Zymer Mehani
Autori Bajram Ibrahimaj është zë i ri në pozinë shqipe, që shquhet me mendimet dhe aftësitë krijuese të të vërejturit të zhvilluar të dukurive dhe fenomeneve, problemeve e çështjeve të ndryshme. Ky autor është i vetëdijshëm se prej krijuesit kërkohet paraqitja e broblemeve dhe e çështjeve jetësore, pasqyrimi i realitetit dhe i çdo gjëje që e atë, në mënyrë të përmbledhur, koncize, me fjali të dendura që shprehin mendime të thella, elemente këto që ua shtojnë poezive të tij edhe më shumë vlerën.
Në poezitë e autorit Bajram Ibrahimaj, vërejmë elemente të përjetimit artistik, të bukurisë së fjalës dhe të mendimit, që na shtyjnë për të menduar dhe për të gjurmuar për problemet dhe çështjet që autori i trajton dhe i shtjellon në vargjet e veta. Ky kryesisht e kultivon poezinë lirike, me të cilën shpreh mjaft mirë realitetin e jetës në ambientin shoqëror, në të cilin jetojmë dhe si e tillë, poezia e tij shpreh humanitet dhe besim të thellë të njeriut për njeriun.
Bajram Ibrahimaj me vëllimin poetik “Hogoshtin e kujtoj” na shfaqet si krijues, që me dendësinë e mendimeve, të fjalëve dhe fjalive shpreh thelbin e problemeve dhe përherë është i kujdesshëm dhe mjeshtër i përpunimit të vargut, prandaj si i tillë, ai me poezinë e tij të përvetëson që në kontaktin e parë. Ky autor shquhet edhe me një veçanti, e kjo është kërkesa që ia ka parashtruar vetvetes për të qenë edhe më i frytshëm përkah sasia, të krijojë edhe më shumë, sepse mundet dhe është i aftë të japë realizime, ku ndjenjat dhe mendimet shkrihen aq mirë në mes tyre dhe kështu fitojmë poezi të arrira me plot kuptimin e fjalës, të llojit më të kulluar të lirikës, të përzier edhe me elemente të poezisë sociale etj.
Mund të themi se autori Bajram Ibrahimaj në përmbledhjen e tij na ka dhuruar poezi që shquhen me tema dhe motive (vendlindja, kurbeti, nëna etj.), e ky fakt tregon se autori Ibrahimaj po ecën sigurt shtigjeve të poezisë shqipe.
Bajram Ibrahimaj e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton çështje thelbësore të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë, duke i shikuar e hetuar problemet dhe çështjet dhe pastaj i thotë ato që i mendon, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të realitetit.
Bajram (Raif) Ibrahimaj u lind më 25.02.1963 në Hogosht të Kamenicës.
Shkollën fillore dhe të mesmën i kreu në vendlindje.
Është i martuar dhe ka dy djem dhe nji vajzë, me dy nipa: Lorisi dhe Valentini e dy mbesat: Lena dhe Morena. Nga vitet ‘ 80 ka qenë futbollist i KF “KIKA” për disa vite. Për afro pesë vjet punoi në Ndërmarrjen e Transportit “Kosovatrans” të Kamenicës. Si shumë bashkëvendës, në vitin 1989 mori rrugën e kurbetit. Përplot tridhjetë vjet punon, vepron dhe jeton në Zvicër.
Si çdo mërgimtar veprimtaritë në mërgatë është munduar që në mënyra të ndryshme t’i shndërrojë në çështje humanitare. Aktualisht është kryetar i Shoqatës Humanitare “Hogoshti” në Zvicër.