjekje për ta përcjellë qysh herët dhe këmba-këmbës. Kam filluar së lexuari librin e tij me tregime të titulluar, “Dita e tretë”, të botuar në Prishtinë në vitin 1980, nga NGB “Rilindja”, dhe romanin të botuar në vitin 1984, po ashtu nga “Rilindja” në Prishtinë dhe nga leximi I këtyre dy librave të parë që më kanë rënë në duar t’i lexoj, më është zgjuar kureshtja që ta vazhdojë së lexuari veprat e tij. Në ato vite ishte shumë e vështirë për të siguruar librat e tij, sepse kufiri ndërshqiptar i hermetizuar vështirësonte sigurimin e librave të botuar në Tiranë dhe anasjelltas.
Pas viteve të ’90-ta kjo gjendje ndryshoi në aspektin pozitiv, ngase komunikimi ishte më i lehtë dhe librat mund të siguroheshin më lehtësisht, meqenëse në kufirin shqiptaro-shqiptar policia e instaluar ushtronin në kontrollim të rreptë. Pas viteve ’90 kamë siguruar çdo vepër të shkrimtarin Nasi Lera dhe çdo libër të tij kamë lexuar dhe kam bërë përpjekje që pikëpamjet e mia mbi vlerat e prozës së këtij shkrimtari t’i kapërthej brenda këtij libri. Librin e kam konceptuar në disa kapituj përmbajtjesorë, duke bërë përpjekje që ta ruaj strukturën unifikuese të këtij studimi. Pjesën e parë e kam konceptuar, “Bota letrare e tregimit të Nasi Lerës”; pjesa e dytë, “Në botën e romanit”; pjesa e tretë, “Receptimi kritiko-letrar” dhe pjesa e katërt, “Dialogë me shkrimtarin Nasi Lera”. Kështu që lirisht mund të konstatoj se në këtë libër kam kapërthyer gjithë potencialin tim rreth poetikës së prozës së këtij shkrimtare. Vlerësoj se me këtë libër kam kryer një borxh modest ndaj veprimtarisë letrare të shkrimtarit Nasi Lera.
● Ju keni botuar edhe disa libra nga fusha e monografisë, po ashtu edhe të letërsisë dokumentare, duke u fokusuar në personalitete të diasporës, kryesisht të Amerikës, çfarë mund të shtoni rreth kësaj çështjeje?
– Po, unë kam botuar disa libra për personalitete të diasporës shqiptare, kryesisht të Amerikës. Të gjithë i njohin angazhimet dhe atributet e shumë personaliteteve tona kombëtare, të cilët kanë kontribuar dhe janë angazhuar në të mirë të çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Angazhimi i tyre ishte i shtrirë në aspektin politik, kulturor dhe humanist, duke depërtuar nëpër të gjitha kancelaritë të diplomacive vendimmarrëse të Amerikës dhe të Europës, për të sensibilizuar dhe internacionalizuar çështjen e Kosovës dhe të asaj shqiptare. Falë angazhimit të tyre tek ato qarqe të larta diplomatike është pasqyruar e vërteta mbi Kosovën.
Kështu në vitin 2010, pas një vizite që i bëra SHBA-ve dhe pas bisedave me disa personalitete kam përgatitur dhe botuar librin publicistik – dokumentar të titulluar, “Nju Jorku = botë në miniature”, një liber që është mirëpritur nga lexuesit të shumtë kosovarë dhe të SHBA-ve. Po ashtu kam botuar një liber monografik, “Marjan Cubi, njeriu urëlidhës mes Amerikës dhe Kosovës, botoi “Drita”, Prishtinë 2010; pastaj librin për veprimtarin dhe humanistin e shquar, Mhill Gjuraj. Libri titullohet, “Mhill Gjuraj: Vlerë e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë, botoi SHGB “Fishta”, Prishtinë 2013, po ashtu librin tjetër vijues, “Mesazhe nga podiumi, arsEST 2015. Po ashtu kam botuar edhe libra të tjerë të kësaj natyre.
