ANTON NIKË BERISHA
(Parathënie)
1. Traditë e pasur e poezisë shqipe të përshpirtshme
Poetët shqiptarë, qoftë të traditës gojore, qoftë të traditës së shkruar, pos dukurive të shumta të jetës së përditshme, të natyrës dhe të botës së brendshme, në rrjedhën e qindvjetshave bënë objekt trajtimi artistik Zotin dhe Mbretërinë hyjnore – pjesë e rëndësishme e zhvillimit dhe e qenësisë së poezisë shqipe. Vepruan në këtë mënyrë për arsye se Hyji dhe besimi në hirin e Tij qe dhe mbeti pjesë e pandashme e gjallimit të poetëve tanë dhe e njerëzve tanë në përgjithësi, e veprimit dhe e mendimit të tyre.
Besimi në Hyjin nënkupton në qenësi pasurinë shpirtërore, afrimin dhe njësimin me hirin e Tij. Kjo përligjet dhe nga mendimi “Ji i përsosur siç është i përsosur Ati yt”.
Trajtimi artistik i botës dhe i fatit të njeriut përballë përdëllimit dhe dashurisë së Hyjit, përpjekja për ngritjen e fisnikërimit sa më të madh, gjakimi për pasurimin e pareshtur shpirtëror e artistik, nënkupton me një anë shpalimin dhe shqiptimin e ndjesive më të qenësishme dhe më të fshehta të njeriut, dhe më anë tjetër, domosdonë që ai ta kuptojë më mirë vetveten, të përsoset vijimisht, po njëherit të aftësohet për ta ndjerë, për ta nderuar e për ta çmuar edhe tjetrin.
Së këndejmi, duke bërë objekt trajtimi artistik Zotin, dritësinë, fuqinë dhe ngushëllimin që jep besimi në Të për përballimin e vështirësive të jetës së përditshme, poetët shqiptarë dëshmuan, pos tjerash, aftësinë, shkathtësinë dhe guximin e tyre të merren me çështje sa thelbësore aq edhe të ndërliqshme të Mbretërisë hyjnore dhe të botës e të njeriut.
Me pak fjalë, ai që e dashuron Hyjin, në të vërtetë, e dashuron dhe e çmon së pari veten, njeriun e vet, atdheun dhe kombin që i përket e pastaj edhe të tjerët, njeriun kudo dhe kushdo qoftë ai. Pikërisht besimi në Hyjin, dashuria për Të dhe nevoja që kjo dashuri të zbatohet e të mbretërojë midis njerëzve, shpreh një nga qenësitë kryesore të mesazheve të poezive të përshpirtshme të përftuara nga poetët tanë nga fillimi e deri më sot. Në këto poezi del ajo që e thekson me shumë të drejtë Branko Merxhani: “Dhe para se të mësojmë të mendohemi, duhet të mësojmë të dashurohemi. Duhet të mësojmë të besojmë.”
Nevoja e besimit në Zotin, nënkupton në të vërtetë kërkesën e ndërgjegjësimit të individit për veprimet që bën ai në jetën e përditshme, pikërisht atë që vë në dukje Nietsche (Niçe): “Çdo njeri, çdo popull, që të jetojë dhe të tregojë (dëshmojë) vetveten, para së gjithash, duhet të rregullojë kaosin, që gjendet brenda unit të tij”1.
Tradita e poezisë së përshpirtshme të shkuar në gjuhën tonë, që njohim deri më sot, zë fill me katër psalmet e hartuara nga Gjon Bdek Buzuku, të botuara më 1555 në veprën e hartuar nga ai “Meshari”2, pasurohet në vijim me poezitë e Pjetër Budit3, të Pjetër Bogdanit e të shumë poetëve pasardhës të tyre.
Me katër psalme, me disa tekste të tjera dhe me një poemë prej 128 vargjeve kushtuar shtatë mëkateve, Buzuku është edhe poeti ynë i parë që botoi poezi të përshpirtshme4. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të Psalmeve, të cilat në qenësinë e tyre janë lutje, himne apo lavde drejtuar Hyjit krijues.
