Poezi patriotike nga Pajtim Xhelo

0
463
Pajtim Xhelo

Sërish në dhëmbje

Ndezur akoma flakët e varfërisë,
Mbi një liqen dhëmbje mbijetimi,
Pritje e thinjur te shpres’ e djallëzisë…
Na zhgënjyen me puthjehelëm mashtrimi.

Pa te Ti, o Zot, po mbanim ne një shpresë,
Të kërkuam ç’na takonte, jo mëshirë,
Që Europa mos na nxirrte pengesë,
Ti na lëkunde në dhëmbje që pa gdhirë.

Nuk di, ku të lënduam Zot ne shqiptarët,
I përjetshëm paska qenë ky mallkim?
Kërkuam trojet që na lanë të parët,
Na dërgove tërmet vrasës si ndëshkim.

Njerëz që në heshtje me nder po jetonin,
A nuk është nderi që Ti pret nga ne?
Me mund,, me djersë e gjak ditët ndërronin,
I murose në rrënoja; o Zot, pse?!

Ka plot të tjerë në mëkate mbuluar,
Pse ndëshkimin u dhe ëngjëjve të mjerë?
Le prindër e fëmijë zemërcoptuar,
Në lotë të hidhur shqiptarët e tjerë.

Nga stuhit’ e Europës u hutuam
Dhe hipokrizia u ul këmbëkryq,
Te Ti shihnim shpëtimin, po u ndëshkuam…
Na vrau tërmeti këtu, n’udhëkryq.

Pse na le udhëkryq të kohës së djallit,
Shesh erërash pa drejtim, Ti pse na le?
Kur të kërkuam shpresën, vrarë prej mallit,
Mbi krahët e vdekjes, tërmetin na dhe.

Pa tmerr o Zot ishte për ta varfëria,
Po Ti edhe vdekjen në tmerr ua dhe?
Zhgënjjimi i Europës, pabesia
I vrau dhe Ti me tërmet. O Zot pse?

Të lutem Zot, kthei sytë nga shqiptarët,
Të varfër krenarë, harruar dhe lotë,
Ndëshkuar ne, në braktisje dhe të parët,
Borxh nuk i mbetëm askujt në këtë botë.

Po të lutem o Zot, mbaja dorë djallit,
Tërmet! Një tjetër ndëshkim në varfëri!
Në dhënbje të duruar, s’ju fshehëm hallit,
Boll me vdekje n’udhëryq, në pabesi!

Harroni urrejtjen vëllezër dhe miq,
Në ditë zie Kanuni na bashkon,
Jemi të një gjaku, nuk jemi armiq…
Kështu edhe Zoti na do, na bekon!

Pajtim Xhelo, 26 nëntor 2019


U dridh toka, jo Besa e shqipeve!

Mes dy rrahjesh, tok’ e Dyrrahut u dridh,
Si në lashtësi kjo tokë Sesarete,
Nga Tivari n’Artë një Besë u lidh,
Besë më e fortë se dyqind tërmete.

U dridh nëntoka, poshtë detit lubi,
Kur agimi nisi t’afrohej i truar,
Nga deti kish ardhur bajlozi i zi,
Veç ky bajloz ishte dhe më i tërbuar.

Mos ëngjëj u deshën nga toka shqiptare,
Tek Ti, në qiell erdhën I MAdhi Zot ?
Bredhin errësirës jetë mëkatare,
Pse shpirtra të dlirë çove n’atëbot?

E zezë moj vdekje, pse në pabesi,
Preve agimin e ëndrave shqiptare,
Së bashku me shpresën, se në varfëri,
Ëndrat mbajnë gjallë shpresën gënjeshtare.

Nën detin me tallaz, volli toka vrer,
Pa nuk ishte Zoti, sigurisht qe djalli,
Në yshtje tinzare, përkundur në tmerr,
Të shihte veç dhëmbje e pat marrë mallli.

Madje, nëpër qeshje, me dhëmbje u nginj,
Ku flitet shqip, sa shumë u derdhën lotë!
Për ata të pafaj, për ata fatzinj,
U qa fati ynë edhe nëpër botë.

Tej, nën tallaz, tok’ e Dyrrahut u dridh,
U dridhën dhe majëmalet kosovare,
Një besë mes helmit e shpresës u lidh,
Tërmeti ndezi zjarr në zemrat shqiptare.

Pa sot, atje tej, te Kepi i Rodonit,
Një shqipe mblodh krahët, ulur mbi një far,
Ish shqipja e Kaonisë , buzë Jonit,
Fshehur kryet në një krenari të vrarë.

Në rrahjen tjetër, mbi dallgë përplas krahët,
Shqipja e Sharrit këlthet me lebeti,
Kanos heshtjen e dhëmbjen në të dy rrahët…
Të dyja shqipet kanë lotë në sy.

Përplaset si zgalem i Sulit fajkoi,
Mbi krahë rëndon loti i Thesprotisë,
Të trija shqipet kjo vdekje i bashkoi,
Në besëlidhje të re të Shqipërisë.

Ja, në Dyrrah, krahpërkrahë shqipet tona,
Edhe shqiptarët me to janë atje,
Në helm përcollëm jetë, po tek e vona,
Ndezëm zjarr shprese në një Besë të re.

Pajtim Xhelo, 28 nëntor 2019


NA U KUJTUA ÇAMËRIA

Ku shkojnë këta njerëz , krrusur, ropatur,
Psherëtimë e zgjatur në qiell janë,
Shpirttrazuar, shpresëpërgjakur, të tulatur.
Hijet e maleve i ndjekin varganë.

Pse qeshjen në sytë nuk e ka fëmia?
Po nën’ e re fjalëmjaltin ku e ka?
E trishtë,e hidhur edhe dashuria,
Ky karvan mortor jetën kujt ia la?

Ja, atje tej edhe shqiponja dardane
Mblodhi krahët dhe fluturimin e la,
Zemërdridhur për këtë racë trojane
Sypërlotur , po përcjell këtë hata.

Pa iu kujtuan Suli, Çamëria…
” I mallkuar bir qenka populli im?”
I ndoqën pa besë nga vatra, shtëpia,
Dheu rrënjët po i dridh me ulërimë.

As këtë herë s’u kujtua Evrropa,
Kurtizania me maskë karnavale
Që na ndau nëpër gropa, nëpër sopa,
Pa shpirt,me gisht,që nga tryezat ovale.

Ia ndali dorën sllavit Amerika,
Tha :- Shqiponja le të ngrihet fluturim!
Këtë komb,këtë shpend s’e ka ndalur frika,
Rrënjët gjaku ia ujit si burim.

Sllavi i jugut përzuri kosovarët,
Si Veziri Sulin, Zerva Çamërinë,
Fatmallkim, fatmarri për ne, shqipëtarët…
Veç Zoti na ka dhënë fisnikërinë.

Hape krahun shqipe, ngjit malet dardane,
Në trojet e tyre kosovarët shiko,
Shtri krahun tjetër mbi Thesprotinë çame,
Atje do të jenë rrënjët…Mos harro!

Pajtim Xhelo, 10 dhjetor 2019