POEZI ME SHPREHJE TË SHPIRTIT KRIJUES

1
2918

Behar Xh. Berisha “Ty që s’plakesh kurrë”, botoi SHB “Fidani”, Prizren 2016

Milazim F. KADRIU

Poeti mërgimtar Bear Xh. Berisha kohë më parë erdhi para lexuesve me vëllimin e tij poetik “Ty që s’plakesh kurrë” ku janë 58 poezi të ndara në tri cikle të cilat e plotësojnë një unitet poetik të autorit ( Kënga juaj simbol lirie”, Nënë,moj nënë” dhe “Lulja e Prizrenit”

Në këtë vëllim poetik të Bear Xh. Berishës magjia e poezisë na del e veçantë dhe artikulohet në mënyrë origjinale. Poezitë e tij janë lirika të pasura dhe përmbajnë ritme elegjiake, ku simbolika dhe stili u japin vlera të veçanta.

Poezitë e këtij vëllimi janë shprehje e shpirtit krijues, të shkruara me një intensitet frymëzim të thellë, për luftën dhe dëshmorët që ranë për ti kthyer nderin e nëpërkëmbur atdheut të vet, si dhe poezitë sociale, problemore të mërgimit dhe poezitë me motive nostalgjike dhe dashurie.

Poezia jonë më e re që trajton heroizmin dhe e adhuron të kaluarën edhe kur është e përgjakur, shfaqet përherë e veçantë duke dëshmuar bukurinë dhe vlerën e saj, në përshkrimin e tablove tragjike, të cilat janë pjesë e historisë sonë.

Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi. Në këtë frymë janë edhe poezitë e ciklit të parë të këtij vëllimi poetik i cili hapet me vargjet :

“… Shqipërinë ta bashkojmë
Kjo ishte ëndrra jonë,
Dhamë gjakun për lirinë,
Për Atdhe e për komb …”

Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i papërkulur i njerëzve të Kosovës, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori janë dominuese në frymën poetike të autorit. Nga e kaluara tragjike, por edhe e lavdishme, nuk mund të shkëputemi lehtë. Ne, si popull, duhet të krenohemi me të. Rrebeshet e luftërave shkatërruan vendin tonë, por ideali i luftës për liri prore mbeti gjallë. Për atë ideal u flijuan shumë dëshmor të cilët hynë në kujtesën historike dhe brezat mund të mësojnë shumë nga heroizmi i tyre.

Dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim poetik. Ata bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore. Në përshkrimin e këtyre figurave, hyjnë ritmet e trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, të cilat përshkohen me tone elegjiake, melankolike dhe krenare.

Poezitë e këtij cikli kanë ngjyrën e gjakut, krenarinë e heronjve dhe gatishmërinë e tyre për flijim, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë. Janë balada të përgjakura të cilat flasin se historia jonë nuk duhet të harrohet kurrë e as protagonistët që me gjakun e vet shkruan kapitullin më krenar të saj.

“Te ti gjetëm strehë të ngrohtë
Me ty e ndamë hidhërimin,
Ngritëm at’ gëzim të pakët
Shtove gjithnjë frymëzimin…”

Me këto vargje fillon cikli i dytë i poezive i titulluar “Nënë, moj nënë”, ku prezantohen poezi sociale dhe problemore të mërgimit ku përmes poezive autori shpreh mallin për vendlindjen, të afërmit, miqtë, shokët ngase ato i mungojnë atje ku aktualisht jeton, ku tash e shumë vite ndodhet jashtë atdheut si shumë bashkatdhetarë tjerë. Ndonëse ai jeton atje nuk donë që njerëzit e vendit të tij të kërkojnë lumturinë jashtë atdheut të tyre edhe nëse atje është një mirëqenie më e mirë. Po ashtu ai me poezitë e tij godet edhe disa dukuri sociale negative siç është korrupsioni, por ndjen dhembje për të varfëritë dhe vuajtjen së fëmijëve dhe apelon për humanizëm ku shpreh solidaritetin për ndihmë kategorive nevojtare.

Ndërkaq ciklin e tretë “Lulja e Prizrenit” e nisë me këto vargje :

“… S’ të thërrasin kot,moj
Lulja e Prizrenit,
Bukuri magjepse
I shton hije vendit…”

Në këtë cikël kemi poezi me vargje të buta dhe të ndjeshme që janë me motive nostalgjike dhe të dashurisë. Ai i këndon bukurisë së vajzës ku te ajo sheh plotë dritë e jetë. Poezitë e këtij cikli janë me një nivel të lartë artistik ngase i përkushtohen bukurisë shpirtërore dhe fizike të vajzës që ai e dashuron, ku me një veçanti i këndon vajzës prizrenase.

Në poezitë e librit “Ty që s’plakesh kurrë” të Bear Xh. Berishës gërshetohen të gjitha segmentet karakteristike të poezisë së tij, të cilat dëshmojnë origjinalitetin dhe e formësojnë individualitetin e tij poetik: mendimet për jetën, heroizmi i pashembullt në histori i personazheve të tij, pastaj problemet sociale, mërgimi si dhe nostalgjia, dashuria …

Suksesin në vargëzimin poetik, Berisha e dëshmon në këtë libër të cilit ia ka vënë edhe titullin shumë simbolik që asnjëherë nuk e harron babin e tij hero i kombit e që nuk do të plaket kurrë,por gjithnjë do të jetë i ri se dëshmorët janë të pavdekshëm.
Me poezitë e tij në këtë libër na sjell idealet e tij të larta kombëtare, sidomos në ciklin e parë ku poezitë e tij ia kushton luftës së lavdishme të UÇK-së dhe atyre që u flijuan për lirinë tonë.

Në poezitë e tij Berisha jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.
Autori në poezitë e këtij libri ka thënë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur. Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam dhe po kalojmë edhe tani.

Berisha poezinë e ndjenë brenda tij dhe jeton me të në çdo moment në vendlindje, në mërgim, në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe një ditë këto që i ndjeu brenda i qiti në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tij. Ndjesinë që ka ai në poezi mund ta përfiton lexuesi posa ta lexoi poezinë e këtij autori mërgimtar. Poezia e Berishës është modeste dhe krijon një komunikim të sinqertë me lexuesin duke ndarë me te ndjenjat e tij.

1 KOMENT

  1. SHPIRT I TRAZUAR

    Me dashuri e zjarr
    Dolëm ngadhnjimtarë
    Sprovë për ne
    A do të dimë ta mbajm

    Ndonjëherë
    E mira të vret
    Të lëndon të zhgënjen
    Shpirtin e trazon

    Dhe kur i shoh të vuajturit
    Vuaj më shumë se ata .

Komentet janë mbyllur.