Po sjell një pjesë të psalmit të hartuar nga Buzuku, që është edhe poezia e parë e botuar në gjuhën tonë e njohur deri më sot:
“O Jezu Krisht, shelbuosi i gjithë shekullit
e shpërblesi i shpirtënavet,
Zot, regj i pāmort,
u tȳ të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit,
të madhenë zotënī tande të pāfine
për këta të kënduom të këtyne Psalme,
qi u ī pādenji këndova,
ti të më liberonjsh shpirtinë tem ņ katit,
e ti vëliz zemërënë teme përapëtë ņ duorshit
s atyne qi për të keq ecnjënë.5
Me katër psalmet e hartuara e të kënduara, Buzuku donte ta lavdëronte Hyjin, dashurinë dhe besnikërinë e tij të amshuar ndaj njerëzve6, siç përligjet edhe në Psalmin 117 (116), punctum Psalterii, siç quhet psalmi më i shkurtër nga 150 Psalmet e Besëlidhjes së Vjetër:
Lavdëroni Jhwh-enë, kombe të gjitha,
kremtoni, njerëz të gjithë!
Pse e fortë është dashuria e tij për ne
dhe besnikëria e Jhwh-së zgjatë për amshim.7
Psalmet janë dëshmia më e mirëfilltë e rëndësisë së besimit të njeriut në Hyjin dhe e besëlidhjes me të: “Qiejt rrëfejnë lavdinë e Hyjit, / veprat e duarve të tij i shpall kupa e qiellit” (Ps 19, 2); “Lum ai që banon në shtëpinë tënde: / i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5). Ato pandërmjetësisht ndërlidhen dhe me përmbledhjen me poezi të Isak Ahmetit “Drita e përjetësuar”.
Duke folur për rëndësinë e shumëfishtë të Psalmeve, Shën Toma nga Akvini i cilësonte ato sublimim i gjithë Shkrimit të Shenjtë: “[…] Libri i Psalmeve në universalitetin e vet përfshin gjithë materien e teologjisë. Arsyeja pse ky libër biblik është më i përdoruri nga Kisha është se përmban në vete gjithë Shkrimin (e Shenjtë). Veçantia e tij është ajo që përsërit, nëpërmjet formës së lavdërimit, gjithë atë që librat e tjerë e shtjellojnë nëpërmjet mënyrave të rrëfimit, të këshillimit e të shqyrtimit. Qëllimi i tij është të nxitë të lutesh, ta lartësosh shpirtin deri tek Hyji nëpërmjet kontemplimit të madhërisë së tij të pamatur, nëpërmjet meditimit të përsosmërisë së lumturimit të amshuar, nëpërmjet komunikimit me shenjtërinë e Hyjit dhe imitimin e vijueshëm të përsosmërisë së tij”.8
Në formën e lutjeve, himneve, lavdeve të hartuara rreth 3000 vjet më parë, Psalmet u përdorën në rrjedhën e shekujve nga hebrenjtë dhe (më vonë) nga të krishterët. Në qenësinë e tyre ato janë lutje individuale dhe kolektive, janë thirrje – grishje drejtuar Hyjit shpëtimtar.
Njëri nga studiuesit më të shquar të Psalmeve, kardinal Ravasi, thotë se “Lutjet e Psalmtarit janë para së gjithash lirika: mesazhi i tyre ka si mjet të komunikimit përmasën stilistike, metrike, simbolike të poezisë semitike”9, ndërsa poeti anglez, Th. S. Eliot, i quante Psalmet “[…] kopsht i simboleve dhe i përfytyrimeve”, në të cilin është vështirë të vihet një rend sipas konceptimit perëndimor10. Studiuesi J. L. Mays Psalmet i quan “[…] poema fetare ose shprehje poetike të përvojës fetare”.11
Thënë me pak fjalë, “Psalmet janë poema fetare ose më mirë shprehje poetike të përvojës fetare. Janë tekste ritmike dhe ekspresive. Kanë cilësi të çdo poezie: një përmbajtje të veçantë, një formë të veçantë, një ndikim të veçantë […] Nuk është e mundur të interesohesh për kuptimin e psalmit duke lënë anash përmasën estetike, sepse kuptimi dhe bukuria janë ngushtë të ndërvarura”.12
Për të dëshmuar në ç’mënyrë shqiptohet në Psalme bota hyjnore dhe përshpirtëria e besimtarit përballë Hyjit, po sjell vetëm tre shembuj:
Hyji është drita dhe shpëtimi im:
nga kush do të kem drojë?
Hyji është mbrojtja e jetës sime (Ps 27, 1).
*
E mira ime është të rri pranë Hyjit;
në Zotin tim unë e kam strehimin
për t’i rrëfyer të gjitha veprat e tua (Ps 73,28).
