Osman Caka “Shtigje dëshirash”, botoi SHB “Lena” – Prishtinë, 2018
Milazim F. KADRIU
Përmbledhja me poezi “Shtigje dëshirash” është libri i radhës së poetit Osman Caka nga Vata e Kaçanikut e që tash e disa vite jeton dhe vepron në Manchester të Anglisë. Si edhe në librat tjerë me poezi edhe në këtë libër temat janë me një larushi por dominonte janë ato atdhetare, nostalgjike, të dashurisë por edhe poezi që prekin vuajtjet, plagët, dhimbjet, ëndrrat, trimëritë, shpresën, jetën si dhe ka poezi satirike që flasin për gjendjen jo të mirë të vendit tonë…
Poeti Osman Caka ndonëse jeton jashtë atdheut ai gjithnjë kokën dhe vështrimin e ka të drejtua nga Atdheu,nga Sharri i tij krenar që në shumë poezi e përmend këtë vend të bukur që nuk e ndërron me asnjë mes tjetër. Ai shpesh nga largësia bisedon me Malin Sharr dhe i përkujton bukurit e tij, trimëritë dhe historinë e zhvilluar ndër shekuj.
Bisedoj shpeshherë me Sharrin plak
Që plaga ende i kullon gjak,
Është i njohur për besë e trimëri
Që nëpër shekuj, është plot histori.
Motivi i atdheut, është motivi që dominon më së shumti në vargjet e poetit Caka. Si edhe në librat tjerë edhe në këtë përmbledhje me poezi ka mall për atdheun. Nuk janë të pakta poezitë kushtuar atdheut që pa dëshirën e tij tash e një kohë jeton në mërgim por me mendje e zemër është këtu.
Më lidhin kujtimet, me to jetoj në megrim
Në ëndrra çmallem me ty
Qaj në agun mëngjesor
Mall kam At – dheu im!
Poeti Caka në vargjet e tij përshkruan edhe dhembjen që ndjen për të birin e vrarë gjatë luftës së fundit nga forcat kriminale serbe. Por njëherësh ai për birin e vetë dhe dëshmorët tjerë të rënë ndjen krenari se falë tyre Kosova sot e ka këtë liri edh pse jo si e deshën ata që për te ranë,por që okupatori shekullor tashmë falë luftës së lavdishme të UÇK-së dhe aleatëve të saj është larguar njëherë e përgjithmonë nga vendi ynë.
Ilir Caka, lulja e gjakut
Na nderove gurët e pragut
Nënë Nevrijes si pa kush lotë
Bir, të bekoftë i madhi Zot!
ose vargjet tjera
Ti je lulëkuqja e Malit të Sharrit
Rrezja e diellit e bukur e beharit,
Sa bukur emri yt i skalitur ne gur
Je shqiponjë qëndisur në flamur.
Se vërtetë dëshmorët e kombit na dhanë nder dhe lavdi dhe ata meritojnë respektin më të madh,para të cilëve duhet të përulemi të gjithë. Ndërsa familjarët edhe përkundër dhembjes ata ndjehen krenar që bijtë e tyre u bënë gurthemeltar të lirisë dhe shtetit të Kosovës. Këtë e thotë edhe Caka në vargjet e ti.
Na dhanë nder edhe lavdi
Sot me shokë gdhend n‘lapidar
Ku lartësohet flamuri shqiptar,
Kush i ka katër yje të arta
Lagja Cakaj, fisi Caka.
Caka përmes vargjeve të tij shpreh dëshirën për ribashkimin e trojeve shqiptare që dikur u ndan padrejtësisht nga trungu i saj Shqipëria
Nuk dua fare këtu të shoh kufi
Jemi vëlla e motër ne të dy,
E mallkoftë Zoti kush na ka ndarë
Për këto vite motër e vëlla
Edhe tema e dashurisë është prezentë në vargjet e këtij libri ku Caka kujton të kaluarën,rininë dhe dashuriçkat e asaj kohe të cilat i kujton në vargje
Atje te mrizi, aty mbi krua
Kam nisur këngën ta këndoj
Ia kam kushtuar syzezës
Vashës së bukur të Prevezes
Ose
Kur e vë malësorja doren në fyt
Këngën e bukur ajo ia nis,
Në këmbë e çon ajo derën e stanit
Për lisa, të fala i çon çobanit
Në këtë përmbledhje me poezi gjejmë edhe vargje satirike që prekin realitetin e sotëm që po mbretëron në Kosovë. Po ashtu ai kritikon edhe dukuritë negative të shoqërisë sonë.
Jemi bërë sot si shtërngata
Godasim e vrasim,
E bjeshkët, majat e larta
Pa fuqi sot po bërtasin.
Dashurinë dhe kujdesin e nënës për fëmijët e shpreh edhe nëpërmes vargjeve të tija ku ai ndjen dhembje për nënën që i duhet më shumë mund të siguroj kafshatën e gojës për fëmijët por që këtu paraqet idealin dhe qëndresën e nënës shqiptare që edhe përkundër vuajtjeve të mëdha assesi nuk dorëzohet.
Shkeli këmbëzbadhur një thep guri
Rriti tre fëmijë jetimë pasi i vdiq burri,
Nga shtëpia ikte ende pa gëdhirë
Vetëm fëmijët donte t’i ushqejë mirë.
Caka shpreh dhembjen për një pjesë të popullatës që jeton në kushte të rënda ekonomike
Zot, sa i bukur ky fëmijë
Bojë qielli, të mrekullueshëm ata sy,
Shikoni i shkreti si rritet në mjerim
Jeton me rrush të prishur, sa trishtim.
Andaj mund të përfundojmë se autori Caka në vargjet e këtij vëllimi na sjell portretizimin e tij në përmasa reale të ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, dhe kështu ai ia prezanton opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!