Poezi nga Pajtim Xhelo

0
591
Pajtim Xhelo

MBI GJYSMËBOTËN…

Mbi gjysmëbotën e përgjumur nata
Rrezoi yjet e shuar,të ngrirë,
Te dalldisura, mendimet që pata
Si kuaj u rrokullisën në rrëpirë.
Mbi gjysmëbotën e tkurrur nata
Zbriti paqen e përhumbur, të mpirë,
U përzien mendimet që pata,
Si e mundur kalori në shkretëtirë.
Mbi gjysmëbotën e harruar nata,
Hodhi njehësimin e vështirë,
U zbehën pasionet që pata,
Si të vjedhur kuaj n’errësirë.
Mbi gjysmëbotën mëkatare nata,
Dashuri solli dhe mëshirë,
U ndrydhën pasionet që pata
Si kuaj të lidhur me zinxhirë

Pajtim Xhelo, Sevaster (Vlorë) 1974

KALËRON NË NJË ËNDËRR

Kalëron shpirti im në një ëndër,
Në kopshtin e Edenit vrapon si i ri,
Nuk regëtinte as kur u bëra dhëndër,
Kaq endacak dhe i cmendur si tani.
Kësisoj po jeton një pranvere,
Në një përrallë pa fund si magji,
Nuk shihen askund njerëz të tjerë,
Si një dëshirë prilli je veç ti.
Shpirti im vrapon nëpër erë,
Vagabond,i trazuar si stuhi,
Rrebel i ndezur, guximtar i mjerë,
Të gjitha rrugët e sjellin te ti.
Endet si re e ngarkuar në një qiell,
Ku dita dhe nata s’kane kufi,
Sheh vetëm yje, sheh vetëm diell,
Si puthje mirazhi rrëzohet te ti.

Pajtim Xhelo, Vlorë, 2000

Fola me heshtjen

Endem anëdetit mesnatës, tej,
Shoh dimrin e pashpirt si bërtet,
Afshi i flakës shtyhet në dej,
Pa shpirti me heshtjen zë e flet.

Dhe heshtjes i dukem si i marrë,
Nuk dëgjon zërin tim që humbet,
Si belbëzim i ndjenjës së parë,
Që në drojtje guximin e vret.

Pa heshtjes si i çmendur i dukem,
Si shpirt i degdisur në mërgim,
Nën hijet që stërzgjaten po strukem,
Që dritës t’i fshihem në agim.

Fola, fola, po dallgët e valët,
I turreshin dimrit me tërbimin,
Nuk i dëgjonte dot heshtja fjalët,
Dhe mbeta i vetmuar, me trishtimin.

Nuk di ç’bëra, nuk di ku gabova,
Po ti, drenushë, kaq shpejt u lodhe?
Natës së domrit heshtjen takova,
Mendimin e ditës ti ma vodhe.

Kaq shpejt të lodhën puthjet e mia,
Na i helmëve ëndrrat me vrer?
S’është fllad mëngjesi dashuria,
As këngë që tretet në eter.

Gurvarri nuk është dashuria,
Ku çojmë një lule për kujtim,
As varkë me vela, që stuhia
E përkund në dallgë, pa drejtim.

Po endem bregdetit mesnatës, tej,
Nuk doja të grindesha me ty,
Dhëmbjen tonë heshtjes i rrëfej,
Ajo s’më dëgjon, s’më sheh në sy.

Kujt t’i flas tjetër? Nata zhurmon,
Anëdeti bisedon me valët,
Ty dua t’i them, po ti s’dëgjon,
Je velur nga puthjet dhe nga fjalët.

Si burim po rrjedh, ti më shiko,
Burim që sjell ujë veç aty,
Zotit i premtuam, mos harro,
Që në ëndrra të ecim të dy.

Pajtim Xhelo, 14 dhjetor 2019

Ortekët

Shqipëria? Një skenë teatri plot me trima,
Ca kuaj, ca kalorë, i kanë ndarë keq,
Lëshojnë shkrepëtima, gjëmojnë bubullima,
Luhet tragjikomedia e Ëngjëllit Dreq.