Komunikimi në fushën e artit, të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare është çështje jetike
• Prof. Gojani, çfarë do të thotë komunikimi mbarëkombëtar për letërsinë dhe kulturën tonë të përbashkët kombëtare, sa ka rëndësi kjo në ngritjen e cilësisë së letërsisë dhe kulturës sonë përgjithësisht, e cila për shkaqe tashmë të njohura gati për gjysmë shekulli në esencë mbeti e ndarë?
– Ne e dimë fatin që na ka përcjellë për shumë dekada. Jo vetëm në fushën e kulturës, të artit dhe të letërsisë që ishim të ndarë, mirëpo ky realitet i ndarjes na ndodhi në të gjitha aspektet e jetës. Prandaj, sot, në këtë realitet të ri, komunikimi dhe bashkëpunimi në fushën e letërsisë, të artit, shkencës dhe përgjithësisht kulturës sonë kombëtare brenda komunitetit mbarëshqiptar është më se i domosdoshëm dhe jetik. Sepse, hapja, gjegjësisht integrimi ynë i përbashkët tregon fuqi, mundëson krijimin e një identitetit superior shpirtëror dhe kulturor. Prandaj, projektin tonë të përbashkët unë e ndjej si një qarkullim të vlerave të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave tona të përbashkëta, të cilat deri me dje na kanë munguar. Neve na nevojitet që edhe në të ardhmen të përgatisim krijimin e itinerareve të përbashkëta në shumë segmente të jetës, posaçërisht në kulturë, kultura si vlerësim më autentik i imazhit të një kombi.
Sot kultura e Shqipërisë dhe e Kosovës janë dy pjesë të një të tërë, pra të asaj që të gjithë e quajmë: Kulturë kombëtare. “Nja asht gjuha, kombi nja,” pati thënë i madhi Ndre Mjeda. Natyrisht, së bashku i ndiejmë si pjesë të trashëgimisë tonë atdhetare, krijuese dhe shpirtërore. Emra të tillë, si Buzuku, Barleti, Budi, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi, Konica, Frashëri, Gurakuqi, Noli, Koliqi, Londo, Kongoli, Spahiu, Shkreli, Podrimja e shumë të tjerë për të theksuar fort krenarinë për I. Rugovën dhe I. Kadarenë, për të cilët kam shprehur konsideratën personale, që me vlerat dhe veprat e tyre zënë të parin vend. Përmenda këta emra për të ravijëzuar një ide, atë të një kulture dhe letërsie të përbashkët.
Sepse kultura dhe letërsia janë gjuhët më të mira për të komunikuar me të ndryshmin, e jo më me vëllezërit të një gjaku, se letërsia dhe kultura janë hapësirat tona të përbashkëta. Ne shqiptarët, në të dy anët e kufirit, nuk kemi kohë për të humbur, por besojmë fort në përcaktimin e shkrimtarit tonë të shquar, I. Kadare, i cili shprehet: “ Dy shtete shqiptare në Bashkimin Evropian do ta përfaqësojmë më bukur kombin shqiptar; do të jemi shumë të fuqishëm dhe do t’i japim shtatin e vërtetë kombit shqiptar. Dhe, bashkë me këtë shtat të vërtetë do të japim një filozofi shumë të shëndetshme, sepse, kur një trup plotësohet, gjithashtu edhe mendja plotësohet.
• A mund të na tregoni më hollësisht lidhur me fillin e aktiviteteve tuaja për çështjen kombëtare, si dhe motivet që ju kanë nxitur në këtë rrugë ndriçuese?
-Ishin ato vite ku rezistenca shqiptare kundrejt pushtuesit serb bënte jetën shqiptare. Atij zëri të kauzës askujt më tepër se intelektualëve nuk i binte t’i përgjigjej. Me gjithë potencialin intelektual dhe fizik edhe unë bëra përpjekje për ta hedhur një gur në kalanë e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës. Motivi ishte shumë i thjeshtë: Ideali për liri çlirim kombëtar!
• Disa herë keni qenë të të arrestuar, ku edhe jeni keqtrajtuar deri në një masë të rëndë, mirëpo asnjëherë nuk vendosët që ta braktisni Kosovën, edhe pse ndjeheshit tëi rrezikuar.
