Nikolin Sh. Lëmezhi
Ty Nënë…
Nuk të mbaj mend atëherë,
unë i sapolindur, me lotë në sy.
Vuajtjet shumë të mundonin si ferr
dhe vetë jeta fort, po të lëndonte ty.
Nënë, të njoha vetëm mirësinë
dhe buzëqeshjen që kurrë nuk njeh vjetërsi.
Nënë, ti më dhurove dashurinë,
Ti vërtetë je më e larta dashuri.
O Nënë, për rininë tënde kam mall
dhe sa herë e shqiptoj emrin tënd.
Në shpirtin tim vazhdon të djegë një zjarr,
një zjarr i pashuar, dashurie që çmend.
Oh, si s’mund të të jap nga rinia ime,
si s’mund të të dhuroj pak vite jetë!?!
Të t’shoh një çast, fytyrën me gëzime,
e në prehrin tënd, bashkë me ty le të vdes!
Shënkoll, më 29.04.1996
Çasti im…
4 shtator 1977,
pasdreke,
linda nga gjiri i një nëne.
Me lindjen time flakëroi një yll i zjarrtë.
Është Ora ime,
që më lindi,
më hapi sytë
dhe sot më lë në baltë…
Me një shpresë në zemër,
që më tërheq zvarrë,
me dritat dhe hijet
që në mua ndërrohen,
derisa të shkoj në varr.
Shënkoll, më 10.03.1995
Një kërkesë Amshimit
Ah, rrudha shenjtërie,
në fytyrën bujare të një gonxheje,
ç’u ndalët në një çast?!
Ju, o sy plot jetë,
në ballin e një gruaje të vogël-gjigande,
ç’u mbyllët përgjithmonë?!
E ju, o duar të vuajtura,
nga ku buroi vazhdimisht bamirësi,
ç’u ngritë në këtë ditë?!
Përgjigjuni!
Se ne që po pyesim,
jemi të braktisur,
jetimë e të sëmurë,
të drejtuar nga Amshimi,
prej të cilit kërkojmë:
Ju, o rrudha shenjtërie,
Ju, o sy plot jetë,
Ju, o duar të vuajtura;
për të na dhuruar
akoma në këtë shekull,
pak shpresë…
(Kushtuar Nënë Terezës ditën kur Ajo ndërroi jetë)
Shënkoll, më 05.09.1977
ZANI, FJALA JOTE, NANË
(31.07.2002 gjatë udhëtimit për në misionin e Bosnjes)
Mirupafshim, nanë! – kur të thashë,
nuk di ç’ndjenja në zemër të zgjova.
Po nisem për n’mision, në dhé të largët!
E bekimin tand kërkova.
Mirë u pafshim, nanë! – kur të thashë,
Ti më përshpërite në vesh ngadalë,
me zanin e dorën tande të ambël:
Ti kjosh bekue, o djalë!
Ti kjosh bekue… edhe sot jehon,
mbi qiellin mes nesh të kaltër n’çdo anë.
Se bashkë me mue, kudo udhëton,
zani, fjala jote, nanë.
Në shqip…
Mbas pritjesh t’gjata,
nji mbramje vjeshte,
u ndigjue zilja e telefonit
dhe befas një rrënqethje malli
përshkoi trupin tem.
Çova receptorin
e nji za m’tha: “Alo!”.
O Zot! Nuk di si s’plasa n’at’ çast!
Ishte zani i Nanës,
në shqip ishte.
Ah, ç’mbramje e bukur
n’at’ orë hyjnore,
kur zani i nanës ambël m’flladiti,
po, po, zani i nanës,
në shqip… në shqip…
Nënë…
Je më e bukura,
lule e pranverës,
nënë, nënë, nënë!
Jemi në ankthe
e turbullime,
na gëzo, o nënë!
Jemi të lodhur,
plot shqetësime,
na qetëso, o nënë!
Jemi në “dimër”,
kemi të ftohtë,
na ngroh, o nënë!
Jemi në errësirë,
kërkojmë dritë,
na ndriço, nënë!
Jemi në vdekje,
e duam jetën,
na ndihmo, nënë!
Shënkoll, më 04.05.1994
Ngrohtësi…
Mëngjes,
një dorë e butë,
nga gjumi më zgjon.
Mësim,
një dorë e ëmbël,
të shkruaj më ndihmon.
Mbrëmje,
një nënë më afrohet,
frikën ma largon.
Është dora jote,
o nënë,
që n’çdo hap më shoqëron…
Shënkoll, më 06.05.1994
Mbi shkopin tënd…
(Kushtuar nënës Luke)
“Me gjithë shpirt duaje babën tënd
dhe mos i harro ofshamet e nënës sate!
Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta,
e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?”. (Siracidi 7, 29˗30)
Shkopi ku ti mbështeteshe,
tek e shoh plot mall.
Në zemrën time prej biri,
ç’ndjenja seç më ngjall!
Shkopi ku ti mbështeteshe,
i shkurtër si ti vet’.
I heshtur dhe i palëvizshëm,
o Nënë, sa shumë më flet!
Shkopi ku ti mbështeteshe,
është i shenjtë për mua shumë.
Se aty, tashmë o Nënë,
vazhdimisht mbështetem unë.
Shkodër, më 07.03.2020