Poezi nga Nikolin Sh. Lëmezhi

0
1431

Një natë dimri…

Edhe unë shkruaja dikur,
çdo gjë ruaja me dashuri:
Poezi, dëftesa,
Fleta lavdërimi
dhe fletoret e librat e shkollës.
Por, një natë dimri
pa drita,
në atë shtëpi të varfër fshati
ku fëmijërinë time jetova,
të rriturit e shtëpisë
ndezën një qiri
dhe ashtu të ndezur e lanë
mbi një tavolinë të drunjtë
dhe gjysmë të kalbur:
e me të u dogjën fletoret e mia.
Oh, sa mërzi
më solli ajo natë!
Ndërsa flakë të vogla
bashkë me tymin ngriheshin lart,
e zemrën ma mbushnin me mall.
Shpresoja se tymi
do ndalej diku aty,
që kujtimet e mia të shkruante
për t’i ruajtur në përjetësi,
sepse e dija mirë që atëherë
se për fletore
Qielli nevojë nuk ka.

Shkodër, më 3.05.2018
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri ˗ Shkodër

Dashuri

Sa lotë
kam parë të rrjedhin
në njerëzimin tim!
Sa vuajtje,
sa plagë
çon peshë veç një kujtim!

Sa tmerr,
përballë zemrash të ngurtësuara
se kërkojnë drejtësi!
Sa urrejtje,
dëshira për hakmarrje
e zemrat s’gjejnë qetësi!
Ndoshta
një përgjigje gjendet,
por duhet Dashuri.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Blinisht (Lezhë), më 29. 06. 2003

Ashtu si m’u shfaqe…

O Zot!
Atë ditë Ti m’u shfaqe
si Dritë dhe Dashuri.
Sa bukur ishte!
E në mua
ke lënë mrekullisht,
si vula të pashlyeshme
shenja të gëzimit Tënd.
Të falënderoj, Imzot!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri
Shkodër, më 18.04.2018

Jetë e heshtur…

Një zemër e trazuar,
një dhimbje,
m’u duk jeta.
Bota e vetja ime
seç më braktisën
dhe shfreva dufin pa u matur.
E në mendjen,
motor të kompjuterizuar,
i shtangur mbeta.
Kujtova ca fjalë,
ca fjalë që si gjemba therin,
në thellësi të shpirtit.
Një ndjenjë frike,
si heshtë e përshkoi qenien time,
diçka si padashur
më mundonte…

Një ndjenjë ndrojtjeje,
si zë rrënqethës,
si jetë e heshtur.
E ashtu,
e harruar
në duart plot vragë të braktisjes,
pret me shpresë…

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, Qershor 1997

Për ju vrasës

Mos gjuani më, o vrasës,
mos gjuani më!
Qielli ka mëshirë,
i duron plumbat…
Por toka do qetësi,
nuk do më dhunë!
Prandaj, mos bëni zhurmë,
se fantazmat e vdekura dikur,
mund të dalin nga varret
e të vrasin ju,
o vrastarë!

Shkodër, Qershor 1997

Shenjtja Nënë e Hyjit

Shenjtja Nënë e Hyjit!
Më ruaj një zemër prej foshnje,
të pastër dhe të kulluar
si ujë burimi!
Më jep një zemër të thjeshtë
që të mos ndalet
për të shijuar trishtimet e veta,
një zemër të madhe për t’u dhuruar,
që ka dhembshuri,
një zemër bujare,
që të mos harrojë asnjë të mirë
dhe të mos ruajë hidhërim
për asnjë të keqe!

Më jep një zemër të ëmbël e të përvuajtur,
që të duajë pa kërkuar dashuri në kthim,
një zemër të madhe dhe që mendon për të tjerët
e që asnjë mosmirënjohje të mos të mund ta lodhë!

O Mari, Nënë e Hyjit,
na ço tek Jezusi!
Ti, nxënëse e parë e Birit Tënd,
na parapri në ecjen e besimit
dhe na jep dorën
për t’u ringritur kur të mëkatojmë!