*
Do ta falënderoj Hyjin me gjithë zemër
do t’i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Do të gëzohem e do të lartësohem në ty,
do t’i këndoj himne emrit tënd, o i Tejlartë. (Ps 9, 2 – 3)
Mbështetur në Psalmet poezitë e veta, himne, lavde dhe tekste të lutjeve i përftuan shumë poetë, barinj shpirtërorë, teologë, po dhe njerëz të shquar fetarë, të cilët lidhjen shpirtërore me Hyjin e përligjen dhe përmes artit të fjalës, poezisë.13
2. Gjithpushtetësia dhe gjithëprania e Hyjit
Përmbledhja me poezi e Isak Ahmetit “Drita e përjetësuar” përligj vazhdimin e traditës së pasur të poezisë sonë të përshpirtshme, që zë fill, siç u tha, me psalmet dhe poezinë e përshpirtshme të botuara në veprën e parë në gjuhën tonë “Mesharin” (1555) të hartuar nga Gjon Bdek Buzuku.
Në tekstet e 60 poezive të librit, Isak Ahmeti gërsheton lloje të ndryshme të Shkrimit të Shenjtë – Biblës dhe literaturës teologjike si psalmeve, himneve, lavdeve, litanive, lutjeve etj. Pra, ai nuk përfill dhe nuk mbështetet vetëm në një lloj përkatës, po në secilën tekst të poezive të tij vërehen përbërës të llojeve të përmendura.
Qëllimi i autorit nuk ishte t’i jepte përparësi një lloji, po përmes mënyrave të ndryshme të të shprehurit të dëshmonte rëndësinë e besimit në Hyjin dhe nevojën e njësimit me dashurinë e tij. Kështu, në ndonjërën nga poezitë janë më të pranishëm, fjala vjen, përbërësit e psalmeve, në ndonjë tjetër të lavdeve, të himneve ose të lutjeve si forma të rëndësishme të dëshmisë së besimit në Hyjin.
Teksti i poezive të përfshira në këtë përmbledhje dëshmon se poeti e ndjen atë brenda vetes Hyjin dhe dashurinë e tij, e gjakon atë si dëshmi dhe si mundësi të pasurimit shpirtëror dhe si të tillë e shpreh përmes tekstit, vargjeve.
Në këto poezi s’kemi struktura të ndërliqshme poetike, shprehje figurative dhe tablo të pasura, të ngarkuara me kuptimësi të shumta. Autori qëllimisht e përfton një tekst që mundëson një shqiptim dhe një komunikim të pandërmjemë, që nuk lë mundësinë e dyshimit, po synon qartësinë dhe ndikimin sa më të madh në marrësin. Pra, ai përqendrohet të dëshmojë sesi ai e ndien Hyjin dhe dashurinë e tij dhe çfarë rëndësie ka kjo në jetën e njeriut.
Sipas poetit Hyji është i gjithëpushtetshëm, është kudo dhe prania e tij është gjithkund, edhe brenda njeriut. Ai është krijues i çdo gjëje dhe dashuria e tij për krijesat që i përftoi është e jashtëzakonshme dhe e përhershme. Hyji është gjithçka që është dhe që mbetet:
Ti je kudo në gjithësi
gjithkund prania jote
(Zoti im)*
Vetëm ti je
gjithçka që është
dhe që mbetet
(Ti ma ndriçon mendjen)
Hyji krijues është e mira e poetit, po dhe e secilës krijesë. Ai është dashuria dhe bukuria e përjetshme që nuk ndërron për amshim. Për këtë arsye Hyji duhet të çmohet, të duhet dhe të bëhet pjesë e pandashme e veprimit dhe e mendimeve të secilit njeriu. Natyrisht, poeti niset nga vetja e tij, po mesazhi poetik i tij mund të përfillet edhe nga të tjerët.
Ati im
e mira më e madhe
bukuria e çdo gjëje […]
Përjetësia
që nuk ndalet
as nuk shuhet
në rrjedhë të moteve
(Ati im)*
Ti e vështrove shpirtin tim
në brendësi
o Shpresa ime e amshuar
m’i largove ndjenjat e turbullta
sytë m’i drejtove tek ti
këmbët m’i lirove nga laku
Shpëtimtari im
(Ti e vështrove shpirtin tim)
Meqenëse Hyji është i tillë – dashuri, mëshirë dhe i gjithëpushtetshëm, poeti nuk kursehet ta lavdërojë atë, t’i kushtojë himne e këngë, t’i drejtohet edhe përmes lutjes. Ai ka nevojë për praninë e Hyjit, që është ngushëllim për poetin dhe për frymëzimin e tij.
