POEZI PËR NATYRËN, JETËN, NËNËN, DËSHMORËT, MËRGIMIN…

0
2016

Ramë Smajlaj “Në gjeth shkruaj ëndrrën”, SHB “Meshari” – Prishtinë, 2015

Milazim F. KADRIU

Unë dhe nata u bëmë bashkë
që nga muzgu i mbrëmjes
të dytë jemi heshtje vargu
akrepat e orës zhduken në pafundësi bote

Janë këto vargje të shkëputura të poezisë “Dua të dehem në këtë natë të acartë” të librit “Në gjethe shkruaj ëndrrën” të poetit mërgimtar Ramë Smajlaj.

Në këtë vëllim poetik të poetit Ramë Smajlaj janë 59 poezi me tema të larmishme ku ai i këndon natyrës, jetës me baticat e zbaticat e sajë, vendlindjes, mërgimit, dëshmorëve, nënës, familjarëve, miqve, …. Vlen të ceket se dashurinë ndaj nënës ai e shpreh në shumë poezi kushtuar asaj në përvjetorët që asnjëherë nuk i harrona autori dhe i krijon poezi.

Nënë, je lule që më falë aromë
vet ëndrra ime që unë rri zgjuar
përvjetorit tënd pres për të shkruar
fjalët ia marr diellit për të uruar.

ose

Nëna ime, e dashura nënë
loti im mbi foto t’ pikon
fotoja juaj si një ikonë
ty dhe zotin ju kam pranë.

Po ashtu ai nuk i harron edhe ata që u flijuan për lirinë e Kosovës dhe janë të shpeshta poezitë që ky autor ua kushton atyre. Këtu hasim poezi kushtuar vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gëvalla dhe Kadri Zeka dhe heroinës së re nga Drenica, Antigona Fazliut ku ndër tjera thotë :

Fillova të kërkoj vargun
për ty Lulelirie
hëna lëshoi rrezet
për një plasë dritareje.

Në poezitë e autorit Ramë Smajlaj hasim figura stilistike, simbole, alegori, metafora por që nga lexuesi mund të kuptohen lehtë sepse vargjet e këtyre poezive janë mjaft të kuptueshme.

Në poezitë e Smajlajt ka tema nga e kaluara e tashmja por edhe për të ardhmen si ai e dëshiron të jetë ku kjo shihet në mesazhet që ai përcjell për gjeneratat e reja që ta duan dhe të punojnë për atdheun i cili ka vuajt gjatë nënë thundrën e huaj.
Po të lexohen me vëmendje poezitë e këtij autori shohim se ka gëzim dhe hidhërim, dashuri dhe brengë, rini dhe pleqëri, ka verë e dimër, pra ka gjithçka që ka në jetën tonë, pra janë të mbushura me realitet.

Tek ty mendoj me agim
edhe në acarin e ngrirë
edhe në beharin e pranverës së gjelbëruar
edhe pse jam në mërgim.
…………………………..
…………………………..

Atje dielli ndritë përherë
edhe lulet plotë erë mbajnë
kurse qielli më shumë ndriçim duket
me yjet që sjellin veç ndriçim.

Të gjitha këto i gjejmë tek ky poet që ndoshta edhe koha e gjatë e qëndrimit të tij në mërgim e shtynë që të krijoj më shumë poezi për jetën dhe shpeshherë e gjejmë edhe temën e mërgimit, kësaj plage të rëndë që autori nuk ua dëshiron të tjerëve ta provojnë por të punojnë në vendin tonë ngase tashmë këtu ka liri dhe pavarësi edhe pse jo një ditë të vij edhe bashkimi kombëtar, ashtu si e deshën dhe për të cilën ranë shumë dëshmorë të kombit.
Pra ata ranë me idealin e tyre që një ditë të ketë liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Mos rinia ime, mos më lëndo
mos lësho mëmëdheun
i ëmbël është dheu i Kosovës
atje ku dielli rrezet lëshon.

Ka poezi ku autori fletë edhe për lashtësinë e popullit tonë që nga pellazgo-ilirët e deri më sot, por që dëshira e tij është ribashkimi i të gjitha trojeve në një shtet natyral si ka qenë dikur, por që padrejtësisht është ndarë dhe duke iu tkurrur territori ngase fqinjët ia kanë gllabëruar.

Sodis atdheun cep më cep
shkëlqimin e diellit nuk e pengoj
kufijtë e mi shumë mirë i njoh
në zemër time dua t’i bashkoj.

ose

Kush kalon Alpeve të mia
sheh Pashtrikun legjendar
është i tretur tash kufiri
një Shqipëri sikur më parë.

Edhe recensenti i librit Agim Desku në recensionin e tij ndër tjera thotë: ”Vargjet poetike frymojnë nga një burim i pastër zemre të dhimbshme, por të dashura dhe të rrahura për Kosovën e sidomos për heronjtë e kombit të mbështjellur me të vetmin Flamur. Sidomos kur poeti në poezitë e tij shpreh dhimbjen e tij të vjetër të pashëruar kombëtare ndaj popullit të lashtë autokton.”

Me këto vargje të sjella në mbështjellësin e librit e përmbyll këtë vëllim poetik :

Të dua për lulet që çelin
pranverave rinie
aty ku rritëm unë
si emër Shqipërie