POEZI TË KOLEGËNVE PËR FASLLI HALITIN

0
800

ULMAR QVICK
(POET ALBANOLOG SUEDEZ)

DIELLI I SHQIPËRISË

Sa herë, nëpër muzg, nëpër mjegull
Përtej trishtimit të nëntorit nordik
Kam parë me sytë mbyllur
Dritën e diellit të Shqipërisë.

Ky diell më djeg lëkurën
Atje në plazh të Durrësit
Më përshëndet si mik nga rinia
Kur më mori flakë shpirti

Më mori flak shpirti
Mori flak se e ndezi Migjeni
Me rrezet që ranë në tullumbat
E Lulit të vocërr.

Më mori flakë shpirti
me rrezet e furisë së Faslli Halitit*
Dielli dhe rrëkerat luftuan
Mbi çatinë e shtëpisë së tij.

U mblodhën pa mëshirë
në poezi me dritë e terr
por fjalët u tretën
në rrebeshët e stinës.

Dhe më mësoi Fatos Arapi
se nuk janë udhët pa fund të jetës
si këto rrze të diellit
që çajnë drejt universitetit.

As statujat s’janë të pavdekshme
E dinë tani, e dinë
E pavdekshme është vetëm
Dashuria që mundi shekujt.

Bile me sy të mbyllur, aman
Sa herë kam parë
Nëpër muzg, nëpër mjegull nordik
Dritën e diellit të Shqipërisë.

Dhjetor 1990


Shënim i autorit:
*Poet nga Lushnja. Poema e tij «Dielli dhe rrëkerat», u botua në gazetën «Zëri i rinisë» më 16 dhjetor 1972. U bë objekt sulmi për përmbajtjen e saj satirike.

SHËNIMI YNË (i gazetës «Ora e Fjaës» 16 nëntor 1993): Në Lushnjë ende ka nga ata, që e shtrembërojnë dhe e keqinterpretojnë( poemën) «Dielli dhe rrëkeja»

SKËNDER TENA
(SKULPTOR)

MODEL I FJALËS POETKE BRILANTE, FURTUNË

Fjalët e poezisë të poetit Faslli,
Si vargje fishekësh në gjokset e dëshmorëve dhe heronjve të tij.
Fjalët poetike si shigjeta në veshët e politikës që hesht dhe s’do t’ia dijë,
Dhe zbresin dëshmorët dhe heronjtë nga piedestalet,
Vallë ku venë?
Në kazanët e llozhnave për skrap në periferi?

O popull më thuaj pse hesht,
A nuk është ky skandal,
A s’është çudi?
Përgjigjen e dua
E dua vetëm nga ti.

Poezia e poetit Faslli
Kthehet si fshesë gjigante
Nga jugu në veri
U fshin pluhurin disa vjeçar
Dëshmorëve dhe heronjve të Atdheu të tij ;
I pastron, i ledhaton dhe i lanë me ujë floriri.
Ata të përjetshëm janë si vetë metali flori.

Dhe poeti Faslli
Atdhetar shqiptar,
Model i fjalës poetike brilante, furtunë,
Në mbrojtje e respekt të djemve që ranë për liri
Lule të freskëta nga brezat për ata që dhanë jetën për kujtim, në përjetësi.


ILIR . L E V O N J A
SHKRIMTAR

GËZUAR DITËLINDJEN POET

poetit Faslli Halitit

Gëzuar ditëlindjen poet,
ti mësues, burrë, prind e gjysh,
qytetar, lektor,
koferencier,
piktor i sofizmave si dromca shiu,
që arti i mbledh për zjarrin e vatrës…,
….. gëzuar me shumicë.
Gëzuar sikur me qenë afshi i kësaj stine
ku vrunduj ere me duargjethe mbushin rrugët,
e dielli hapet pash derisa të gjejë edhe skajin e fundit
më të fundit,
më të skajshim – atë që e gjete edhe ti –
prandaj ka pranverë, verë vjeshtë dhe dimër,
ta dish poet.
Gëzuar mbi të gëzueshmen
rreth një tavoline,
mes adhurueseve tek bredhi i Buçit
në Lushnje,
gëzuar poet edhe shtatëqind e shtatëdhjetëpesë
vjet.


FERDINAND LAHOLLI
POET GJERMANI

1. NË KROIN E FJALËS TËNDE

Faslli Halitit

U përkula në kroin e fjalës tënde
dhe piva diellin e artë të mendimit.

Në rrugën drejt vetes, ku rigon terrdhembje,
po fekson festivi ylber i besimit.

2. KËSHTU NDODHKA ME FJALËN

F. H.

Bëhet urë ndër kohëra.
bëhet urë ndër njerëz,

kur rrënjët i paska në truallin e zemrës.

Marrë nga libri poetik


PËRPARIM HYSI
SHKRIMTAR E POET

POR S’U NDALE, PROMETHE
Faslli Halitit

Ti piktor seç shkruaje vargje
Seç “gatuaje” në një magje.
Dhe me gjuhën e Ezopit
Seç i bije “Babazotit”

Liliputët nëpër zyra
Lëpijnë kocka, prehin thika
Dhe vendosën:”Lër arsimin!”
Ndal pikturën,ndal dhe shkrimin!

Shpejt në fshat; larg nga qyteti
“Edukim” kërkon pushteti
Korre jonxhë, hape kanale
Pas të rri “hija tinzare”

Por s’u ndale, Promethe
S’pyet për “diell” apo “rrëke”*
Dhe u rrite nëpër vite
Ata poshtë, po ti u ngjite.