– T’ju them të drejtën që në ato kohë të rënda, jo vetëm unë, por cilido shqiptar në Kosovë ka qenë i rrezikuar dhe i keqtrajtuar. Rreziku ishte pjesë kolektive e këtij populli. I gjithë ky popull ishte në një burg të vetëm. Njerëzit arrestoheshin, keqtrajtoheshin, vriteshin, mirëpo idealin për liri nuk kishte mundësi t’ua vret asnjë forcë. Kështu nga aspekti se ideali thyente të gjitha ato vështirësi, ishim të palëkundur në përcaktimin tonë, që t’i qëndrojmë atdheut deri në orët e fundit të lirisë. Ka të atillë që ranë në altarin e lirisë, të cilët misionin e tyre e kryen me ndërgjegjen më të lartë, mirëpo edhe të tjerë që fati i përcolli që t’i shpëtojnë asaj katrahure. Të bëmat tona për ato vite nuk janë modesti të potencohen, sepse njerëzit, por edhe shkrimtarët, kanë dhënë familje të tëra, siç kemi rastin e shkrimtarit e mirënjohur, Ymer Elshani dhe ndonjë tjetër. Edhe angazhimi, edhe flijimi, në ato kohë ishin një borxh ndaj atdheut. Dhe nga ky parim të gjithë kemi qenë të angazhuar në këtë aspekt.
Takimi dhe biseda me shkrimtarin Ismail Kadare, më 1990 në Durrës, moment tepër nostalgjik dhe i rëndësishëm.
• Prof. Gojani, mundësisht na përshkruani vizitën tuaj të parë në vitin 1990 në shtetin amë–në Shqipëri dhe takimin tuaj të parë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe me shkrimtarë të tjerë të Shqipërisë. Cila është përshtypja juaj nga ajo vizitë dhe ato takime që keni pasur me këta shkrimtarë?
– Po, në vitin 1990 ishte vizita ime e parë në Shqipëri. Ishte një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj. Një ëndërr e pritur gjatë, megjithatë u realizua në këtë vit. Përpos shumë përshtypjeve që përçoj nga vizitat tepër mbresëlënëse disa vendeve, si Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Kukësit dhe ndonjë tjetër, kontaktet dhe takimet vëllazërore me njerëz dhe shkrimtarë të Shqipërisë, janë moment që për mua do të mbeten gjatë në kujtesë. Një takim që atëbotë më organizoj Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, me kryetarin e saj të asaj kohe, Bardhyl London dhe sekretarin e kësaj Lidhjeje, Nasi Lerën, do të mbetet i paharruar.
Këto dy personalitete të shquara të letërsisë shqiptare, të shoqëruar edhe nga shkrimtarët, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Adelina Mamaqi, Skënder Buçpapaj, me kishin në selinë e kësaj lidhjeje më kishin rezervuar një pritje shumë të ngrohtë dhe tepër vëllazërore. Shkrimtarët shqiptarë, ishin kureshtarë për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, për gjendjen e letërsisë dhe të kulturës në Kosovë; ishin bisedat edhe rreth disa miqve të tyre shkrimtarë, pyesnin për Podrimjen, Shkrelin dhe ndonjë tjetër. Me këtë rast, ndërsa gjendesha në Durrës, në hotelin “Adriatik” të këtij qyteti pata privilegjin që rastësisht të takohem me shkrimtarin Ismail Kadare, me të cilin pas një kërkese që I bëra pranoi që të pimë kafe dhe të zhvillojmë një bisedë. Ky takim me shkrimtarin Kadare ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe i cili do të mbetet përherë në kujtesën time.
