Poezi nga UILIAM BLEIK (WILLIAM BLAKE)

0
758
Uiliam Bleik

UILIAM BLEIK (WILLIAM BLAKE)
1757-1827

WILLIAM BLAKE poet, incizues, piktor anglez, me frymëzim romantik, ishte autor i teksteve të reja dhe vizionare dhe i poezive mistike-simbolike që i ilustroi, ai vetë: Këngët e pafajësisë (1789), Martesa e Parajsës dhe Ferrit (1790), Këngët e përvojës (1794). Ilustroi, gjithashtu, Biblën, veprat e Miltonit dhe të Jungut dhe Komedinë hyjnore të Dantes. Blleik ishte piktor dhe poet: si poet i lidhur me zbulimin e Homerit, të Biblës, Dantes, Miltonit, në të cilët, ai shihte si bartësit e mesazhevehyjnore.

Për Blleikun nuk ekzistojnë më “artet” (pikturë, skulpturë, etj). Por “Arti”, veprimtaria e pastër shpirtërore e cila mënjanohet nga materja: gjithë vepra e Blleikut përbëhet nga vizatime me stilolaps, akuarele me ngjyra të lehta dhe transparente. Arti në mendimin e tij, është njohuri intuitive, tashmë jo i gjërave të veçanta, por i forcave individuale dhe mbinjerëzore të krijimit.

BUZËQESHJA

Ka Buzëqeshje Dashurie,
dhe Buzëqeshje Gënjeshtre,
ka Buzëqeshje Buzëqeshjesh
ku takohen dy Buzëqeshjet.

Dhe ka Shikim Urrejtjeje,
dhe ka Shikim Përbuzjeje,
ka një Shikim të Shikimeve,
që ju përpiqeni më kot ta harroni;

Sepse ajo mbillet në thellësi të Zemrës,
dhe mbillet në thellësi të Shpinës,
asnjë Buzëqeshje që s’qe Buzëqeshje,
por vetëm Buzëqeshje

që midis Djepit edhe Varrit
mund të Buzëqeshet vetëm një herë,
por, kur është Buzëqeshje një herë,
ka një fund i gjithë Ankthi.

NJË IMAZH HYJNOR

Mizoria ka Zemër Njerëzore
Fytyrë Njerëzore ka Xhelozia,
Formē Njerëzore Hyjnore, ka Llahtaria
Veshje Njerëzore ka Fshehtësia
Veshja Njerëzore, Hekur i farkëtuar
Forma Njerëzore, Farkë inkandeshente,
Fytyra Njerëzore, Furrë e bllokuar
Zemra Njerëzore Gryka e pangopur.

IMAZHI HYJNOR

Hir, Dashuri, Paqe e Mëshirë
Ai që është në ankth lutet,
Dhe për këto virtyte që çlirojnë
Kthehet mirënjohës shpirti.

Hir, Dashuri, Paqe e Mëshirë
Është Zoti, Ati i dashur,
Hir, Dashuri, Paqe dhe Mëshirë
Është njeriu, fëmija i tij dhe mendimi i tij.

Hiri ka zemër njerëzore;
Fytyrë njeriu, Mëshira;
Formë humane hyjnore, Dashuria,
Dhe rroba njerëzore, Paqja.

Çdo njeri i çdo klime,
Nëse falet në ankthin e tij,
Kërkon formën njerëzore të hyjnores,
Dashuri dhe Falje dhe Mëshirë dhe Paqe.

Qoftë e dashur nga të gjithë forma njerëzore,
U tregoftë në turq e në hebrej;
Aty ku gjen Mëshirë, Dashuri dhe Falje
Aty e ka shtëpinë Perëndia

PËRJETËSI

Kush lidh pas vetes një Gëzim,
Shkatërron jetën me krah,
Por kush puth Gëzimin në fluturim
Jeton në agimin e Përjetësisë pa pra.

URIMET E PAFAJËSISË

Të shohësh në grimcën e rërës Botën,
Të shohës qiellin në një lule të egër,
Të mbash Përjetësinë dhe Pafundësinë
Në pëllëmbë të dorës.

MOS KËRKO KURRË T’IA THUASH SĒ DASHURĒS SATE…

Mos kërko t’ia tregosh kurrë sē dashurēs
dashurinë që s’mund të tregohet kurrë;
sepse era lëviz me fisnikeri, e heshtur,
e padukshme.

I tregova sē dashurës, sē dashurës sime i tregova,
I hapa zemrën krejt;
dridhëruese, e ftohtë, me frikë të tmerrshme,
ah, ajo iku, u zhduk.

Por pa ikur, pa u zhdukur ende mirë nga unë
kaloi rastësisht një i huaj
i padukshëm, i heshtur,
ah, ajo, s’e refuzoi.

KËNGA E NJË BARIU

Mirë se erdhe, o i huaj, në këto vende
ku gëzimi pushon mbi çdo degë
dhe zbehtësia ikën nga çdo fytyrë;
atë që s’e mbjellim, s’e korrim vetë.

