POEZI NGA JETA NË TËRË DIMENSIONIN E SAJ

0
1359
Rrahim Sadiku - Stuhitë e gjakut tim

Libri “Stuhitë e Gjakut tim” të Rrahim M. Sadikut, botoi SHB “Meshari”, Prishtinë 2015

Milazim F. KADRIU

Si mysafir i vonë kthehesha me natën
Në shpirt ndrydhja zjarrin e në zemër flakën
Ç’vuajtje përjetova sall unë e di,
– nëpër fjolla bore – rrebeshe me shi

Janë këto vargje të shkëputura nga vëllimi poetik “Stuhitë e Gjakut tim” të autorit Rrahim M. Sadiku, që kohë më parë erdhi para lexuesve me librin e tij të katërt në poezi. Nga vetë titulli i librit shihet se kemi të bëjmë me poezi të cilat pasqyrojnë jetën e stuhishme, vuajtjet dhe peripecitë e vetë autorit por jo edhe vetëm të tij.

Krahasuar me librat tjerë ky vëllim poetik është shumë më përmbajtjesor dhe në një nivel më të lartë në artin e fjalës. Në këtë libër janë të prezantuara 80 poezi që janë të ndara në shtatë cikle ( Zëri e kënga, Me ngjyra jete, Jeta s’pret, Terapia e shpirtit, Në gjurmë të bardha, Pjesë e gjakut dhe Me shkronja të arta), por që të gjitha ciklet kanë një lidhmëni mes vete. Këto poezi janë poezi të sinqerta, poezi të shpirtit, shpirtit poetik, të qarta dhe të kuptueshme. Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ato flasin për jetën, atdheun, nënën, vendlindjen, ka përkushtime për personalitete të jetës kulturore… Heroizmi, qëndresa, patriotizmi në shumë poezi, tregojnë ndjeshmërinë e poetit por ka edhe poezi përmes së cilave autori shpreh revoltën e tij.

Autori na sjell plotë poezi e tema të ndryshme dhe plotë mesazhe, ndjenja, që ai di ta përcjell bukur tek lexuesi. Poezitë e këtij libri dallohen sa për mendimin e thellë e me plot mesazhe aq edhe për formën e bukur artistike plot metafora dhe figura të gjetura letrare që i japin poezisë një tingëllim të veçantë. Në çdo poezi ka art dhe lulëzim me një metaforë mjaft të mirë të përdorur dhe me dhembje e dashuri e krijon vargun e tij artistik.

Autori është njohës i mirë i traditës, kulturës, gjuhës dhe perceptimit. Vargu i tij është jeta. Jeta në tërë dimensionin e saj. E bukur dhe e brishtë. Jeta me dimensione të tjera në zgavra të etura për dritë dhe ndriçim. Në këto vargje na vjen një botë e tërë mendimesh, një botë e pashterur.

Sadiku në këtë libër shfaq një botë të madhe, sjell dhe përcjell në çdo poezi metaforën e jetës gjithnjë me shpresën për të mos humbur ëndrrën, kërkon gjithçka që është e mundur.
Poezitë e këtij vëllimi poetik shprushin fatin e njeriut bashkëkohor. Fati, vuajtjet, plagët, dhimbja, ngushëllimi, ëndrrat, buzëqeshjet, shpresa, vetmia….janë temat e poezive të cilat vijnë si përjetime trazimesh të erërave të shpirtit që bukurinë e kanë edhe në dhimbjen njerëzore.

Tek poezitë e këtij libri më së shpeshti e hasim simbolikën e malit dhe gjarprit ku si e përmend disa herë nëpër poezi autori thotë se mali shpesh u pre dhe u dogj por rrënjët mbetën dhe drunjtë sërish janë ripërtërirë, ndërsa me gjarprin e paraqet pushtuesin që kohë të gjatë e ka helmuar këtë vend. Autori me shumë dashuri i këndon nënës ku ndër tjera thotë : / Ajo strukur pranë oxhakut-ku zjarri ndizej / E ftohur si akull me ato dy duar në faqe / Ç’mërzi e dhembje në shpirt duke vuajtur,/ – si pirgu i pikëllimit me harqe / Trokita në derë – shpejtë në këmbë u ngrit / derë e zemër me plagë – se ç’i qeli nëna; / E lënë në vetmi mu si kanjusha e zezë mes pyllit / – herët për të qe ndalur kënga /. Po ashtu autori i këndon edhe vendlindjes së tij Vendenisit, në të cilin tashmë ka kohë që nuk jeton dhe ndjenë mall për vendlindjen e tij që e çmon shumë.

Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Sadikut shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Poezitë e Sadikut kanë një dimension të gjerë, të një krijuesi që nuk sheh vetëm një drejtim, por ka një shikim të zgjeruar poetik.

Ai e shpalos bukur dhe thellë botën e tij poetike, sa fluide, po aq të prekshme dhe konkrete. Vargjet e tij bartin ide e mesazhe sa të këndshme, po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !

Poeti është gjithnjë i lidhur ngushtë me atdheun,vendlindjen dhe njerëzit e tij. Andaj edhe motivet, peizazhet, por edhe portrete reflektojnë nga ky ambient.
Vargjet e Sadikut janë shprehje e fuqishme e një zëri të çiltër poetik, që në botën e tyre zihet shumëçka që ka të bëjë me kohën dhe realitetin.

Se autori Rrahim M. Sadiku ka një qëndrim dhe unin e vet, ku nganjëherë revoltën që ndjen e shpreh edhe në vargjet e tija ku ndër tjera thotë / Bota njerëzore / Njëri – tjetrit i dhurojnë gjak e flatër / E shqiptari për shqiptarin / Gjithmonë është gjarpër /

Në këtë vëllim të poezive disa poezi mbajnë edhe datën se kur janë shkruar por ka edhe poezi që janë të shpërblyera në konkurse të ndryshme letrare për çka tregojnë për një angazhim të vazhdueshëm të autorit në rrjedhat letrare.
Autori në poezitë e këtij libri ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur. Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam dhe po kalojmë edhe tani.
Ai gjen magjinë e fjalës, jo sa për të shpërthyer një emocion që bartë thellë në shpirtin e tij, por për të treguar se në shpirtin e tij është fuqia e fjalës së vargëzuar.

Përpos vuajtjeve që patëm nëpër kohë kemi edhe shumë mrekulli të bukura që e kanë mbajtur gjallë këtë popull dhe për këto autori na sjell frymëmarrje dhe na bënë edhe më të lumtur kur këto i kujtojmë. Këto poezi tregojnë qartë për dashurinë dhe pasionin e madh që e ka autori në artin letrar. Në poezitë e tij Sadiku ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur.

Në poezitë e tij, në përgjithësi, Sadiku shquhet për intuitë të veçantë krijuese, intonim të theksuar lirik, të thurura përmes një shprehjeje të kursyer lakonike. Andaj, konteksti i tij lirik e lakonik zgjon asociacione të ndryshme kuptimore – metaforike, gjithnjë më të thelluar. Poenta kryesore e mesazhit poetik të autorit, apo parimi bazë krijues i tij, është lidhja e fortë emocionuese me atdheun, kohën dhe realitetin…