Isak . A H M E T I
PËRSE?
JAVA E MADHE ka ardhur
e mveshur me ngjyra pikëllimi.
Ajo ka qenë gjithmonë virgjine,
por kurrë s’ka njohur buzëqeshjet e luleve.
Dikush ka shkruar vargje të kuqe
për PREMTEN E MADHE të tjetërkujt.
Përse janë mbuluar gjurmët e fëmijëve?
Përse dita ka aguar e mbështjellë me mjegull
si hija e të Kryqësuarit?
(Gallatea, Rilindja, Prishtinë, 1972, fq. 19).
FRESKIA E ERRËT E KATEDRALES TALLET ME ENGJUJT
ëndërroj shkëlqimin e asaj dite dhe
shoh se ende gjendem larg saj
mes saj dhe meje qëndron një hije
e ajo mund të jetë hija e vdekjes
përsëri dhembja ime ka pakëz kohë
ndërsa freskia e errët e katedrales tallet me engjujt
që këmbëzbathur ecin nëpër errësirën.
(Gallatea, fq. 32).
VETËM ZOGJVE
Era e Jugut miklon
gjethet e vdekura
që do shndërrohen
në hirin e imagjinuar
për të rilindur në dëshirë
gjethet e reja të gjalla
dhe kur dashuron atë
që është më e vlefshme se DASHURIA
shpirti ia vë aureolën zemrës
pas së cilës fshihet
ENGJULLI që u këndon zogjve
vetëm zogjve.
(Gallatea, fq. 35).
SHKËMBI(1) DO TË AMSHOHET
Kot përplaseni o valë
Shkëmbi ende s’është thyer
ai ekziston dhe përsëri do ekzistojë
shkëmbi do të amshohet
(Gallatea, fq. 56)
———————————
1) Shkëmbi-Shën Pjetri