POEZI PËR LASHTËSINË, ATDHEUN, DËSHMORËT, MALLIN, DASHURINË…

0
1130

Shaban Pllana “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh”, botoi ProkultPress – Prishtinw, 2018

Milazim F. KADRIU

Bota poetike e Shaban Pllanës është e pasur dhe e begatshme si në perceptimin poetik të realitetit, ashtu edhe të motiveve që trajton në poezinë e tij në përgjithësi e këtë e dëshmon edhe në vëllimin më të ri të titulluar : “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh”

Poezitë e këtij vëllimi që i ka ndarë në pesë cikle: Kur rriten lisat, Sakrificë për bardhësi, Djegie malli, Në cep të kujtimeve, Syri i kaltër, që sjellin një tematikë mjaft të gjerë. Ato flasin për lashtësinë, atdheun, jetën, dëshmorët, mallin, dashurinë … Të gjitha ciklet e kësaj përmbledhjeje kanë nga disa vargje hyrëse që përmes tyre lexuesi kupton temën që sjellin poezitë në vazhdim. Pllana inspirimin për krijimin e poezisë e merr përgjithësisht nga jeta, nga e kaluara dhe e tashmja për një rrugëtim të sigurt në të ardhmen.
Kështu ciklin e parë autori e hap me vargjet :

lis plis lis plis lis plis
ky është i imi fis
që i qëndroi gjithnjë stuhisë

Shohim se këtu ai sjell poezi që flasin për lashtësinë tonë dhe qëndresën që ka treguar populli ynë në të gjitha stuhitë nëpër të cilat ka kaluar dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe krenarisë kombëtare që e paraqet plisi, e, po ashtu edhe qëndresën e palëkundur që paraqesin lista që falë rrënjëve të tyre të ngulura thellë në tokën e vet kanë qëndruar dhe tani ata përtërihen me filiza të ri, e si thotë edhe vetë autori në mënyrë artistike “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh”.

Lisi në poezinë e Pllanës është një metaforë me të cilën artistikisht paraqiten heronjtë dhe dëshmorët kombit, të cilët edhe në të kaluarën, po edhe në kohën më të re qëndruan dhe luftuan heroikisht për lirinë e tokave shqiptare. Kjo shihet më së miri në vargjet: ”Kur rriten lisat / nata diagnostifikohet / me kancer në metastazë”, pra rritja e lisave bën që robëria të sëmuret për vdekje.

Heroizmi, qëndresa, patriotizmi që paraqitet në shumë poezi të Pllanës tregojnë për ndjeshmërinë e tij në këtë drejtim. E këtë më së miri e shohim në ciklin e dytë ku autori sjell disa poezi kushtuar heronjve dhe figurave të ndryshme kombëtare që dhanë shumë për atdheun. Këtë cikël ai e nisë me vargjet :

vetëm vargjet e gurta
të ngjyrosur në ngjyrë gjaku
mund ta bartin madhështinë e heronjve

Këtu autori sjell poezi përkushtuese si kushtuar simbolit të qëndresës sonë Adem Demaçit, pastaj Fazli Grajçevcit, Zahir Pajazitit, Xheladin Rekaliut, Ali Ajetit, Ilaz Kodrës etj.

Poezitë e Pllanës dallohen për mendim të thellë e plotë mesazhe si dhe për formën e bukur artistike ku me mjeshtëri përdoret metafora dhe figura tjera stilistike që e bëjnë poezinë e tij me një tingëllimë të veçantë.
Edhe ciklin e tretë e nisë me vargjet që kanë të bëjnë me mallin në të cilat pos tjerash ai thotë :

malli…
e qëndis këngën shumë të bukur
se ajo zbukurohet në pika loti

Edhe në këtë cikël autori sjell poezi përkushtuese ku shpreh mallin që ka ndierë për vende të ndryshme të shtetit amë Shqipërisë, dhe sjell kujtime e mbresa me rastin e vizitës së këtyre vendeve si në Shkollën e parë shqipe në Korçë, Normalen e Elbasanit, vizitës në Tiranë, Shkodër etj.

Sikur edhe shumë autorë tjerë edhe Pllana ka nostalgji për të kaluarën e sidomos për jetën fëmijërore të kaluar në fshat me shokët e fëmijërisë. Për këtë edhe shkruan disa poezi që ia kushton asaj kohe dhe atyre me të cilët i kaloi ato vite të fëmijërisë të cilat kanë kaluar dhe nuk kthehen më, por mbetën vetëm kujtime të ëmbla. Në hyrje të ciklit të katërt ku i ka radhitur poezitë me këtë temë autori shkruan :

në raftin e ëndrrave
shfletoj dosjet e kujtimeve
s`di pse po më lagën sytë

Tek Pllana e hasim vargun e pastër me thënie të drejtpërdrejtë, të përpunuar pa ngarkesa dhe kështu e bënë që poezia e tij të kuptohet më lehtë nga lexuesi.

Autori hap shtigje tematike të ndryshme ku përpos lashtësisë, heroizmit, mallin, kujtimet fëmijërore, në këtë përmbledhje në ciklin e fundit sjell disa poezi me temë të dashurisë, ku siç shihet shumë nga to mbajnë datën e më hershme të krijimit pra në kohën kur autori ishte i ri dhe i shkroi ato poezi por që janë të mirëseardhura edhe tani sepse janë shkruar me një përkushtim mjaftë të mirë. Dhe këtë cikël e nisë me vargjet :

në Syrin e Kaltër afër Sarandës
gjeta syrin e kaltër të rinisë sate
Emiredn’moj sykaltëroshja e rinisë sime

Edhe në këtë përmbledhje si edhe në librat e botuar më herët autori Pllana dëshmon stilin e tij origjinal në krijimtari ku ka një fuqi shprehëse me një stil dhe karakter reflektues dhe përmbajtjesor.
Ashtu si e hap librin me disa vargje të bukura ashtu edhe e mbyll ku në fund të librit sjell këto vargje :

tani shoqërohem nga gota
dhe pikat e lotit, që pikojnë,
nga ëndrrat e mia të plagosura.

Andaj në përgjithësi mund të themi se autori edhe në këtë përmbledhje me poezi para lexuesit prezantohet suksesshëm duke treguar ndjesinë e veçantë që ndjen në shtjellimin e poezisë së tij. Dhe shpresojmë se edhe lexuesit këtë përmbledhje poezish të zotit Pllana, si edhe librat e tjerë të tij , do ta presin me shumë dëshirë dhe do ta lexojnë me ëndje.