Të lavdëroj
me këngën time
me poezi
me urata
me psalme
deri në frymën e fundit
(Krijuesi im)
*
Qielli
Toka
gjithçka
që përmbajnë ato
më thonë të të dua Ty
Zoti im
(Më thonë të të dua Ty)*
Zot
pranoji si flijim
shkrimet e miaTi ishe e je burim frymëzimi
për veprat e mia
fillim e mbarim
(Lavdi Zotit)
Hyji për poetin është dashuria më e madhe dhe pikërisht mbi bazën e dashurisë ai e ka krijuar atë, i ka dhuruar mendjen, e ka liruar nga mëkatet dhe e ka bërë të lumtur. Për këtë arsye poeti ka nevojë përherë për dashurinë dhe praninë e Tij.
Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell
(E tashmja e gjithkohëshme)
*
Të dua
vetëm ty Perëndi
ti ke shkrirë akullin
e mëkateve të mia
sa herë pa dashje kam gabuar
(Kam uri)
*
Dashuria jote
më bën të lumtur
(Të kërkoj pareshtur)
3. Gjithçka që bëri Hyji është e përsosur
Tekstet e poezive të librit “Drita e përjetësuar” përbëjnë një mozaik, ku pjesët e plotësojnë njëra – tjetrën në forma të ndryshme dhe si të tilla bëjnë një tërësi. Përmes tyre shprehet rëndësia e besimit në Hyjin dhe nevoja që ky besim të jetë sa më i mirëfilltë dhe i palëkundshëm. Ndonjëherë poeti i përsëritjet shprehjet dhe frazat me qëllim që të forcohen mendimet, të qartësohen qëndrimet e tij ndaj dukurive që i bën objekt vështrimi.
Sipas poetit çdo gjë që Hyji krijoi e krijoi në mënyrë të përsosur: natyrën, njeriun, kohën, dijen, bukurinë, çdo gjë. Ndodhi kështu për shkak se Hyji çdo gjë e krijoi në bazë të dashurisë dhe të bukurisë, edhee besimin. Rreth kësaj Nëna Tereze (tashmë e shenjtë) thoshte: “Të besosh domethënë të jetosh […] Besimi është e vetmja gjë që qenësisht është e jona […]14 Feja është një dhuratë e Zotit. Pa të nuk mund të kishte jetë. Vepra jonë, për të dhënë fryt, që të mos i përkasë kujt tjetër pos Zotit, për të qenë e bukur, duhet të jetë e ndërtuar mbi fenë”.15
Hyji e krijoi edhe Fjalën, edhe Fjalën poetike, përbërësin më të rëndësishëm të poezisë e të poetit. Me anën e saj shprehen mendimet, përftohet e bukura, që është e pandashme nga dashuria dhe komunikimi midis njerëzve. Dëshmi e kësaj janë dhe poezitë që poeti ynë i harton për Hyjin dhe dashurinë e tij. Përmes këngës poeti synon të lartësohet drejt Hyjit, të njësohet me të.
Fjala jote Zot
deri në fund të kohëveJe libër i gjallë
që lexohet
përjetësisht
(Koha flet për ty)
*
E krijove Fjalën
mrekullinë e mrekullive […]Fjala
shkëlqim i përjetshëm
(E krijove fjalën)
Pra, me anën e poezisë, të vargjeve kushtuar Hyjit, poeti synon të pasurohete e të fisnikërohet shpirtërisht, të njësohet me hyjnoren.
Le të ngjitem sipër
nëpër përpjetat e zemrës
te prushi i bukurisë
së Fjalës sateLe të këndoj
Këngën e ngjitjes
atje lart
ku do banojmë përjetësisht
pranë teje
(Le të ngjitem sipër)
Hyji është edhe Dritë që dritë u dhuron njerëzve, kafshëve, bimëve; është dritë e përjetësuar për të cilën ka nevojë edhe poeti (unë Dritë dua). Ai e kërkon këtë dritë për arsye se: Derisa të keni dritë, besoni në dritën, / që të bëheni bijtë e dritës. (Gjn 12, 36). Poeti gjakon ta ketë shpirtin e ndriçuar me dritën e Hyjit për arsye se, siç është thënë, duhet të jetojë në rrafshin shpirtëror; brenda tij është një botë sa e pasur aq dhe e pafund.