Këtë takim dhe bisedë do ta quaja shumë të rëndësishëm dhe tepër nostalgjik. Me shkrimtarin Kadare biseduam rreth veprimtarisë së tij letrare, me ç ‘rast prekem edhe tema të tjera nga fusha e letërsisë dhe kulturës sonë, duke mos iu shmangur as zhvillimeve politike në Shqipëri, por edhe në rajon dhe Europë, që atëherë ishte aktuale rrënimi i Murit të Berlinit. Nga Kadare pranova shumë mesazhe që më kanë shërbyer shumë në jetën dhe krijimtarinë time letrare. Në atë takim nga shkrimtari Kadare pranova dy libra të tij të sapobotuar, “Eskili ky humbës i madh” dhe “Dosja H”. Ndërkaq, unë shfrytëzova momentin që atij t’i dhuroj librin time poetic, “Zëri i largët”, i cili sapo ishte botuar nga “Rilindja”. Nga kjo vizitë e parë në Shqipëri kam edhe shumë kujtime e përjetime, të cilat shpresoj që një ditë do t’i konceptoj në një libër të veçantë tematik. Ne sot nuk kemi një kritikë të mirëfilltë letrare, domethënë siç e kishim më herët, diku në vitet ’70 apo ‘80
• Si krijues letrar si e shihni kritikën letrare sot, a ekziston një e tillë e mirëfilltë, apo ç’vlerësim keni rreth kritikës sonë?
– Unë kam shkruar mbase herë pas herë për këtë letërsi dhe mendoj se, edhe përkundër faktit, se kohëve të fundit pa kritere janë futur edhe antivlera, megjithatë, përgjithësisht mund të konstatoj se kjo letërsi ka vlera të pakontestueshme në të gjitha gjinitë letrare (përpos tash të kritikës letrare), sepse këto vlera janë akumuluar me dekada dhe kanë krijuar një bazament të qëndrueshëmPo çfarë i mungon letërsisë sonë sot? I mungon kritika e mirëfilltë letrare. Çështja e kritikës letrare është tepër serioze dhe, që kërkon debat të mirëfilltë. Sepse kemi të bëjmë me një çështje tejet të rëndësishme dhe me interes dimensional. Këto debate duhet të zhvillohen përmes tryezave të ndryshme, me njohës që flasin me kompetencë rreth kësaj çështjeje, dhe të cilët mund t’i kontribuojnë kësaj çështjes tematike dhe të tregojnë rrugët se si mund të dilet nga kjo gjendje e jo e mirë që ka pllakosur këtë zhanër të letërsisë shqipe.Unë e ndjek letërsinë, ndjek autorët e rinj, por ndjek dhe kritikën letrare që vjen përmes pak revistave letrare, apo faqeve të kulturës të të përditshmeve tona, që janë sot, apo dhe recensionet, studimet etj.
Mund të them që ne nuk kemi një kritikë të mirëfilltë letrare, përkatësisht meqë na mungon, sepse nuk është vepruese në mënyrë të vazhdueshme e sistematike dhe jo të forme me kritere të institucionalizuara.Ne sot nuk kemi një kritikë të mirëfilltë letrare, domethënë siç e kishim më herët, diku në vitet ’70 apo ‘80. Na mungojnë vlera të kritikës letrare, siç i kishim më parë, si emrat e kritikëve tanë të frytshëm dhe të afirmuar, si H. Mekuli, I.Rugova, R. Qosja, A. N. Berisha, M. Kraja, R. Ramabaja, R. Musliu, A. Konushvci, M. Ramadani (i cili njëherësh bënte kritikën e filmit e të dramës, që sot një kritikë e tillë mungon tërësisht), S. Bashota, B. Qapriqi, I. Berisha e shumë të tjerë të këtij niveli. Pse sot nuk kemi kritikë letrarë të këtij niveli siç kishim dikur. Ose, pse edhe disa nga këta emra që akoma merren me letërsi, nuk krijojnë kritikën letrare, ku kontributi i tyre do të kishte pasur mundësi të jetë tejet i rëndësishëm dhe shumëdimensional. Janë shumë faktorë që kanë diktuar këtë gjendje të këtij niveli të ultë që ka rënë kritika letrare. Në radhë të parë, ne nuk kemi një organ letrar të qëndrueshëm,siç ishin më parë “Jeta e re”, “Fjala” etj., që të jetë vetëm për kritikën letrare.
