Gjuha e dashurisë
Ca fjalë shpirti rodhën si burim,
Ti më the me pakëz zë veç ” Të dua! ”
Krilat që qenë ngritur fluturim,
M’u bë sikur më përshëndetën mua.
Më duket ish vjeshtë, zogjtë migronin,
Mos vallë dëgjuan fjalët e mia?
Rrihnin krahët erës dhe cicëronin,
Si krilat ligjëronte dashuria.
Hodhe sytë te qielli që qeshte,
Pas krilave po nxitonte një re,
Si pupël, si një puhizë fundvjeshte,
” Pa shih ç’trishtim, është vetëm ! “, më the.
Jugut krilat, pas tyre reja bridhte,
Të pyeta : ” Kështu do vish dhe ti? ”
Pendëza dukej se qiellit mblidhte,
Cicërimat dhe tonën dashuri.
Një këngë zemre rrodhi si një krua,
Fjalët drithëruan një melodi,
Na u duk se dielli u afrua,
Mbi ne për të ngrohur një dashuri.
Shtyheshin jugut krilat dhe këndonin,
Fjalë largimi, tretur në një mall,
Nën qiell shpirtrat tanë dashuronin,
Ëndrat vesonin gurë edhe zall.
Dhe m’u bë se lëndimave jehonin,
Valëdridhjet e shpirtit të rinisë,
Nga malet, në pjerrina gurgullonin,
Ca fjalë të gjuhës së dashurisë.
Erdha pas vitesh, po s’qe më lëndina,
As qiellit të jugut krila s’kish,
Veç një çast se nga erdhi trëndelina,
Në buzët e tua me lëng qershish.
Përhumba nëpër vite si i marri,
Doja krilat t’i kisha përsëri,
Pa mbi thinja nis të ndizej dhe zjarri,
Gjuhën e shpirtit ka çdo dashuri.
Pajtim Xhelo, 13 maj 2020
Sonte
Sa të pash anëdetit, të vetmuar,
Puhiza seç më solli një trishtim,
Pa nga ndjenja e vjetër, robëruar,
U përplas nëpër dallgë shpirti im.
Dhe m’u bë sikur valës po i flisje,
Edhe deti po të shihte në sy,
Bashkë me natën shkallaret po zbrisje,
Jet’ e vjetër ish rrëzuar aty.
Errësirës po rrëshqiste tundimi,
Dhe pendimi për çka nuk bëra dot,
Në zemër, gjakut, tretur mallëngjimi,
Dhe dhëmbja dhëmbi, syri u përlot.
Nuk qe shuar tek unë ai diell,
Edhe dita në të ngrysur pse ish,
Edhe pse retë bridhnin nëpër qiell
Kalorës i ri u ndjeva sërish.
Nëpër ëndër u zgjua gjum’ i vjetër,
Përmbi flakë u ndez zjarri i ri,
Dhe m’u duk sikur ish dashuri tjetër,
Dehje e re, me të vjetrën raki.
E di, është mëkat kur shkel premtimin,
Po zemrën të dënosh, s’është mëkat?
Sonte u bëra mik me padurimin,
Le të më marrë bota mbar’ inat !
Na ndan të dyve një rrugicë, për dreq,
( Thua rrugica të na kishte faj?)
Mbase afëria do ish më keq,
Më mirë tej qytetit, në një skaj.
Ti je e frikur, druhesh nga të tjerët,,
Më thuaj, kë lënduam ne aty?
Pse të fshihemi, vonë apo herët,
Mbase fati kujtohet për të dy.
E egër botë, me brenga, me halle,
Fati lugat të çon në marrëzi,
Kur fijet e shpirtit ngrihen në valle,
T’errtat hije vjedhin një dashuri.
Kjo natë m’u duk e trishtë, qyqare,
Mos dhe me terrin po grindeshe ti?
Sonte dhe heshtja më duket grënjare,
E huaj kjo jetë pa dashuri.
Edi, nuk je burrë kur shkel premtimin,
Po rob të mbash shpirtin s’është mëkat?
Rrugica që mbante peng rebelimin,
Sonte le të ndizet flak’ e inat.
Sonte bëra mik zërin e pendimit,
Eden dashurie u bë kjo natë,
Vitet mbuloi hiri i harrimit,
Vitet që shpirtin mbajtën peng kaq gjatë.
Pajtim Xhelo, 12 maj 2020
Mos kish të drejtë ai?
Dikush në familie ndërroi jetë,
Për zakon, më erdhën në ngushëllim,
Shtëpia ime e varfër, e shkretë,
E pat habitur krejt një mikun tim.
Më tha: ” Punuat gati dyzet vite,
Në punë të mira, ajo dhe ti,
Ja si ke mbetur, sot e kësaj dite,
Për të qarë hallin… Me një shtëpi.
Dhe veten, dhe fëmijët i harrove?
Pa ç’të të duan ty ata të tre,
Me duart në qull, po nuk e mendove,
Qulli s’do rrinte një jetë atje.”
Foli e foli miku pambarim,
Tha ca emra që i njihnim të dy:
“Ladi ka dy anie për peshkim,
Besniku tri depo, diku, aty.
Petriti po, si kont, me tri thertore,
Tani në Myzeqe një pulari,
Lili tre hektar sera diellore,
Të gjithë zotër, shih si mbete ti.