Je dritë që vezullon
Të futet në shpirt
(Dritë që vezullon)
*
Zot
Dritë e së Vërtetës (Dritë e së Vërtetës)
*
në gjakim të dritës sate
për ta zhbërë terrin tim
(Nuk e di)
*
Pa dyshim se këto poezi të Isak Ahmetit të afrojnë dhe të njësojnë me Hyjin dhe si të tilla do ta kenë lexuesin e tyre.
Prishtinë, shkurt 2019
REFERENCË
1. Shih Anton Nikë Berisha, Hyu dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe. Në “Burim drite e dashurie. Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998. “Shpresa”, Prishtinë 1999, f. 5- 6.
2. Shih për këtë studimin tim monografik “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
3. Shih si shprehet kjo në poezinë e Pjetër Budit në studimin tim monografik Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
4. Shih më gjerësisht studimin tim monografik Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
5. Shih “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e dytë. Faksimile dhe transkribim fonetik. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 53 – 55.
6. Shih tekstin e katër psalmeve të Buzukut në studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014, f. 34 – 36.
7. Shih për këtë psalm Gianfranco Ravasi I Salmi. Introduzione, testo e commento. Seconda edizione. San Paolo. Cinisello Balsamo (Mi) 2006, f. 491-493; Shih dhe I Salmi. Nuova versione, introduzione e commento di Tiziano Lorenzin. Quarta edizione. Paoline, Milano 2009, f. 541 – 544.
Të gjitha përkthimet nga Psalmet e Besëlidhjes së Vjetër janë marrë nga Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017. Shih dhe I Salmi. Nuova versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana. Terza edizione. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo. Milano 2009.
8. Nga In Psalmos Davidis Expositio.
Përkthyesi i Biblës në frëngjisht, hebreu André Chouraqui rreth Psalmeve thotë: “[…] njëqind e pesëdhjetë poezi, njëqind e pesëdhjetë shkallë të lartësuara ndërmjet vdekjes dhe jetës; njëqind e pesëdhjetë pasqyra të revoltave tona dhe të besnikërisë sonë, të agonive tona dhe të ringjalljeve tona. Më shumë se një libër, një qenie e gjallë që flet – që të flet – që vuan, që sython dhe që vdes, që lind përsëri dhe këndon mbi shkëlqimin e përjetësisë – dhe të rrëmben, dhe të tërheq pas vetes ty dhe shekujt e shekujve, nga fillimi në fund”. Shih André Chouraqui, Il Cantico dei cantici e introduzione ai Salmi. Prefazioni di A. Neher, R. Voillaume, J. Ellud. Traduzione dal francese di Vittorio Burattini. Città Nuova Editrice, Roma 1980, f. 153.
9. Gianfranco Ravasi, I Salmi. Introduzione, testo e commento, vep. e përm., f. 12.
10. Gianfranco Ravasi, po aty, f. 13.
11. Shih Tiziano Lorenzin, Introduzione. Në “I Salmi”. Nuova versione Quarta edizione. Paoline, Milano 2009, f. 34.
12. Luis Alonso Schökel, Manuale di Poetica Ebraica. Brescia, 1989, f. 158. Shih dhe “I Salmi”. Nuova versione, introduzione e commento di Tiziano Lorenzin, vep. e përm., f. 34.
13. Po sjell vetëm një lutje të Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze:SHPIRTI IM KA ETJE PËR TY
O Zot, ti je Zoti im;
unë gjithmonë do të kërkoj.
Shpirti im ka etje për Ty.
Mishi e gjaku im digjen për Ty.
Si shqiponja që i përket ajrit,
si delfini që i përket detit,
si ujku që i përket tokës,
edhe ne të përkasim ty,
o Zot, o Zoti im.
O Zot, o Zoti i të gjithë popujve të botës
të lutemi, na ndihmo, ta falim njëri – tjetrin,
bëji njerëzit të aftë që të jetojnë së bashku
me shpirt të pastër të mirësisë
e të nderimit të ndërsjellë.Shih Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”. Raccolta di preghiere. Tratti dagli scritti di Madre Teresa a cura di Padre Giuseppe Giacomelli, Editrice Shalom, 2000, f. 76.
14. Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, Edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000, f. 114. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 195.
15. Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 8.