Si trëndafili çel Pafajësia
Në çdo xigomatikë të vajzave;
nderi mbi qerpikët e tyre dridhet,
shëndeti si brilant
u stolis qafat vajzave

OXHAKPASTRUESI

I vockël krejt i zi midis dëborës,
Klith me një ton të trishtuar “oxhakfshirësi.
“Më thuaj, ku janë babai dhe nëna?”.
“Shkuan në kishë për t’u lutur.
Sepse unë kam qenë i kënaqur me këtë plagë,
Dhe qeshja në mes të dëborës,
Më veshën me rroba zie,
Dhe më mësuan këngët e dhimbjes.
Dhe meqenëse vallëzoj e këndoj plot gas,
S’e dinë që më bënë aq shumë keq
Dhe i luten Zotit, priftërinjve dhe Mbretit,
Të cilët bëjnë parajsën me mundimet tona.”

FËMIJA I ZI

Në jugun e ashpër më lindi nëna,
jam i zi, por shpirtin e kam të bardhë;
si një engjëll, fëmija anglez është i bardhë,
por, pa dritë, unë jam i zi.

Nëna më bëri shkollë nën një pemë
para orëve të nxehta, ulej;
më merrte në gjunjë duke më puthur
më tregonte lindjen dhe më thoshte:

“Shih lindjen e diellit – atje jeton Zoti,
dhe Drita e tij jep e jep ngrohtësinë e Saj;
lulja, pema, bagëtia, njeriu
ngushëllon në mëngjes,
gëzon në mesditë.

“Për t’u mësuar
që të durojmë rrezet e dashurisë
pak fat na u caktua mbi tokë;
dhe trupi i zi, fytyra e thekur
nuk është veçse re e ngjashme me hijen e pyllit.

“Dhe kur shpirtrat tanë kamzhiku
do t’i mësojë të provojnë të nxehtin,
sapo reja të zhduket,
do dëgjojmë zërin e Tij që do të thotë:
“Jashtë nga pylli, hajt,
Dashuria Ime dhe mendimi Im,
dhe të mbledhur rreth çadrës së artë
siç u përket qengjave, gëzohuni.”

Kështu tha nëna dhe më puthi;
dhe i them fëmijës anglez
kur unë dhe ai do të jemi të lirë
nga reja e bardhë, nga reja e zezë
në çadrën e Perëndisë
do të gëzohemi si qengjat.

Unë do ta mbroj kundër të nxehtit,
do t’u mësoj ta durojë atë,
të përgatitet që të pushojë një ditë
me gëzim mbi gjurin e Atit;
do të mund t’i rri atë ditë përpara,
flokët e tij të argjendta do të prek,
do të jem i ngjashmi i tij,
dhe ai që nga ajo ditë do të më dojë.

GËZIMI I FËMIJËS

“Nuk kam asnjë emër:
jam vetëm dy ditësh.”
Si duhet të të quaj ?
“Unë jam i lumtur
Gëzim është emri im.”
Gëzimi qoftë me ty !

I dashur gëzim!
Gëzim i ëmbël vetëm dy ditësh,
gëzim i ëmbël të quaj:
ti qesh,
unë këndoj akoma
gëzimi qoftë me ty.

U SHTRIVA

U shtriva mbi një argjinaturë
ku pushonte duke fjetur e Dashuria;
mes kallamave të njomë dëgjova
qaj qaj.

Shkova atëherë drejt një shkorrete
dhe drejt vetmisë,
drejt ferrave dhe gjembaçëve të shkretëtirës;
dhe ata më treguan
si ndodhi që u mashtruan,
u dërbuan dhe u shtrënguan për dëlirësi.

ZANA

“Ejani këtu, Harabelat e mi,
ose shigjetat e mia, e mia të vogla.
Nëse një lot apo një buzëqeshje
do të dojë të miklojë një njeri
nëse një vonesë dashurore
një ditë të re të ndritshme errëson,
nëse me zhurmën e një hapi
goditet zemra në rrënjë,
kjo është unaza e martesës –
çdo zanë e bën mbret.”

kështu këndonte një Zanë.
Kërceva nga fletët;
kërceu nga dega
për t’u larguar,
e prita në kapelë,
së shpejti do të jetë shtëpiake.
Të qeshë pra, madje dhe qajë,
ajo është flutura ime;
e kam hequr grepin
e unazës martesore.

ZOGJTË

Ai
Ku banon ti, brenda cilës korie,
Bukuroshe, thuama, thuama, e Dashur;
ku e ndërton folenë e magjishme,
o krenari e çdo fushe!

Ajo
Një pemë të vetme ka atje,
ku për ty jetoj dhe pikëllohem;
mëngjesi pi lotin tim e ndryshon,
dhe erërat e mbrëmjes sjellin dhimbjen time.

Ai
O ti harmoni verore,
për ty kam jetuar, kam vuajtur për ty;
brengosem çdo ditë për të matur pyllin,
netët kanë dëgjuar mundimet e mia të klithin.

Ajo
Ti vërtet më do shumë?
Kaq e dashur jam për ty ?
Mundimi tani është në fundin e tij,
I dashuri im, o miku im!

Ai
Eja, në krahët e gëzimit do të fluturojmë
Drejt djepit tim të lartë pezull;
eja dhe bëj një strehë të qetë
midis gjetheve të blerta, midis luleve kundëmuese.

DHIMBJA E FËMIJËS

Nëna ime ofshau! babai im qau,
në botën e rrezikshme kërceva,
i pafuqishëm, i zhveshur, u ankova me zë të lartë,
si një fantazmë e fshehur në një re.

Duke luftuar në duart e babait tim,
duke u grindur me fashat që duhej të më pështillnin,
i lodhur e i lodhur, mendova gjënë më të mirë
përkuljen mbi gjoks të nënës sime.

Përktheu : Faslli Haliti