Tek ne sot mungon një revistë e tillë dhe kemi mbetur shpeshherë ose në shkrime të stilit recensional, ose në kritika që janë të njëanshme, vetëm lavdëruese, dhënë nga një vlerësim për një shok apo nga një mik, pra një kritikë klanore që nuk është realiste në vlerësimin e veprës letrare dhe mbi të gjitha ne nuk kemi dhe polemikën mbi kritikën. P.sh.: nëse unë shkruaj një kritikë për një libër, nuk ka një tjetër kritikë që të polemizojë apo për të parë këndvështrime të reja, në vlerësimin e veprës letrare. Kemi lavdërime pa fund, ose shkrime që vijnë në mënyrë të përgjithshme dhe dalim tek ajo që quhet kritika e heshtjes dhe heshtja e kritikës. Për shumë vepra me vlerë kemi heshtje të kritikës dhe për një sërë veprash që janë mediokre vepron heshtja e kritikës, dhe kjo është gjë e mirë që mund të bëhet tek këto lloj veprash. Por nëse shpeshherë në gazetat tona ne gjejmë vlerësime superlative për vepra që nuk kanë ndonjë vlerë reale, këtu duhet të qëndronte kritika e vërtetë që duhet të vinte kufirin. Pra masa e vlerësimit është gjithmonë e tejkaluar nga ajo që është në vërtetë vepra.
Në këto kushte duhet një kritikë e thelluar, e ndershme dhe në aspektin etiko-moral siç është në gjithë botën. Ne na duhet një revistë për kritikën, të jetë e hapur për të gjithë studiuesit, të cilët në mënyrë të pavarur duhet të japin mendimin e tyre mbi shijet që kanë vënë vetë botuesit.Një faktor tjetër që ka ndikuar në “ikjen” e njohësve të kritikës letrare nga kjo gjini, është mos stimulimi dhe mos kujdesi i shoqërisë për njohësit të kësaj fushe, pra të kritikës letrare. Më herët puna që kanë bërë kritikët letrarë është shpërblyer, është kompensuar, sot revistat tona (edhe ato shumë të pakta dhe që botohen rrallë), institucionet tona të artit e të kulturës, nuk i kushtojnë kujdes stimulimit të krijuesit letrare, përkatësisht të njohësve të kritikës letrare.
Do të kishte qenë në rregull që organet kompetente, përkatësisht njerëzit kompetentë që kanë kompetenca në institucionet e artit dhe kulturës, si Ministria e Kulturës, të angazhohet dhe të ndihmojë në forma të ndryshme, si përmes botimit të një organi përkatës dhe njerëzve përkatës; përmes botimit të një reviste letrare me kritika letrare dhe angazhimit të kritikëve letrarë (edhe sot kemi kritikë letrarë, edhe pse numri është tejet i vogël, si Prend Buzhala etj.), të cilët do të angazhoheshin dhe këtë zhanër të letërsisë do ta vënin në binarë të duhur. Sepse, së fundmi ky zhanër meriton një trajtim të tillë për hir të letërsisë, për hir artit dhe kulturës shqiptare. Pra, edhe një herë përsëris: Nëse do të flasim për kritikë letrare të mirëfilltë, mendoj se kjo kritikë në Kosovë, aktualisht mungon.
Në vend të saj ka disa të vetëquajtur “kritikë letrarë”, të cilët për miq apo disa njerëzve të interesuar për autorin, bëhen “kritikë” të rastit, që bëjnë vetëm ca shënime, radhisin disa radhë të shkrimit (të përsëritura dhe të stërpërsëritura) me himne e lëvdata deri në pakufi. Në ndonjë rast, këto lëvdata e kalojnë sensin e masës dhe e paraqesin autorin sikur të jetë gjeni, zbulim në fushën e letrave shqipe, kur në të vërtetë është thjeshtë një krijues i rëndomtë pse jo dhe mediokër në fushën e poezisë apo të prozës. Raste të tilla në realitetin e sotëm letrarë kemi me qindra – qindra në vit. Mungesa e kritikës profesioniste si për letërsinë ashtu dhe për artin në përgjithësi, mendoj se ka sjell një pështjellim dhe konfuzitet të madh tek qëndrimi estetik dhe vlerësues i lexuesit të mirëfilltë.