I thashë: ” këtë rrugë vetë e zgjodha
Dhe ja, siç më sheh, jam fare i qetë,
Në qull i kisha duart, po nuk vodha,
Pasuri nuk lakmova nga kjo jetë”.
Me mëshirë, me keqardhje, më pa,
Mblodhi supet dhe të qeshte s’harroi,
” Mos të ngritën një lapidar? “, më tha,
Iku, mos për të marrë më mendoi???
Ka kohë që unë i vetëm mbeta,,
Kurrë s’më mundoi kjo varfëri,
Tani ndjej sa e shtrenjtë qenka jeta,
Them : ” Mos duhej marrë me kusëri? ”
Pajtim Xhelo, 10 maj 2020.
Përderësja
Për një çast harroi të binte shiu,
Kjo braktisje u duk si tjetër botë,
Në prag të portës, kruspull nga veriu,
Një dor’ e shtrirë, diçka do të thotë.
Mardhur, lagur, derën nuk ia hapin,
Trokitur kish shpeshherë, po mëkot,
Jashtë jet’ e marrë pat nisur vrapin,
Brenda jet’ e shurdhër s’dëgjonte dot.
Mbledhur ashtu nga shiu dhe veriu,
Rrahdyersja veç dorën mbante shtrirë,
Ndala hahin, pa vështrimi më ngriu,
Një ylber m’u përqas në errësirë.
N’atë ball, kur rrëzoi dy gërsheta,
Sa rreptë më goditën ata sy,
Të zeza, blu, gri, të kaltra shigjeta,
Ngjyrat e gjithësis’ ishin aty..
Shiu e pru përderësen e vogël,
A rrahdyersja solli atë shi?
Mbledhur kruspull si iriq, si një gogël,
Kjo fatë pylli nga m’u shfaq tani?
S’i hoqi sytë, as dorën s’e mblodhi,
O Zot, Eva ish në këtë magji?
Fjalën dhe guximin vajza m’i vodhi,
Me inat trokita n’atë shtëpi.
Veç në zbrazëti jehoi inati,
Tha : ” Në derë të shurdhit pse troket? ”
Kjo përderëse, mesa forcë pati,
Bërtiti,; tani në heshtje po pret.
Zgjata dorën dhe e ftova të çohej,
M’u qas, pa fjalën nuk e bëri dy,
Në dyqan i bleva rroba të ndrrohej,
Po s’pranoi të vinte në shtëpi.
Pa e ngatërruan kujtimin vitet,
U tret rrahdyersja me sy ylber,
U harrua si një muzg që venitet,
Dhe rrëshqet tejane, mëpër terr.
Pse ma solli sonte koha e vjetër,
Atë përderëse me dorën shtrirë,
Më dhëmb zemra kur mendoj, pse patjetër,
Bota ka njerëz që presin mëshirë?
Seç më trokitën sonte kaq papritur,
Ata sy me ngjyrat e gjithësisë,
Përderësja e jetës së venitur,
M’u fanit ” plag’ e re e njerëzisë”.
Dikur nuk qava, sot rrëzova lotë,
Lotë malli dhe vreri margaritar,
Rrahdyerës, përderës, ka kjo botë…
Mëshirë lypin, nuk janë kusarë.
(rrahdyerse, përderëse – fjalë shqipe autoktone, të vjetra sa bota vet – lypëse)
Pajtim Xhelo, 10 maj 2020
Jam ai i pari
E di që ti mendon se kam harruar,
Në qiellin e shtatë të të çoj,
Kur bota fle, atje të kam kërkuar,
Po nuk të gjeta kurrë, mike moj.
Pra ti mendon se unë më nuk mundem,
Si dikur, në rini, të dashuroj,
Si degë e vjetëruar përkundem,
Veç gjethet asnjëherë s’i rrëzoj.
Vërtet që borën e paska rënduar,
Mbi flokët e mi ky dimër që shkoi,
Po brenda meje zjarr të përvëluar,
Pranvera, kur po ikte, e harroi.
Mos më shih vagët që nga largësia,
Se mjegull nuk kam mbetur asnjëherë,
Po presin mallheshtur puthjet e mia,
Të të ndezin si në vitet e tjerë.
Mos më shih nën dritën e hënës hark,
Dëboje dhe syrin e pleqërisë,
Nën qiellin plot yje, në një park,,
Eja merri hiret e dashurisë.
Eja veç sonte, pastaj të tregoj,
Janë shtuar thinjat, a dashuria,
Po të pres përmalluar, mike moj,
Larg do na tretë të dyve vetmia.
Mos mendo vitet që kanë kaluar,
Mos pyet as për botën llafazane,
Kjo botë veten e paska harruar,
Kur bridhte arixhofkë me çitjane?
Ti mendon se jam barkë e braktisur,
Mbi valën dhe dallgën që mëshiron?
Jam detar që dhe me velën e grisur,
Në det të hapur rrëshqet e lundron.
Nuk më lodh koha, s’më plakin as vitet,
Përveç vetmisë, asgjë s’më mundon,
Ti eja që kujtimi të ujitet
Gjeth’ e re e dashurisë së vonë.
Mos dysho mike moj, që kam harruar,
Në qiellin e shtatë të të çoj,
Dhe në një lirishtë të gjelbëruar,
Me vesë nektari të të mëkoj.
Pajtim Xhelo, 9 maj 2020