POEZI QË PËR TEMË KANË JETËN, FAMILJEN, ATDHEUN, DASHURINË…

0
1600

Anita Tafa “Vargjet e rrugëve pa mbarim”, botoi KL “Zahir Pajaziti” – Podujevë, 2018

Milazim F. KADRIU

Poetja Anita Tafa vjen para lexuesve me librin e parë të saj me poezi “Vargjet e rrugëve pa mbarim” botuar nga KL “Zahir Pajaziti. Nisur nga vetë titulli i vënë rastësisht apo qëllimisht autorja duhet ta kuptoj një gjë se hyrja në krijimtari vërtetë është një rrugë pa mbarim, rrugë që nuk i dihet fundi, e shumë shpesh disa ndalen që në hapat e parë por shpresojmë se autorja e këtij libri do ta ndjek rrugën e krijimtarisë së saj sa më gjatë.

Çka vërejta në vargjet e autores Tafa e cila tash e një kohë të gjatë si edhe shumë krijues tjerë jeton jashtë atdheut. Përmes shumë vargjeve autorja shpreh dashurinë e madhe që ndjen për vendlindjen, për atdheun e saj, për nënën, pastaj vargje të shumta shkruan për dashurinë po edhe për fëmijët.

Edhe kjo autore sikur edhe pothuajse gjithë autorët tjerë shqiptar kudo që jetojnë thurin vargje për Kosovën, luftën e saj që bëri për çlirim nga okupatori shekullor, pastaj për ata që ranë për lirinë e saj, por edhe për bashkimin kombëtar.

Të gjitha çka ndjen autorja i shpreh në mënyrë origjinale përmes poezisë. Bazuar në poezitë e këtij vëllimi poetik vërehet se autorja premton vazhdimësi në krijimtarinë e sajë.

Përmes poezive të saj autorja sjell botën shpirtërore të sajë që edhe pse jeton jashtë atdheut ajo është shumë e lidhur me atdheun. As një vend nuk i duket më i bukur se vendlindja e sajë Elbasani. Ja si shprehet ndër tjera në vargjet e sajë

Shumë vende kalova
Shumë qytete kam parë
Elbasani im
S’ka të sharë

Qëndrimi i gjatë jashtë vendit e bënë që nganjëherë të shpreh dyshimin që në atdhe po ndihet e huaj.

Si e humbur jam
Po eci nëpër Tiranë
Erdha të shoh
Vendin tim

Ndërkaq autorja ndjen shumë mall dhe dashuri për të afërmit e saj, miqtë, shokët e shoqet por mbi të gjitha prindërit e saj. E po edhe kjo sikur pothuajse gjithë poetët që nuk kalojnë pa i kushtuar poezi nënës edhe Tafa në një poezi kushtuar nënës së saj ndër tjera thotë :

Nënë, e dashura nënë
Je diell e je hënë

Nënë, e shtrenjta nënë
Në prehrin tënd vë kokën
Dhe harroj gjithë botën

Edhe te kjo autore dashuria ndaj atdheut është e madhe dhe këtë e dëshiron ta shoh të bashkuar. Andaj ajo poezi i kushton edhe Kosovës pjesë kjo e ndarë padrejtësisht nga atdheu i autores, Shqipëria

Me zë të lartë thërras
-O Zot, a ka në tokë drejtësi
Pse Kosova rri e ndarë me Shqipëri

Në vargjet e kësaj autoreje hasim edhe vargje dhembjeje për kushtet e vështira në të cilën jetojnë një pjesë e popullit e sidomos ndjen dhembje për fëmijët që shpesh detyrohen të punojnë punë të rënda apo kërkim lëmoshe nëpër rrugë duke shtrirë dorën. Ja si shprehet autorja në vargjet e sajë :

Një dorë e zgjatur
Në rrugë po ec
Një fëmijë po kërkon
Pak bukë për tryezë

Autorja në disa vargje nga pak shpreh një lloj frike në këtë rrugë që posa ka hyrë. Asaj i preferoj që të mos ketë frikë në këtë rrugëtim ngase besoj se lexuesi do ta pres mirë librin e sajë dhe librat e ardhshëm do të jenë edhe më të suksesshme, për çka edhe i dëshirojmë suksese të reja.