Në realitetin e sotëm ku në të gjitha fushat do të kishte qenë racionale që të kemi një avancim dhe progres, po ashtu edhe në fushën e kritikës letrare, ne fatkeqësisht kemi një gjendje stagnacioni, të themi deformim të këtij zhanri letrare, pasi që ajo krijohet pak dhe ajo pjesë që krijohet nga njerëz që ju mungon sensi për vlerësime dhe kritikë letrare. Praktika të tilla ndaj letërsie dhe artit në Kosovë, duhet të marrin fund, pasi këto lloj praktikash dëmtojnë rëndë imazhin e vërtetë të Letërsisë dhe Artit Shqiptar.Pra, të bëjmë përpjekje t’ia kthejmë dinjitetin kritikës letrare në Kosovë. Mbase kritikës letrare në Kosovë meriton t’i kthehet imazhi dhe dinjiteti që kishte dikur.
• Përpos të lexuarit dhe të krijuarit, ju keni pasur pasion edhe sportin, cilët janë klubet dhe sportistët tuaj të preferuar?
– Në vitet e hershme përpos leximit dhe të shkruarit, si pasion kam pasur edhe sportin. Kam përcjellë sukseset e klubit futbollistik dhe volejbollistik të klubeve sportive “Dukagjini” të Klinës. Po ashtu, kam përcjellë edhe KF “Prishtina”, që dikur bënte gara në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë. Kam preferuar lojën e Vilson Xhonit, i cili luante në KF “Hajduku” të Splitit, pastaj të Luan dhe Prekazit në “Partizan” të Beogradit, të Shalës, në “Dinamo” të Zagrebit etj. Nga klubet ndërkombëtare aderoj KF Realin të Madridit dhe lojtarët e tij Ronaldo etj.
• Sa jeni të kënaqur me numrin e lexuesve të veprave tuaja?
– Sot është shumë vështirë një autor të nxjerr ndonjë statistikë se sa i lexohen veprat e tij, sepse sot nuk ka ndonjë organizim për shpërndarjen e librit. Më herët kur librat botoheshin në “Rilindja”, ajo bënte shpërndarjen e librave nëpër librari anekënd Kosovës, më pastaj po që se interesoheshe se sa është shitur libri juaj përmes informacioneve të autore librarëve të librarive autori kishte mundësi ta nxjerr një shifër se sa është shitur libri i tij. Ndërkaq, sa i përket leximit të librit është vështirë të nxjerrësh ndonjë statistikë. Kongoli thotë kur vërej që një lexues ka lexuar librin tim, jam njeriu më i lumtur”. Vërtet është lumturi të vëresh që librin tuaj ka lexuar një lexues, sepse është një respekt edhe ndaj autorit, por edhe ndaj librit përgjithësisht. Tash përmes rrjetit social të facebookut po është një mundësi për të prezantuar botimin e një libri që autori boton. Edhe unë përmes këtij rrjeti social bëj prezantimin e cilitdo libër që botoj. Po ashtu përmes këtij rrjeti social dhe mesazheve që pranoj mund të njoftohem se kush ka lexuar librin tim. Përgjithësisht lexuesit në këto vite të fundit është larguar bukur shumë nga leximi, krahasuar me vitet e mëhershme.
Më kanë provokuar librat e ndaluar.
• Po ju, sa tash lexoni?
– Nuk do të ishte modesti të flas për veten, mirëpo unë vazhdimisht lexoj dhe lexoj. Këtë pasion e kam qysh herët. Herët me intrigonin librat e ndaluar. Mënyra se si xhaxhai im, profesor dhe veteran i arsimit, Frrok Gojani, e përmendte epitetin “i ndaluar”, kur tregonte librat në raftin e bibliotekës së tij (atëbotë në bibliotekën time modeste kisha numër të kufizuar të librave), më nxiste që t’i lexoja. Karakteri im ishte i tillë: nëse ma ndalon diçka, kjo ishte mënyra më nxitëse për të më shtyrë për të lexuar këta libra. Herët nga kjo bibliotekë e xhaxhait tim lexova “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës, “Kosova djepi i shqiptarizmës” të Hamit Kokalarit dhe shumë libra të tjerë, që atëbotë ishin të “rrezikshme” për regjimin. Edhe sot, edhe pse kam kaluar disa dekada jete, vazhdimisht libri më shoqëron dhe e lexoj. Kryesisht preferoj të lexoj romane nga autorë të zgjedhur të letërsisë shqiptare, por edhe të asaj botërore. Të lexuarit sikur më ka shmangur nga kurthet e jetës së përditshme, po e parafrazoj thënien e një shkrimtari emri i të cilit nuk po më kujtohet.
