POEZI ME TEMË MBI JETËN, ATDHEUN DHE DËSHMORËT

0
2070

Ismet Krasniqi “Foleja e shqipes”, botoi SHKL “Tafil Kelmendi”, Malishevë 2017

Libri “Foleja e shqipes “ e autorit Ismet Krasniqi është përmbledhja e radhës me poezi, por që kësaj here ajo është paksa më e veçantë jo për nga përmbajtja por për kohën kur është botuar ngase libri botohet me rastin e 66 vjetorit të lindjes së autorit dhe në 50 vjetorin e shkrimeve të para që i botoi Krasniqi si nxënës në shkollën fillore “Mustafa Bakija” Carrallukë, komuna e Malishevës në revistën shkollore “Rrezet e reja”, redaktor i së cilës ishte Tafil Kelmendi.

Që nga ajo kohë e deri më sot mund të themi lirisht se Ismet Krasniqi është një enciklopedi e kulturës shqiptare në Kosovë e më gjerë, ku ka arritur suksese të jashtëzakonshme në krijimtarinë letrare e aktoreske.

Poezia e parë që e botoi në revistën shkollore në vitin 1967,ishte poezia “K’ shillimi i nanës”
“Nana më këshillonte
“Shko n’ shkollë e mëso,
Kolegët e arsimtarët ndero
E vendlindjen mos e harro”

Temat në poezitë e Ismet Krasniqit në përmbledhjen “Foleja e shqipes” kryesisht janë me temë mbi jetën, atdheun dhe dëshmorët. Këto tema i hasim edhe në librat tjerë të këtij autori por që në këtë përmbledhje shumica nga këto poezi janë të botuara edhe më parë në përmbledhje poetike të autorëve tjerë sidomos në përmbledhje poezish përkushtuese për dëshmorët dhe atdhetarët tjerë të cilët dhanë gjithçka që patën për lirinë e vendit.
Autori si edhe pjesa dërmuese e popullit shpresojnë se një ditë të gjitha trojet shqiptare do të jenë të bashkuara, këtë e shpreh edhe në poezinë “Foleja e shqipes” titullin e të cilës e mban edhe vetë libri ku ndër tjera autori thotë :
“Pasha qiell e pasha tokë
Vendi im ka shqipe plot
Të betohem në atdhe
Shqipet kanë një fole”

Autori jo vetëm në këtë përmbledhje por edhe në të tjerat shumë poezi ua kushton atyre që janë më meritorët për lirinë që sot po e gëzojmë, dëshmorëve të kombit, por që ka ende punë për tu bërë sepse ata na e lanë amanet bashkimin Kombëtar. Këtë e thotë autori në poezinë e tij “Homazhe dëshmorëve” :
“Yje të pashuar,
Ndriçojnë Atdheun
Dhatë jetën për liri
Për Kosovë e Shqipëri”

Redaktori i librit Mehdi Krasniqi thotë se “Poezitë e Ismet Krasniqit që janë në këtë libër, kanë formë dhe kanë përmbajtje. Me aspektin “formë” po shënjojmë anën e dukshme të poezisë, me theks të veçantë, ndërtimin e saj të rimuar. Me aspektin “përmbajtje” po shënjojmë kuptimin tematik. Forma dhe përmbajtja, të kihet parasysh, janë të pa shkëputura”.

Pasi citon vargjet “Mësues Kosove, mësues Shqipërie / Orë e parë himni kombëtar / orë e dytë për Skënderbeun / orë e tretë luftë për atdheun/, recensenti i librit Izet Shala thotë se “Poeti Krasniqi, shquhet si një nga depërtuesit e thellë të mendimit filozofik të etnosit tonë dhe kjo vërtetohet me vargjet e cituara më lartë, se është e vërtetë kjo filozofi e formësimit nëpër breza, edhe ne si studiues të vargut jemi dëshmitarë të kohës, që ka ndikuar dhe duhet në vazhdimësi të përmbushim detyrën tonë si intelektual para kombit dhe atdheut. Në të kundërtën marrim rrugën e keqe, apo të mbrapshtë thënë me drejt kundër vetvetes”.

Përpos biografisë së autorit në libër ai sjell edhe titujt e librave të autorëve tjerë ku i ka botuar shumicën e poezive të kësaj përmbledhje si dhe disa foto nga manifestime letrare me rastin e pranimit të disa nga shumë çmimet që ai ka marr deri tani për punën e tij të suksesshme.