(Manushaqe Toromani “Ëndërr e mërguar” botimet Ada, Tiranë, 2015)
Nga Isak Ahmeti
Libri më i ri me poezi “Ëndërr e mërguar” i poetes, Manushaqe Toromani, botuar më 2015, sjell një freski të re lirike në poezinë e sotme shqipe. Poezia e këtij libri, që trajton tema dhe motive nga më të ndryshmet si:temat e fatit të njeriut, të jetës, të lumturisë, të dashurisë së njeriut etj. është shkruar thjeshtë por bukur, është shkruar me një thjeshtësi pothuaj të paimitueshme (Sadik Bejko).
Poezitë e librit “Ëndërr e mërguar “/ky është libri i tretë i poetes, M.Toromani, të cilën pata fat të njoh, para më shumë se dy vite,në Tiranë/, vijnë si gërshëtim i dy librave poetikë të mëparshëm. Mirëpo ligjërimi poetik në librin e tretë është gjithsesi më i saktësuar, më autentik, më i latuar, më i përkryer.
Libri në fjalë është strukturuar në gjashtë cikle:
I. QYTETI I LAGUR
II. DUA TË TË DUA
III. KARPE DIEM
IV. VENDLINDJA
V. BUZA QESH SYRI QAN
VI. RRUGË PA KTHIM.
Librit në fjalë i paraprin një shkrim mjaft përmbajtësor dhe vlerësues: Dy fjalë (fq.3-5) i shkrimtarit Sadik Bejko, vrojtues i fenomeneve letrare dhe njëri nga përcjellësit më fanatikë të zhvillimeve të letërsisë shqipe. Në jetën e metropolit-shkruan Bejko – herë me punë e herë pa punë, herë “me miq e shoqëri”, herë e vetmuar, herë në dashuri, më shumë me iluzionin e një dashurie të përjetshme, të ëndërruar, në mungesën e dashurisë, herë e realizuar por dhe e zhgënjyer, heroina lirike e këtij libri (M. Toromani), ka fituar një përvojë jete, filozofinë postmoderne të njeriut të qytetit, njeri që duhet të jetë i pavarur nga të tjerët, i pavarur si individ social, si psikologji, si mënyrë jetese (fq.3-4).
Pas shkrimit të Sadik Bejkos, që është përmbajtësor-vlerësues dhe interpretues për poezinë e këtij libri, vjen poezia programatike me titull: Pa adresë (fq.7), që u paraprin të gjashtë cikleve, e të cilën po e japim në tërësi për të parë dhe shijuar drejtpërdrejtë thellësinë e mendimit dhe bukurinë e fjalës poetike:
PA ADRESË
Jam nisur të shkoj
Po ky?
Pa adresë në xhep.
Do ndalem ndoshta diku?
S’e di !
Njeri a më pret?
Veç ëndrrën mërguar diku
Si hijen në mendje e ndjek.
Do eci
Do endem kuturu
Xixë që natën shkrep.
Çelës
Kam ëndrrën e mërguar,
Të vetmen adresë në xhep.
Është me rëndësi të theksohet se për këtë libër, që është përcjellë tek receptuesi, janë dhënë vlerësime të mira nga kritika letrare (Sadik Bejko, Hyqmet Hasko, Murat Gecaj, etj.). Kështu, p.sh., Hyqmet Hasko shkruan se “Ëndërr e mërguar” është libri i saj i tretë, një libër ku kurbat e figurës dhe mendimit poetik janë ngjitur, ku shqetësimi i poetes është bërë më kompleks, më ankthioz dhe më human në të njëjtën kohë.
Nata, shiu, idili, mungesa, malli, erosi, brenga, trishtimi, ankthi, lagia (shiu ka lagur gjithçka), drita e akulli, zhveshja (me zhvesh me sy), këmbimi i pamjeve, imazheve, trajtave, kohëve etj., e bëjnë poezinë e Manushaqe Toromanit të lexueshme me një frymë dhe nxisin reflektimin e thellë rreth aktit të saj poetik. Poetja në fjalë nuk moralizon, nuk mban anë, e mira dhe e keqja këmbehen në vargjet e saj dhe bartin filozifinë e një kohe të sëmurë…
Krejt në fund le të theksojmë se ky libër me poezi lexohet me një frymë dhe të krijon një kënaqësi të veçantë estetike.