Ata që janë kuaj nuk pranojnë kalorë,
Kalorët si mund të ecin pa hipur në kuaj?
Kjo shfaqje po zgjat me dhjetra vite, jo me orë,
Pa të gjithë shqiptarë, nuk ka asnjë të huaj.

U turrën gjithë kalorët të hipin në kuaj,
Po kuajt i shkelmojnë, i rrëzojnë përdhe,
Thonë kalorët : ” S’na kuptuan, janë të huaj,
Paskan qenë të pashtruar, kuaj ergjele.

Vrapojnë përsëri si bizonë të shkalluar,
Nis shtyhen e shkelmohen, skena dridhet për tmerr,
Pa gjak, pa viktima, as thyerje këmb’ e duar,
Përzier kuaj, kalorë, pa lavdi, pa nder.

Të tjerët shikues, kanë mbushur atë sallë,
Ca bëjnë tifo për kuaj dhe ca për kalorë,
Ndeshje kaposhash, pa gjak, ashtu si në përrallë,
Një zë paralajmëron ortekë me dëborë.

Dhe po pritej në sallë ortekët të shikonin,
Që Ëngjëllin Dreq ta rrokullonte bardhësia,
Veç teknikët e prapaskenës po i vononin,
Shikuesit e lodhur i dehu gjumësia.

Orët shkonin, vitet disa herë ishin ndrruar,
Në skenë luhej e njëjta tragjikomedi,
Salla flinte, spikeri të fliste kish harruar,
Dreqi dhe Ëngjëlli ishin dyzuar tani.

Në cilin vit ishin, pa sa kohë kish kaluar,
Njerëzit në sallë flinin gjumin letargjik,
Të dehur nga premtimet, nga mashtrimet hutuar,
Në ëndërr po shihnin fundin apokaliptik.

Kur majmunët në skenë qenë shpërfytyruar,
Kalorë dhe kuaj qenë lyer me një bojë,
U rrëzuan ca ortekë , me shkëmbinj trazuar,
Ëngjëlli Dreq i dyzuar s’mundi të shpëtojë.

13 dhjetor 2019


Profeci

Kur vitet u ndërruan në dremitje,
Plaku kish rrëzuar djalin e ri,
Lodhje e vjetër, si një përtëritje,
Po sheh, a ëndërron një Profeci.

Bota, veshur si në borën e parë,
Një oqeanhapsirë pa kufi,
Të mjerimit lotë qenkërkan tharë.
Përhumbur mëkati në bardhësi.

Miliarda njerëz si myslymanët,
Po i faleshin një mbreti të ri,
Pa skeptër, pa kurorë, si Titanët,
T’i jepte kësaj bote barazi.

Nga sytë e njoha, ish Jezu Krishti,
Duket kish ndjekur mëkatin dhe djallin,
Sa zbriti, kërcënues ngriti gishtin,
Jetës i hoqi mjerimin dhe hallin.

Kumboi një zë dhe u dridhën qiejt,
Ish zë i Atit që sillte të Birin,
Mbi bardhësinë u afruan diejt,
Të djegur, veset nuk kishin as hirin.

“Në paqe jeni, si ëngjëj tani,
Harroni marrëzi e sokëllima,
Do jetoni veç në një mbretëri,
Në këngë burimi, pa psherëtima…

Ju premtova, ju solla birin tim,
Në një botë lulishte, pa mëkate,
Ç’ka iku e mbani vetëm kujtim,
Si plak që vdiq në mllefe, në inate”

Iku zëri, pa dhe qiejt u hapën,
Po diejt mbetën afër përsëri,
Bardhësisë hyjnore u përhapën,
Lule, zogj, flladitëse melodi.

Pat ikur Ati, kur foli i Biri:
“Çohuni, përkulur s’dua t’ju shoh,
Servilizmit le t’i mbetet veç hiri,
Besë e krenari dua të njoh!

Nuk di, isha në gjumë, apo zgjuar,
Pash, a ëndërrova një Profeci,
Ndjeva si koh’ e vjetër, e kaluar,
Nga larg po më shihte me ligësi.

Kur vitet u ndërruan në dremitje,
Plaku kish rrëzuar djalin e ri,
Lodhje e vjetër, si një përtëritje,
Pa, a ëndërroi një Profeci.

1 janar 2020