I shkurtër nga shtati
I madh si njeri
Lushnja të krenohet
Me poet si ti.

* “Dielli dhe rrëketë” – poezia që e ndëshkoi Poetin lushnjar.

4 prill 1997


BAJAME HOXHA (ÇELIKU)
POETE E SHKRIMTARE-BELGJIKË

1. POETIT FASLLI HALITI

Shpirtin Plotë petale
Jeta gjithë stuhi
Ditët dallgë e valë
Gjithnjë pashë tek ty.

Pashë dhe poezinë
Thellë, thellë tek ty
Shkonë në lartësinë
Ndritë porsi hyjni.

Frymëzim i blertë
Ngre peshë edhe malet
Duket n’horizont
Vargu me petalet.
Çdo poet në Lushnjë
Çdo poet i ri
Do nëpër vargje do të ketë
Patjetër pak Faslli.

2. «MËKATI» I PRANVERËS…

« Mëkati» i pranverës, te Faslli Haliti,
te sythet e tija, te gjethet e zgjimit,
„pranvera sykaltër, mua më mahniti,
Ky poet i madh, i solli dritë agimit.


MILTIADH DAVIDHI
POET E SHKRIMTAR – ITALI

TEMPULL

poetit Faslli Haliti

Tempullin tënd,
Me themele e mure
Të forta
E të padukshme,
Një jetë ke
Që e ndërton
Me durim
Brenda meje,
Pa e ditur kurrë,
Pa u kuptuar
Dhe nga unë.
Të falem idhull.

2008.


JOVAN BIZHYTI
POET E HISTORIAN

NE U RRITËM BASHKË
Mikut tim, Falli Hliti

Ne u rritëm bashkë o mik
Fushës së blertë buzë detit,
ti shpërtheve si filiz
me talentin e poetit.

Ishe ti çunak atëherë,
bëje skica vizatimit,
dhe në xhep mbaje një libër
me poezitë e Naimit!


Qeni – qenin nxit të lehë,
Përgjatë natës gjer në mëngjes,
Hajdut i pulave i lë radhën,
Mafiozit të veshur me pushtet.

FATBARDH RUSTEMI

NE QË RREZIKUAM PËR TË ARDHMEN

Gjeli gjelin ndez me këngë,Gjer në agim
të ditës së re. Arratinë marrin fantazmat
Veç si manikina pastaj i sheh.
Qeni qenin nxit të lehë,

Përgjatë natës gjer në mëngjes.
Hajdut i pulave i lë radhën
Mafiozit të veshur me pushtet.
Në dyqan të luksit pozon manikina,

Njeriun e modës me gjeste fantazme,
Nuk i veshim dot rrobat e stinës
Ne që rrezikuam për një të ardhme…

PREDISPOZITË

Si ngrihet njeriu?
Si ngrihet njeriu
Ngrenë supet, hiqen tuhaf,
Dhe më i dituri mes tyre më shmang.
Si rrëzohet njeriu?
Si rrëzohet njeriu?
Ma mësuan të gjithë me radhë..

PSE U ZGJODH E BARDHA SI KAPITULLIM?

Nëse të kërkohet dorëzimi,
Merr një cohë të bardhë dhe tunde për shpëtim.
Kurrë s`e mësova:
Pse u zgjodh e bardha,si kapitullim

Priftërinjtë me veladon të zi poshtë,
ndërsa Papa i bardhë lartë,
sikurse dhe tymi kur ai zgjidhet…
“Forcave të errëta” iu duhet në pushtet
Një bardhësi që të fshihen?

SPIUNËT E MI

S`di se kush më ka spiunuar,
S`di kush më ka shitur gjetkë,
Thonë se ndër ne ka shumë spiun,
Por si nuk e njoha një të vërtetë?

E fshehta e tjetrit mbeti tek unë e fshehtë,
Ma morën bukën ata që e gjetën shtruar,
Përtoj të merrem me këta të mjerë
Edhe pse s`rreshtin së shpifuri për mua…

Nëse i njihni ju spiunët e mi,
Edhe pse jetën ma kanë hidhëruar,
Kam vendosur që në këtë botë prapësi,
Të gjitha fajet të më vishen mua!

KUQALASHËT DHE POETI FASLLI HALITI

Jam ndjerë i përdorur
jo se ma kanë hedhur,
nuk mund të them se s`ma kanë punuar…
Duke luajtur me bezen e kuqe
kuqalashët më kthyen në një dem të tërbuar.

Ata nuk luanin me rrezikun,
sikurse ndodh me një teroador hero,
Sepse mua më kishin llogaritur
në një shtojcë të vetes, dosido.

Një Koz Dynjaja me beun hopa,
e namin ma hapën si frikacak,
Por në shpirtin tim flakëroi revolta
dhe s`njoha idhuj e butakë!

Atëherë kuqalashët më rrasën lopatë
Në vend të penelit delikat..
Si e si të më bënin qole
Një shall të kuq më lidhën në qafë.

Më gallavitën me të kuqen,
Në dekor të qytetit më mbajtën peng,
Nëse ditën shkruaja parulla
Natën komplotoja bashkë me Kadarenë.

I shoh kuqalashët në ditën e pashkës
Të lyejnë vezët me bojë të kuqe,
Njësoj si dikur rrëmojnë nëpër vargje
Se mos gjejnë në to mbeturina parulle.