POEZI TË SHKRUARA ME FRYMËZIM TË THELLË PËR JETËN, ATDHEUN, DASHURINË…

0
1491

Hamit Majkovci “Përtej qiejve të lirisë” , SHB “Lena”- Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Ndonëse me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh herët autori Hamit Majkovci deri vonë ka qenë disi i heshtur dhe poezitë e tij i ka botuar herë pas here. Mirëpo tash po thuajse brenda një viti ka dal para lexuesve me katër përmbledhje me poezi, njëra pas tjetrës dhe nuk do të ketë të ndalur edhe në të ardhmen ngase ai në dorëshkrim ka një numër të madh poezish.

Libri i katërt më radhë i autorit Hamit Majkovci “Përtej qiejve të lirisë” është i konceptuar në katër cikle ( Ikën kohët, Në shtatin tënd atdhe, Bashkërrugëtimi dhe Ngjyra e shpirtit ) ku në përbërjen e tërësishme ka 77 poezi. Andaj lexuesi e ka mundësinë që përmes këtij libri si edhe librave tjerë të botuar më parë të njoh për së afërmi vargun e autorit Majkovci që ndjesinë që ka ai në poezi mund të përfitojë edhe lexuesi ngase ai krijon një komunikim të sinqertë më lexuesin, duke ndarë ndjenjat e mendimeve për shumë dukuri të jetës.

Poezitë e këtij libri janë shprehje e shpirtit krijues, të shkruara më një intensitet, frymëzim të thellë për jetën, atdheun, dashurinë, bukurit natyrore të vendit…

Majkovci në poezitë e tij si edhe në përmbledhjet e më hershme edhe në këtë përmbledhje jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë që është një kuptim i përgjithshëm e i qëndrueshëm.

Autori në poezitë e tij e thotë gjithë atë që e preokupon, atë që e sheh dhe e përjeton bukur. Ai poezinë e ndjen brenda tij dhe jeton me të në çdo moment e më së tepërmi atë e shpreh në vendlindjen e tij ku edhe shpesh herë bukuritë e vendlindjes janë frymëzim për vargjet e tija.

Majkovci është ndër poetët që vargun e gatuan me brumin e tokës dhe realitetit, ku ka reflektim njerëzor, kombëtar dhe poetik.

Autori bashkëbisedon me lexuesin përmes vargjeve të tij, që janë vargje me një metaforë të lehtë dhe me një rimë mjaftë mirë të përdorur në vargun e tij e që janë lehtë të kuptueshme për lexuesin.

Frymëzimin për vargjet e tija autori e merr kryesisht nga jeta, nga e kaluara, nga e tanishmja për një rrugëtim në të ardhmen.

Vargjet e këtij libri dëshmojnë për një vlerë dhe për një artikulim të çiltër poetik.
Siç shihet edhe në vargjet e tij autori është i lidhur shumë me familjen, shkollën, nxënësit, vendlindjen dhe atdheun në përgjithësi.

Në poezinë “Nëna” që e hap edhe këtë përmbledhje ndër tjera autori shprehet :

Në zemër më trokiti zëri i nënës
Dhe më bëri që të qaj
Sa më ngrohu ai zë i ëmbël
Shpirtin ma ngrohu, ngrohtësi e saj.

Profesionin e mësuesit e ndjen ashtu si është profesion i shenjtë por që edhe për punën dhe sakrificën që bënë mësuesit gjatë viteve të okupimit klasik duke mbajtur gjallë shkollën shqipe autori e çmon shumë lartë por që e brengos fakti që kjo punë nuk është çmuar dhe vlerësuar sa duhet. Ja si shprehet ai në mes tjerash në poezinë “Mësuesi”:

Ngjyrë e juaj qe krenaria
Se një ditë do të vij liria
Dhe kjo ditë tani buzëqeshi
Mundi, sakrifica e mësuesit
Vallë ku mbeti?!

Autori Majkovci nëpërmes vargjeve të tij sjell idealet e larta kombëtare që ka e kjo shihet më së miri në ciklin e dytë ku shumë vargje ia kushton atdheut, heronjve, qëndresës, lirisë, figurave të ndritura të kombit dhe luftës së lavdishme të UÇK-së,…

Me fytyra të buzëqeshura
E zemra të dëlira
Ëndërr patën, ata
Shtigjet e atdheut, të lira.

Ndjenja e krenarisë kombëtare, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e njerëzve të Kosovës, ndaj dhunës shumë shekullore nga regjimet e okupatorëve të vendit vërehet tek disa poezi të autorit në këtë vëllim poetik.

Ja si shprehet ndër tjera në vargjet në poezinë kushtuar heroit Zahir Pajaziti :

Si shqiponjë mbi mal
E vështronte armikun
Rrugës që ish nisur
E kish arritur qëllimin.

Poeti përmes shumë vargjeve shpreh dashurinë për historinë e lavdishme të kombit dhe rrënjët e lashta të tij. Edhe ky si shumë të tjerë ëndërron për ta parë një ditë të bashkuar gjithë kombin shqiptar në një shtet të madh e të vetëm.

I mora shkronjat që t’i shkruaj vargjet
Emrat: Iliri, Arbëri, Çamëri i prinë valles
I bashkova ngjyrë, pendë dhe letër,
Në zemër mu shfaq, Shqipëria e vjetër.

Autorin e preokupojnë edhe bukurit e natyrës sidomos në vendlindjen e tij, po këtu na sjell edhe poezi që i këndojnë dashurisë dhe në disa vargje te poezia “ Pikat e shiut “ ndër tjera shprehet :

Mbi ombrellën me pika
Trokasin pikat e shiut
E rrugës së lagur
Buzëqeshin dashuritë.

Vargjet e cituara më lart nga disa poezi të kësaj përmbledhje janë vetëm një pjesë e këtij thesari që na e sjell autori Hamit Majkovci në librin e tij më të ri.

Andaj mund të përfundojmë se autori Hamit Majkovci me librin e tij të katërt me radhë sjell një vlerë në letërsinë shqipe poezitë e prezantuara këtu plotësojnë kërkesat e lexuesve ngase këto poezi kanë vlerë të mirë letrare dhe vejnë një raport të mirë me lexuesin.

Shpresojmë se ashtu si janë pritur mirë librat tjerë të këtij autori do të pritet edhe ky libër që ka një ngritje më të lartë letrare e artistike.

Autori na premton botime të reja në një të ardhme të afërt ku për këtë besojmë se ashtu do të jetë ngase katër libra brenda vitit është një sukses i madh për një autor dhe se çdo herë ai po na sjell vargje më të mira e kjo po vërehet nga libri në libër.