• A mendoni që sot leximi është në ditët më të këqija? Çfarë mendoni sa lexohet sot libri nga lexuesi ynë shqiptar?
– Po e shpreh një mendim timin, në Shqipëri libri sikur akoma lexohet, edhe nga shtresa më e moshuar, por këtë kulturë sikur ende e trashëgon edhe brezi i ri. Në Kosovë, sikur ndryshon gjendja. Të lexuarit sikur ka dalë jashtë mode, në njëfarë mënyre. Futja e televizionit, kompjuterit, interneti, ka bërë një seleksion të pamëshirshëm në kategorinë e lexuesit. Sot, besnik të librit mbetën kryesisht ata që i kushtohen sistematikisht një profesioni, me këtë rast shkrimtarët dhe individët të cilët e kanë shumë të fuqishme nevojën e të menduarit. Të rinjtë shumë pak lexojnë (kjo është bindje imja), ndërkaq mosha e thyer akoma ruajnë atë traditë të së kaluarës sa i përket leximit. Sikur janë të mishëruar së lexuari dhe shpirti i tyre sikur ka nevojë dhe etje për lexim. Është një hendikep që në këto kohë të vështira të kësaj kategorie të njerëzve ku mes tyre ka edhe të pensionuar që akoma e dëshirojnë librin dhe leximin, mirëpo fatkeqësisht xhepi i tyre i cekët iu dikton sigurimin, përkatësisht blerjen e këtij malli shumë të nevojshëm dhe tepër të vlefshëm.
• Keni tjera hobe përpos shkrimeve letrare?
– Në moshën e rinis si hobe kam pasur edhe marrjen me sport, kryesisht kam preferuar futbollin dhe volejbollin. Ndërkaq në këtë moshë pasi pamundësitë fizike nuk më lejojnë që të merrem me këto sporte, unë prapë po e përsëris që si hobe kam leximin dhe të shkruarit.
• Cila është deviza e jetës suaj?
– Kuptohet, që është shumë e thjeshtë: përkushtimi për familjen, fëmijët, të shkruaj dhe të lexoj.
• Para se ta përfundojmë këtë bisedë edhe diçka të na thoni rreth preokupimeve tuaja momentale, praj çfarë presin lexuesit nga ju?
– Çdo krijues posa të përfundojë një libër, ngarend të nis dhe të përfundojë librin tjetër dhe kështu end jetën në kërkim të temave dhe motiveve për të krijuar. Lexuesi më ka ndjekur nëpër vite dhe kuptohet pret shumë nga unë. Ndërkohë, që unë, në këto vite jam bërë më i vëmendshëm, marr si kriter vërejtjen e shkrimtarit nobelist indian, Naipul, se “jo gjithçka shkruhet”. Megjithatë edhe unë kam projektet e mia. Kam një roman, që kam titulluar, Në kërkim të kohës së humbur” (Mes jetës dhe pajetës). Po ashtu kam në fazën finale një libër me intervista, me ç’rast i kam të kapërthyer disa personalitete të politikës dhe kulturës shqiptare. Edhe një vëllim me poezi, pothuaj e kam afër fazës përfundimtare për botim.
• Po mesazhi juaj për lexuesit cili është?
– Të rinjve ju preferoj që të lexojnë dhe sa më shumë vetëm të lexojnë. Duhet të jenë të vetëdijshëm se leximi i fisnikëron, ju mundëson një botë virtuale, të zgjeron horizontet e dijes dhe nëpërmjet leximit mund të gjejnë vendin e tyre të vogël në këtë botë të madhe. Njeriu zhvishet nga gjerat e tepërta nëpërmjet dijes, dhe në të njëjtën kohë më në gjendje të pozicionohet dhe të investojë në drejtimin e duhur për veten e tij.
• Ju faleminderit!
– Qofshi me nder!