POEZI ME NJË VLERË DHE ARTIKULIM TË ÇILTËR POETIK

0
1485

Hamit Majkovci “ Shpërthime poetike “, shtypi Zero Print – Prishtinë, 2017

Milazim F. KADRIU

Ditë më parë para lexuesve erdhi edhe poeti i ri llapjan Hamit Majkovci, me dy libra thuajse për njëherë “Shpërthime poetike” dhe “Identiteti”. Ndonëse me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh herët, deri vonë ka qenë disi i heshtur,por tash na vjen me një shpërthim të bukur poetik.

Poezitë e Majkovcit kanë një tematikë mjaft të gjerë, ku preken pothuajse të gjitha fushat. Respekti i tij ndaj vendit, familjes, të afërmve është sjellë në poezitë e tij.

Nëpërmes vargjeve të poezive të përmbledhjes“Shpërthime poetike” autori bashkëbisedon me lexuesin, duke shprehur përjetimet e tij, të cilat në fakt janë edhe përjetime të popullit tonë.

Kështu kjo përmbledhje ka 115 poezi e që hapen me poezinë “Abeceja shqype “ të cilën ia kushton atdhetarit dhe kontribuuesit të madh për shkollën në gjuhën shqipe Jashar Erebarës, ku ndër tjera thotë :

“ Mes lumenjsh, liqenesh, / mes tokës, hapësirës. / Qe dritë e pashuar / në mesin e abetareve t’ shqipes “ /.
……………………………
“ O Jashar Erebara, / o rreze dritë,penë e artë / e letrave shqipe ,/ abetaren që shpike “ /.

Hamit Majkovci thuajse njëherësh para lexuesit vjen me dy përmbledhje me poezi të cilat dëshmojnë për një vlerë dhe për një artikulim të çiltër poetik. Në bazë të poezive të tij shohim se kemi të bëjmë me një krijues që ka një natyrë që pretendon ndryshime të vërteta, jo vetëm në fatin e atdheut por edhe në letërsi. Ai këtë e thotë drejtpërdrejtë ngase është parimor dhe guximtar.

Poezitë e librit “Shpërthime poetike” sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku i ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin e krijimit të tij poetik, duke mos e harruar që t’i këndojë vendit, dashurisë, të afërmve, personaliteteve të ndryshme etj. Motivi i atdheut, është motivi që dominon më së shumti në vargjet e poetit që nga e kaluara, me ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut.

Në një poezi të titulluar “Heroinat shqiptare” autori u këndon heroinave shqiptare qw krahas burrave luftuan për lirinë e vendit, ku ndër tjera thotë :

“ Kështu vendosën trimëreshat / Me heroizëm, krenari, / Të mos lëshojnë pushkën prej dore / Derisa të vijë e shtrenjta liri ”.

Majkovci përmes poezive të tij shfaq një botë të madhe, sjell dhe përcjell në çdo poezi metaforën e jetës gjithnjë me shpresën për të mos humbur ëndrrën, kërkon gjithçka që është e mundur. Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Majkovcit shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ”magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Ai përmes poezive thotë gjithë atë që e preokupon, e madhëron, e sheh dhe e përjeton bukur. Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam dhe po kalojmë edhe tani. Këto poezi tregojnë qartë për dashurinë dhe pasionin e madh që e ka autori në artin letrar. Ndonëse autori është punëtor i arsimit edhe shumë poezi i gjejmë nga jeta dhe puna në shkollë ku ai poezi u kushton ish mësuesve të tij po edhe nxënësve me të cilët kalon kohën më të madhe gjatë ditës. Kështu në poezinë “Dita e mësuesit” thotë :

“ Për hir të 7 Marsit, / Për ditën e mësuesit tim, / I shkrova këto vargje / Me shumë admirim “ /
……….
“ Për hir të 7 Marsit, / Festës së mësuesit tim, / Ta duam gjuhën e kombit / Si i madhi Naim “ /

Duke mbetur në përmasën tematike, poeti gjithsesi në shumicën e poezive thur vargje për atdheun, për heronjtë dhe figura kombëtare, për flamurin, për vendet historike, për … Autori ndërton poezi të qartë dhe të kuptueshme çfarë ia lehtëson komunikimin me lexuesit.

Brenda vargjeve të vëllimit poetik “Shpërthime poetike” vërehet përkushtimi dhe përqendrimi artistik i autorit për të komunikuar lirshëm me lexuesin rreth preokupimeve të tij poetike dhe njerëzore. Në poezinë “Vera e përjetësisë” autori thotë :

“ Ç’ farë vlere kanë dëshmorët / Në tokën e mëmëdheut, / Tregon shtatorja e Zahirit / Përkrenarja e Skënderbeut “ /
…………
“ Ç’ farë vlere kanë dëshmorët / Në historinë e atdheut, / Tregon pushka e Zahirit / Shpata e Skënderbeut “ /

Andaj poezitë e Majkovcit kanë një dimension të gjerë, të një krijuesi që nuk sheh vetëm një drejtim, por ka një shikim të zgjeruar poetik.

Ai e shpalos bukur dhe thellë botën e tij poetike, sa fluide, po aq të prekshme dhe konkrete. Vargjet e tij bartin ide e mesazhe sa të këndshme , po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !