Rrahman Hyseni “Fli, bir i nënës”, botoi LSHK, Prishtinë 2016
Milazim F. KADRIU
Vargut të librave kushtuar dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së ditë më parë iu shtua edhe libri me poezi “Fli bir i nënës”, kushtuar dëshmorit Florim Rushiti – “Kingji” i lindur në Kapit të Medvegjës e që ra heroikisht në Betejën e Pashtrikut, më 26 maj 1999.
Libri “Fli, biri i nënës”, përkushtime poetike për Florim Rushitin nga rreth 80 autor nga e gjithë gjeografia shqiptare , përmbledhur e përgatitur nga Rrahman Hyseni, janë përkushtime emocionale e patriotike ku shfaqen mesazhe dhe rikujtime për dëshmorin, i cili e kishte të përkufizuar lirinë dhe si i ri mori rrugën e kurbetit, por zëri i atdheut e thirri që nga atje të kthehet dhe të jap jetën për lirinë e Kosovës.
Andaj kësaj thirrje të atdheut iu përgjigj me kushtrimin “O vdekje ,o liri” ku nga Gjermania arriti në malet e Pashtrikut së bashku më trima të tjerë̈.
Në malet e Pashtrikut në një betejë ku armiku kishte pësuar humbje të mëdha, dhe në luftime e sipër plagoset një luftëtar i lirisë, Muhamet Bajrami, ndërsa Florimi hidhet pa hezitim që ta ndihmojë atë dhe në përpjekje për ta tërhequr plumbat e armikut e qëllojnë dhe aty bie në altarin e lirisë dhe Florim Rushiti në malet e Pashtrikut më 26 maj 1999 fitoi pavdekësinë.
Libri “Fli,bir i nënës” është i ndarë në tri pjesë ku në pjesën e parë “Jam ai djali nga Medvegja” që nisë me vargjet :
Më mbani mend shokë?
Unë jam Florimi vetë
jam ai djali nga Medvegja
nga amshimi në liri ju flet…
Mos shkelni mbi gjakun tim të derdhur
se edhe për ju ka faqe historia
amanetin në vend ma çoni
bashkoni në një Shqipëri të gjitha trojet e mia(Florim Rushiti)
përfshihen shkrime dokumentare e publicistike për dëshmorin ku jepen dëshmi dhe kujtime nga familjarët,shokët e jetës shkollore, bashkëluftëtarët, eprorët e tij në UÇK,… Kjo pjesë përmban edhe një album me foto të dëshmorit nga lufta, foto me bashkëluftëtarët, foto të familjarëve në mesin e të cilave edhe fotoja Florim Rushitit të ri (djali i të vëllait që ka trashëguar emrin e dëshmorit) e që ato foto ruajnë kujtimin për dëshmorin dhe heroizmin e tij.
Ndërkaq në dy pjesët tjera “Kasnecët e lirisë” dhe “Përjetësi” përfshihen poezi të zgjedhura dhe rapsodi popullore nga poetë nga e gjithë gjeografia shqiptare kushtuar dëshmorit Florim Rushiti.
Poezitë e këtij libri kanë karakter patriotik meqë e portretizojnë dëshmorin që ra për lirinë e vendit, por ato shprehin edhe ndjenjën e nënës e cila i fletë me shumë dashuri të birit “Fli, birë i nënës” që i flet me dhembjen e shpirtit të nënës duke e bërë atë stoike për të birin e lartësuar në qiellin hyjnor. Tek poezitë e disa autorëve nuk mungon as mallkimi për plumbat e kobshëm që ia ndalën rrugëtimin Florimit të ri, rrugëtim ky që e kishte nisë bashkë me shokët për çlirimin e vendit nga okupatori shekullor serb.
Poetë të ndryshëm shkruan këto poezi për një luftëtar të shquar të lirisë, kundër armikut serb, i cili me heroizmin e vet pati merita të mëdha, për t’ia vënë atdheut kurorën e lirisë.
Zjarri poetik dhe magjia e poezisë e secilit poet dalin të veçantë dhe artikulohen në mënyrë origjinale. Këto poezi e përshkruajnë dëshmorin me një zë krenar, por edhe me një zë individual. Pra, janë lirika të pasura dhe përmbajnë ritme elegjiake, ku simbolika dhe stili u japin vlera të veçanta.
Poezitë përshkruajnë temën e heroizmit dhe të flijimit si koncept atdhetar. Këta poetë e kanë shpalosur botën e vet poetike, të frymëzuar nga e kaluara heroike me përplot luftëra, ku protagonist kryesor ishin trimat që ranë për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Ato i karakterizon një motivim i thellë, një notë e theksuar atdhetare dhe një adhurim për dëshmorin, i cili sakrifikoi jetën për lirinë e Kosovës.
Këto poezi kanë ngjyrën e gjakut, krenarinë e dëshmorit dhe gatishmërinë e ti për flijim, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë. Janë balada të përgjakura të cilat flasin se historia jonë nuk duhet të harrohet kurrë e as protagonistët që me gjakun e vet shkruan kapitullin më krenar të saj.
Ky libër është vëllim përkushtimesh poetike që përmes vargjeve krijuese shfaqë një mesazh i cili është rikujtues për luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes dëshmorit Florim Rushiti. Andaj vëllimet e tilla poetike janë libra të cilat nuk duan ta sfidojnë lexuesin por ta spikasin me dije për luftën dhe sakrificën si ngjarjet më të mëdha historike të cilat i kemi përjetuar e sidomos në luftën e lavdishme të UÇK-së.