Ti, E Papërlyera,
grua e thjeshtësisë,
shembull me zemër dhe mendje
të pastër për ne,
që adhuron vullnetin e shenjtë të Hyjit,
na mbështet në ecje,
thaji lotët tanë!
Na bëj që ta ndjejmë gëzimin
se jemi të lirë për Mbretërinë!

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri

… Kurora e premtuar që na pret!

Do të na pengojnë
shumë,
do të na kundërshtojnë
dhe luftë mbase do të na bëjnë.
Ecja, besoj,
e gjatë do të jetë,
dhe e mundimshme,
sepse shumë i madh
është Çmimi
dhe Kurora e premtuar
që na pret.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 09.05.2018

Pak po më jep, jeta ime,
e tepër po lyp nga unë (Ali Podrimja)

Është koha e vetmisë,
kohë e pakohë në hapësirë.
Megjithëse qielli e ferri,
vetminë shqyejnë pa mëshirë.
Më shqyejnë mua…
Më shqyejnë mua…
E unë u bëra fli, jo për vete,
as për shenjtër, as për djaj.
U bëra fli e një ekzistence,
të vrarë në ekzistencën time.
Është koha e vetmisë,
kohë e pakohë në dhunë.
Është koha kur jeta më jep pak
e tepër po lyp nga unë.
Dhe kur të vdes,
një grusht dhé të zi do më japë.
E mbi varr do qëndrojë përgjithmonë,
me duart e shtrira si lypëse.
Me ato duar, duar të frikshme,
të lyera me baltë,
që s’bëjnë gjë tjetër,
veçse lypin, lypin dhe në varr.
Është koha e vetmisë,
kohë e pakohë, në yjësinë tonë.
Është koha, kur unë jam vetëm,
në kohën e pakohë,
në kohë e në hapësirë
dhe shoh i çuditur duart e jetës,
në çastet e pajetuara,
si duar që lypin mëshirë,
si duar që lypin dhe në varr…

Shënkoll, më 3.2.1996

Arbëria matanë detit
na kujton se të huaj jemi te ky dhé!

Dëgjohet përmallshëm,
zë i vëllezërve tanë.
Godet thellë në shpirt,
kushtrim i De Radës.
Qan përvajshëm,
zemër e copëtuar,
qan arbëreshi,
në dheun e huaj.
Vajton e bukur lule:
Oh, e mjera unë!
Ferrat e pamëshirshme,
më luftojnë me dhunë.
Si zambak nën hije,
rritet në vetmi.
Gërryhet ai në shpirt,
për nënën Arbëri.
Bërtet me lot’ në sy:
Mos pafsha diell as hënë,
as qenin me zinxhirë,
që jeton pa nënë!
T’u laj këmbët dua,
vëllezërve të mi.
Se sa të jetoj,
si në ferr të zi!
Nder është për mua,
të jem kështu i varfër.
Pasuria ime,
është emri i lartë, Arbër.
Me mall pres të vdes,
të kem krahë si engjëll.
Të shkoj tek nëna ime,
t’jetoj në t’ngrohtën zemër.

Shënkoll, më 24.10.1994

Fort po e kërkoj…

Fort po e kërkoj
qetësinë,
por të qetë
s’po më lënë

Shkodër, më 29.05.2018

Eja në zemrën time!

O Zot Jezus,
shikimi Yt
është gjithmonë mbi mua
dhe Ti e di
sa shumë të dua:
Eja në zemrën time
dhe më jep dritë
që të kuptoj se
çfarë duhet të bëj
çdo ditë!
Çfarë do prej meje,
o Zoti im?

Ka dritë gjithmonë

Ka dritë gjithmonë
atje lart
dhe hapësirë,
por sa ngushtë
e në terr të dendur
gjendet shpirti im
në rrugëtimin
që të çon
atje lart!

Shkodër, më 31.05.2018
Nikolin Sh. Lëmezhi